Nga Frank Shkreli
Në një njoftim të gazetës shqiptaro-amerikane, Dielli, organ i Organizatës Pan Shqiptare VATRA, njoftohet komuniteti i Nju Jorkut me rrethe, por edhe më gjërë, se me nismën e një grupi ish të burgosurish dhe të përndjekurish politikë, nën drejtimin e Pëllumb Lamaj dhe në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA,” organizohet – (me 20 Maj 2017 në orën 2.00 pm., Adresa: 2437 Southern BLVD, BRONX, NY 10158) — përkujtimi i Revoltave të Spaçit dhe të Qafë-Barit. Si pjesë e programit do të shfaqet një dokumentar historik, i realizuar nga Z. Pëllumb Lamaj”. Dokumentari, “Spaçi, Simboli i Rezitences Anti- Komuniste, në Shqipëri”, sipas njoftimit “Përjetëson revoltën e Spaçit”.
Në njoftimin e gazetës Dielli thuhet se tubimi kujton Revoltën e Spaçit që kishte filluar më 21 maj të vitit 1973 e që zgjati 3 ditë. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në tarracën e burgut, një flamur të Skënderbeut, pa yllin komunist, duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mendë, revolta u shtyp me gjak. Përfundimi i shtypjes së revoltës, ishte katër nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ri-dënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai, thuhet në njoftimin e gazetës shqiptaro-amerikane Dielli.
Ndërsa Revolta e Qafë-Barit filloi 11-vjet më vonë, me 20 maj të vitit 1984. Thuhet se në këtë burg kanë qenë gjithsejt 500 të burgosur politikë, secili i dënuar me mbi 25 vite burg. Ata të shkretë, shfrytëzoheshin dhe keqtrajtoheshin egërsisht nga regjimi komunist, duke i detyruar të punonin nëpër galeritë e minierës, me tre turne. Duke mos mundur të duronin torturat dhe shtypjet, pas shumë vitesh torturash çnjerëzore, të dënuarit shpërthyen në revoltë më 20 maj të vitit 1984. “I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake. Të plagosurit hiqeshin zvarrë…Sander Sokolin, e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dru dhe e këputen në mes. Tom Ndoin dhe Sokol Sokolin i pushkatuan. Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë dhe i ridënuan”, thuhet në njoftimin e gazetës Dielli për kujtimin e kësaj revolte.
Fatkeqsisht, revoltat e Spaçit dhe e Qafë Barit nuk kujtohen zyrtarisht, aty në vendin ku kanë ndodhur, në Shqipëri dhe ku as krimet e komunizmit nuk dënohen, ndërkohë që bëhen përpjekje që ajo e kaluar të harrohet dhe të mos kujtohet më nga brezi i tanishëm dhe as nga brezat e ardhëshëm të shqiptarëve. Udhëheqsit shqiptarë të 27-viteve të fundit – madje edhe në atmosfera të acaruara politike, siç ishte kjo e fundit midis dy partive kryesore të vendit — kanë arritur në marrveshje politike, për lidhje koalicionesh dhe bashkqeverisje për të siguruar pushtetin, madje edhe duke shkëmbyer karrigat kur pushteti i tyre mund të konsiderohej se ishte në rrezik. Por, klasa politike e këtij çerek shekulli post komunist, nuk mund të arrijë një qëndrim moral dhe të bien dakort për të njohur zyrtarisht dhe për të dënuar krimet e komunizmit, madje as për të kujtuar krimet e komunizmit – ashtu siç po kujtohen, sado modestsisht, tek Vatra panshqiptare në Nju Jork këtë fund jave – për krimet, jo vetëm në Spaç dhe në Qafë të Barit, por anë e mbanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare për pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist.
Fatkeqsisht, siç është shprehur edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare në një artikull të shkruar në vitin 2005, se megjithse kanë kaluar 27-vjet nga shëmbja e komunizmit dhe ndryshe, nga pothuaj të gjitha vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, në Shqipërinë tonë, “Një mjegull e helmuar vazhdon të rrijë pezull mbi ish-perandorinë e përmbysur. Ajo nuk gjen qetësi dhe, me sa duket, s’ka për të gjetur, pa kryer një operacion të dhimbshëm, por të domosdoshëm: spastrimin moral të saj. Thënë ndryshe njohjen dhe dënimin e krimit. Pikërisht për pengimin e kësaj njohjeje e sidomos e këtij dënimi është ngritur sot në këmbë një armatë e tërë. Me trysni, me kërcënim, me para, me dredhi, me lutje, me shantazh, shkurt me të gjitha mënyrat e mundshme, kjo ushtri e thirrur në shërbim po përpiqet të mbulojë të vërtetën.”
Ismail Kadare në pamfletin moral të 2005-ës, që unë do ta quaja historik për nga përmbajtja dhe për nga paralajmërimi profetik që mbartë, shkruante se, “Nuk është koha as për vaj e as për berihaj. Në jetën e popujve janë të njohura gjendjet e krizave morale, ato që mund të quhen “orë e vetëvrasjes”. Për një paradoks të madh, ato, më së shumti ndodhin në liri, atëherë kur rreziqet e tjera shmangen.” Kadare bën thirrje për shqyrtimin e ndërgjegjes dhe për një drejtpeshim shpirtëror duke shkruar se, “Procesi i rigjetjes së drejtpeshimit shpirtëror, është i lidhur natyrshëm me kurajën për shqyrtimin e ndërgjegjes, sidomos kur ajo është e dëmtuar. Një gjë e tillë është vështirë të përfytyrohet pa hapjen e zgafellave ku është strukur e keqja” thekson Kadare.
Z. Ismail Kadare paraljamëron dhe i bën thirrje kombit shqiptar për transparencë përsa i përket të së kalaurës komuniste duke thënë se, “Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste”, nënvijon ai.
Ismail Kadare e përfundon artikullin e tij të viti 2005, por gjithnjë aktual për shqiptarët kudo edhe sot, (të cilin mund ta gjeni më poshtë në terësi), duke paralajmëruar se, “Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë. Jo çdo brezi mund t’i bjerë një shans i tillë”, ka përfunduar artikullin e tij shkrimtari Ismail Kadare.
Me Zotin Kadare bie dakort edhe shkrimtari me origjinë çeke, Milan Kundera, se nuk duhet dhe nuk mund të harrohen kurrë krimet e komunizmit, siç ishin krimet e kryera kundër të pafajshëmve në Spaç dhe në Qafë të Barit. Z. Kundera është shprehur se mbi të gjitha, “lufta kundër komunizmit është një luftë e kujtesës kundër harresës.”
I bie kësaj klase politike shqiptare si detyrë dhe obligim, jo vetëm për të kujtuar Spaçin dhe Qafë Barin, por edhe si një prioritet i lartë kombëtar me përgjegjësi para historisë që, njëherë e mirë, të zbardhet e vërteta mbi krimet komuniste. Ky është një shans i këtij brezi politik, nëqoftse, sipas fjalëve të Z. Kadare, doni që me të vërtetë, ta “rifitoni Shqipërinë”.
Frank Shkreli
Teksti i plotë i artikullit —
http://telegraf.al/dosier/ismail-kadare