EDHE NJË HERË, PËR SHKOLLËN E PARË SHQIPE, NË MALËSINË E GJAKOVËS (TROPOJË)…

0
1569

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Nuk do të shkruaja kësaj radhe, nëqoftëse nuk do të kisha vërejtur se, kohët e fundit, po flitet e shkruhet për shkollën e parë shqipe, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Bile, më 2 qershor të këtij muaji,, në qytetin “B.Curri”, është “festuar” dhe përvjetori i 100-të i kësaj shkolle?!

Në pamjen e jashtme, kjo është një gjë e mirë. Ndërsa, kur një e vërtetë e dokumentuar nuk thuhet, siç ka qenë në realitet, por shtremëbrohet ajo, nuk duhet heshtur. Unë e kuptoj që, në rastin konkret, nuk ka ndonjë dashakeqësi. Përkundrazi, mendoj se ndonjë autor, me shkrime në shtyp a në Internet dhe, bile, në libër, nuk e kanë argumentuar dot datën e saktë, për hapjen e shkollës së parë shqipe, në Gjonpepaj të Tropojës. Ata janë mbështetur në dokumente arkivore, të cilët flasin për përpjekjet e parreshtura, që u bënë për hapjen e kësaj shkolle, në vitet 1916 e 1917, me kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm të Arsimit, në Shkodër, Luigj Gurakuqi, tani “Mësues i Popullit” dhe “Hero i Popullit”.

Është e saktë dhe e dokumentuar që, në vitet e përmendura më lart, Luigj Gurakuqi (foto djathtas) dërgoi disa herë misionarë, që ta përgatisnin hapjen e dyerve të kësaj shkolle. Ndërsa, siç dëshmohet nga dokumentet arkivore, por dhe nga shtypi i kohës(Gazeta “Posta e Shqypnisë”, 29 maj 2018), ajo shkollë u hap, zyrtaraisht, vetëm më 1 maj të vitit 1918. Kjo datë është pranuar vite më parë dhe, bile, është bërë festa e përvjetorit të shkollës së Gjonpepajt, që në vitet ’70-të të shekullit të kaluar, ku kam qenë një nga organizatorët dhe pjesëmarrësit. Në të mirë të ksaj të vërtete, autori nga ajo krahinë, Ylli Prebibaj, disa kohë më parë, ka shkruar e argumentuar këtë gjë, saktësisht, me fakte e dëshmi të kohës, në artikullin e publikuar në Internet, “Një faqe e pashkruar, në historinë e arsimit të Nikaj-Mërturit”, krahinë, që është pjesë e pandarë e Malësisë së Gjakovës (Tropojë).

Meqenëse, për përgatitjen e disertacionit, në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, i shfrytëzova fondet përkatëse të AQSHRSH dhe shfletova shtypin e kohës,në Bibliotekën Kombëtare, munda ta saktësoja, që data e hapjes së shkollës shqipe, në Gjonpepaj, e para në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), është 1 maj 1918. Këtë gjë, më vonë, e dëshmova dhe në librin-pasqyrë e përmbledhur për të gjitha shkollat e para në rrethet e Shqipërisë-me titullin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001) dhe ribotim (Tiranë,2008). Që në botimin e parë, shkurtimisht, në faqet 132-135 flitet edhe për shkollën shqipe në Gjonpepaj, e cila u pasua me atë në Bujan (janar 1923) .Vazhdim i atyre dy shkollave ishin ato në fshatra të tjerë, të asaj krahine të thellë malore.

Po, kështu, kam patur rastin të jem bashkautor dhe redaktor letrar i veprës madhore, “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”-I (Tiranë, 2003), nën drejtimin e Akademikut Bedri Dedja. Sigurisht, aty është folur e shkruar dhe për shkollat e para, që u hapën sipas rretheve, në tërë Shqipërinë.

Dua të nënvizoj këtu, se nuk përjashtohet mundësia që, dëshmitë e gjetura në AQSHRSH, si dhe artikulli në shtypin e kohës, për shkollën e Gjonpepajt, të cilët i përmenda më lart, të mos jenë të saktë, gjë që unë nuk e besoj?! Por, e kundërta, duhet dokumentuar dhe argumetuar, vetëm shkencërisht.

Pra, për lexuesit e interesuar, më poshtë, po e ribotoj të plotë, shkrimin nga librat e mi, që përmenda më lart, ku çdo gjë flet vetë.
Ju falënderoj, të gjithëve, për mirëkuptimin!
Tiranë, 27 qershor 2017


RREZE DRITE, NË MALËSINË E TROPOJËS

(Gjonpepaj-1 maj 1918, Bujan – janar 1923)

Populli i Nikaj-Mërturit asht tuj diftue interesë të madhe për ndërtim të shkollës e për të çuem të fëmive për me u dhanë mësim, sheja këto të gjitha që na napin uzdajë se ai popull, i vojtun keq vetëm prej pa mësimit, mbas tashit ka me mujtë me shti në punë për dobi të vet e t’atdheut njato veti të jashtëzakonshme që e solisi”.
(Gaz.“Posta e Shqypnisë”)

Nikaj-Mërturi është një krahinë e largët malore në Malësinë e Tropojës. Brez pas brezi, banorët e saj trashëguan tradita të larta luftarake e liridashëse dhe nuk u gjunjëzuan përpara pushtuesve të njëpasnjëshëm. Janë të njohura luftimet e qëndresa e pashoqe ndaj pushtuesve otomanë dhe atyre serbo-malazezë, e malësorëve të prirë nga trimat e kësaj krahine, Prelë Tuli e Gjelosh Rama etj.

Por ndër mote, ndonëse të varfër, malësorët patën etje të madhe dhe për dituri e kulturë, për përparim shoqëror. Ata përqafuan një ndër kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që ishte: ”Arsimi duhet të hapet në të gjitha anët dhe nëpër shkolla të mësohet gjuha shqipe”. Pas shpalljes së Pavarësisë lindën më tepër shpresat për realizimin e këtij synimi.

Veçanërisht u dendësuan kërkesat për hapjen e shkollës shqipe, në këtë krahinë, në vitin 1916 e në vazhdimësi. Ishte periudha e pushtimit austro-hungarez dhe atdhetarët tanë u përpoqën t’i shfrytëzonin kushtet për të ngritur arsimin në gjuhën amtare. Në ballë të kësaj pune ishin venë figura të tilla të njohura, si Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci e të tjerë. Ata gjetën përkrahje nga atdhetarët vendës, si Bekë Selimi, Sokol Basha, Myftar Alia etj.

Pas përgatitjeve të mundshme, në vijim të kërkesave këmbëngulëse dhe zvarritjeve, që shkaktuan qeveritarët e kohës, u arrit që, më 1 maj 1818, të çelej shkolla e parë shqipe në fshatin Gjonpepaj të krahinës së Nikaj-Mërturit, që është dhe e para në tërë Malësinë e Gjakovës -Tropojë (AQSH i RSH, MA,1918, D.3, f.269). Për këtë ngjarje të gëzuar e të shënuar u dha njoftim edhe nga shtypi i kohës. Në një artikull me titull “Bekim e të çilun shkolle në Gjonpepaj”, ndër të tjera, flitej për ceremoninë e organizuar, ku morën pjesë malësorë dhe personalitete të ndryshme të krahinës, përfaqësues të klerit katolik etj.

Aty thuhej:
“Me të parën ditë të majit, kje çilë në Gjonpepaj ma e para shkollë shqipe, që mbahet mend në Nikaj e Mërtur. Populli i Nikaj-Mërturit asht tuj diftue interesë të madhe për ndërtim të shkollës e për të çuem të fëmive për me u dhanë mësim, sheja këto të gjitha që na napin uzdajë se ai popull, i vojtun keq vetëm prej pa mësimit, mbas tashit ka me mujtë me shti në punë për dobi të vet e t’ atdheut njato veti të jashtëzakonshme që e stolisin…Në Nikaj- Mërtur e në Malësi të Gjakovës kanë me u çilë shpejt edhe disa shkolla të tjera”. (Gaz.”Posta e Shqypnisë”, Shkodër, 29.5.1918).

Për herë të parë, në bankat e kësaj shkolle u ulën 50 fëmijë (vetëm meshkuj), nga fshtrat e krahinës: Gjonpepaj, Peraj, Nikprendaj (Lekbibaj) e Curraj i Poshtëm. Mësues të parë të saj ishin Nikollë Kolaj e Engjëll Vjerdha (deri në vitin 1936) dhe më vonë Shaqir Hoti, nga Shkodra. Deri në çlirimin e vendit, shkolla e Gjonpepajt e vazhdoi veprimtarinë e saj me ndërprerje. Kështu, sipas të dhënave dokumentare, del se në vitin arsimor 1923-1924 vijonin mësimet, vetëm nxënës në dy klasat e para; ndërsa, dy vjet më pas, ishin tri klasë, me 58 nxënës e në vazhdim katër klasë fillore, me 55 nxënës.

Hapja e kësaj shkolle shërbeu si shkëndijë për vazhdimin e këtij misioni atdhetar dhe në fshatrat e tjerë të Nikaj-Mërturit dhe në tërë Malësinë e Gjakovës. Kështu, një shkollë e vogël fillore u çel në fshatin Palç, më 1922. Ndërsa në janar 1923 u hap shkolla fillore në fshatin Bujan, me mësues Osman Shaqirin (ardhur nga Gjakova), që pati ndikim të veçantë në zhvillimin arsimor e kulturor të Malësisë së Gjakovës. Pas tij aty shërbyen dhe mësuesit kosovarë Hilmi Kryeziu e Sahit Bakalli, si dhe mësues të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Rifat Domi, Ali Sahatçia, Liri Turku, Selaudin Terihati etj.

U vijua kjo punë e çmuar me hapjen e shkollave fillore në fshatrat Gash, Bytyç, Degë, Dragobi etj. Mbetën të paharruar mësuesit kosovarë, që shërbyen në shkollat e Malësisë, si: Hysni Zajmi (dëshmor), Hysni Tenolli, Shaban Ferri, Zija Basha, Ismet Goranci, Ejup Binaku, Bajram Nura, Xhafer Xërxa, Qamil Luzha, Zeki Shehi e të tjerë. Ndikim të madh dhe kujdes të veçantë treguan për zhvillimin e arsimit në Malësinë e Gjakovës atdhetarët e luftëtarët e shquar, si Bajram Curri, Hasan Prishtina etj.

Por, si shkolla e Gjonpepajt, e Bujanit dhe të tjerat në Malësi, u përballën me mjaft vështirësi të kohës. Lokalet ishin të papërshtatshme dhe shpesh u çelën në shtëpi të fshatarëve ose në kisha a xhami. Gjithashtu, problem i madh e i domosdoshëm për t’u zgjidhur ishin: sigurimi i kuadrit të nevojshëm mësimdhënës, gjetja e librave e fletoreve, e mjeteve mësimore konkretizuese etj. Megjithatë, mësuesit e këtyre viteve u treguan të papërtuar për zgjidhjen e çdo problemi, gjë për të cilën patën dhe mbështetjen e fshatarëve arsimdashës. Ata ishin atdhetarë të vërtetë dhe në plan të parë vunë edukimin e atdhedashurisë te nxënësit e tyre. Prandaj përparësi u vunë lëndëve të tilla si: gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi e Shqipërisë etj. (Gaz.”Mësuesi”, 31 maj, 1988).

Në shkollën e Gjonpepajt shërbyen kryesisht mësues të ardhur aty nga Shkodra. Kjo traditë u vazhdua edhe në vitet e pasçlirimit, deri sa u përgatitën mësuesit vendës. Një ndër ata ishte dhe mësuesi veteran Shaqir Hoti, i cili e ka kujtuar gjithnjë me përmallim e ndjenjë krenarie kohën, kur shërbeu në atë krahinë të thellë malore. Ai tregonte, kur ishte në moshë të thyer:

“Isha vetëm 24 vjeç, kur më emëruan në Gjonpepaj. U nisa më 10 mars 1937 nga Shkodra, për në Nikaj-Mërtur. Rruga duhej bërë më këmbë. Udhëtova tri ditë për të arritur atje. Një natë fjeta me disa malësorë në Shpellën e Korbave…Orën e parë të mësimit të jetës sime e fillova më 15 mars 1937, me 31 nxënësit e mi në Gjonpepaj. Më kujtohen ata nxënës të leckosur, të zbathur, por të dashur e të gëzuar, që më kishin rrethuar të emocionuar. Punova në Gjonpepaj deri në qershor 1941, kur më caktuan të shkoja në Vuçiternë të Kosovës, për drejtimin e kurseve të gjuhës shqipe, ku punoja së bashku me mësuesin nga Shkodra, Idriz Fishta”. (Gaz.”Jeta e Re”, Shkodër, 07.03.1990).

Në shkollën e Gjonpepajt, në krahinën e Nikaj-Mërturit dhe kudo në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) punuan pa u lodhur e në përballje me mjaft vështirësi, sa e sa mësues të pasionuar të asaj ane, që mbetën të pashlyer në kujtesën e nxënësve dhe prindërve të tyre. Ndër ta, janë “Mësuesi i merituar” Dedë Martini (1928-1990), mësuesit veteranë Zef Doda, Gjokë Doshi (1941-1987), Dedë Markaj (1938-2006), Ndue Gjeloshi, Nikollë Pali, Zef Tahiri, Pal Kokrri, Mark Gjoka, Gjon Gecaj, Zef Ukcama, Ndoc Malaj etj.

Shkolla e Gjonpepajt, e Bujanit dhe të tjerat, që u çelën në tërë Malësinë e Gjakovës (Tropojë), shërbyen si përhapëse të dritës e diturisë në malësitë tona, edukuan luftëtarë për çështjen kombëtare shqiptare. Ndër dhjetëra mësues, që shërbyen me përkushtim në këto shkolla, janë dhe bijtë e kësaj krahine, “Mësuesit e Popullit”: Elez Gashi, Rexhep Shpendi (Paci), Mustafë Botusha, Zenun Margjeka, Hasan Neza e Fahri Doçi; “Mësuesit e merituar”: Ramë Mella, Elez Isuf Qerimaj, Mehmet Hyka, Ibrahim Zhana e Beqir Bala; mësuesit veteranë Salih Kolgeci, Zenel Halili, Idriz Margjeka, Halil Muja, Azem Hoxha, Maxhun Gjoni, Muharrem Ndoçi, Kadri Basha, Sherif Dizdari, Mehmet Margjeka, Nuredin Lushaj, Adem Rrustemi, Sylejman Madani, Hamdi Bajraktari dhe shumë të tjerë. Ndihmesë të çmuar në mbarëvajtjen e shkollave në këtë rreth dhanë edhe femrat. Janë të njohura mësueset e para të krahinës: Ajshe Shpendi, Sofë Rrustemi, Zizë Nimani, Dushë Salihi e Rukie Rama, si dhe më pas “Mësuesja e merituar” Rivë Shpati e të tjera. Gjithashtu, të paharruara mbetën në kujtesën e malësorëve dhjetëra mësuese vullnetare nga rrethit i Fierit, të cilat shërbyen në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), në vitet ’70-të.

Të gjithë këta përhapës të dritës e diturisë, meritojnë nderimin e brezave për veprën e tyre të lartë atdhetare e arsimore.

(Nga libri, me autor prof. Murat Gecaj, “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, Tiranë, 2001, faqe 132-135).