Ku e marrin forcën krerët kriminelë të PDK-së dhe të AAK-së, për të sfiduar miqtë tanë ndërkombëtarë?!

0
787

Ambasadori amerikan Greg Delawie

Dy partitë e krimit, PDK-ja dhe AAK-ja, e kanë edhe një të përbashkët domëthënëse: krijimin e dy organizatave terroriste: SHIK-un dhe “Shqiponjat e zeza”, të cilat, të instruktuara nga Sigurimsat kriminelë të Enver Hoxhës, për ta marrë pushtetin me dhunë, siç kishin vepruar gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, filluan vrasjet e kundërshtarëve politikë.

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Serbia e don krimin në pushtet
“Unë kurrë nuk do të votoja një parti, e cila ka përkrahur kriminelët ose ka përfshirë kriminelët në listat e tyre”, – i bëri thirrjen e sinqertë popullit të Kosovës ambasadori britanik, Ruairi O`Connell.

“As unë”, – nismoi fushatën Instituti Demokratik i Kosovës” (KDI), me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve, për të mos votuar vrastarët dhe hajnat zyrtarë.

Kundër-përgjigja ishte e menjëhershme. Koalicioni i partive-banda të krimit, i bashkuar nën siglën PAN, sfidoi ambasadorin Ruairi O`Connell dhe Institutin Demokratik të Kosovës, duke listuar kandidatët për deputetë, kriminelët në hetim dhe kriminelët e skeduar me kartelë burgu. Nën përkujdesjen e SHIK-ut, edhe Kryesia e LDK-së, përkatësisht, agjentët e SHIK-ut, brenda kësaj Kryesie, përjashtuan kundrshtarët e SHIK-ut dhe mbrojtësit e sovranitetit të Kosovës.

Kërcënimi hakmarrës i lakeut të Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit, Isa Mustafa, se “ata që nuk votuan Hashim Thaçin për president dhe Demarkacionin, nuk do t`iu jipet mundësia për të kërkuar votën e qytetarëve”, tashmë, u lëndëzua kriminalisht dhe poshtërsisht. Është ky një bashkëpunim i nënkuptuar, i administratorit të dhunshëm të LDK-së me SHIK-un terrorist, që, mjerisht, po ia bën gjëmën partisë famoze të Presidentit Rugova.

Lexoni edhe:
http://www.shqiptari.eu/komandantzeza-ushtaraket-e-fark-ut-i-kemi-izolu-dhe-ne-fund-do-ti-likuidojme-nje-nga-nje/

Shtrohet pyetja: Ku e marrin forcën krerët kriminelë të PDK-së dhe të AAK-së, për të sfiduar kaq lehtësisht dhe vrazhdësisht miqtë tanë ndërkombëtarë?! Pa asnjë mëdyshje, forca e tyre është Serbia, sepse ajo posedon faktet për krimet makabre, të bëra nga “komandantët” vrasës, tashmë, të strehuar në dy partitë-banda: arrestimet, kidnapimet, burgosjet, maltretimet, rrahjet masive, torturat deri në mbytje e karbonizim, (kujtoni rastin e kryetarit të LDK-së të Istogut, Shaban Manaj), të ushtarakëve luftëbërës, të kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së të Ibrahim Rugovës.

Por, Serbia e don krimin dhe kriminelët në pushtet në Kosovë. Sepse vetëm ata, të cilëve “ua ka zënë bishtin me derë”, janë të dëgjueshëm karshi Serbisë dhe ajo po i realizon qëllimet e saj, heshtazi e paqësisht, duke u bërë hisedare në sundimin e Kosovës, edhe pse, më 12 qershor 1999, forcat çlirimtare të NATO-paktit e përzunë me zjarr e hekur. Mitrovica e ndarë, premtimet boshe të Hashim dallaverës; organizimi i protestave kriminale e rrugaçërore, në mars-prillin 2004, nga bandat e PDK-së dhe AAK-së, me sugjerim të Serbisë, për rrjedhojë u bë decentralizimi e deri ke “Zajednica”, Bashkësia e komunave me shumicë serbe; nënshkrimi fshehurazi i “Demarkacionit”, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, pa konsultuar asnjë nga strukturat shtetërore, sikur toka e Kosovës të ishte pronë e babait të Hashimit; sabotimi dhe bllokimi i organeve të drejtësisë, duke mbrojtur krimin dhe kriminelët, pjesë e të cilëve është edhe vet Hashimi, Kadria, Ramushi me shokë; ngritja mafioze në krye të shtetit, duke shfrytëzuar karrierizmin e neveritshëm të Isa Mustafës si dhe duke blerë vota të deputetëve, në këmbim të posteve shtetërore dhe diplomatike.

Në të gjitha këto pisllëqe, forca e Hashimit ka qenë Serbia. Dëshmi vetëfolëse është edhe prania e Listës Serbe në Sallën e Parlamentit, në seancën votuese të Hashimit për President. Edhe “zallamahisë” së Colmarit të Francës, i doli tymi. Një ndalesë e qëllimshme, shumë e veçantë, për një njeri të akuzuar për krime seriale, me akomodim në hotel, si një zyrë partiake, me pritje e përcjellje të shqiptarëve mjeranë, disa syrësh pjesë e krimeve, por me emërtime dytësore; intervista dhe deklarata gjithë azganllëk e fodullëk, duke e pompuar, si biban, në sy të shqiptarëve, madje, në prag të zgjedhjeve. Rrjedhimisht, nuk është serbofili Meta kumbara i koalicionit të krimit: PDK-e, AAK-a, Nisma, por kumbare e vërtetë është Serbia. Është interesi i saj jetik, që ky koalicion të jetë, aktualisht, në pushtet, sepse i ka edhe do punë për t`i kryer dhe këta janë ustallarët! Melmesë e kësaj çorbe, tashmë, të thartuar, janë miqtë francezë të Hashimit.

Kadri Veseli, i heshturi i dikurshëm, tashmë, është në revansh. Ai flet e vepron edhe përmes SHIK-asve të tij besnikë. “Mund të formojmë një koalicion me Aleancën dhe Nismën, si më të përafërt në aspektin e veprimeve para luftës dhe pas luftës”, – deklaroi eksponenti i krimit, Shukri Buja, ende pa u përmend koalicioni i tanishëm. Dhe, vërtet, afria e tyre është siameze. Shokë të ideologjisë staliniste-sllaviste para luftës; sabotues të luftës, duke shkarkuar komandantët ushtarakë profesionalë, për t`i zëvendësuar me profanë dhe pa kryer as shërbimin normal ushtarak, siç bëri Hashimi me Ramushin. Për rrjedhojë, masakrat më të mëdha në popullësinë civile u bënë, pikërisht, në Drenicë dhe Dukagjin, sepse në “komandë” ishin barinjtë, të cilët nuk kishin as njohuritë elementare për taktikën dhe strategjinë e luftës.

Dy partitë e krimit, PDK-ja dhe AAK-ja, e kanë edhe një të përbashkët domëthënëse: krijimin e dy organizatave terroriste: SHIK-un dhe “Shqiponjat e zeza”, të cilat, të instruktuara nga Sigurimsat kriminelë të Enver Hoxhës, për ta marrë pushtetin me dhunë, siç kishin vepruar gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, filluan vrasjet e kundërshtarëve politikë, që në fillim të luftës në Kosovë, për të vazhduar edhe pas luftës, kinse në liri. Kuota e këtyre vrasjeve kap shifrën marramendëse – 1820 shqiptarëve të pafajshëm, që, siç thoshte presidenti Fatmir Sejdiu “nuk i kanë vrarë jashtëtokësorët”.

Partitë e koalicionit të krimit, përkatësisht, “komandantat” milionerë, përveç krimeve seriale vrastare, të cilësuara si politike, që e kanë brenda edhe elementin e agjenturës serbe, kanë konsumuar, tërësisht, edhe krimin e hajnisë zyrtare, duk u bërë milionerë, pa u thënë kurrë kush “puna e mbarë”. Ashtu siç u provuan tërësisht të vërteta denoncimet e Nazim Bllacës, për krimet seriale e makabre të SHIK-ut terrorist dhe për këtë janë varret, si dëshmi prekëse e faktike, po kaq të vërteta janë edhe haraçet e përgjakshme, uzurpimet e pasurive shoqërore e shtetërore, privatizimet me çmime sa qesharake, aq edhe kriminale, e deri ke tenderimet e makro privatizimet të ndërmarrjeve shtetërore. Disa nga denoncimet e trishtme, të bëra nga njerëz brenda llojit, për bisnese të pista, kontrollim të doganave, të lojërave të fatit, kazinove dhe të tjera, me fshehje e depozitim të këtyre pasurive të përgjakshme edhe nëpër botë, janë hajni e kulluar zyrtare. Dhe, për këtë, dëshmi faktike janë vilat-pallate, makinat e kushtueshme, qindrat e hektarëve tokë e troje, milionat e eurove, jeta luksoze, si në përralla e “komandantave” kriminelë milionerë.

Fqinjtë tanë armiq, na kanë përbuzur gjithëherë se “shqiptarët nuk dijnë as të bëjnë dhe as të mbajnë shtet”. Dhe, vërtet, Shqipërinë, ashtu të cunguar, e bëri Evropa dhe, përjashto shtetin ligjor të Mbretërisë Shqiptare, kurrë më nuk funksionoi si shtet i mirëfilltë. Presidenti aktual ishte i pari që kërkoi, madje, zyrtarisht, eliminimin fizik të Azem Hajdarit, ndërsa kryeministri bandit ka mbushur Parlamentin me kriminelë dhe shtetin e ka droguar. Në Maqedoni garojnë dy banditër, të dyshuar për vrasje seriale të luftëtarëve shqiptarë, karrieristë deri në harresën e Marrëveshjes të Ohrit. Në Preshevë dy majtstë-stalinistë tjerë, që hymnizojnë bandën në pushtet në Tiranë dhe vjellin kndër demokratëve nacionalistë. Kosovën e çliroi dhe e bëri shtet bota. Tani koalicionohen partitë-banda, me krime numerike dhe duan ta vazhdojnë, edhe mëtej, përgjakjen e Kosovës. Të gjithë sojnikë të ideologjisë kriminale-sllaviste. Rrjedhimisht, shumica e shqiptarëve rendin pas kriminelëve stalinistë, si mizat në bajga!

Kurthin e Kumanovës e përgaditën “komandantët” në Kosovë, në bashkëpunim me ata në Shkup. Për ironi, menaxheri i aksionit të djemëv shqiptarë, ishte zyrtari i Sigurimit maqedon. Disa emra qenë bërë të njohur, katër vjet më parë, për haraç e dajak, në mbledhjen e votave për një parti-bandë. Përgjimet dhe denoncimet e familjarëve, flasin për një komplot selektiv, ndërsa djemtë tjerë u viktimizuan në tufëzim. Rrëmujshëm e nxitueshëm djemtë kufoma i kallën në dhe, madje, në varreza të dëshmorëve, pa asnjë verifikim paraprak individual, për t´i bërë këto vend-prehje të shenjta lesh-arapi.

Trumbetimi i bujshëm i pafajësive të “komandantëve” dhe të “gjeneralëve” pa ushtarë, është folklorik dhe demagogjik. Edhe Millosheviçi u pafajësua nga Haga, me arsyetimin se nuk arriti t´i bënte zap bandat paramilitare! Por, “komandantët” e Kosovës kanë listuar emrat për ekzekutim, ngeshëm, kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së, duke filluar nga Presidenti Rugova, akademik Fehmi Agani e shumë qindra të tjerë si dhe ushtarakët luftëbërës të FARK-ut.

Të gjithë të akuzuarit, të luftës dhe të pas luftës, për fajet-krime, qofshin ata të dënuar sikur të kishin vjedhur pula, nuk janë pafajësuar dhe as amnistuar nga populli. Politika dhe paraja ka fituar mbi drejtësinë. Edhe për një vrasje të qëllimshme, ose urdhërdhënie, drejtësia botërore i ndëshkon me plumb ose burgim të përjetshëm. Përjashtim bën Kosova, pse jo, edhe Shqipëria, të cilat, në tri dekadat e fundit, dështuan, tërësisht, në mbrojtjen e qytetarëve dhe të pronës së tyre.

Rasti “Kiqina, shuarja e përgjakshme e një familjeje, kërkesa ngulmuse e familjes Ramadani, për rihetim të çështjes, akuzohet me emër një drejtor i SHIK-ut, i cili, së fundi, u ngrit në ministër. Për çudi, të gjithë drejtorët e SHIK-ut, për afro dy dekada radhazi, vazhdojnë të jenë deputetë dhe zëvendës-ministra. Dhoma e dëshmive në Prishtinë, nuk është vjedhur. Ajo është marrë, bartur, ditën për diell, sepse në atë ministri është skuadra e SHIK-ut.

“Komandantët” vrasës dhe milionerë janë trimëruar. Disa nga burgu në Parlament, të tjerë më një mal akuzash, s`ka kush t`i arrestojë dhe as t´i denojë. Ligjërojnë lirshëm e pacipshëm. Provokojnë, çdo ditë e më shumë, një popull, të cilin e kanë përgjakur. Ata kërkojnë t`i ngjisin shkallët e karrierës. Të arrijnë krejt afër Hashimit dhe Kadrisë. Sepse e kanë diktuar se sa më shumë i inkriminuar të jesh, aq më shumë kalaveshësh me poste. Kështu ndodhë në një shtet të kapur, të mundur nga krimi dhe kriminelët.

“Kosova me një zonë zgjedhore”, një mundësi reale për ta mbushur sallën e Parlamentit me deputetë kriminelë. Paratë dhe postet i ka SHIK-u vrastar. Diç tjetër do të ndodhte ballafaqimi i kandidatëve, sipas sistemit zgjedhor klasik, komunë e zonë. Parlamenti gjerman shtroi pyetjen – dilemë: “Pse Kosova të këtë 27 deputetë kriminelë në Parlament?!” Me gjithë porosinë e dhënë nga ndërkombëtarët, për spastrim të listave nga kandidatët kriminelë, koalicioni i krimit: PDK-e, AAK-a dhe Nisma, veçsa e ka shtuar numrin e tyre.

Ata janë bërë bllok përballë Gjykatës Speciale dhe janë fort të interesuar ta sabotojnë, ta relativizojnë, ta amortizojnë atë, madje, gjithësesi. Shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, herëpashere, i aktivizon zagarët e tij, në krye të shoqatave fantomë, të dala nga lufta, pa hyrë fare në luftë, për të kërcënuar dhe shantazhuar popullin me luftë, nëse prekën “komandantët”. “Luftë do të këtë, nëse burgoset Shefi i Shtabit të UÇK-së, Azem Syla”, – çirreshin krerët rrugaçë të shoqatave në fjalë. Azemi u burgos dhe populli po kërkon prangosjen e azemave të tjerë, kriminelë dhe hajna zyrtarë.

Edhe në politikë ka moral ose, të paktën, duhet të këtë. Çdo ditë familjet e viktimave, të vrarë nga bandat e “komandantëve” kriminelë, apelojnë, madje, me emër e mbiemër, që t´i lënë postet dhe të japin llogari për krimet e bëra. Sepse është një provokim e skajshëm, jo vetëm për familjet e dëmtuara, me vajë të gjithmonshëm, por edhe për popullin, zgërdhimja e çdoditëshme në mediet e shkruara dhe televizive të eksponentëve të krimit, të cilët, dhunshëm, duan të mbetën njerëz publik.

Në shkrimin: “Revanshi i pacipshëm i Kadri Veselit”, të publikuar ca ditë më parë, kur ai donte postin e kryeministrit të vendit, e konsiderova si provokim të rëndë kombëtar. Dhe, pa dashur të bie në tautologji, përsëritje, po kjo vlen edhe për të gjithë ata, përfshi këtu edhe “komandantat”, kandidatë për deputetë sot, apo të tjerët për kryetarë komunash nesër, dhe poste të tjera publike, që kanë përgjakur duart me gjak të shqiptarëve të pafajshëm.

Bagazhi, shumësia e krimeve faktike, të “komandantëve” vrastarë e milionerë, u jep shansin dhe të drejtën, që koalicioni LDK-e, AKR, Alternativa dhe Lëvizja Vetëvendosje, fushatën parazgjedhore ta bëjnë me moton: “Partitë e krimit në koalicion: PDK-e, AAK-a, Nisma – jashtë ligjit dhe kriminelët prapa grilave!”