“POEZITË E MIA JANË PRITUR MIRË DHE LEXUESIT MË KANË NXITUR, QË TË SHKRUAJ ENDE MË SHUMË…”

0
1324

(Bisedë me krijuesen vlonjate, Rudina Mërkuri-Papajani)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Përshëndetje, mike Rudina! Është kënaqësi, që po e zhvillojmë bashkë këtë Bisedë… Unë njoh dhe kam shkruar për disa krijuese të tjera vlonjate…Desha të di, se sa je e përfshirë ti, në jetën e bashkësisë së krijuesve të Vlorës? Më qartë, a merr pjesë në veprimtaritë, që zhvillohen, siç janë:konkurset, përurimet e librave ose ngjarje tjera të tilla?
– Në qytetin e Vlorës kemi Shoqatën “Petro Marko”, që ndihmon sa e si duhet, në përurimin e talenteve të reja. Marr pjesë aktive në këtë Shoqatë dhe ndjehem e vlerësuar, që jam pjesë e saj. Ndër të tjera, kam qenë e pranishme, kur autorë të ndryshëm kanë përuruar librat e tyre, në poezi ose prozë etj.
2. Kur të lindi dëshira e pasioni për të shkruar poezi? A të kujtohet, cila ka qenë poezia jote e parë dhe a e mbajtje “të fshehur” në fletore apo e bëre të ditur, për të tjerët?
– Deshira për të krijuar më ka lindur që fëmijë. Poezitë i shkruaja në copa letre ose në blloqe. Mbaj mend që, poezinë e pare, ua kam kushtuar prindërve. Pastaj, siç kuptohet, tematika e poezive të mia është zgjaruar, duke u përpjekur që ta pasqyroj jetën përmes vargjeve të mia.

3. Kur dhe ku ke nisur t’i publikosh poezitë e para?
– Poezitë e para i bëra të njohura, për herë të parë, në veprimtaritë e zhvilluara në shkollë, kurse në media i publikova më vonë. Me poezitë e mia, jam bërë pjesë e gazetave dhe revistave të ndryshme.

4. E di që me profesion je infermiere, pra punon në sektorin e shëndetësisë…Kjo gjë, a të ndihmon apo të “pengon”, që të shkruash poezi?
– Profesioni i infermieres është një detyrë njerëzore dhe të jep kënaqësi, por dhe ndjen përgjegjësi, për këtë gjë. Puna me pacientët të bën të ndjehesh shumë miqësore me ta, sidomos kur ajo shërben si moto, në sloganin: “Shpëto një jetë!”
Sigurisht, kjo punë më ka bërë dhe shumë të ndjeshme, më ka motivuar që të futem në botën shpirtërore të njerëzve. Pastaj, natyrshëm, këto ndjenja I kam pasqyruar në krijimtarinë time poetike. Pra, nuk mendoj se puna në sektorin e shëndetësisës të më ketë “penguar” në këtë fushë, përkundrazi…

5. Ke botuar një vëllim me poezi…Po më tej, a po punon që të dalësh para lexuesve me ndonjë libër tjetër me krijimtari poetike?
– Po, deri tani, kam botuar vetëm një vëllim me poezitë e mia. Ai e ka titullin “Violinat e shiut”, i cili ka tematikë të larmishme, nga jeta jonë e përditëshme. Aktualisht jam duke punuar dhe për publikimin e vëllimit tjetër me poezi.

6. Libri i botuar dhe, në përgjithësi, poezitë e publikuara, si janë pritur nga lexuesit dhe keritika letrare?
– Poezitë e mia janë pritur mirë dhe janë ndjekur nga shumë lexues, duke më vlerësuar dhe nxitur që të shkruaj ende më shumë. Kështu, p.sh., ata i kanë pëlqyer edhe poezitë e publikuara, në mars të këtij viti, me titujt: “Më përloti rrezja e fortë…”, “Kuptoje zemrën!”, “Them, ta grisi ëndrrën!…” etj.

7. A ke marrë pjesë në konkurse letrare, zonale ose kombëtare dhe si je vlerësuar apo ke marrë çmime të ndryshme?
– Kam marr pjesë në konkurse të ndryshme poetike dhe jam vlerësuar shpesh herë me çmime. Jam bërë pjesë e disa antologjive me krijmtari poetike. Më lejoni të përmendi, se ku janë publikuar disa nga poezitë e mia: Antologjia“Sa-Kra-CH“, Antologjia “Maja Çajupiane” e Antologjia Rumune. Po kështu, në gazetat: “Bota Press”, “Telegraf”e “Alb-Dreams”, te “Poezi nga autorë vlonjatë” dhe “Kritikë e Letërsi Rumune”. Gjithashtu, poezi të miat janë botuar në revistatn “Dituria” – Suedi dhe “Obelisk” -Tirane, në ”Agjencioni Floripress”,”Agjencioni Floart-Press” etj. Jam fituese e Konkursit “Maja Çajupiane”.

8. A ke projekt për ta botuar ndonj vëllim të ri poetik dhe cila do të jetë veçoria dalluese e tij, krahasuar me të mëparshmin?
– Te vëllimi me poezi, që po përgatis, veçori dalluese nga vëllimi i parë, është se poezia shënon rritje, pjekuri më të madhe letrare dhe vargu ecën më i sigurtë,si pjesë dhe vlerësim i lexuesve, që më ndjekin. Këtë gjë e kam vërejtur me disa poezi të publikuara edhe në Internet ose në shtypin shkruar.

9. A ke ndonjë merak, për të shtuar diçka tjetër, në mbyllje të kësaj Bisede, për të cilën të falënderoj, përzemërisht?!
– Giithashtu edhe unë u jam mirënjohëse dhe shprehi respektin tim, për punën e palodhur e profesionale, që bëni në dobi të krijuesve, sidomos për femrat poete e shkrimtare, artiste dhe veprimtare të dalluara, në fusha të ndryshme të jetës!
– Ndërsa, në fund fare, për të kuptuar sadopak ndjesitë dhe frymëzimin poetik të Rudina Mërkurit, po botojmë një ndër krijimet e saj më të reja:

KUPTOJE ZEMRËN!…
Kuptoje zemrën,
ka pamundësi të shprehet;
ajo futet me guxim,
në gjakun që vlon.
Është zanë e përpirë nga dallga,
në të gëdhirë;
është kaq e bardhë,
kaq e shtrenjtë, në gazin e asaj.
Tremben muret, se ka zjarr;
dritë që feks, në plagën pa fjalë.
I thotë “lamtumirë”, qiellit me hënë,
jetën-pranverë e ngjyen,
në venat, pranë një burimi, me embrion.
Ta dini:
Këtu banon shpirti, prej akulli;
shkriu, sa pa atë…
Mori plagë… rilindi!…

Tiranë-Vlorë, 22 maj 2017