NJË KONTRIBUT I ÇMUESHËM PËR AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE

0
920

Shkruan: Isak A H M E T I

Studimi monografik: ETNONIMI ARBËRESH-SHQIPTAR, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1996, ribotuar, me disa plotësime, nga IA, Prishtinë, 2016, fq. 260, i Prof. Dr. Engjëll Sedajt, i shpërblyer nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me shpërblimin e 28 Nëntorit 1997, është, pa dyshim, një kontribut i çmueshëm, i rrallë, jo vetëm për ndriçimin e etnonimit arbëresh-shqiptar, por edhe për autoktoninë e shqiptarëve.

Këtij studimi monografik (i recensuar nga Prof. Dr. Qemal Murati, Akademik Rexhep Ismajli dhe Prof. Dr. Jahja Drançolli), që synon të paraqesë evolucionin dhe kontinuitetin e emrave nacionalë arbëresh-shqiptar në shekuj, në arealin iliro-shqiptar (Prof. Dr. Jahja Drançolli), i paraprin një Parathënie (fq.5-8), mjaft përmbajtësore, e autorit ku, ndër të tjera, tregon dhe sqaron idenë për hartimin e tij duke theksuar se përmbajtja e librit sillet rreth dy fjalëve: arbër – arbëresh-shqiptar, që nga rëndësia e madhe i kalon kufijtë e dy fjalëve të zakobshme në gjuhën shqipe (fq. 8).

Edhe në këtë botim (ribotim), libri është ndërtuar duke ndjekur kriterin problemor dhe kronologjik, fillimisht të etnonimit arbëresh, pastaj të etnonimit shqiptar, kështu që me përjashtim të disa nëntitujve të rinj dhe korigjimeve të gabimeve teknike të tekstit të mëparshëm, botimi i dytë nuk ndryshon nga i pari në përmbajtje, kurse disa plotësime, thekson autori, mund të kuptohen edhe nga literatura e re që është shënuar në fund të librit.

Është me rëndësi të theksohet se autori,Prof dr.Engjëll Sedaj, duke u mbështetur në literaturën e përzgjedhur shkencore për emrat e popullit shqiptar si dhe në burimet historiografike, ka ndjekur vazhdimësinë e etnonimit arbëresh prej kohës antike deri më sot. Në paraqitjen kronologjike të emërtimeve arbëresh dhe shqiptar, e sidomos të krahinës së Arbnisë në perëndim të rrethit të Krujës, sipas një kronologjie historiko-gjuhësore krahasimtare, ai ka bërë ndonjë përcaktim më të ngushtë edhe në etimoligji, me qëllim që të konstatohet përfillja dhe vazhdimësia prej kohës, kur në shekullin II, gjeografi grek, K. Ptolomeu, shënon në hartën e tij emrin e fisit ilir Albanoi dhe kryeqytetin e albanëve, Albanopolin, kurse lidhjet në mes albanëve dhe parthinëve, me motivacion se emri i tyre do të ketë zgjuar asiciacione të kuptimit (lat.) albus dhe se do të jetë përkthim nga fjala (me të njëjtin kuptim), parthinus, sikur që mund të thuhet se pirustus ishte përkthim nga dardanus, ka mbetur vetëm hipotezë interesante.

Autori ka dhënë shpjegime të mjaftueshme historike-gjeogeafike që kanë ndihmuar në mbisundimin e emërtimit të (fisit) të albanëve dhe të Albanopolit të tyre në krahasim me emërtimet e fiseve të tjera ilire. Një kaptinë të veçantë autori ia ka kushtuar ubikacionit të Arbanonit, të konstatuar në lokalitetin arkeologjik të Zgërdheshit, afër Krujës. Në qytetin Arbanon ka ekzistuar edhe Ipeshkvia e quajtur diocesis Arbanensis, duke ndikuar, bashkë me Principatën e Arbërit, edhe në shtrirjen e Arbanon-it në mesjetën e vonë, që është edhe objekt i këtij emërtimi dhe në aspektin dialektor të gjuhës (shqipe) arbërishte.

Emërtimi arbër paraqitet i stabilizuar në gjuhët romane në trajtën Albani, Albanenses(Arbaneses), (Albania), në greqishte, sllavishte dhe turqishte, duke konstatuar se as nga faktori i brëndshëm ky emërtim kurrë nuk është kontestuar, por përkundrazi edhe sot e gjithë ditën është ruajtur në forma të shumta e sidomos në shprehjet karizmatike siç janë :besa arbërore, toka arbërore, sikur që është në përdorim të dendur edhe në antroponiminë shqiptare (Arben, Arbër, Arbëresh, Alban, Albana, Albania), me nundësi riprodhuese edhe në toponiminë aktuale(fq.11-12).

Nga pasqyra e lëndës së kësaj monografie studimore kuptohet jo vetëm historiku i shkurtër i këtyre rrjedhave dhe zhvillimi leksikografik i etnonimisë shqiptar por edhe vijimësia gjuhësore dhe historike iliro-shqiptare e etnonimit arbëresh dhe konsolidimi i ndërgjegjësisë nacionale që vepronte gjatë shekujve, pak a shumë, në të gjitha strukturat e popullit, në vetëpërcakrimin etnik të tij (fq. 219).

Autori në fjalë, Prof. Dr. Engjëll Sedaj, duke qenë mjaft konsekuent në idenë e një punimi me diapazon të gjerë problematik dhe me shtrirje të gjerë kohore, vetvetiu na paraqet një studim-sintezë. Dhe krejt në fund le të theksojmë se vlerën këtij studimi ia shton edhe një rezyme në gjuhën angleze sikundër edhe literatura e përzgjedhur.