Doli nga shtypi libri me poezi, “Uragani i Lirisë”, i autorit Milazim Kadriu

0
744

Yjet kurrë nuk shuhen, edhe atëherë kur nuk i shohim me sy

Përmbledhja poetike, “Uragani i lirisë”, e cila sapo dolin nga shtypi i kushtohet atdhetarit të paepur, njërit ndër komandantët më të përkushtuar të UÇK-së dhe disa dëshmorëve të tjerë, të cilët kanë rënë në luftë për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe. Në këtë përmbledhje poetike janë prezantuar poezi të poeteshave dhe poetëve shqiptarë nga Kosova dhe trojet tona përgjithësisht, të cilat u kushtohen më meritorëve të kombit, atyre që nuk kursyen mundin, diturinë, rininë, por as gjakun, në luftë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve ende të ndara, të degdisura dhe të copëtuara të Shqipërisë. (A.Q.)

Zë prej Hiri që del nga shpirtra poetik në këtë përvjetor të rënies së dëshmorëve të Kosovës

Historia e shkruan vetveten përmes teksteve, dëshmive apo monumenteve që ngrihen në shenjë nderimi dhe kujtese për heronjtë apo ngjarjet e caktuara, të cilat rikthehen dhe rijetojnë sipas frymës së çdo epoke. Këto artefakte jo vetëm shënjojnë copëza historie me mesazhet e tyre, por njëherësh janë dëshmi të gjalla në të tashmen e përherë për të gjithë brezat. Bustet, monumentet, muzetë etj., kanë kumtin e tyre dhe flasin përditë me njerëzit në rrugë, në pavione, në medie, apo përmes librash. Kështu që ata e ruajnë përmasën e tyre reale në çdo kohë në shoqërinë që udhëhiqet nga vlerat dhe morali. Në të gjitha kulturat dhe traditat e botës, dëshmorët zënë vendin e veçantë përmes formave të tilla të komunikimit dhe kujtesës, si një ilaç edhe ndaj amnezisë së brezave, e njëherësh edhe si një ftesë për të mos i harruar rrënjët mbi të cilat ndërtohet jeta jonë, liria që i gëzohemi dhe e kemi mes nesh.(A.Gj.)

YJET KURRË NUK SHUHEN, EDHE ATËHERË KUR NUK I SHOHIM ME SY

Përmbledhja poetike, “Uragani i lirisë”, e cila sapo dolin nga shtypi i kushtohet atdhetarit të paepur, njërit ndër komandantët më të përkushtuar të UÇK-së dhe disa dëshmorëve të tjerë, të cilët kanë rënë në luftë për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe.
Në këtë përmbledhje poetike janë prezantuar poezi të poeteshave dhe poetëve shqiptarë nga Kosova dhe trojet tona përgjithësisht, të cilat u kushtohen më meritorëve të kombit, atyre që nuk kursyen mundin, diturinë, rininë, por as gjakun, në luftë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve ende të ndara, të degdisura dhe të copëtuara të Shqipërisë.

E veçanta e të gjitha këtyre poezive është përpjekja për të thurur vargjet më të mira, më të përkushtuara e më të dashura për dëshmorët, sepse të shkruash për dëshmorët është privilegj, pavarësisht sa arrin ta thuash atë që ke në mendje, e në zemër. Dhe sado ta kesh shkruar bukur një poezi të tillë, sado të pretendosh ta bindësh veten se ke arritur ta shprehesh, atë që ke menduar, prapëseprapë nuk të duket se ke bërë mjaft, nuk të duket se ke arritur ta shprehësh në tërësi ndjenjën e përkushtimit, përmes fjalës poetike.

Të duket se fjalët janë të varfra për ta thënë të tërën, sepse fjala nuk arrin dot ta tejkalojë shembullin e dëshmorit, aktin e heroizmit dhe rënien e tij, nuk arrin ta manifestojë tërësinë e sakrificës së tyre, e cila shtrihet në përjetësi dhe është pikërisht përjetësia e tyre, e cila vështirë se arrihet me ndonjë vizion të manifestuar me fjalë, qofshin ato edhe më të goditurat, më të përkushtuarat, më të arrirat e më të fisnikëruarat.

Kjo përmbledhje poetike është dëshmi e përkushtimit të poetëve tanë për të pavdekshmit e kombit e atdheut, për më meritorët, dëshmi të një epoke, pjesë e së cilës janë të gjithë këta poetë e poetesha, të cilët luftën dhe sakrificat për liri të bijave dhe bijve më të mirë të kombit i kanë përjetuar secili në mënyrën e vet.

Dëshmorët vazhdimisht meritojnë lavdi, por një pjesë modeste e lavdit u përket edhe atyre, që ecin rrugëve nëpër të cilat kanë ecur ata, u përket edhe atyre që nuk i harrojnë veprat dhe jetën e dëshmorëve, atyre që shkruajnë për ta, për veprat dhe jetët e tyre….
(Ahmet Qeriqi, janar 2017)

NJË ANTOLOGJI E SHKRUAR ME BOJË GJAKU

Zë prej Hiri që del nga shpirtra poetik në këtë përvjetor të rënies së dëshmorëve të Kosovës

Historia e shkruan vetveten përmes teksteve, dëshmive apo monumenteve që ngrihen në shenjë nderimi dhe kujtese për heronjtë apo ngjarjet e caktuara, të cilat rikthehen dhe rijetojnë sipas frymës së çdo epoke. Këto artefakte jo vetëm shënjojnë copëza historie me mesazhet e tyre, por njëherësh janë dëshmi të gjalla në të tashmen e përherë për të gjithë brezat. Bustet, monumentet, muzetë etj., kanë kumtin e tyre dhe flasin përditë me njerëzit në rrugë, në pavione, në medie, apo përmes librash.

Kështu që ata e ruajnë përmasën e tyre reale në çdo kohë në shoqërinë që udhëhiqet nga vlerat dhe morali. Në të gjitha kulturat dhe traditat e botës, dëshmorët zënë vendin e veçantë përmes formave të tilla të komunikimit dhe kujtesës, si një ilaç edhe ndaj amnezisë së brezave, e njëherësh edhe si një ftesë për të mos i harruar rrënjët mbi të cilat ndërtohet jeta jonë, liria që i gëzohemi dhe e kemi mes nesh.

Në këto rrënjë të thella buron edhe kjo antologji elegjish, odesh dhe baladash kushtuar kryesisht tre heronjve të Kosovës, Zahir Pajazitit dhe shokëve të tij, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, të cilët janë dëshmorët e parë të rezistencës së organizuar me armë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit dhe gjenocidit njëshekullor serb në Kosovë.

Ata janë dëshmia e gjallë e tragjizmit modern që thotë me historinë e saj se e liria e kërkon kurbanin e saj në çdo kohë dhe se ajo ushqehet me gjakun e bijve më të mirë të saj.

Edhe në këtë 20-vjetor të rënies së këtyre tre dëshmorëve, teksa i hedhim sytë pas, bëhemi më të vetëdijshëm për rrënjët e kësaj lirie, përmasën reale të së cilës e kuptojmë më mirë se askund tjetër në fjalët, vargjet dhe poezitë e këtij libri. Arti e shndërron të tashmen në përjetësi; personazhin e bën të gjallë në çdo kohë dhe monumentin e çon në çdo mendje përmes fuqisë së fjalës; dhe këtë e bën më mirë se kushdo tjetër elegjia, një nga llojet më të rralla dhe të vështira të poezisë lirike.

Fjala elegji vjen nga greqishtja (elegos-ankim), ndërtohet me një ton të qartë e të matur dhe shërben për të shprehur ndjenja të ndryshme me një qëllim gati didaktik, duke trajtuar probleme morale, politike apo historike. Që nga grekët e lashtë deri te romakët, elegjia u bë një këngë lirike me një dimension melankolie, dhe e tillë ka mbetur edhe sot e kësaj dite në lirikën evropiane.

Nëse u hedhim një sy gjithë letrave shqipe, e veçanërisht raportit të poezisë me personazhet e historisë së gjallë, janë të pakta ato poezi elegjiake që kanë mbetur në memorien tonë; por sigurisht ato janë të gjalla në mendjet e secilit prej nesh. Elegjia e Fan Nonit “Shpell’e Dragobisë” është një ndër majat poetike të këtij lloji që e ka bërë të pavdekshëm Bajram Currin me vargje kaq të thella dhe të ndjera. Sigurisht, elegjia në çaste të caktuara e ka zbehur fuqinë e saj, por, ajo madhështohet kur pikon fjalë për heronjtë e vërtetë.

Teksa lexon këtë antologji, përjeton jo vetëm përmasën reale të dëshmorëve për të cilët është dedikuar këto elegji, por kupton se ato janë refleksione me vlera të shumëfishta, të cilat shoqëria me kastën e përzgjedhur të saj, pra me poetët, i blaton fjalën heroit, i shpreh mirënjohjen, i nderon aktin, e shndërron në modelin e të sotmes dhe të nesërmes, dhe njëherësh sfidon harresën kolektive ndaj bijve më të mirë të saj.

Të gjitha këto vijnë të derdhura jo në bronz, siç realizohet një monument, por me një mal epitetesh dhe metaforash, ku secili prej poetëve përcjell gjetjet poetike, ndjeshmërinë ndaj fjalës, lëmimin e saj stilistik në llojin elegjiak, apo baladesk, apo prej odesh. Heronjtë janë lulegjaku, dashuri, yll, fanar, dritë, ëndërr.

Shumica prej tyre i janë përmbajtur më së miri: Dikush ka folur thjesht me gjuhë zemre, dikush ka thënë fjalë shpirti, dikush i ka bërë elegjinë heroit, dikush ka eksperimentuar, duke gdhendur emra heronjsh, si atë të Zahir Pajazitit në shkronja-vargjesh etj. Secili me botën dhe shpirtin e tij për të lartësuar përmasën e dashnorëve të atdheut.

Poeti Abdyl Kadolli flet me tre heronjtë në mermer që gjenden “të gjallë” në mes të Prishtinës, dhe apelon fort për të sotmen dhe të ardhmen si kujtesë:

Në Grand ngërdheshen horrat
Pinë uiski, luajnë me vota… (Kapedani i Gallapit)

Poeti Adem Zapllusha luan me paradokset ndaj dehjes-amnezisë së kohës:

Mbushni gotat
Sonte dua të dehemi

Dhe të këndojmë të gjithë në kor
Himnin të cilin e këndojnë vetëm perënditë
Për ata që burrërisht u flijuan për atdhe

(Dëgjoje zërin e lirisë për Zahirin)

Me të njëjtën ndjesi dhe stil vijon edhe poezia tjetër “I kujt vallë mund të jetë”.

Afërdita Salihu sjell një mesazh me këtë rast nga Presheva, jo aq me rëndesën poetike sesa me peshën e të tashmes që thërret:

Kosova të mban në zemër, toka në gji të saj,
Dy aleat, që ëndrrat veç këtyre ua fale,
Sa krenarë, sa të lumtur, sa me fat,
Kënga për Zahir Pajazitin, asnjëherë të mos ndalet.
(Zahir Pajaziti)

Tjetër këndvështrim sjell Baki Ymeri, i cili me të drejtë i quan heronjtë ata që me gjakun e tyre e ushqejnë atdheun/kombin me frymë dashurie, duke bërë një “përrallë dashurie” ndryshe. Të njëjtin koncept të dashurisë për atdheun deri në sakrificë e trajton Nikollë Loka:

Rende pas dashurisë në dhimbje,
dhimbjen tonë e shërove me dashuri,
bashkove në një mëngjese Kosove,
e nuk pyete më,
çfarë do të ndodhte me Ty. (Koha që s’plak)

Kimete Hyseni kap kohën-janarin si moment kujtese dhe pamundësie për të pasur Zahirë të tillë që ta duan atdheun me thellësinë e tij:

O Zahir Pajaziti,
Kur ike Ti në përjetësi
Prapa s’mbet njeri.
Të zgjohet përsëri,
Atdheun ta dojë, vërtet.
Lum si Ti që pushon i qetë
Të gjallët që mbetëm
S’e mbushim dot me jetë. (Ishte janar)

Te poezia “Hana shtatëmbëdhjetë” vjen mjeshtërisht balada e ndërtuar mbi bashkëbisedimin me hënën dhe shtatëmbëdhjetën, numri i cili në muajin shkurt shënjon edhe ditën e pavarësisë.
Naxhije Doçi ka sjellë me mjeshtri një pasuri metaforash teksa vështron nga lart/larg monumentin e Zahir Pajazitit, pranë të cilit gugasin dhe lodrojnë këndshëm pulëbardhat:

Jehu me guxim të derdhur hirësie
në çdo fill agmie
e mbrëmjesh të dehura nga vrull i dashurisë,
stinëve pa dallim,
për rininë tënde shkrirë në pafundësi drite
që liria të flakërijë
me krahë pulëbardhash në fluturim
anekënd Kosovës,
mijëvjeçari magjik i tretë
përbashkim përmallimesh të etura
në tërë pëllëmbën e trashëgimisë.
(Fanar me buzëqeshje agu)

Vlen për t’u veçuar mjeshtëria e poetes Puntorie Ziba, në mënyrën se si e ka parë heroin, qasjen që ka përzgjedhur, elementet që ka përdorur, – a thua kemi të bëjmë me një vajtim, dhe metafora goditëse.

Fjalët prej gjaku ua the dëllinjave, luginave
kur si puhizë shpërndaje lirinë.
Kur zezona pllakosi në rrugë
dera e mortit u hap nën strehën tënde
ah, ti preke kaltërsinë,
vajtojcat shihnin buzavajin e grave
dhe ia nisën vajit me ligje,
ngaqë e dinin përse ëndërrove
përse ike nga plumbat
nën hijen e yllit
që diellohej. (Kurthim dhe liri)

Mbi drama njerëzore, mbi fate heronjsh ecën çdo komb dhe këtë mesazh alarmon për të gjallët e vdekur kjo poete edhe në poezinë vijuese të saj në këtë antologji “Trualli im”, e cila përgjithëson më së miri mesazhet e thella që dalin prej këtij vëllimi poetik.

Kjo antologji nuk është thjesht një buqetë vjershash, por janë këngë, lule gjaku, janë copëza shpirti nga shpirti i heronjve, janë jetë nga jeta e tyre, të cilat rrahin në zemra poetësh si elegji, si tinguj që shërojnë të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Të tilla, duhen lexuar, edhe pse kanë dhimbje, edhe pse kanë gjak, edhe pse kanë tragjedi, edhe pse fshikullojnë, edhe pse vajtojnë, edhe pse piskatin, edhe pse alarmojnë. Harresa nuk i vret heronjtë sepse ata e kanë fituar përjetësinë edhe në vargje, por e vret të tashmen tonë dhe e rrezikon lirinë nëse nuk reflektojmë dhe kuvendojmë me gjuhën e ndjerë dhe të thellë të republikës që kanë krijuar këta poetë.

Autori, Albert Gjoka vazhdon studimet doktorale pranë Fakultetit Histori-Filologji, Dega Letërsi, në Universitetin e Tiranës.