Ndue Lazri
Një lokal me një emër interesant, “Re di mezzo”, por edhe me një strukturë të veçantë me dekoret e një kështjelle, të një teatri të vogël e ku nuk mungojnë edhe pikturat murale. Këtë të diel e kanë prenotuar shqiptarët me banim në Montegrotto e Padova, të cilët kanë ardhur të festojnë mbylljen e vitit shkollor nga fëmijët që kanë ndjekur shkollën shqipe. Festa bëhet me iniciativën e shoqatës “Acqua Sport Terma”, e cila drejtohet nga aktivistja e palodhur Erida Çela Perlala, anëtare e këshillit drejtues të Federatës FNAI.
Kemi ardhur këtu, pas një ndalese të shkurtër tek Grigliata Artistike në Brescia, organizuar nga Shoqata e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ne Itali, bashkë me kryetarin e Shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emilia, Haki Maze, kryetarin e komisionit koordinues të federatës, Klodian Cami e bashkëshorten e tij, Benereta dhe poeten Lili Bimi. Përpara nesh ka arritur që nga Trentino edhe anëtari i këshillit drejtues të Federatës, Shkëlqim Danaj. Një fundjavë e ngarkuar me aktivitete në shoqatat e Federatës. Një ditë më përpara edhe shoqata “Iliria” në Macerata kishte festën e saj të mbylljes së vitit shkollor.
Atmosfera në festë është e ngrohtë,vëllazërore e mikpritëse. Atë e ngroh më shumë edhe zëri i këngëtares Mimoza Selimi, e cila ka ardhur që nga Zvicra. Tashmë ajo është mike e federatës sonë dhe herë pas here gjallëron festat që organizojnë shoqata të ndryshme që bëjnë pjesë në federatë. Për disa çaste podiumi, në cep të të cilit është vendosur dj me instrumentet muzikore, kthehet në një skenë të vërtetë teatri. Erida dhe mësueset e tjera të palodhura Ermira Parruca, Arta Agaj, Meriban Çela, Kozeta Leka e Nazife Keta, bashkë me organizatorët e talentuar Erisa Ibrahimi e Henri Buzo, kanë menduar diçka origjinale.
Në vend të recitimeve e këngëve në shqip, që janë traditë në çdo festë, ata kanë improvizuar një shfaqje të vogël teatrale, personazhe të së cilës janë të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Në epiqendër të pjesës teatrale është mbarëvajtja e punës në shkollën shqipe për fëmijët e emigrantëve, ku krijohet një situatë konfliktuale midis mësuesve me përvojë që punojnë me pasion e përkushtim dhe mbi baza krejtësisht vullnetare dhe të një mësueseje të paaftë të emëruar me rekomandim nga forcat politike. Spektaklit nuk i mungojnë edhe situatat komike që krijohen pikërisht nga paaftësia dhe mendjemadhësia boshe e mësuseses së rekomanduar.
Mendoj se ky improvizim teatral i ndihmon më shumë nxënësit shqiptarë të lindur në Itali në përvetësimin dhe ushtrimin e gjuhës shqipe, sepse i vë ata njëkohësisht edhe në rolin e nxënësit, por edhe në atë të interpretuesit.
Pas shfaqjes së vogël, nxënësit thirren në avanskenë dhe ju dorëzohen dëftesat, ku shënohen rezultatet e tyre në lëndë të ndryshme, si gjuha shqipe, historia, gjeografia etj. Mësueset kanë punuar me kujdes që fëmijët, përveç gjuhës, të mësojnë momente nga më të rëndësishmet të historisë sonë kombëtare, të kulturës e arsimit, të njohin të dhëna nga gjeografia e mëmëdheut, si dhe kostumet, traditat e këngët shqiptare. Të tërë nxënësit janë të veshur me bluza të kuqe, ku spikat shqiponja e flamurit tonë kombëtar.
Erisa është edhe një fotografe e pasionuar dhe kërkon gjithnjë këndet më të bukura për të fiksuar në foto e në video momente nga shfaqja, ceremonia dhe atmosfera festive në tërë lokalin. Madje edhe Anila Ademi, kameriere e shkathët, ndalet here pas here e fiskon momente me makinën e saj fotografike. Anila na tregon se pjesa më e madhe e personelit në këtë lokal janë shqiptarë, të cilët përfaqësojnë grupin më të aftë e më profesional në shërbim. Patëm rastin edhe të bisedojmë me disa prej tyre dhe ata na treguan që pronarët italianë të lokalit kanë konsideratë e respekt të veçantë për punën e tyre. Diku na tërheq vëmendjen një flamur italian, në të cilin është stampuar edhe shqiponja e flamurit shqiptar. Askush nuk mund ta marrë këtë si një fallsifikim të flamurit italian, por si një gjest simpatik miqësie dhe shenjë e një integrimi të natyrshëm të komunitetit shqiptar në jetën shoqërore e ekonomike italiane.
Bisedoj edhe me gazetaren Vojsava Zagali, me të cilën kemi bashkëpunim të vazhdueshëm lidhur me aktivitetet e shqiptarëve. Ajo i pasqyron ato bukur e me profesionalitet në shtypin italian të zonës, por edhe në gazetat shqiptare. Vojsava tregon për punën që bëjnë Erida, Ermira dhe mësueset e tjera në organizimin e festave dhe veprimtarive të ndryshme gjatë gjithë vitit me komunitetin shqiptar në Padova. Janë komunitet i gjallë e me ndjenja të theksuara atdhetare. Një grup i tyre në shtatorin e kaluar vajti deri në Romë për të marrë pjesë në Vatikan në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezes. Ndaj ndjejmë një kënaqësi të veçantë kur bashkohemi me ta në biseda e në valle gjatë kësaj feste të bukur. Është festë e shkollës, festë e gjuhës së bukur shqipe, që duket sikur e kthen këtë lokal në një dekor me kala shqiptare, ku tundet deri në mbrëmje vonë vallja e vendit të shqipeve.
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar