DITARI I SIMON RROTËS – A KA KONTRIBUES PËR BOTIMIN E TIJ?
Ditari i piktorit të njohur, një vepër sa historike dhe kulturore, aq edukative dhe sociale
Nga Pjetër Logoreci
Këto ditë pata privilegjin të kisha në dorë një dorëshkrim me kujtime ose DITARIN e piktorit të njohur shqiptar, birit të Shkodres, Simon Rrotës. Personalisht e si kërkues, jam njohur me disa nga pjestarët e familjes Rrota, me jetën dhe veprimtarinë e të cilëve kam shkruar më parë duke publikuar informacione, foto dhe dokumenta të panjohura. Po ashtu, në arkivat e Vjenës kam pasur rastin të njihem me dokumenta, që tregojnë veprimtarinë e gjerë në të mirë të atdheut të Kolë e Justin Rrotës, vëllezërve të piktorit Simon Rrota, apo me jetën dhe veprimtarinë e vëllaut të vogël, fotografit të njohur Gjon Rrota. Njohja e shumë ngjarjeve, të përshkruara në këtë ditar, personazheve, familjarëve të autorit, shumë ambienteve ku zhvilloheshin këto ndodhi, më bëri që gjatë leximit të përjetoj momente e ndjesi të veçanta.
Shënimet e ditarit janë të rreshtuara në 204 faqe të shtypura me makinë shkrimi nga i biri i autorit, Rafaeli, i cili i është referuar me korrektësi dorëshkrimit origjinal të autorit. Kujtimet e piktorit Simon Rrota fillojnë duke përshkruar në mënyrë kronologjike ngjarjet dhe ndodhitë me mbresëlënëse të jetës së tij që nga fëmijëria, shkollimi, zanafilla dhe vështirësitë e përmbushjes së dëshirës së tij të jetës – PIKTURES, deri në kujtimet e ngjarjeve që ndodhën ndër periudha të ndryshme në qytetin e tij të lindjes, Shkodren apo perpjekjet e shqiptarëve për pamvarsi si dhe zhvillimet e luftës së parë botërore.
Ditarin e përshkon një stili i qartë dhe i thjeshtë i ngjarjeve, që shpesh bëhet shumë emocional edhe për vetë autorin. Ndër ato reshta, ku ai shkruan për artin e pikturës, për prindërit apo atdheun, lexuesi ”ndjen” mallin e emocionet që autorit i kanë pushtuar shpirtin, që bën “ti dridhet dora”. Daljes së vëllezërve nga shtëpia, në vitin 1901 e Kolës (vëllaut të madh), i cili largohet për në Klagenfurt të Austrisë për studime të larta të mësuesisë, më pas, largimit në 1902 të Ndocit ose siç u quajt më vonë At Justin Rrota, për të vazhduar studimet në teologji dhe pregaditjen për meshtar, autori i kushton faqet e para.
Si periudhë kohore, autori fillon të kujtojë e të përshkruajë ndodhitë që i kanë mbetur në mendje, që nga viti 1902, kur ai ishte vetëm 15 vjeç, kur “ishte bërë burrë” dhe kërkon t’i bëhet ndihmë babait të tij të moshuar, për të mbajtur familjen, duke u punësuar si “Shegert” tek një tregëtar i madh në Pazarin e Shkodrës. Puna që filloj të bënte aty si shënues i mallrave që hynin e delnin në magazinat gjigande të pronarit, bëri që Simoni 14 vjeçar të përballet për të parën herë me personazhe apo me atmosferën orientale të pazarit, me shumëllojshmërinë e mallrave që vinin kryesisht nëpërmes anijeve në lumin Buna, me sengserë, hamej, peshues, kafexhinjë, shënues, tregtar të vegjël e të mëdhenj të ngarkuar me napoljona arit, gjë që e ndihmoj atë për të fiksuar në memorien e tij tipa të ndryshëm, që do t’i duheshin për vizatimet e pikturat e mevonëshme.
Dëshira e Simonit për të mësuar sekretet e pikturës, bindi babain e tij Gjushin, që t’i kërkojë piktorit të famshëm Kolë Idromeno, ta marrë nën mbikqyrje, si nxënës pikture, djaloshin fillestar i cili më vonë, njohjes, mësimdhënies e punës me të, do t’i kushtojë shumë faqe në kujtimet e tij. Njëkohësisht një vend të veçantë në ditar, merr edhe miqësia e Simonit me At Gjergj Fishtën, i cili atë kohë drejtonte shkollën françeskane në Shkodër dhe që merrej vetë me vizatim. Frati françeskan e ndihmon piktorin e vogël me materiale, që i duheshin për pikturën që atë kohë gjindeshin me shumë vështirësi, si dhe me ambiente për të punuar.
“Dishiri qi i paraqita, për kërkesën e materialit, – kujton ai, – e gëzoi shumë fratin, prandaj, pa far voneset më mori për krahut, më prini përpara, tue me çue në dhomën e vizatimit ku unë tre vjetë ma parë kisha mësue vizatim me shokët e shkollës. Aty material kishte mjaft e pa dhimbë. Më dha nji sasi të mirë lapsa, goma, letra vizatimit e modele të ndryshme. Përveç gjanave, i dha urdhën shërbyesit të shkollës, Ndokë Çunit, i cili ishte edhe kepucar e bante sandale për freten, qi, sa herë qi do të më nevojitesh material për vizatime, me ma dhanë pa pengesa. Gzimi kje i madh e kshtu unë pa vonesë ju shtrova punës me dishir për me vizatue elementet e para, e mbasi bana nji sasi të mirë, i çova te Kolë Idromeno për me i korigjue…”
Një ndër ngjarjet e rëndësishme të kohës, që autori e përshkruan me hollësi, ishte dhe tërmeti i 1 qershorit të vitit 1905 në Shkoder. Ai kujton: “Vendi ku unë punojshe, nuk ishte i mirë e as dritë të rregullt nuk kishte, për arsye se banojshim ku mujshim… për shkak të termekut qi në vjetin 1905, me 1 qershor, në orën 16.20 (ala turka), Shkodra u trondit prej termekut të randë e me dame të mëdha…” dhe vazhdon të përshkruaj me hollësi situatën katastrofale dhe rrënimet që pat në çdo cep të qytetit.
“…Shkodra u shndrrue krejt, e tjetër nuk u pa veç tym o pluhun, …qi u shkaktonte prej rrenimit të mureve e të shpijave, me shumicë. Kushtrimi u dha gjithkah, pse secili u interesonte për njerzit e të afërmit e vet, e në raste nevojet me dhanë ndihmë për nxjerrjen e viktimave qi kishin mbetë ndër rrenoja… Në Shkoder nuk mbeti shtëpi pa u prishë e pësue dame të mëdha. Ndër to edhe Kisha e Madhe (Katedrale)… sidomos tullat qi ranë prej tavanit tuj damtue edhe njerzit”.
Fragmente shumë interesante të ditarit janë miqësia dhe bashkëpunimi i autorit me At Gjergj Fishtën, i cili duke parë situatën e vështirë ekonomike të familjes Rrota dhe të vetë Simonit, e aktivizon në punime të ndryshme artistike si piktor. Së pari i beson ndërtimin e Betlemit të Krishtlindjes, me e pasunue me figura, të cilat Simoni i realizonte plot fantazi e realizëm, e më vonë me pregaditjen e skenave teatrore të një komedie, të cilën e kishte përkthyer vetë…
”…mbas sa ditësh, më thirri Pater Gjergj Fishta per me ba disa skena për teatër, për nji dramë të përkthyeme prej tij “Mjeku i përdhunë” (Komedi e Molier-it). Kjo do të ishte rasa ma e mirë për mue me pasë përpjekje ma të ngushta me poetin tonë. Edhe ai vetë, mori pjesë me mue, në punimin e atyne skenave mbasi vizatimi i vinte për dorësh, e kështu punojshim bashkë. Ndërsa unë papushim me brushat e mija ngjyrojshe në ato skena të bukura, poeti recitonte vjersha e lëshonte disa batuta satirike qi mue më bajshin me qesh aq shumë sa mu donte me lanë edhe punën tue i thanë se nuk mujshe me vazhdue ma, pse dhimbje të mëdha më kishin kape dejt e qafës prej së qeshunit të fortë…”
Këtu autori, faqe me radhë, vazhdon të tregojë anektodat dhe humorin, që At Gjergj Fishta krijonte me nxansat e tij, të cilëve u recitonte në shqip vargje, apo u tregonte historina me heronjtë tonë kombëtare, duke u ba njikohësisht edhe aktor e interpretues… Në ditar përshkruhet vënia në skenë për herë të parë e një drame në shqip:
”…Drama pati sukses të madh në Shkoder pse e organizueme në te tana pikat dhe skenat e bukura, e veçanërisht pse drama ishte në gjuhen shqip, qi ma përpara nuk ishin shfaqë në Shkoder, prandej bani nji përshtypje të madhe në popull, qi e priti me duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë. Mbasi mbaroj gjithshkafja, Pater Gjergji më shpërblej mirë për punën qi kishe ba, tue me dhanë tetë mixhida të bardha (pare turke argjenti), qi aso kohe kishin nji vlerë të madhe e mue më gzuen shumë…”
Në fletët në vijim, Simon Rrota tregon vështirësitë që kishte, si fëmijë piktor, për të realizue deshirat e tij me vizatime apo portrete të cilat i duhej ti bënte në natyrë apo në mes të njerëzve, të cilët nga injoranca nuk kuptonin artin e tij dhe shpesh reagonin brutalisht duke ia vjedhur, prishur apo grisur bllokun e skicave që mbante kudo me vehte…
”…tue kenë, – tregon ai -, se populli artin nuk e kuptonte, unë para tyne ishe i pavlefshëm me atë bllokun e skicave qi mbajshe me vedi. Më thojshin se unë ishe i papunë e u sillshe rrugash si rrugaç, në vend qi me punue nji zanate, përveç kësaj, kudo qi unë rrijshe me vizatue, aty kishin për t’u mbledhë te tanë vagabondat e Shkodres, qi atherë ishin me shumicë… e me prishnin punët qi bajshe…”
Episode e përshkrime shumë interesante, vazhdojnë në përmbajtjen e këtij Ditari, të cilat kanë vlerë të madhe historike dhe edukative për brezat e ri, si dhe për ndonji ekspert historie apo folklori, prandaj, duke falenderue familjen, që ma besoi këtë vepër të Simon Rrotës, shpresoj që ndonjë nga lexuesit e këtij shkrimi të marrë përsipër që të mbështesë financiarisht botimin e kësaj vepre.
Komentet janë mbyllur.