Ballafaqimi i artit italian dhe shqiptar

0
1648

SHKRUAN: ILIR MUHARREMI

Ekspozita ka për qëllim ballafaqimin e artistëve

Në qytetin e Kalabrisë, Santa Severina, po qëndrojnë disa artistë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët janë ftuar nga skulptori Hevzi Nuhiu për të punuar 15 ditë, me qëllim të kurorëzimit të një ekspozite të përbashkët.

Ekspozita ka për qëllim ballafaqimin e artistëve italianë me atë shqiptarë. Pranvera Sylejmani, Ilir Muharremi, Afrim Spahiu, Agim Kryeziu, Agron Mulliqi, Emin Shaqaj, Gjin Musa, Hevzi Nuhiu, Avni Behluli, Nasuf Miftari, Sali Shkupolli, Skifter Nuhiu dhe Verona Ahmeti do të shprehin ndjenjat, imagjinatën, përshtypjet për qytetin mesjetar Santa Severina që ndodhet në jug të Kalabrisë.

Qëllimi i kësaj ekspozite është ballafaqimi i artistëve shqiptarë me ata italianë. Shqiptarët shprehin më shumë përshtypjet ndaj këtij qyteti derisa italianët anën personale të tyre. Danilo Montenegro, artist italian, tekst shkrues këngëtar, instrumentist, i cili këndon këngë dashurie, sociale kalabreze në ekspozitë paraqitet me performancë dhe me pikturë. Krijon një koreografi lëvizjesh, vijash, ngjyrash gjarpërore, realitete sociale, por edhe ëndërrore.

Gjejmë edhe fotografi të vjetra të vendosura në pëlhurë të përthyera nga ravijëzimet dhe shëmbëllimet që paravendosen dhe shpërndahen më pastaj në tërë kompozicionin. Vijat ngyrore janë të lehta të integruara rrjedhshëm, spontane, të përveçuara, stilistike, herë elegante e herë të vrazhda, veçon energji pozitive. Tregon se shpirtërisht dhe fizikisht artisti ripërtërihet.

NJË KONFLIKT NGJYROR
Emin Shaqja, peizazhist, sjell freski ngjyrore, foviste herë ekspresive duke krijuar reliefe të mugëta figurash, hapësirash humane, që vërtet kanë përthyerje shpirtërore. Ja peizazhi qiell e tokë, fusha, lëndina, pemë, ca shkallë dhe në mes të shkallëve një person duke ikur të poshtë. E verdha shtrihet e copëzuar matanë fushave, e gjelbra, e portokallta, e kafta, janë tejet lirike dhe poetike, sikur je në një ëndërr të lumtur dashurie.

Ngjyrat nuk e tejkalojnë këndelljen, lirinë, paqen, butësinë apo ëmbëlsinë, ato bëhen mbret i lojës dhe i imazhit. Vërtet mund të shohësh një konflikt ngjyror. E gjelbra, dy brigjet përballen në një rrafsh të shqetësuar, blu, qielli apo s’ka rëndësi, tabloja ka tension dhe rehati. Giuseppe Mele po ashtu nga Kalabria shpreh ambivalent të ngjyrës, por në plan të parë ka figurën e njeriut, veçanërisht atë të femrës shtatzënë, por me duar të mëdha.

E verdha, bluja, oker, janë shpërthyese të qëndisura mirë si në trup të njeriut po ashtu edhe në perspektivë. Krahas me artistët kosovarë, veprat e Italianëve janë më personale, sepse ata janë ngopur me arkitekturë të qytetit derisa kosovarët imitojnë atë. Agim Kryeziu, njëri nga artistët, ka vizatuar një rrugë, disa shtëpi, një ngjarje që ndodh pranë sheshit kryesor të Santa Severina, një gjendje… Të verdhën, portokallin, grin i kurorëzon me idenë estetike dhe ngjyrat na vijnë si energji, proporcione, tonalitete, herë nga me mbyllura në përshkallëzim tek më e çelura.

Kemi një kombinim estetik ngyror. Peizazhi përveç që është realist, pak impresionist, është edhe imagjinativ, është pëshpërime poetike, shpërthim nga magma e shpirtit, shpirtëzim fluid. Artin këtu nuk është vetëm si gjendje, lojë ose bartje të realitetit, por energji çiftëzuese me mendime të lexueshme, jo domosdosmërisht sociale ose politike. Pietro Spina, në veprën e tij unë shoh një trup njeriu të përthyer nga dhimbja, vuajtja dhe udhëtimi tmerrues, trup i brishtë, me formë dhe pa formë, mbushur me ajër, gojë hapur, klithë deri në qiell, sikurse nga njerëzimi pranoj vetëm dhimbjen dhe tashmë rënkon për këtë fatkeqësi.

Është skulpturë në dru e fragmentuar në linjë sa horizontale e sa vertikale, i gdhendur mirë, por jo në atë realizmin e renesancës, është modern dhe e veçantia e kësaj është ana psikologjike e skulpturës. Është plot dhimbje, por i gatuar mirë, i qartë, i kthjellët dhe i vetëmbyllur (hermetik, shumë protestues, revolt, zemërak, i mbushur mëri dhe denoncim. Unë e shoh si apel human drejt tragjizmit të kohës dhe skulptura italiane gjithmonë veçohej me realizmin dhe shpirtin e saj.

SHPIRTËRORJA DHE METAFORIKJA
Tek artisti Avni Behluli syri ndjek një vargan vijash, por edhe ngjyrash. Në njërin prej kompozicioneve vërejmë një kambanë dhe kokën e kalit, i cili tenton ta imitojë tingullin dhe nga goja e tij del një melodi. Koka e kalit na vjen sikur ajo tek skicat e Da Vinçit dhe tek ky akril në pëlhurë kemi pamje poetike. Vijat dhe ngjyrat jo vetëm shihen, por edhe nuhaten, artisti krijon një peizazh të rrumbullt, tokë, arkitekturë dhe në planë të parë figurë futuriste të kalit. Vjollca, e zeza, e bardha na japin imazhe estetike, por edhe përfytyrime ndonëse ndeshën mbi format dhe e tërë hapësira tejkalon paqen, lirizmin, butësinë dhe ëmbëlsinë. Bëhen nervoze dhe krijohet një trikonomi, formë- vijë-ngjyrë. Pastaj, në pjesën tjetër të kompozicionit figura e kalit dhe trupi zëvendësohen me kështjellën (kali bartë kështjellën.)

Sali Shkupolli në kanavacë paraqet dyert, por jo atë portës së ferrit, ose rrugën e tmerrshme drejt Hadit, të mundimshme, me flakët e ferrit ku e kuqja përfaqësonte shkatërrimin, djegien, djallin dhe ferrin. Në këtë derë bie mallkimi, veçohet pjesa simetrike, e matur dhe precizuar mirë dhe qëndron në mesë të kompozicionit. Pamja më shumë është gjeometrike, sikur e patinuar, kryqi si simbol i sakrificës është në të gjitha pjesët e derës, me pak fjalë nga një formë e kryqit bëhet një tjetër, gjashtë, pastaj shtatë, një vargan. Ngjan sikur të ishte grafikë.

Afrim Spahiu, fotograf i peizazhit, paraqet pamjet e qytetit, plot dinamikë, energji në të cilën gërshetohet qielli, arkitektura dhe fryma. Mirëpo, frymë- marrjen, reflektimin estetik e ndjemë te peizazhi dramatik i Spahiut. Arkitekturën mesjetare të Kështjellës së qytezës Santa Severina, përveç bukurisë së imazhit arkitektonik, e gjejmë edhe dimensionin e tretë, perspektivën qiellore, por edhe dritën natyrale e cila krijon një lojë dhe zhvillim. Pranvera Sylejmani penelin mundohet ta vendosë spontan, por është i zhdërvjelltë, në një pjesë çliron dritën, kurse në tjetrën hijen, por edhe kontrastin.

Koloriti është i çiltër te peizazhi abstrakt, te pjesa e tokës vërejmë sforcim të ngjyrës së gjelbër, po ashtu edhe sasia e ujit me ngjyrën është më e madhe, është në derdhje të instinktit me ngjyrën, pavetëdijes e që begatohet me implikimin e dritës. I tërë punimi krijon një ritëm kompozicional. Peizazhi është arkeologjik, rrënjët, arkitekturën mesjetare te Santa Severinës, rrugicat e të parëve, mitin i paraqet jo vetëm rastësishëm nga shpërthimet poetike e pasionale, por tenton të migrojë me synime të qarta ëndërrore në këto hapësira të moçme. Hevzi Nuhiu, skulptor nga Kalabria, shpreh shpirtëroren dhe metaforikën, duke e shkrirë figurën e femrës në lisë e lisin në njëri.

Skulpturat e tij janë organike, të gjalla të ngjashme me skulptorin Henry Moor, porse Nuhiu pasqyron figurën e Nënë Terezës, Ibrahim Kodrës, me të fundit kishte edhe shoqëri të mirë. Skulpturat janë me përmasa të vogla, të gdhendura në dru, veçohen me pastërtinë, hapësirën ndërmjet figurës dhe qëndrimin. Punimet nuk korrigjojnë njëra tjetrën, ngaqë këtë gjë e ka bërë skulptori, ato përpiqen të vallëzojnë rreth vetës sikurse balerinat e Edgar Degasit ose trupmëdhenjtë e Ogist Rodenit.

Ai nuk është as Muri e as Rodeni, por Nuhiu, i cili me një sy të thellë kërkon thesarin skulptural të vetes që e gjen, apo e transmeton në formë më të sinqertë poetike, të mistershme dashurore ku zë fill eteri, fryma, muzgu dhe djersa e epshit. Akordi i tablove nën lojën e dritës shpreh të bardhën brenda dhe kjo e bardhë puqet mbi trupat e femrave, të cilat qëndrojnë në pozita të ndryshe, e ndoshta të gjitha këto pozita janë fotografi nga një realitet i skulptorit, i cili me syrin fotografik arrin të dekorojë të madhërishëm dhe të heqë pluhurin nga trupat.

Agron Mulliqi, piktor, kuadron rrugicat, shtëpitë, jo ashtu siç janë, por me elemente të postmodernitetit (vija, forma dhe ngjyra), dhe arti vërtetë na del shumë subjektiv, duke mos e anashkaluar realen. Verona Ahmeti vjen me një peizazh, kushtuar po ashtu qytetit historik, Santa Severina. Dominojnë ngjyrat blu, e verdha, e gjelbra, e kuqja.

(Kosova Sot) – 09 korrik 2017

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar
“DI SANTA SERVERINA” CROTONE-KALABRI