Nga Frank Shkreli
Pa ditur se kopja ime e vjetër e Lahutës së Malcis ishte grisur nga përdorimi prej pothuaj gjysëm shekulli – por duke njohur mirë dashurinë time ndaj kësaj vepre të At Gjergj Fishtës — para do kohe, kolegu dhe miku im Idriz Lamaj më solli nga Shqipëria një dhuratë, një kopje të re të Lahutës së Malcis, botimi i XVII nga Botimet Françeskane në Shkodër. Edhe kopja e parë e Lahutës së Malcis që kam lexuar për herë të parë në jetën time si refugjat politik në Itali në fillim të vitit 1970, ka qenë gjithashtu dhuratë për mua prej Dom Prenk Ndrevashajt, priftit katolik që kujdesej për emigrantët shqiptarë në kampet e refugjatëve në Itali, gjatë viteve 1960-ave dhe 1970-ave.
Libri që më ka dhuruar i ndjeri Dom Prenk, është botimi i dytë i Lahutës, shtypur në vitin 1958, në Romë. Siç mund të vëreni në foton më poshtë, megjithse e grisur nga përdorimi prej pothuaj një gjysëm shekulli, e kam ruajt gjithnjë si sytë e ballit dhe e kam lexuar vazhdimisht si një burim frymëzimi vlerash të pashterrshme të kombit tonë. E kam ruajtur gjithashtu si një dhuratë dhe kujtim të bukur e të paharrueshëm prej mikut tim Dom Prenk Ndrevashaj — po se po — i cili që në rininë time, ka qenë i pari që më pat folur për At Gjergj Fishtën dhe veprën e tij të madhe, Lahuta e Malcis.
Siç dihet, në trojet tona nën komunizëm pas Luftës së Dytë Botërore, At Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcis ishin të ndaluar rreptsisht, për më tepër po t’përmendesh Fishta, njerzit e pësonin keq, në të dy anët e kufirit shqiptar. Dom Prenkës, i jam mbetur gjithmonë mirënjohës që m’a paraqiti për herë të parë Lahutën e Malcis dhe për faktin se më njohu me At Gjergj Fishtën dhe veprat e tij kur isha 19-vjeç, në një kohë kur isha duke u bredhur rrugëve të botës, pa ditur se ku do të përfundojsha dhe cila do ishte e ardhmja ime. Nuk është e lehtë për brezin e sotëm, por natyrisht se unë kam avantazhin se gjuhën e përdorur në Lahutën e Malcisë e kemi folur në familje dhe nga kjo pikëpamje e kam pasur dhe e kam më të lehtë edhe sot ta lexoj Lahutën dhe veprat e tjera të At Gjergj Fishtës.
Por botimi i fundit — i XVII-ti — ka përparësi për lexuesin e sotëm, në krahasim me botimin e dytë që kam lexuar gjatë viteve, megjithse edhe botimi i vjetër ka një numër të kufizuar vërejtjesh dhe sqarimesh të fjalëve ose frazave të vështira për lexuesin e sotëm. Botimi i XVII-të përfshinë një fjalor tepër të dobishëm për lexuesin, një shpjegues të fjalëve të rralla shqipe por edhe i fjalëve të huaja që ka përdorur Fishta në Lahutën e Malcis, nga At Benedikt Dema. Për ata që e gjejnë të vështirë të lexojnë Lahutën e Malcis, rekomandoj recitimet e Lahutës në “youtube”, nga mjeshtri i madh, Reshat Arbana e të tjerë recitues.
Dua të rrëfehem me sinqeritetin më të madh se shpeshëherë kur më jepet, në kohë të lirë, i drejtohem veprës së Fishtës. I nderuar lexues, më quaj të “prapambetur” jo në hap me kohën, po të duash. Por si asnjë libër tjetër deri më sot – Lahuta e Malcisë vazhdon të më shërbejë si një gurrë e pashterrshme vlerash dhe virtytesh të përhershme shqiptare. Natyrisht, dihet se jo gjithkush mendon kështu për Fishtën dhe veprat e tija. Kjo mund të shpjegohet edhe me lënjen pas dore të Fishtës dhe veprave të tija në Shqipëri dhe në Kosovë, sidomos përjashtimi i tij gjithnjë nga shkollat dhe universitetet, megjithse veprat e tija janë botuar dhe ribotuar. Antagonizmat ndaj Fishtës janë aqë të theksuara ende, sa që të bindin se sa e efektshme paska qenë propaganda sllavo-komuniste gjysëm shekullore kundër tij.
Në një bisedë me disa kolegë të mi tek Zëri i Amerikës në Uashington pak kohë më parë po bisedonim — ndër të tjera — edhe për gjuhën, për përdorimin e saj sot, për shkrimtarë të ri e të vjetër, përfshirë edhe At Gjergj Fishtën dhe për Lahutën e Malcis. Gjuha në Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës, tha një prej kolegeve është tepër e vrazhdë, idetë e tija shumë anakronistike, tepër e vështirë për tu kuptuar. Këto fjalë të koleges më befasuan dhe më davaritën deri diku edhe mendjen por e përmbajta veten, duke iu përgjigjur se po të mos ishte për Lahutën e Malcisë, unë dhe disa të tjerë të gjeneratës time që kishim marrë rrugët e botës 50-vjetë më parë, do ishim humbur në kulturat dhe gjuhët e huaja. Në Lahutën e Malcis, i thashë gjenë grumbullimin e zakoneve, atdhedashurisë dhe traditave, tradita të cilat u ruajtën nga malësorët edhe në rrethana shumë më të vështira jetese se sot, e të cilat ia vlenë t’i kalohen brezave të ardhëshëm të shqiptarëve sidomos në trojet e veta, por që sot, fatkeqsisht, mungojnë në botën shqiptare. Nëqoftse atdhedashuria dhe traditat e kombit kanë ndonjë vlerë për brezat e sotëm!
Ndoshta edhe gënjej veten se duke lexuar Lahutën e Malcisë në mbarim të çerek shekullit 21-të, mendoj dhe shpresoj për një botë që nuk vjen më, për një botë shqiptare, sidomos për shqiptarët në trojet e veta, ku armiqësia dhe indeferenca zyrtare ndaj At Gjergj Fishtës vazhdon, falë trashëgimisë së urrejtjes komuniste ndaj tij – atëherë ndoshta shpresohet më kot se brezi i sotëm i shqiptarëve mund të nxjerrë ndonjë vlerë prej kësaj vepre. Ndoshta është ndryshe për ne që jemi rritur nën influencat e kulturave dhe gjuhëve të huaja. Aty, në vargjet e Lahutës së Malcis të At Gjergj Fishtës, vazhdojmë të gjejmë gjithnjë një strehë ngushëllimi dhe freskimi. Disa nga ne, aty në Lahutën e Malcis — larg atdheut, megjithse në liri, në perëndim — kemi gjetur plotësimin e nevojave tona për traditat e humbura dhe për liri, pasi e kishim humbur atë në trojet ku kemi lindur, por e konsiderojmë edhe si një burim të pashterrshëm vlerash kombëtare në një botë të huaj ku na ka hedhur fati i jetës.
Aty në Lahutë, gjënden fatet e kombit. Për më tepër, po të jemi realist, Lahuta Malcis është edhe një pasqyrim i historisë së shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të shkruhet as historia e kombit shqiptar. Lahuta është shtylla e traditave kombëtare pa të cilat nuk besoj se mund të realizohet një qytetërim i përparuar shqiptar as një zhvillim dhe shtet-ndërtim modern, në përpjekjet shekullore të shqiptarëve për tu bërë pjesë e botës, në të cilën jetojmë. Traditat e trashëguara stërgjyshore, aq mjeshtërisht të gërshetuara në Lahutë, si nderi, besa, burrënia dhe mikpritja, jo vetëm që nderojnë emrin shqiptar ndër shekuj, por ato radhisin shqiptarët në rendin e kombeve më të përparuara të botës. Në Lahutën e Malcis, At Gjergj Fishta, nepërmjet protagonistëve të Lahutës, i këndon popullit shqiptar, nderit dhe lirisë së fisit e të kombit. Vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm atdhedashurie, trimërie dhe vlerash kombëtare, por edhe një vepër që — sipas At Danjel Gjeçajt, redaktorit të Botimit të dytë të Lahutës së Malcis në Romë, në vitin 1958 – “Përtërinë fuqitë e ligshtueme t’ushtarëve të lodhun, naltson moralin e ramë, shton uzdajën në fitoren vendimtare, përforcon dashuninë për Atdhe, ngjall heroizmin dhe trimnon zemrat e molisuna”.
Prandaj, si lexues i rregullt i Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, bashkohem sinqerisht me At Danjel Gjeçajn duke u bërë thirrje bashkatdhetarve kudo, pa marrë parayshë se cilin botim të Lahutës kini në bibliotekat tuaja, të parin ose të fundit. Nëqoftse nuk e kini një kopje të Lahutës shkoni e blejini dhe — Lexoje me dashni Lahutën…Shfletoje me kujdes Lahutën e Homerit të kombit tand…Ndigjoje me vemendje Fishtën e fletët e Lahutës…Studjoje me peshim Lahutën dhe më në fund, Ruaje lahutën sepse është ma fort e jotja se e Fishtës, këshillon At Daniel Gjeçaj. Sepse , “bërthama dhe thalbi i nji kombi” nuk shuhen për derisa nga shqiptarët të këndohet Lahuta, për derisa nga ata të ndiqet heroizmi i Oso Kukës dhe urtija e Marash Ucit, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Drangojve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në Rrzhanicë…dashunija e vetmohimi i Pater Gjonit, guximi e burrnia e Ded Gjo Lulit, fisnikia e virtyti burrënor i Tringës…” porositë ai. Vet At Gjergj Fishta ishte i bindur se me veprën e tij i kishte lënë kombit të vet një “Pomendare”:
“Veç se po moj Zanë Shqyptare
Krah m’krah bashk na tue këndue
Ndërtue kemi ‘i pomendare
Rrfe as mot mos m’e dermue”.
Lahuta e Malcisë është epopeja kombëtare, “pomendarja”, është përmendore e përjetshme që do të kujtohet brez pas brezi, sepse ajo ka dalë nga vet populli, pa marrë parasyshë trajtimin anti-kombëtar të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj At Gjergj Fishtës dhe heshtjen zyrtare ndaj veprës së tij sot dhe përpjekjeve të tyre për ta zhdukur nga historia. At Gjergj Fishta nuk kujtohet vetëm me emëra rrugësh, megjithse edhe kjo është një shenjë nderimi për poetin e madh kombëtar, por vërtetë do kujtohej me nder duke përfshirë veprën e tij në programet shkollore edhe universitare për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm, si pjesë e denjë e letërsisë shqiptare. Çdo komb tjetër do të krenohej me At Gjergj Fishtën, por jo klasa e sotëme politike shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Megjithkëtë At Gjergj Fishta do u thonte këtyre: “Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë, e nami i saj për jetë u trashigoftë… Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Flamuri i saj”. Lahuta e tij mbetet si gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që nuk shterret kurrë. Në Lahutën e Malcisë dhe në autorin e saj At Gjergj Fishtën, kombi shqiptar ka dhe duhet të ketë gjithmonë një burim të pashterrshëm vlerash që mbeten për tu zbukuar nga brezat, megjith përpjekjet mizore për t’a minimizuar — për të mos thënë për t’a zhdukur veprën dhe influencën e tij në Atdhe. Indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës është një dhunim ndaj historisë së kombit. Çonju të Vdekur. Zgjohu Gjergj Fishta. Mos vajto ma Lahutë, por këndo. Ndihmo Zot si na ke ndihmue!
Shtëpia ku ka banuar At Gjergj Fishta, shpallur Monument Kulture — një nga arritjet e diktaturës nën maskën e demokracisë, siç është shprehur një komentues në një nga portalet — në pritje të kotë të restaurimit nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, mbetet gjithnjë një monument turpi i klasës politike post-komuniste shqiptare!