KOSOVA PRET NGA ALBINI POR JO NGA PUTINI

1
841
Shefqet Dibrani

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Zgjedhjet e 11 qershorit 2017, në historinë e Kosovës kanë determinuar koncepte të reja duke favorizuar një lëvizje të re e cila në raport me koalicionet e mëdha shënoi një rritje jashtëzakonisht të madhe, e cila si vullnet qytetar duhet të respektohet. Rritja enorme e LVV shpjegon qartë për zhgënjimin e qytetarit nga strukturat politike të cilat nuk u treguan të afta për ta udhëhequr si duhet vendin. Por brenda këtyre zgjedhjeve ka pasur një ndryshim dhe një vetëdijesim jashtëzakonisht të madh, sepse qytetari u vetëdijesuar shumë. Këto zgjedhje kanë eliminuar gardën e vjetër e cila ishte pengesë e shumë zhvillimeve. Kjo gjë është e mirë dhe e shëndetshme për demokracinë dhe shoqërinë tonë.

Votuesi i LDK-së, ka qen mjaftë i vëmendshëm për ti eliminuar pleqtë e LDK-së të cilët nuk përfaqësonin elitën e veteranëve themelues por ishin përvetësues të meritave të të tjerëve. Votuesi i LDK-së arriti në masë të konsiderueshme edhe stafin teknik të Isa Mustafës, të cilët për servilizmin e tyre ndaj politikave dështuese të shefit, ia dha ndëshkimin e merituar.

Pavarësisht se edhe ky ekip që i shpëtoi filtrit të elektoratit janë servil të Isa Mustafës dhe pengues të demokracisë së brendshme, sepse gati të gjithë janë kapërthurur në majat e LDK-së duke mos përfillur konkurrencën dhe avancimet e brendshme partiake por drejtpërdrejt nga stafi teknik kanë zënë pozita kyçe, madje duke orkestruar një lloj demokracie të brendshme e cila ishte farsë sa për ta mashtruar elektoratin i cili LDK-së ia përcaktoi pozitën e tretë duke shënuar rënien ma të madhe që nga fillimi i saj.

Ky elektorat ishte i vetëdijshëm se duke votuar LDK-në do ta sforcojnë pozitën partiake të Isa Mustafës prandaj bashkë me të eliminoi edhe përpjekjen e radikalizmit fetar për tu kapërthur në parlament. Këto zgjedhje i treguan botës perëndimore se në Kosovë nuk ka vend radikalizmi fetar e politik, që pretendonte me çdo kusht të futej në politikë. Pa dyshim zgjedhjet e 11 qershorit 2017, do ta dëshmojnë kursin Evropian të Kosovës, duke sforcuar partneritetin me SHBA-të, të cilave ua qartësuan se në Kosovë ka ma shumë dashuri civilizim evropian se sa për besim fetar, i cili ia ka lëkundur themelet formave tradicionale të besimit dhe emancipimit evropian të shqiptarëve.

Pas këtyre humbjeve, Isa Mustafa do të duhej të jepte dorëheqje, ai me kryeneçësi nuk iu hapi udhë proceseve reformuese në parti. Por ma shumë se kaq zgjedhjet e sivjetme e zhbën edhe mitin për SHIK-un, këtë organizatë për të cilën është akuzuar një garniturë e tërë politike. Padyshim kësaj duhet t’i gëzohet secili, por ma së shumti PDK dhe vet Kadri Veseli. Po ashtu këto zgjedhje e kanë mbytur edhe frikën e bandave e të komandantëve, për të cilët është folur ma shumë se sa duhej, prandaj themi se këto zgjedhje dëshmuan emancipim demokratik.

Përveç eliminimit të ndikimit serb e rus, klane që ranë nga ndikimi i sferës së tyre, u pa se ato që thuheshin se kishte ndërhyrje dhe presion nga Bashkësia Ndërkombëtare, paskan qenë veprime antidemokratike të strukturave antiamerikane të cilat me votën e tyre elektorati i zhbiu nga mundësia e ngjitjes edhe në ulëset e Parlamentit të Kosovës. Prandaj vendet e Quintit, po sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet t’iu gëzohen këtyre proceseve të rëndësishme nëpër te cilat po kalon Kosova, andaj ndryshimi i skenës politike në Kosovë është edhe në funksione të politikave gjeostrategjike të vet Amerikës.

Tashmë nëse i shikojmë zhvillimet politike dhe mediatike menjëherë pas zgjedhjeve, po sidomos nëse analizojmë frikën e klaneve antiamerikane për fitoret kaq të madhe të LVV, duket krejt e arsyeshme pse gjithë kjo lukuni vrastare e strukturave të sistemit serb në Kosovë, duke përfshirë edhe analistë e gazetarë që kanë mbrojtur vijën ruso-serbe, nuk iu kanë gëzuar fitores së LVV, prandaj ata nuk kanë lënë guri pa lëvizur, vetëm e vetëm për ta krijuar hendekun e madh dhe të pakalueshëm në mes LVV dhe PAN, në mënyrë që LVV të mos bëhet kurrë pjesë e Qeverisë se Kosovës, ngase ia kanë drejtësisë së tyre.

Pa asnjë dyshim LVV do të duhej të pranonte krijimin e qeverisë bashkë me PAN. Madje Albin Kurti do të duhej të hiqte dorë nga posti i kryeministrit, duke e shkëmbyer atë me dy-tre poste ministrore në favor të LVV. Arsyeja themelore është se LVV duhet të jetë pjesë e sistemit politik nëse dëshiron për t’i realizuar qëllimet e tyre programore.

LVV, si parti politike nuk ka të drejt të burgos askënd, pra as kapot, as bosët dhe askënd tjetër, por LVV mundet me e detyruar partnerin qeverisës, madje duhet me ia kushtëzuar miratimin e ligjeve që e shpëtojnë Kosovën. LVV vetëm si parti politike ka mundësi ta ushtroj ndikimin e vet, ajo duhet vetëm për t’u angazhuar për të zbatuar ligjet, asgjë ma shumë. Po këtë gjë LVV mundet me e bërë edhe në raport me Gjykatën Speciale, kundër krijimit të së cilës ishte. Tashmë e ka një rast historik për ta mbrojtur Luftën e pastër të UÇK-së, në njërën anë, dhe me ligjin e miratuar nga PAN për Gjykatën Speciale, të përshpejtonin zbardhjen e krimeve politike dhe me këtë edhe të spastronin skemën e kriminalizuar politike. Vetëm LVV mund do të mundet me bërë këtë, por në asnjë mënyrë grupimet tjera.

LVV nuk duhet të ketë vija të kuqe për koalicion qeverisës, pasi sistemi zgjedhor në Kosovë e imponon koalicionet joparimore, por LVV ka mundësi për të bërë vija të kuqe, për udhëheqje të qeverisë duke i shpallur persona nëngrata të gjithë ata që kanë akuza të ngritura dhe për të gjithë ata që duket se kanë grada të larta akademike por janë “duda”, në kuptimin ma metaforik të kësaj fjale, prandaj LVV nëse e do Kosovën me Zemër, luftën e Elefantëve duhet ta fiton me PAN-in, por jo ta fitoj betejën në saje të intrigave te klanit serbo-rus të pozicionuar përreth Isa Mustafës, i cili tërë karrierën e tij politike e ka të mbushur me mashtrime të kësaj natyre.

LVV nuk duhet ta lë Kosovën në mëshirën e Beogradit, e as në fatin e Listës Serbe, aq më pak duhet të lejoj që Kryetar i Parlamentit të Kosovës, të vjen dikush nga kjo listë, dhe kjo nuk ka të bëjë me urrejtjen as elementet raciste, por pakica serbe në Kosovë, duhet ta pranoj realitetin në Kosovë, dhe të mos mbetet edhe më tuje në vasalitet të Beogradit, prandaj është obligim patriotik i LVV, që ta menaxhojë situatën ma mirë dhe t’i krijoj avantazhe për ta përmbushur konceptin e tyre politik. E në këtë plan edhe PAN duhet të tregohet ma zemërgjerë dhe e vendosur për t’i zbatuar dhe implimentuar programin politik të LVV-së.

LVV nuk duhet të shkojë me duar në xhepa dhe të nënshtrohet kërkesave megalomane të PAN, por duhet të kërkojë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, veçmas mbështetjen e SHBA-ve dhe të Brukselit, të cilët duhet të jenë garantues për t’u respektuar marrëveshjet paraprake.

LVV, nuk duhet ta lejoj veten me rënë në aventurat e LDK-së, sepse po bien në kundërshtim edhe me platformën e tyre politike, qoftë duke mos insistuar më tutje për t’u zbardhur ato 70 aktakuzat për keqqeverisje të keqe në Prishtinë, ose për miliarda keqpërdorime për të cilat flitet se kanë mundur t’i bëjnë strukturat paraprake, të cilat po dëshmohet se paskan qen të rrezikshme po aq sa SHIK-u për të cilin janë bërë akuza të rënda.

Nëse LVV duhet të dëshmohet sinqeritet, por nëse kjo parti hynë në koalicion dallaveresh me LDK-në, kurse kjo parti do tua kushtëzojë për zëvendëskryeministër Ramiz Kelmendin, slogani i tyre për mallra vendore do të bie poshtë, sikurse që duhet t’ua kompensojnë humbjet me shkatërrime. Koalicioni LVV&LDK, do të ishte më i dëmshëm për Kosovën, prandaj LVV, Vijat e Kuqe, duhet të insistojë për realizimin e programeve të saja si dhe për miratimin e ligjeve përmes të cilave do ta kishin mbushur premtimin ndaj elektoratit të tyre dhe do ta kishin fituar edhe simpatinë e tërë Kosovës.

St. Gallen, 02.07.2017

1 KOMENT

  1. Sonte kandidati i vv-se per kryeminister deklaroi se Ushtria E Kosoves do te formohet sipas tij ne koordinim me Shqiperine dhe Kroacine!!!!!!!!!!!!!!!

    Nese ky e jep kete mendim per te provokuar SHBA-ne, dhe NATO-n at’here kjo eshte shum negative. Por nese kjo eshte shprehje e diturise te ketij politikani, athere eshte edhe me keq, sepse aq sa mirret vesh dikush ne politike me njohuri sadopak elementare, duhet te dije se SHBA ESHTE ALFA DHE OMEGA E LIRISE, PAVARESISE DHE ÇDO ZHVILLIMI TE ARDHSHEM POZITIV TE KOSOVES.

    Shqiperia nuk ka force ushtarake as politike te e koordinojë themelimin e ushtrise se Kosoves. Kroacia …nuk ka asnje arsye te e koordinoje themelimin e ushtrise se Kosoves. Edhepse keto dy shtete jane anetare te NATO-s. Sot ne raportet Kosove-Serbi, jane dy rruge, – njera eshte te koordinohet çdo zhvillim politik me AMERIKEN, ndersa tjetra eshte te koordinohet zhvillimi politik me Rusine, – qe per Kosoven do te thote qe bashkpunimi me Rusine do te thote perseritja e historise tragjike te humbjes se territorit dhe njerezve. Pra Rusia te zhduke, ndersa AMERIKA TE SHPETON DHE ZHVILLON.

    Te shpresojme se çdo politikan SHQIPTAR e kupton kete situate, qe nuk ka alternative te trete…

    Duke e kuptuar VV-ne si nje parti politike te majte gati edhe komuniste, me primesa te ekzibicioneve religjioze, mendoj se ardhja e tyre ne pushtet mund te kete reperkusione komuniste te furnizuara nga Rusia Grabitqare Komuniste.

    Edhe kur kete mendim e shkruaj, shpresoj te jem un gabim… e jo VV.

Komentet janë mbyllur.