DEGËT URBANE NË PRISHTINË DUHET TË NISIN PROCEDURAT E SHKARKIMIT TË ISA MUSTAFËS (3)

0
994

Thirrje për Reforma në LDK (3):

Me prof. dr. Rexhep Gjergjin, LDK-ja do t’i shmanget rrezikut për tu zgjedhur njerëzit e porositur të Isa Mustafës, të cilët do ta vazhdojnë agonin për ta defaktorizuar LDK-në. Kësaj radhe Prishtina duhet të mobilizohet përreth prof. dr. Rexhep Gjergjit! Profesorit universitar dhe njërit nga themeluesit e LDK-së. Degët Urbane të LDK-së në Kryeqytetin e Kosovës duhet të mobilizohen për ta zgjuar elitën intelektuale e akademike e cila duhet të dal nga letargjia që e ka pllakosur, sepse vetëm kjo elitë intelektuale mund ta kthejnë frymën e viteve të ‘90-ta dhe do ta shpëtojnë LDK-në dhe Kosovën!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, LDK-së ia ka siguruar vetëm 23 ulëse në Parlamentin e Kosovës. Kjo rënie rapide vjen në saje të komunistit Isa Mustafa, të cilin elektorati i kësaj partie e ndëshkoi se nuk e duroj udhëheqës në partinë e Ibrahim Rugovës. Po këtë ndëshkim ky elektorat ua bëri edhe dhjetëra të tjerëve të cilëve në këtë analizë nuk po ua përmendim emrat.

Pa dashur të flasim për nivelin dhe performancën intelektuale të këtyre që janë zgjedhur, qëndrimi politik i tyre, edhe pse ka kaluar nëpër filtrin e Isa Mustafës duhet të ndryshojë rrënjësisht, nëse dëshirojnë të ruhet vazhdimësia e LDK-së. Në këtë rast duhet edhe anëtarësia e gjerë e LDK-së të alarmohet, ndërsa strukturat e LDK-së e kanë për obligim të mobilizohen për ta përjashtuar Isa Mustafën dhe klanin e tij.
Me këtë avaz shkatërrimi i kësaj partie është i pashmangshëm, pasi shihet se Isa Mustafa ka filluar lojën e djallit, për t’i marruar e turpëruar edhe deputetët e këtij legjislacioni për hesapet e tija të çmendura. Deputetet dhe deputetët e zgjedhur duhet të binden se revolta dhe përbuzja që ua bëri elektorati rugovian, do t’i braktis edhe ata.

Elektorati i LDK-së është kundër keqpërdorimit të deputeteve dhe të deputetëve nga Isa Mustafa dhe klani i tij. Nëse ata dhe ato do të heshtin, Isa Mustafa do t’i shndërron në marionetë të gjithkujt, por jo në interes të LDK-së. Prandaj deputetet e deputetët nuk duhet të lejojnë që Isa Mustafa të luan me fytyrën dhe dinjitetin e tyre.

Le të më thonë kushdo nga strukturat udhëheqëse në LDK, nëse ka ndodhur diku në Partitë Popullore Evropiane (EPP), të drejtohet partia me kaq humbje, me kaq rënie, me kaq disfata dhe kryetari të mos jap dorëheqje. Po për fat të keq Isa Mustafa nuk po merr vesh se karriera e tij politike po përfundon në mënyrë tragjike, prandaj nëse ai nuk merr përgjegjësi për humbjet, atëherë duhet nisur procedurat për shkarkimin e tij nga LDK-ja.

Dështimi i tanishëm i LDK-së, shpjegon qartë për paaftësitë udhëheqëse e menaxhuese të Isa Mustafës, i cili si askush tjetër dështimin dhe paaftësinë e vet e ka shitur si suksese dhe fitore. Edhe tashti do të bëjë përpjekje ta mashtrojë LVV, AAK dhe NISMA, për hesape të veta. Ai përpiqet për të krijuar vakum institucional, sa për t’iu shmangur përgjegjësive penale për të cilat është i vetëdijshëm, andaj LDK-ja, deputetët e LDK-së dhe Kosova nuk duhet ta tolerojnë këtë veprim të shëmtuar dhe të kushtueshëm.

Tashmë Prishtina dhe Kosova mbet në “Terr nga njerëzit e paaftë që kanë bërë politikë të territ”?! Kjo gjeneratë doli të jetë shumë e paaftë politikisht, por nuk i kuptojë pse tashti do të pranojnë për tu shndërruar në servil të Isa Mustafës?! Moskundërshtimi i tyre, e ka mundësuar shkatërrimin e LDK-së, por heshtja e tanishme do ta shkatërrojë Kosovën?!

Si asnjëherë tjetër legjislacioni politik i LDK-së në kohën sa ka udhëhequr Isa Mustafa ka dëshmuar për standarde të dyfishta, sipas parimit ngreh e mos shkëput, por ka ardhur koha për të ndryshuar kursin dhe për të reaguar nëse duan ta shpëtojnë LDK-në dhe Kosovën.
Vërtetë kjo gjendje nuk tolerohet, prandaj jo vetëm deputetët, por të gjitha Degët e LDK-së duhet me reaguar si grup nëse duan për ta përjashtuar nga LDK-ja Isa Mustafën. Ka ardhur momenti i cili nuk lejon për të aktruar demokraci të brendshme në LDK. Tash nëse deputetet dhe deputetët i pranojnë urdhrat e Isa Mustafës do t’i mallkoj historia, ato dhe ata në asnjë mënyrë nuk duhet me u shndërruar në leva të veprimeve antidemokratike dhe antikushtetuese të kreut të partisë.

Nëse deri më tani brenda LDK-së, ka pasur standarde të dyfishta, është koha për ta dëshmuar një standard të ri, dhe ky standard është mbetja e LDK-së në një opozitë konstruktive e cila nuk i bllokon proceset dhe nuk do ta lejoj fatin e Kosovës në mëshirën e Listës Serbe. Prandaj nëse deri më tash nuk i kanë pasur të qarta qëllimet antidemokratik të Isa Mustafës, tani është koha për ta kuptuar misionin e tij shkatërrues. Krijimi i një bërthamë brendapërbrenda LDK-së më në krye prof.. dr. Rexhep Gjergjin, e cila do t’i kundërshtoj qëllimet e Isa Mustafës është nevojë e kohës, është moment historik për ta shpëtuar LDK-në dhe Kosovën.

Ne kemi dëgjuar mjaftë kundërshtime sporadike, të cilat e kanë mashtruar elektoratin, por të njëjtit, të nesërmen i kemi pa duke u puthitur me Isa Mustafën, i kemi parë bashkërisht nëpër tribuna duke bërë selfie me të, duke e madhëruar punën e tij, por këtë nuk e ka bërë asnjëherë prof. dr. Rexhep Gjergji. Edhe pse deputetët e deputetet në njëfarë mënyre e kanë mashtruar elektoratin e tyre, nëse ata mobilizohen përreth profesorit, elektorati do tua shpërblej dhe do t’ua fali edhe sloganet e rrejshme se janë për LDK e fortë, pasi ky skenar u dëshmua se ishte lojë mashtruese, në kohën kur me gjithë këto humbje Isa Mustafa nuk jep dorëheqje, fitorja e imagjinuar këtij do t’ia nxirrte brirët e çmendurisë?! Prandaj iu bëhet thirrje që t’i lënë standardet e dyfishta dhe kolektivisht ta kërkojnë shkarkimin e Isa Mustafës, kurse për reforma të thella dhe të gjithanshme të emërohet prof. Gjergji. E kush e njeh logjikën komuniste, duhet ta dijë se ai do t’i djegë të gjithë për ambiciet dhe komplekset e tij të sëmura, prandaj veprimi i matur dhe i përshpejtuar e shpëton LDK-në dhe Kosovën.

Është momenti historik për Degët e LDK-së në Prishtinë për ta shpëtuar LDK-në dhe Kosovën. Andaj ato duhet t’i thërrasin mbledhjet e tyre urgjente dhe t’i nisin procedurat për shkarkimin zyrtar të Isa Mustafës dhe klanit të tij dhe në të njëjtën kohë ta zgjedhin prof. dr. Rexhep Gjergjin, kryesues për reforma partiake. Pastaj duhet inkurajuar deputetet dhe deputetët e LDK-së për të vendosur në mënyrë individuale, kurse veprimi i tyre duhet të jetë pjesë e proceseve pozitive për të ndërtuar institucionet shtetërore, por jo fati i Kosovës të mbetet në mëshirën e Listës Serbe, sepse ky është qëllimi final i Isa Mustafës.

Po ashtu Degët e LDK-së duhet ta inkurajojnë LVV, për të mos e lënë fatin e Kosovës në mëshirën e Beogradit, pasi vetëm kjo parti është e zonja dhe mund ta shpëtojë Kosovën pa shkuar vendi në anarki të plotë.

Degët e LDK-së në Prishtinë, duke qenë pjesë e frymës urbane duhet të reagojnë dhe të organizohen më shpejt sepse e nesërmja do të jetë e kushtueshme për LDK-në dhe Kosovën.

Degët e LDK-së në Prishtinë duhet të jenë flamurtare e proceseve, kurse nismës së tyre duhet t’i bashkëngjiten edhe Degët tjera anë e kënd Kosovës si dhe ato në Diasporë.

Pa asnjë dyshim Degët e LDK-së në Prishtinë, duhet të vendosin për ta rikthyer traditën në LDK, e kjo bëhet vetëm duke propozuar prof. dr. Rexhep Gjergjin për kryetar të LDK-së, i cili mund ta mobilizojë elektoratin, sepse ai është njëri nga themeluesit e LDK-së. Vetëm përreth tij mund të lidhet shtresa intelektuale dhe ajo akademike si dhe Degët e LDK-së në Diasporë.

Me prof. dr. Rexhep Gjergjin LDK-ja do t’i shmanget rrezikut për tu zgjedhur njerëzit e porositur të Isa Mustafës të cilët do ta vazhdojnë agonin për ta defaktorizuar LDK-në. Kësaj radhe Prishtina duhet të mobilizohet përreth prof. dr. Rexhep Gjergjit! Profesorit universitar dhe njërit nga themeluesit e LDK-së. Degët Urbane të LDK-së në Kryeqytetin e Kosovës duhet të mobilizohen për ta zgjuar elitën intelektuale e akademike e cila duhet të dal nga letargjia që e ka pllakosur, sepse vetëm kjo elitë intelektuale mund ta kthejnë frymën e viteve të ‘90-ta dhe do ta shpëtojnë LDK-në dhe Kosovën!

St. Gallen, 29.06.2017