Ndoc Selimi
Eshtë kënga më dramatike në hakmarrje që motra ban për jetën e vëllezerve të vrarë në pabesi . Kjo këngë me titull “Fryni era e u çel taraba” e kenduar në masë prej pjesës më të madhe të shqiptarve ne gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ka një histori teper të dhimbëshme. Halili dhe Musa ishin kundershtarë të Portës Lartë dhe sipas ligjit ishin shpallur në kerkim kundrejtë një pagese për kokat e tyre. Bejte Syla një i aferm me Vezirin e Shkodres ishte martuar me Hajrijen, motren e vëllezërve kryengrites që thuhej ishte bijë Kastrati.
Bejta, dhandrri i shtepise, ban planin për dorëzimin e kunetërve kundrejtë shperblimit që do të mirrte duke i thirrur në shtepi dhe prerë në besë ata. Halili dhe Musa pranojnë ftesen miqësore si dhe për të parë të motren e nipin, por pasi Bejta u kthen darkë dhe vëllezerve të çkujdesur në shtëpinë e motres nuk u shkon ndermend tradhëtia që mund tu bënte miku, ndaj dhe kishin dorëzuar armët sipas zakonit te dera. Pa arritë të çohet sofra e darkës, shtepinë e rrethon Avdi Aga me treqindë sejmen ( jeniçerë) dhe arrestojnë dy vëllezerit. Menjiherë e kuptojnë hilen dhe kerkojnë armët e veta, por miku ia kishte fsheh. Mendojnë se në këtë komplot bënte pjesë edhe e motra prandaj e akuzojnë :
” – N’ qafë na paç ti mori motër
Ty mos t’leftë djal në votër
si na rrejte na solle n’Shkoder.”
Moterzeza e pafajshme dhe pa më të voglin dyshim në këtë ngjarje u betohet vëllezerve dhe në këngë thuhet:
” – Mos leftë djal e mos leftë çikë
këtë punë motra se ka ditë.”
Halilin e Musen i pershkon shpata dhe hejbet e kuajve mbanin kokat e vëllezerve të prerë ne besë duke ikur drejtë Stambollit për tu vendos ma andej ne “Kamaren e Turpit” në “Sheshin e Gjakut” në Stamboll. Nga ana tjetër motra mendon të hakmerret për gjakun e tyre. Gjithë këto ditë e netë nuk e jep veten derisa gjenë rastin kur i shoqi po flinte. Ajo merr një hanxhar dhe e pret ne qafë burrin dhe po me këtë betim i kthehet të birit (o te bijeve), ku edhe ai po flinte dhe e lë të vdekur.
“Kur ia vuna thikën burrit
thashë se m’dolen vllaznit prej vorrit
Kur ia vuna thikën djalit,
thashë se m’dolen dy sytë e ballit…”
Kjo është preludi i kangës, apo ndoshta balada e kthyer në legjendë.
Sa të vertetë ka ngjarja brenda dhe a ka ndodh në Shkodër vertetë, apo importuar nga Stambolli ?.
Një ngjarje të tillë ia tregon një shqiptar Edith Durham në kuverten e anijes që po lundronte drejtë Londres, por personazhet e tragjedise ishin njerëz të thjeshtë dhe se motra ishte prej Mirdite. Ajo shkruan më vonë: “Gojëdhëna më ogurzezë dhe më dramatike për vëllain është në shqip… kete e gjejme ne vajtimin e Antigones (Sofokliu shen im )kur e marrin per ta groposë te gjallë vetem se kishte varrosë trupin e vellait nxjerrë jashtë ligjit”. (E. Durham “Për fiset dhe zakonet e ballkanasve bot shqip fq 185).
Në vajtim Antigona thotë se po të më vdiste burri, do gjeja një tjetër, po të më vdiste djali, do beja një tjeter . Por vëlla nuk mund të bëhet më, se nenë e babë janë në qiell e unë jam tash një moter e vetme. Ja perse vendosa te nderoj ty vellai im…
Historiani austriak Jozef von Hammer thotë se ” Osman Pasha kishte marrë urdhër nga Sulltan Mahmudi që të zinte e të vriste te gjithë jeniçerët shqiptarë që kishin marrë pjesë në kryengritjen e Stambollit të 22 shtatorit në vitin 1730, ku më kryesorët në këtë kryengritje ishin dy shqiptarë me origjinë nga Manastiri të quajtur Halil Patrona dhe Musli Besha, per të cilët ishin venë shuma të mëdha për kokat e tyre. ”
Aty thuhet se u vranë 12 mijë jeniçerë shqiptarë dhe se 5 mijë ishin arratisë e kthyer ne Shqiperi e rrethina.
Në një studim të imtë që ka bërë studiusi Ahmet Qeriqi për këtë temë, ngjarja nuk ka ndodhë në Shqiperi, por në Stamboll.
Sipas gjasave kanga është thur po atje nga shqiptarë apo dervisher dhe më vonë ka udhëtuar për në Shqiperi, ku më shumë se kudo prerja e mikut në bukën e vet ishte gjesti më i randë në historinë e krimeve e dënuar në ekstrem nga kanunet dhe pikërisht ketu gjeti menjiherë shtratin e vet dhe u përhap me shpejtesi e shpesh duke ndërruar vend – ndodhje, por jo personazhet dhe bukprerjen. Ajo i qendroi kohëzgjatjes mbi tre shekullore duke përshkruar zonat kryesisht në Kosovë, Shqipëri të Mesme, Shkodër e Veri.
Kjo kangë është kënduar nepër dasma e grumbullime herë me çifteli e herë majekrahu duke i kujtuar mikut edhe njiherë besen, ku brenda saj bënte pjesë edhe nusja që po nisej per në shtepinë e burrit.
Në një variant tjeter thuhet se më 25 nentor po të vitit 1730 (kur kishte ndodh kryengritja), Sulltan Mahmudi parë, edhe pse kishte premtuar faljen e kryengritësve, ndër këta edhe Halilit dhe Muses, te cileve u kishte premtuar një detyrë te lartë në krye të luftës së jeniçerëve, ai organizon kapjen dhe vrasjen e tyre në pabesi. Sulltan Mahmudi urdhëron që Halili, Musliu dhe 24 jeniçerë më në zë shqiptarë të shkojnë në pallatin perandorak për të marrë divizen ushtarake. Aty u bëhet prita dhe njefarë Hallil Pehlivani, rival i Halil Patrones organizon vrasjen pas shpine të jeniçereve duke filluar nga i fundit derisa i erdhi radha dy prijseve.
Historiani Ahmet Qeriqi thote se: “Prejardhja e Muses dhe Halilit, sipas te gjitha varianteve që janë shënuar në Kosovë thuhet se janë nga Mramori , një fshat i njohur në Malësinë e Gollakut.” (A.Qeriqi “Kënga e trimerisë në margjinat e historisë” studim, 10/05/ 2017)
Duke u mbeshtetur te Enciklopedia angleze, varianti Halil Patrona, thuhet se “…admirali Halil Arnauti banonte në brigjet e detit Marmara me floten e tij të dikureshme, derisa u zu rob në Budapest dhe sëbashku me Musli Beshin ishin arratisur e vendosur në Beograd e me vonë në Nish, ku kishte pergatitë një kryengritje, për të cilen dihet fare pak”.
Po te analizojmë kangen ku thote se : “Çou Halil se Avdi Aga, me treqind seimen permbrapa, tan n’opanga pa çorapa”. Pra tanë ne opanga pa çorapa. Kjo dukuri shfaqej te jeniçertë sa here ishin te pakenaqur nga pagesa etj dhe ktheheshin te populli i varfër e bashkoheshin me te, bile ndonjiherë edhe duke vjedhur e grabitur. Të tillë jeniçerë mbante edhe Halil Patrona (bile edhe ai vetë kishte shkuar njëherë te Sulltani pa çorape në një takim të thirrur). Të tillë jeniçerë organizon edhe Avdi Aga, i cili si personalitet, bënte pjesë në mesin e kater vezirve të medhenjë sëbashku me myftiun e Stambollit dhe Damad Ibrahimin.
A.Qeriqi bën pyetjen ” Yskydari i Stambollit , apo Shkodra jonë?.
“Kryengritja e Halil Patronës është zhvilluar në Stamboll, në vendin e quajtur “Sheshi për Mish”, ku tuboheshin jeniçeret sa herë revoltoheshin. Ata u binin kazanëve të mishit si paralajmerim për zemrimin e tyre. Po në Stamboll ndodhej edhe Sheshi i Yskydarit, vëndrezidenca e vezirëve dhe e kreut të luftës. Kujtojmë se Shkodra jonë turqisht quhet Yskydar.” – thote autori Qeriqi.
Gjithësesi kjo kangë tashmë ka marrë autorsinë plotësisht shqiptare dhe i përket repertorit shqiptar duke hyrë kështu në fondin e artë të kangëve tona popullore dhe në kohën që është thurë e kenduar, me parë edhe sot ajo sjell mesazhin e qartë dhe të plotë : Pabesia dhe prerja e mikut nga cilido, ka ndëshkime të rënda morale, bile dhe me gjak. Ajo është kundër kodit të nderit kanunor të thellosur brenda shpirtit shqiptar ku “shtëpia asht e Zotit dhe e mikut”.
Pjesë nga kanga “FRYNI ERA U ÇEL TARABA”
Fryni era u çel taraba
n’kamb Halil se Avdi Aga
me treqint sejmen permbrapa
tan n’opanga pa çorapa.
Musa i vogel asht çue n’kambe
kerkon armet ku i ka lane
msheh na i ka ai miku mbrame.
Mori moter e zeza moter
kurre mos t’left ty djal ne voter
qysh na rrejte na solle n’Shkoder.
– Mos leftë djalë e mos lefte çikë
ket’ pune motra s’e ka dijte.
Hajt Halil ti vlla i motres
t’pres une gjaksit e Shkodres.
Shkoi nje muej e shkuen do dite
Preu te shoqin megjith’ t’bijte:
– Kur ia vuna thiken burrit,
sikur m’dolen vllaznit prej vorrit,
kur ia vuna thiken djalit,
sikur m’dolen dy syte e ballit.
n. selimi, 2017.
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar