DUKE KUJTUAR ME RESPEKTE, MALL E DHIMBJE DJALIN ENGJËLLOR TË VENDLINDJES SIME, YLLI SAJDI DANAJ

0
3214

(Babe e bir u shuan në moshën e re, 39 dhe 18 vjeçare)

Qatip Mara

Dhimbjet janë pjesë e jetës së njeriut, por kjo dhimbje ishte e shumëfishtë, drithëruese për familjen e të ndjerit Sajdi Hekuran Danaj, për vëllezërit, nipërit e mbesat e fisin Danaj, Kropisht, Vlorë, që u ndërpre jeta në moshën e re, të mrekullueshmit Yllit të bukur, që rrezatonte dashuri për të gjithë YLLI SAJDI DANAJ. Dhe kjo dhimbje u pasua nga dhimbja e madhe e humbjes së jetës të birit të tij të vetëm Armir Ylli Danaj, që u shua në lulen e adoleshencës. Janë dhimbje që nuk ke guxim për të shprehur ngushëllime. Ashtu si e kishte emrin e bukur Ylli ishte një komplekës bukurie fizike e shpirtërore. Në sytë e tij të bukur rrezatohej ngrohtësia e diellit shpirtëror, që prodhonte zemra e tij e dlirtë me ndjenja të sinqerta dashamirësie, humanizmi, bujarie. Buzëqeshja e tij në fytyrën e bukur estetike e qëndisur biologjikisht nga Zoti e nëna e tij e bukur, e madhërishme Sanije Danaj me bashkshortin e bukur Sajdi Hekuran Danaj, ishte një bukuri e magjishme pranverore që konkuronte çdo bukuri. Ai ishte bukuria e bukurisë njerëzore, ashtu si kishte emrin e bukurisë qiellore Ylli i paharruar në zemrat e të gjithëve.

Kur YLLI ishte ende fëmijë i vogël e vinte për të mbushur ujë te çezma e kalasë na përshëndeste me buzëqeshjen e bukur diellore. Të respektonte me mirënjohje kur e përshëndesnim me dashamirësi. Së bashku më vëllezërit e tij ishin të përkushtuar për të ndihmuar nënën e tyre në mirëmbajtjen e higjenës shtëpiake, duke e lehtësuar nënën e tyre të shtrenjtë nga lodhja e punës ditore në brigadën e punës kooperativiste. Nëna e tyre Sanije Danaj, krenohej me djemtë e saj, lumturohej që ishin të sjellshëm, të dashur. Ajo punonte si luaneshë në punët e bujqësisë. E shikoja së bashku me nënën time, që herët pa u gdhirë në fushat e luginës së Vllahinës ku në atë kohë me orienimet ruse ishin mbjellë duhan. Duhanin e vilnin dhe me kosha të ngarkuar mbi kokë ngjiteshin në kodrën, ku ishin hangarët e duhanit të brigadave. Duart e tyre, e fytyra ishin të mavijosura nga veprimi kimik i gjetheve të duhanit. Punonin gjatë ditës me kokë ulur duke shkuar në vargje duhanin. Punonin me shume shpejtësi për të bërë disa norma. Kur isha mësues në Kropisht e takoja shpesh nënën e mrekullueshme të djemve të bukur të Sajdi Hekuran Danaj dhe ajo lumturohej kur unë vlerësoja, duke shprehur konsiderata për djemtë e saj të edukuar. Në vitin e fundit të punës si mësues në vendlinje erdhi në klasën e parë bukuroshi Ylli Sajdi Danaj. Mësonte sistematikisht dhe kishte intuitën për të kuptuar konceptet e arithmetikës dhe shprehitë e të lexuarit. Edhe pse ishin gjashtë vëllezër dhe prindërit ishin të angazhuar në punë, ata kujdeseshin për njeri-tjerin, kishin një harmoni e sjellje shëmbullore. Vite më vonë, kur kishte mbaruar shkollën 8-vjeçare kishte nisur studimet mjekësore. U gëzova shumë që Ylli Danaj filloj studimet në mjekësi.

Ishte një gëzim për prinëdrit e tij, por edhe për gjithë kropishtjotët, që djali bukur Ylli do shërbente me aftësi mjeksore, sepse jo vetëm ishte djalë i zgjuar, por mbi të gjitha kishte shpirtin më të bukur. Ai me pamjen e tij të bukur të largonte dhimbjen e kokës. Me fjalën e tij të embel të hiqte streset e jetës. E takoja shpesh kur vazhdonte shkollën mjeksore dhe shikoja optimizmin e pasionin e tij për shërbimin human të mjeksisë. E mbaroi shkollën me rezultate të larta dhe filloi punën me përkushtim. Ditën dhe natën ishte i papërtuar në të gjitha emergjencat mjkesore të zonës së Vllahinës, në të gjitha fshatrat e komunës shkonte me pasion e dashuri për profesionin e mjeksisë, ishte me aftësi universitare për të diagnostikuar sëmunjdet. Ai sakrifikonte shumë nga vetja për t’u dhënë më shumë jetë të tjerëve! Brenda vetes së tij ruante një gjë më të madhe, një gjë më të shenjtë, dashurinë njerëzore. Dashuria për t’u shërbyer njerëzve të sëmurë ishte një ndjenjë hyjnore në zemrën humane të Ylli Sajdi Danaj, në të cilën shpirti tij dhe profesioni i mjekësisë kishte motivin të shpëtonte sa më shumë jetë njerëzish të kërcënuara nga sëmundjet… Kush më shumë se ai e dashuronte profesionin e vet?! Dashuria për Ylli Danaj ishte puna që fisnikëron njeriun, ishte triumfi i së mirës, i ideales dhe i shpirtit njerëzor. Sa e sa herë buzeqeshja e tij kishte ndezur zemrat të sëmurëve edhe kur ato ishin të trishtuara! Aftësia, pasioni e kujdesi tij u jepte shpresa të sëmurëve edhe kur ajo dukej se kishte humbur, përkushtimi i tij i përhershëm dhe i sinqertë i mbushte me frymëzim për të sfiduar sëmundjet.

Çfarë njeriu qenka ky, mos e teprova? – them me vete. Jo, jo, ai vërtetë ishte i tillë, ai ishte njeri real. Në spitalin e Vllahinës dallohej për shërbimin cilësor. U shërbente me shumë dashuri dhe pasion… Ai s’mori asnjëherë parasysh sakrificat që bënte ditën apo natën nëpër fshatra të largëta. Në emër të një misioni më të lartë, atë të humanizmit njerëzor punoi me zemër, duke u futur në zemrat e pacientëve, duke prekur shpirtërat e qenjen e tyre. Edhe kur u trasferua me punë në spitalin rajonal të Vlorës, ai nuk u shëput me spitalin e Vllahinës e me fshatrat e komunës së Vllahinës, por sapo e njoftonin natën flulturonte për të dhënë ndihmën e shpejtë. Kishte krijuar familjen e tij dhe gëzohej që pas lodhjeve të shumta pritej me shumë dashuri nga vajza e djali tij Armir. Enderronte shumë të arsimonte fëmijët në fushën e mjekësisë, por befasisht sulmohet nga një sëmundje e rëndë. Ai që kishte shpëtuar jetë njerëzish, po kërcënohej nga vdekja në moshën më të re. Luftoj dy vite me sëmundjen duke punuar edhe në spitalin e Vlorës. Vëllazëria e tij kërkoi ndihmë në bashkinë e qytetit Vlorë të merte një vizë në konsullatën italiane në Vlorë për ta kuruar në spitalet në Itali, por bashkia e Vlorës nuk e ndihmoi fare. Të detyruar nga rreziku i jetës së vëllait të tyre të shtrenjtë Ylli Danaj, përdorën rrugën e ryshfetit, të korrupsionit, duke paguar policët italianë të tragetit dhe policët shqiptarë të portit të Vlorës.

Sapo kishte mbërritur në Itali, pesë vëllezërit e tij dhe të gjithë ata emigrantë kropishtjotë që ndodheshin në emigracion në Itali kishi grumbulluar të ardhurat financiare për ta shtruar në spitalin që ta kuronin. Mjekët italianë nuk kishin dhënë shpresa për të jetuar. Duke e kuptuar gjendjen e tij shëndetësore si specialist i talentuar i shërbimit mjeksor, javën e fundit të muajit gusht të vitit 2000 Ylli Danaj kishte kërkuar të shkonte në familje të takohej me të gjithë njerëzit që kishte njohur. Ajo bukuri trupore dhe bukuri shpirtërore do përballej me ndarjen e dhimbshme nga jeta, kur akoma nuk i kishte mbushur 39 vite jete. Më 1 shtator të vitit 2000 djali i bukur, Ylli Sajdi Danaj mbylli sytë duke shkakëtuar lumë lotësh nga familja e tij, vëllazëria, fisi, fshati, krahina, Vlora etj., të cilët e kishin ndjerë hidhërimin me zemër, për njeriun e mrekullueshëm, që i deshi me zemër dhe u shërbeu me zemër. Bashkshortja e tij, vajza e tij, djali vogël 12 vjeçar Armir, të trishtuar nga hidhërimi i vdekjes nuk besonin se po ndaheshin fizikisht dhe nuk do kishin në shtëpi njeriun e tyre më të dashur. Vëllazëria e tij, fisi Danaj, gjithë kropishjotët, krahina me të gjitha fshatrat, nga qyteti Vlorës dhe nga qytete të tjera e përcollën në banesën e fundit me lotë dhimbjeje.

Ylli Danaj u largua nga jeta në moshën e re, por me shërbimin, sjelljen e performancën e tij shëmbullore ka fituar pavdekësinë te të gjithë dashamirësit e tij. Ai trashëgonte virtutet më të mira të gjyshërve dhe prindërve, të cilët jetuan me dinjitet. Gjyshi i tij Hekuran Çize Danaj ishte njeri i mrekullueshëm, i cili me urtësinë e maturinë që e karakterizonte të impononin ta dëgjoje me vemendje e respekt. Natyra e qetë e tij kishte autoritetin e thjeshtësisë në komunikim me të gjitha moshat, duke i respektuar me shumë dashamirësi. Ai iku nga jeta i paplagosur në shpirt, sepse në vitet në vazhdim, në familjen e djalit të mrekullueshëm Sajdi Hekuran Danaj ndodhën fatëkeqësi shumë hidhëruese që nga dhimbjet është hidhëruar edhe Qafa e Gurit.

Kujtoj me shumë emocione dhimbje prindin shëmbullor Sajdi Hekuran Danaj, i cili është larguar nga jeta me hidhërimin e humbjes së birit të shtrenjtë Ylli Sajdi Danaj dhe të nipit Armir Ylli Danaj. Armir Ylli Danaj u largua nga jeta në moshën e enderrave të bukura të adoleshencës, duke plagosur rëndë zemrën e gjyshit të tij të dashur Sajdi Hekuran Danaj, hidhërimi u shumëfishua dhe nuk kishte vlera fjala Ngushëllim. Edhe i ndjeri Ylli Sajdi Danaj, atje te banesa e fundit e ka ndjerë helmin e vdekjes së birit të tij të shtrenjtë. Pas 12 viteve të largimit nga jeta, ai mori në gjirin e tij djalin e tij të vetëm që kishte thurur shumë enderra për të ardhmen e Armir Ylli Danaj.

Këto vdekje hidhëruese goditën njeriun e mirë Sajdi Hekuran Danaj, i cili kishe shumë vlera njerëzore. Thuhet se njeriu edukohet gjatë jetës, por Sajdi Hakuran Danaj kishte lindur i edukuar, ku bashkë me qumshtin e ushqyer nga nëna e tij e mrekullueshme kishte fituar urtësinë, maturinë, buzëqeshjen e jetës. Në sytë e tij rrezatohej mirësia, dashuria për prindërit e tij, për vëllazërine e fisin Danaj, të cilët karakterizohen nga kompaktësia e harmonia vëllazërore e fisnore duke respektuar shoqërinë e miqësinë… Ai ndihej i gëzuar që kishte fëmijë të edukuar, të bukur e të dashur. Befasisht jeta të godet atje ku nuk e pret. Kur fëmijët e tij u rritën dhe kishin krijuar familjet e tyre ndodhi gjëma vullkanike hidhëruese, duke larguar nga jeta birin e shtrenjtë Ylli Sajdi Danaj.

Me këtë shkrim dua të theksoj se fshati nuk janë vetëm kodrat e fushat, apo shtëpitë e bukura, por është historia e çdo familje kropishjote, është historia e jetës të çdo kropishtjoti, të cilët edhe pse mund të jenë larguar fizikisht jetojnë me shpirtin e tyre në kujtimet e sejcilit prej nesh qe jemi gjallë. Ata që janë në banesën e fundit nën tokë, kanë shpirtin te familjet e tyre, te fisi tyre, te bashkëfshatarët e tyre, te shoqëria e miqësia. Shpirti njeriut është i pavdekshëm, jeton në hapësirën e universit dhe vetëlëviz ashtu si lëvizin fotonet kuantikte të dritës.

Edhe shpirti i të mirit Sajdi Danaj është pranë fëmijëve, fisit Danaj dhe gjithë kropishtjotëve e miqësisë. Nipi i tij që jeton Wolfsburg, Germany. Nëpërmjet facebook më dërgoj fotot që po shoqërojnë këtë shkrim, si homazh nderimi e respekti për kujtimin e ndritur të Ylli Sajdi Danaj dhe birit të tij Armir Ylli Danaj. Nipi mban emrin e gjyshit të tij Hekuran Çize Danaj, por e thërrasin Bushi Moisi Danaj, është djali vëllait të Ylli Danaj, i cili me dhimbje më dërgoi një mesazh për mbresat, që t’i lexoja dhe mendova t’i vendos tek ky shkrim:

– “Kur xhaxhai im Ylli shërbente në spitalin e Vllahinës punonte ditën e natën. Pas mbaronte punën në spitalin e Vllahinës, shkonte në shtëpi dhe sapo fillonte të hante bukë, dikush do ta thërriste te shkonte të vizitonte ndonjë të sëmurë nëpër fshatrat e zones së komunës Vllahinë, si në Karbunarë, Treblovë, Gorrisht, Mallkeq, Peshkëpi, Drashovicë. Kudo që shkonte me shpirtin e tij human nuk u merrte asnjë lekë. Kujt nuk i ka bërë mire ai Njeri? Kudo shkonte papërtuar, e mposhte lodhjen duke shërbyer të sëmurëve dhe buzëqeshja nuk i mungonte në fytyrë. Sa e sa ilace u jepte pa lekë nga emergjenca e spitalit të Vllahinës. Por sëmundja e keqe e hëngri brenda dy vjetësh. Thamë se do bëhej djali si xhaxha Ylli, por fati nuk donte dhe e mori Armirin afër vetes, sepse e kishte pik të dobët. Në varrimin e xhaxha Yllit kishte pjesmarrje të madhe, autokolona e makinave ishte nga Qishbardha deri në Kropisht nga të gjithë anët e Shqipërisë. Ndihem krenar që kam pasur një xhaxha human, por zoti të tillë njerëz i merr afër vetes se i duhen për shërimin e engjëjve lartë.

Xhaxhai im Ylli për kropishtjotët jepte kokën. Sa e sa familje ka vizituar në mes të natës pa ju marë kokër leku. Edhe shpirtin t’i kërkoje ta jepte. Kur punonte në spitalin e Vlorës u sëmur. Bëmë shumë përpjekje te bashkia e qytetit Vlorë ta ndihmonte për të nxjerrë një vizë italiane te konsullata italiane e Vlorës, që ta kuronim në spitalet italane, por bshkia nuk na ndihmoi. Vëllazëria e xhaxha Yllit, me forcat e tyre pesë vëllezër e hodhën në Itali duke u dhënë ryshfetë policëve italianë e policëve të portit të Vlorës. Në Itali e priti vëllai i vogël i tij. U mblodhën gjithë kropishtjotët që ndodheshin në Itali për të na ndihmuar sadopak me sa kishin mundësi, por mjekët italianë nuk na dhanë shpresa për të jetuar. Xhaxhai e dinte që ishte i ikur nga jeta dhe thoshte mos u mundoni kot, se e di vetë veten time si jam. Javën e fundit të jetës së tij kërkoi t’i takonte të gjithë njerëzit që njihte dhe gjithë krahina i shkoj te shtëpia e tij. Njerëzit kur shkonin për ta takuar mendonin se do ta gjenin të shëruar, por kur iknin dilnin me lotë në sy.”

Bushi Moisi Danaj, Wolfsburg, Germany.

Kujtimet me dhimbje na trazojnë shpirtin, bëjnë që zemra të dridhet nga emocionet. Për një çast qenia fiton një dimension krejt të pamasë. Papritur ndjen se jemi njeri tjetër! Dhe them me vete: sa shumë gjëra kemi për ti thënë njeri-tjetrit në këtë botë. Kur shkova vitin e kaluar në 30 gusht 2016 te banesa e fundit e prindërve të mi në Kropisht, kisha shumë emocione, shkova te varrezat, sepse ishte hera e parë që në kraharorin tim rrihte një zemër e huaj që më ka dhënë shansin e jetës së dytë. Fola në heshtje me prindërit e mi, me vëllan, motrën, djalin e xhaxhait, xhaxhallarët, xhaxheshat, hallën time, por shkova edhe te pllakat e mermerit ku ishin fytyra të bukura të moshës së rinisë, të cilët i njihja dhe me dhimbje i shikoja me sy të lotuar. Atje pashë me dhimbje edhe të ndjerin Ylli Sajdi Danaj, të birin Armir Ylli Danaj dhe të dhjetëra të rinj të tjerë, që humbën jetën në lulen e rinisë.

Kur isha në ditët pas opercioneve në Nju Jork, nga Vlora më kërkoi në Skype të fliste me mua i ndjeri miku im si vëlla Xhevdet Malaj dhe më premtoj se do më priste me gëzim në Vlorë kur të shkoja. Shkova, por atë e gjeta në banesën e fundit dhe u trishtova që jetën e kemi shumë të shkurtër dhe nuk e kuptojmë se të gjithë jemi udhëtarë kalimtarë. Nderim e respekte të gjithë atyre që prehen në varrezat e fshatit tim të lindjes, të cilët i ruaj në kujtesë me shumë dashuri. Zoti ka bërë padrejtësi që helmoi zemrën e të ndjerit Sajdi Danaj me humbjen e birit të shtrenjtë dhe të nipit Armir Ylli Danaj. U prehtë në paqe i miri Sajdi Danaj. Nuk munda të isha në përcjelljen e tij në banesën e fundit, sepse jam akoma pacient spitali i Nju Jorkut, duke jetuar me një zemër amerikane, por me shpirt do i bëj homazh nga larg, duke shprehur ngushëllime për largimin nga jeta të fisnikut Sajdi Danaj me hidhërimet e tij të shumëfishta, të humbjes hidhëruese të djalit Ylli Sajdi Danaj dhe nipit Armir Ylli Danaj.

Me respekte ju uroj gjithe trashgimtarëve të të ndjerit Sajdi Danaj dhe fisit Danaj të kenë jetëgjatësi me shumë gëzime!

Nju Jork, 4 korrik 2017