POEZI E NJËSUAR SHKËLQIMISHT ME PIKTURËN

0
3925

Isak A H M E T I

Me rastin e 41 vjetorit të krijimtarisë dhe 61 vjetorit të lindjes, SHB” Faik Konica”, Prishtinë, 2014, nxori në dritë vëllimin poetik me titull: “Dashuria flet me zemrën e diellit“, të poetes Miradije Ramiqit, laureate e një varg mirënjohjesh dhe çmimesh për poezi dhe pikturë. Libri në fjalë, “Dashuria flet me zemrën e diellit”, është strukturuar në gjashtë cikle dhe atë:

I. DASHURIA FLET ME ZEMRËN E DIELLIT,
II. ZJARRI I PRITJES,
III. VARG I QËNDISUR ME SHI,
IV. SHPIRTI PIKTYRË E HESHTUR,
V. PIKËLLIMI I HIJEVE,
VI. GJAKIMI I RRËNJËVE, dhe:
UT PICTURA POESIS

Mbi vëllimin poetik “Dashuria flet me zemrën e diellit” shkruar nga përkthyesja dhe studiuesja e njohur në letrat shqipe, Albana Alia.
Ky libër, të cilin po e marrim në shqyrtim, i botuar shqip dhe italisht, përmban poezi të përzgjedhura, me përkushtim dhe pedantëri të veçantë, nga shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur, Anton Nikë Berisha, me parathënien e tij : POEZIA SI NJËSIM I DASHURISË DHE I BUKURISË (fq 7-16), ku theksohen vlerat shumështresore të poezisë të poetes Miradije Ramiqit e cila, siç dihet tashmë, është autore e disa librave poetikë që janë vlerësuar në mënyrë afirmative edhe nga kritika e mirëfilltë letrare.

Në poezinë e saj, siç e ka vënë në dukje Anton Nikë Berisha, poetja ka përdorë një varg shenjash dhe simbolesh që artistikisht shprehin dukuritë e ndryshme dhe botën e saj të brendshme, që është shumë e pasur dhe sublime, por edhe vuajtjet dhe dhembjet që e cilësojnë jetën e përditshme, me të mirat dhe të këqijat e saj. Për të shqiptuar botën e brendshme, kalvarin e jetës shqiptare këtu dhe më gjerë, mundimet, ndjenjat dhe dukuritë nga më të ndryshmet, poetja Miradije Ramiqi, e mirënjohur edhe si piktore (me një varg ekspozitash brenda dhe jashtë vendit), është nisur, në procesin e krijimit, nga vetja, nga bota e saj e brendshme, e pasur dhe sublime,me plot drithërimë ngjyrash që jo rastësisht edhe vëllimin e parë e “pagëzon” me titullin simbolik: Drithërimë ngjyrash, Rilindja, Prishtinë, 1981, por duke menduar në të njejtën kohë dhe botën e tjetrit.Poetja në fjalë,edhe kur shpreh vuajtjen, shqetësimin dhe kalvarin e jetës, niset së pari nga vetvetja dhe këndon:

Ç’të bëj me shiun që është në mua

që është skalitur si lapidar në poezinë me titull “Në shtratin me shi”, ku, ndër të tjera, këndon:

Vargu im i shtrenjtë
në mes pikave të kërkoj
i shpupurishtë me vjen
në flokë e gjethurina
të më thuash e të më duash
në shtratin e shtruar me shi
e vetmuar nuk do jem
i mbuluar me gjethurina” (fq. 70).

Për më tepër, pamjet e këtilla, siç e ka vënë re Anton Nikë Berisha, në tekstin poetik të poetes në fjalë janë pikturuar sipas modelit të atyre të pikturës ose shëmbëllejnë në to: Shpirti im pikturë e lagur (“Butësia e pikave të shiut”) dhe në strukturën gjuhësore shprehëse marrin formën e mozaikëve poetikë:

Ngjyrat e harresës t’i fala
të shkrira në një pikturë të çmendur
derisa në dritare shfaqeh pikëllimi
shi binte deri në dhembje
portreti yt zgjohej nga ëndërrimi
përkëdhelte fytyrën në pasqyrë
(E bardha në pasqyrë),
*
Një këngë dhe një kujtim
në mesnatë lidhin nyje
mallin dhembjen gjakimin
pëshpërimë në ngjyrë
zë i ëmbël dhe i rrallë
valët flakë (k)thehen nga thellësitë
si Orfeu me telat e tij
një ngjizje në kornizë
në pëlhurë të zemrës
(Në Prishtinë).

Dhe nga tërësia e mozaikëve poetikë që ndërlidhen e kushtëzohen mes tyre në rrafshe të ndryshme dhe ndërshprehin njëri-tjetrin, dalin kuptime shumështresore, mesazhe sublime siç ngjet edhe në pikturë-shkruan A.N. Berisha.

Në shkrimin e saj: UT PUCTURA POESIS
Mbi vëllimin poetik: Dashuria flet me zemrën e diellit (fq.155-161), duke bërë fjalë për vëllimin poetik të përzgjedhur “Dashuria…” të M. Ramiqit përkthysja dhe studiuesja e njohur Albana Alia thekson se poetja Miradije Ramiqi ka projektuar lidhjen mes dy arteve, letërsisë dhe arteve figurative, sipas idesë së Horacit: Ars poetica: ut pictura poesis (poezia është pikturë).

Kështu, prandaj, ajo, poetja në fjalë, M. Ramiqi, ka arritur të përdorë një gjuhë ikonike që, nëpërmjet strukturës së veçantë të tekstit poetik, ka arritur të krijojë imazhe progresive të ndërthurura, në rrafshin inventio që ofrohet nga poetët dhe realizohet nga piktorët.

Struktura e këtij vëllimi, siç thekson me të drejtë studiuesja Albana Alia, është ndërtuar kryesisht mbi bazën e një dialogu të vazhdueshëm, të drejtpërdrejtë ku notojmë në nuancat e ngjyrave të bekuara, apo të një lloj monologu dramatik të realizuar përmes kujtimeve të dashurisë,mes unit lirik dhe figurës së të dashurit që, i mbështjellë me tisin e natës, metamorfozohet në tingull, në varg,në pikturë të heshtur në brendësi të kornizës përmbyllëse të dashurisë, në një zog parajse…

Krejt në fund të këtij syzimi le të theksojmë se poezia e këtij vëllimi të përzgjedhur me përkushtim sikundër edhe vëllimet e tjera poetike të poetes Miradije Ramiqit janë një vlerë e veçantë në poezinë e sotme shqipe. Dhe sa herë ta lexojmë atë do ndjejmë kënaqësi estetike edhe për faktin se aty kemi një njësim të shkëlqyeshëm të poezisë me pikturën, përkatësisht një “poezi si njësim të dashurisë dhe të bukurisë”

(A.N Berisha).