PSE HESHT RAMA PËR “HASHASHIN” E LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM ?

0
694

Mendim

Kemi parë ekraneve të vegjël kombëtarë e vendorë, tokësorë e satelitorë, gjatë gjithë lajmeve e kronikave televizive të ditës e të natës, policë të lodhur e të djersitur tek presin bimët e mëdha të kërpit, foto portrete e foto kolektive, në formacione të thjeshta e luftarake, me fytyra të pastra sa dallohen se kush janë.

Por, nuk kemi parë specialistë të bujqësisë e të pyjeve në hyqmin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Pyjeve që të marrin pjesë qoftë edhe në një operacion të vetëm zbulimi të fidanishteve të kultivimit në kubikë të bimëve, në një operacion të vetëm të shkuljes, prerjes, djegieve të kanabisit, rritur në territorin e tyre.

Nuk kemi parë e dëgjuar as ministrin Panariti e Koka të kapin me “kanabis në duar” e të denoncojnë shkelësit e ligjit në “pronën politike të tyre”, kultivimin e bimëve narkotike.

Në një vjetar statistikor që kam me vete në mërgim, vërej se hapësira bujqësore ku kultivohen bimët në shërbim të jetesës së çdo shqiptare i kalon të shtatëqind mijë hektarët me një mesatare 0.217 hektarë për çdo banor, matur kjo me të dhënat e vitit të fundit të kohës së diktaturës.

E vogël kjo për një popullsi prej më se tre milionë banorësh në atë kohë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sipërfaqen pyjore të Shqipërisë, sipërfaqe që i kalon të një milionë hektarët.

Është i njohur kolapsi që ka pësuar bujqësia shqiptare në këtë një çerek shekulli, copëtimi i tokave në ngastra ku më nuk bëhet fjalë për traktorë, makina mbjellëse e korrëse, autokombajna e të tjera. Shkatërrimi në themel i sistemit kullues e ujitës e nxori në “të thatë” bujqësinë e rendimentet e saj në kulturat bujqësore zbritën në kufijtë e viteve 50-të.

E vetmja dritë mbi një pjesë tepër të kufizuar të bujqësisë shqiptare ishin serat diellore, sera që erdhën pas shkatërrimit në themel të serave diellore e me ngrohje qendrore, çka, me gjithë vështirësitë që hasën kultivuesit për shkak të indiferentizmit shtetëror për farëra të cilësisë së lartë (institutet e misrit, orizit, duhanit, perimeve, patateve, vreshtave, agrumeve, ullinjve… u rrënuan ), për shkak të mos mbështetjes financiare të fermerëve e të tjera mbijetuan dhe i dhanë emër tregut të vendit e eksporteve.

Pyjet, si në asnjë vend tjetër, u prenë dhe u rrënuan në mënyrën më barbare të mundshme dhe, pas afro një çerek shekulli harrese u kujtuan për të vendosur një “moratorium”, një arrën të zezë qepur mbi copë të bardhë.

Këto janë thënë e stërthënë, por ajo që nuk është thënë dhe çuditërisht as Rama, as zëri më kritik në partinë e tij, Erioni i Vogël nuk e kanë thënë dhe çuditem pse nuk e thonë me gojë plot.

Sipërfaqet e përmendura më sipër, të tokës së punuar dhe të pyjeve janë në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ministrisë së Pyjeve, në administrim të dy ministrave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI.
Në këto sipërfaqe, jo në det ku kontrollon policia e as në ajër ku kontrollojnë helikopterët civilë e ushtarakë, të Shqipërisë, Italisë apo
të ndonjë force ajrore evropiane, mbillet hashash, cannabis sativa.

E çuditshme është se gjatë tre viteve të fundit nuk është thënë asnjë fjalë për përgjegjësitë e dy ministrive dhe të dy ministrave, të Panariti dhe të Kokës.

Nuk thuhet as tani kur po flitet për zgjedhje kuvendare e për një hapësirë të re për Shqipërinë Evropiane.
Nuk po thuhet as në fushatë ku shigjetave e kritikave dhe vetë mburrjeve janë kryqëzuar si në beteja antike kalorësish teutonë.
Faji është hedhur vazhdimisht mbi policinë, madje edhe mbi forcat e armatosura që duhet të lënë mënjanë mbrojtjen kombëtare dhe të shpërndahen fushave, kodrave e maleve për të shkulur e djegur hashashin.

Nuk e kemi dëgjuar asnjëherë në ndonjë konferencë shtypi, në intervista apo në FB ministrin Panariti të flasë për hashashin në tokën në administrim të tij e të partisë që e ka vënë në krye.
E keni dëgjuar?
Unë jo.

Nuk e kemi dëgjuar të dalë publikisht ministrin Koka të na flasë për ngastrat tepër të mëdha në numër të mbjella me hashash nga jugu në veri të Shqipërisë.
E keni dëgjuar?
Unë jo.

Si Ministria e Bujqësisë po ashtu edhe Ministria e Pyjeve, Panariti dhe Koka si drejtues kanë një strukturë piramidale nëpunësish nga qendra në bazë me një numër të madh specialistësh e rojtarësh sa po ti krahasosh me policët e Ministrisë së Brendshme apo ushtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, funksioni i të cilëve është krejt tjetër, diferencat janë të mëdha.

Panariti ka nën vartësi, u paguan rrogat, dietat dhe shërbimet e tjera administrative 60 drejtorive bujqësore në të gjitha bashkitë dhe në 12 qarqet e vendit. Nuk ka qendër administrative (ish komunë) që të mos ketë në organikë agronomë, veterinerë e punonjës të tjerë të sistemit të bujqësisë.

Koka ka në vartësi drejtoritë e pyjeve të 60 bashkive dhe 12 qarqeve të vendit ashtu siç ka specialistë të pyjeve me arsim të mesëm apo të lartë, rojtarë pyjesh në çdo hapësirë pyjore në të gjithë Shqipërinë…

Kemi parë ekraneve të vegjël kombëtarë e vendorë, tokësorë e satelitorë, gjatë gjithë lajmeve e kronikave televizive të ditës e të natës, policë të lodhur e të djersitur tek presin bimët e mëdha të kërpit, foto portrete e foto kolektive, në formacione të thjeshta e luftarake, me fytyra të pastra sa dallohen se kush janë.

Por, nuk kemi parë specialistë të bujqësisë e të pyjeve në hyqmin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Pyjeve, të Panaritit e të Kokës që të marrin pjesë qoftë edhe në një operacion të vetëm zbulimi të fidanishteve të kultivimit në kubikë të bimëve, në një operacion të vetëm të shkuljes, prerjes, djegieve të kanabisit rritur në territorin e tyre.

Nuk kemi parë e dëgjuar as ministrin Panariti e Koka të kapin me “kanabis në duar” e të denoncojnë shkelësit e ligjit në “pronën politike të tyre”, kultivimin e bimëve narkotike.
Ju keni parë?
Unë jo.

E gjithë kjo armatë bujqësore-pyjore, nuk mund të luante rolin e shurdhit e të qorrit në historinë e përhapjes në të gjithë territorin bujqësor e pyjor të vendit, të mbjelljes, kultivimit, ujitjes, korrjes, përpunimit etj., të kërpit apo të bimëve të tjera narkotike të ndaluara.

Nuk mund të luante por në fakt e ka luajtur në qetësinë e njeriut që shullëhet në diell.
Në mos, me dijet shkencore që të ofron profesioni i agronomit apo i inxhinierit të pyjeve, ka ndihmuar që bima e cannabis-it të rritej “dy bojë burri” e lartë.

Heshtja, memecëria “lart”, për një problem kaq të madh, është “mbjellë dhe kultivuar” më së miri “poshtë” në ato përmasa sa me të drejtë thuhet sa kanabisi, marihuana etj. tashmë është “shqiptare”.

Mbase me të vërtetë është “shqiptare” kur “arat e politikës” i kultivojnë ata si në oborrin e përparmë të shtëpisë së tyre.

Në përfundim do të thosha se të nesërmen e 26 qershorit do të ishte më e drejtë që në betejën kundër bimëve narkotike të ndaluara (duhani është bimë narkotike por nuk është i ndaluar) të hartohej një ligj ku të ndaheshin përgjegjësitë penale e shoqërore, ku sistemi i bujqësisë dhe pyjeve të mbajë përgjegjësinë për mbjelljen dhe kultivimin e tyre, sistemi i policisë dhe i shërbimit shtetëror të mbajë përgjegjësinë për trafikimin e bimëve të gatshme për treg në kontroll të rrugëve tokësore, ujore e ajrore, shteti të mbajë nën kontroll të gjithë e për gjithçka.

Mos harroni se duhani, në fillimet e përdorimit të tij (me tymosje, me mbllaçitje dhe bërrnut), ka qenë kaq i anatemuar sa përdoruesi, kur e vendosnin për ta djegur në turrë të druve, si kërkesë fundjete kishte “Ta ndez edhe njëherë”…
Edhe kanabisi këtë rrugë do të ndjekë.

Deri atëherë kërkohet të mbahet nën kontroll derisa të futet në të njëjtin kanal me pjesëtarin e familjes së tij, duhanin, tash pije e përbotshme.

Abdurahim Ashiku
Athinë, 5 qershor 2017