GJATË 20 VJETËVE, BOTIM I DASHUR PËR FTERRIOTËT…

0
718

( Festë e bukur, për Gazetën “Fterra Jonë” )

Nga: Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues

Sot paradite, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u organizua festa e 20-vjetorit të daljes së numrit të parë të gazetës periodike, kulturore e historike, “Fterra Jonë”. Për të marrë pjesë në këtë gëzim të natyrshëm, kishin ardhur banorë të atij fshati bregdetar, botues të gazetës dhe bashkëpunëtorë të saj, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës në kryeqytet, nga media e shkruar ajo elektronike dhe të ftuar të tjerë.

Tubimin e rastit, duke lexuar shkrimin redaksional, që u botua në numrin e parë të gazetës “Fterra Jonë”, pra në maj të vitit 1997, e hapi prof. Myzafer Korkuti, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe njëri nga nismëtarët për themelimin e saj. Në vazhdim, për udhën e kësaj gazete të dashur për fterriotët, por dhe lexues të tjerë, foli Feksor Shkurti. Ai përmendi se nismëtarë të daljes së kësaj gazete ishin dhe të palodhurit Agron Xhama e Guro Zeneli.

Siç theksohet në një shkrim të numrit 97, pra që është festiv për gazetën “Fterra Jonë”: “Me atë veprim të mençur, tre bijtë e saj të mirë, i dhanë e i hapën Fterrës një dritare të re e të bukur, nga ku mund të shikohej dhe lexohej: historia, traditat, kultura, zakonet, patriotizmi i fterriotëve në shekuj, luftërat për liri e pavarësi, etja për dije e kulturë, si dhe për rrugën e gjatë të zhvillimit e përparimit të fshatit dhe të fterriotëve, gjatë gjithë historisë, deri në ditët tona…”.

Më tej, duke përshëndetur e falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e lexuesit e shumtë të kësaj gazete, ai përmendi me emër të gjithë ata dashamirë bujarë, të cilët e mundësuan botimin e kësaj gazete, për 20 vjet me radhë. Në mbyllje të fjalës së tij, F.Shkurti shprehu dëshirën dhe vendosmërinë, që kjo gazetë emërmirë do ta vazhdojë më tej udhën e saj, duke e shtuar numrin e bashkëpunëtorëve e të lexuesve dhe duke e ngritur gjithnjë e më lart larushinë e cilësinë e shkrimeve, që do të botohen në faqet e saj.

Duke mos i fshehur emocionet e tij, në këtë përvjetor të shënuar të gazetës “Fterra Jonë”, Agron Xhama tregoi se, përveç daljes së saj në letër, ajo ndodhet edhe në Internet, duke shtuar kështu një mundësi më shumë, për lexuesit e interesuar, jo vetëm në Shqipëri e trojet tjera amtare të Ballkanit, por dhe për emigrantët tanë, që jetojnë në shtete të ndryshme të Europës e deri në Amerikë, Kanada etj. Me interes u ndoq edhe fjala e Servet Tartarit, i cili lexoi disa vargje të një vjershë të tij, kushtuar banorëve të Fterrës e gazetës së tyre.

Shkrimtari e publicisti i njohur Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”, foli në emër të bashkëpunëtorëve të gazetës “Fterra Jonë”. Ai tha se ata janë të panumërt, njerëz të thjeshtë e me profesione të ndryshme, por dhe me grada e tituj shkencorë etj. Më tej, ai u ndal në traditat e lashta e të reja të fshatit të tyre të vogël dhe përmendi se janë të shumtë njerëzit e mësuar e të ditur, që ai ka nxjerrë: Profesorë e Doktorë shkencash janë rreth 15 dhe 2 akademikë; shkrimtarë, gazetarë e artistë, rreth 25; “Mësues të Popullit” e “Mësues të merituar”, 7; ushtarakë të lartë,7; drejtues të rëndësishëm të administratës shtetërore, 8. Janë rreth 30 fterrjotë, që kanë botuar libra; “Mjeshtra Sporti”, 2; shkrimtarë me vepra letrare, mbi 15 dhe 22 botues librash shkencorë, historikë e me kujtime etj. Sot numërohen dhjetëra mjekë e punonjës shëndetësie nga Fterra, me specialitete e grada shkencore, që shërbejnë në shumë rrethe të vendit tonë…

Publicisti Albert Zholi përshëndeti në emër të redaksisë së gazetës simotër, “Labëria”. Ai nënvizoi, se edhe kjo gazetë e dëshmon më së miri, që Fterra është një fshat i vogël, por me tradita të mëdha e shumë të çmuara, në të gjitha fushat e jetës. Mësuesi e rapsodi Teno Lona e bëri përshëndetjen me vargjet e një vjershe të tij. Në vazhdim, para pjesëmarrësve në këtë festë, foli miku i pandarë i fterriotëve, Gafurr Ibrahimi. Pas tij, e morën fjalën edhe të ftuar të tjerë, të pranishëm në këtë ngjarje të bukur.

Për pjesëmarrësit, në festën e 20-vjetorit të gazetës “Fterra Jonë”, u shfaqen në ekran pamje nga udha e përshkuar prej saj, si dhe një montazh interesant, shoqëruar me këngë popullore, kushtuar një miku tjetër të atij fshati, rapsodit të mirënjohur Lefter Çipa.

Gjatë veprimtarisë festive, si dhe koktejit të shtruar me këtë rast, u bënë shumë fotografi të përbashkëta dhe vazhduan bisedat e të ftuarëve me njëri-tjetrin. Ata shprehën kënaqësinë e tyre dhe falënderimin e përzemërt, për nismëtarët dhe gjithë ata, të cilët e prinë dhe e shoqëruan, në udhën e saj 20-vjeçare, gazetën “Fterra Jonë”.

Tiranë, 27 maj 2017