Ndue Lazri
– Kartolinë urimi për Lili Bimin –
Miqësia e vërtetë nuk njeh distanca. Është pikërisht kjo ndjenjë e pastër që të dielën e kaluar bëri plot miq, me të cilët jemi njohur në aktivitetet e Federatës, që të ngjiteshin deri në bjeshkët e Vicenzes, për të festuar ditëlindjen e poetes Lili Bimi. Lili është shpesh herë iniciatore e takimeve të tilla edhe pa patur ditëlindje. Dhe shtëpia e saj në atë pejsazhin e bukur malor, në luginën e Altissimos i ka dyert e saj për herë të hapura për miq të vërtetë.
Bashkëshorti i saj italian, Bruno Corona, xhentilesën e tij prej italiani e ka shartuar me mikpritjen tradicionale shqiptare dhe na pret tek dera me urimin shqip “Mirëseerdhët”. E nuk përton të shkojë në kantinë të nxjerrë atë verën e tij, që është aq e dashur në tavolinë.
Hamit Çorogjafi me bashkëshorten Rodela, kanë bërë mbi 500 km rrugë që nga Fermo poshtë Anconës për të ardhur deri këtu. Ata kanë arritur që një natë më parë. Ashtu si edhe Bruna Diko nga Reggio Emilia, Ermira Zhuri e Mardena Kelmendi nga Treviso e Trieste. Fitim Kajo me bashkëshorten, Alketa dhe djalin, arrijnë që në orët e para të mëngjesit. Të tërhequr nga pejsazhi i bukur malor dhe freskia e tij, përfitojnë nga rasti të bëjnë një shetitje panoramike midis bukurive të bjeshkës.
Juli, mbesa e Lilit, e ardhur nga Verona me bashkëshortin Arsenin, ndonëse në shtator bëhet nënë, nuk pushon asnjë çast, duke u marrë me nderet e shtëpisë e me përgatitjet. Në krahë të saj vihen Mardena e Rodela, që merren me gatimet për drekën e festës. Mua më takon detyra e vështirë të merrem me përgatitjen e mishit në gril, pranë oxhakut në njërën nga shtëpitë e Brunos. Për të më ndihmuar vjen sopranoja Mimoza Rama, e cila ka ardhur bashkë me bashkëshortin e vajzën që nga Piacenza. Ndërsa Bruna merret me shtrimin e tavolinës. Edhe kjo mënyrë e ndarjes e aktivizimit në punët e shtëpisë është shprehje e një miqësie të bukur e të sinqertë.
Ndërsa përgatitjet vazhdojnë, në ambientet plot gjelbërim e lule të shtëpisë arrijnë nga Reggio Emilia edhe Haki Maze me bashkëshorten Anila, Klodian Cami me djalin e tij, Albanin, që nuk i ndahet asnjë çast dhe Nikolin Qepi. Ndërsa bashkëshortët Ndue e Drita Çokaj bashkë me vajzën Stella, vijnë nga qyteti i bukur i Leccos.
Festa e Ditëlindjes nis nën tingujt e muzikës shqiptare, e cila i fton pjesëmarrësit në vallëzim. Atmosfera është vërtet e bukur e orët kalojnë pa kuptuar. Dy vajzat artiste, Stella dhe Dea e kanë gjetur shpejt gjuhën midis tyre dhe kanë improvizuar një balet të shkurtër që pritet me duartrokitje.
Festa të tilla midis bashkëatdhetarësh këtu në vend të huaj, marrin një kuptim të dyfishtë dhe transmetojnë mesazhe miqësie të vërtetë.
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar