DHUNA MENDORE DHE PATURPËSIA E SHKAKTARËVE TË SAJ

0
992
Brahim Avdyli në anijen Durrës - Bari

Në një moment dëshprimi para Teatrit në Pejë-me libra në dorë

Brahim AVDYLI:

VËSHTRIM

MBI NJË FENOMEN TË DËMSHËM
TË NATYRËS E TË MENDIMIT SHQIPTAR

Një nga dukuritë më të shëmtuara në kulturën dhe mendimin shqiptar, ka paraqitur dhe paraqet dukuria e vjedhjes së ideve, mendimeve e të vlerësi-meve të të tjerëve, dukuri kjo që ka një histori të gjatë e të çuditshme.
Ndonëse kjo dukuri është dhe ka qenë prezente edhe te popuj e kombe të tjera, ajo që e dallon prirjen e dëmshme të vjedhjes së mendimeve të huaja tek ne, shqiptarët, nga bota, është fakti se ndërsa në botën e gjërë ndodhë me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të vet idesë, tek ne, ajo bëhet me qëllim të pengimit publik; të daljes në shesh të këtyre ideve, kush është ai zëdhënës i parë; pra bëhet me qëllim të paralizimit të tyre.
Këtë dukuri të shëmtuar mjerisht po e shfrytëzojnë klika të caktuara që kanë për synim stagnimin e përgjithshëm të kombit shqiptar dhe ruajtjen e “status quo”-së. Sapo të guxojë njeriu të paraqesë dikund një ide të re, të ndryshme nga ato të klikave prepotente të së djeshmes, që sot na janë bërë demokratë specialistë, ka për tu ngritur që para tij një sërë sorollopësh për të pëshpëritur pothuaj të njëjtat gjëra, vetëm se pa atë të “renë” e ideatorit të parë, apo me një të “re” tjetër, që e shpie syrin dhe vëmendjen e opinionit në anën e kundërt, natyrisht, duke e hudhur si të pavlerë, të gabueshëm apo përçarës mendimin burimor.
Ky lloj i plagiatit, apo më mirë për të thënë i dhunës mendore, nuk ka të bëjë vetëm me fjalën e shkruar artistike, por edhe me mendimin politik e të përgjithshëm. Te ne shqiptarët kjo dukuri paraqitet kryesisht si përpjekje e zbutjes së kërkesave politike të zëdhënësve të ndryshëm; zvoglimit maksimal të efektit pozitiv të ideve të tyre te masat e gjëra të popullit; izolimit të tyre të tërësishëm, dëshprimit apo vetëdëshprimit si formë e “terapisë speciale“ për të hequr dorë nga mendimet e tyre, dhe zbehjes së konstatimeve të analizave të tyre kritike. Të gjitha këto gjëra kanë vetëm prapavijë politike, dhe synojnë paralizimin e të gjitha këtyre ideve (apo iniciativave), të cilat nuk gëzojnë miradinë e qerthujve të caktuar politik, apo që nuk çojnë uj në mulli të këtyre klikave. Shantazhet e tilla organizohen thellë në prapavijë përmes dorës së tretë dhe kushtëzojnë regresin tonë mendor, kulturor e politik.

Faksimile nga publikimi i revistës Qëndresa-Nr.12-13, Maj-Qershor 1994

Mjerisht, këtij fenomeni të turpshëm i shërben fakti se te shqiptarët nuk ka egzistuar dhe nuk po kultivohet kritika krahasimtare (komparativiste), si dhe mungesa e një instance adekuate, e cila do të merrej me çështjet e autorësisë. Pra, kritika krahasimtare do të shqyrtonte çështjen e ndikimeve, koinçidencave apo të plagiateve në fushat e mendimit, dhe do të vendoste në vend personalitetin e mendimtarëve të dëmtuar, duke ua dhënë atyre vendin që e meritojnë para opinionit të vet. Instanca e cekur më lartë, njëkohësisht do të siguronte mbrojtjen e lirisë së shprehjes e të mendimit.
Se krijuesit ndikohen dhe inspirohen nga njëri-tjetri kjo është diçka e ditur dhe e lejuar, por që krijuesit të shfrytëzohen pandershmërisht nga një kategori mediokratësh, nga “talentet” e shteruara, në dëm të vetë krijimtarisë e të progresit, kjo nuk guxon të ndodhë te asnjë popull.
Zatën, këto mediokritete janë shumë më afër mjeteve të informimit dhe dëpërtojnë menjëherë me idetë e plaçkitura; janë më afër parave dhe mund t`i materializonjë më parë se autorët; dinë të ngriten në maje të piramidave dhe të diktojnë nga maja e tyre gjëmën shkatruese; imponohen në emër të kulturës dhe mund të luajnë lojëra të tilla prapa velit të saj. Ata janë kështu të gatshëm për të inskenuar drama për krijuesit dhe mendimtarët e sinqertë, për t`i vënë ata në pozita qesharake e të palakmuara, dhe së fundit edhe për t`i persekutuar apo për t`i privuar nga jeta publike.
Keqpërdorimi i mendimit të tjetrit te ne shqiptarët ka një traditë të lashtë e të përgjakshme. Ai vie në shprehje jo vetëm në saje të karakterit tepër spekulativ të shumë prej emrave të imponuar në përditshmërinë publike, të cilët zotërojnë prirje të rrallë prej shpërdoruesish me mungesa të skajshme të sinqeritetit e të ndërgjegjes. Duke iu faleminderuar naivitetit të lexuesve tanë, shkallës relativisht të ultë të zhvillimit tonë si komb, vie informimi i pa-pamjaftuar i qytetarit tonë. E tërë kjo dramë, nëpër skenat dhe prapaskenat e së cilës mjaft zëra origjinal e përparimtar persekutohen e diskriminohen; shukaten e ndrydhen; shpifen, vidhen e implikohen; etj. zhvillohet pikërisht në saje të mosinteresimit të njeriut tonë, pra të qytetarit, për të hulumtuar origjinalen, autoktonen, vlerën e mirëfilltë dhe përtacinë e tij për ta mbrojtur ate. Është një prirje e çuditshme dhe e pa shpjegim. Njerëzit tanë më lehtë e pranojnë gënjeshtrën se sa të vërtetën; më lehtë e mirënjohin falsitetin se të bukurën; më afër i rrinë të keqes së stolisur se sa të mirës lakuriqe. Jo rrallë në ballë të odës i vënë trilluesit, demagogët, armiqtë e lirisë e të përparimit.
Ky nivel i ultë i lexuesve tanë, por edhe numri shumë i vogël i atyre që lexojnë, qoftë edhe njëanshmërisht; e posaçërisht mungesa e një kritike të komparacionit në letrat tona, ua mundësojnë matrapazëve të ndryshëm të manipulojnë me idetë dhe mendimet e huaja, duke e shtypur apo duke e vënë në pozita qesharake, pra në rrethana tejet të papërshtatshme të krijimtarisë zëdhënësin kryesor të tyre.
Jo rastësisht prandaj sapo të fillojë dikush për të përdorur një konstrukt të ri terminologjik apo një sintagmë artistike, dalin dhjetra të tjerë që mbushin faqet e shtypit (madje edhe të përkthyera në gjuhë të huaja) me të njëjtat gjëra, të vëna gati në të njëjten radhitje, herë-herë në kontekste të ndryshme. Të shumtën, janë vetë redaktorët, recensentët, gazetarët ata që i keqpërdorin kompetencat e veta; janë pikërisht ata që kanë kushtëzuar heshtjen e pendave të caktuara përgjatë shumë vitesh; që kanë kushtëzuar “harrimin” e veprave të krijuesve më të rinj e më të talentuar me urdhërin e pushtetit apo nga gjelozitë personale… Pra, ata që duke vjelur materialet e të tjerëve, të autorëve të pambrojtur e të pa mbulesë politike, i kanë etiketuar dhe pështyrë pamëshirshëm autorët e tyre- dje si nacionalistë e irredentistë, sot si antidemokratë e karieristë…

Sa di të fshehë nata para zbardhjes së dritës

Jo rastësisht, sapo të zë në gojë njeriu i ynë ndonjë çështje të madhe, të rëndësishme për kombin, si psh. “kuvend kombëtar” apo “unitet kombëtar”, “lëvizje kombëtare” apo “gjithëkombëtare”, “strategji për bashkim”, “politikë bashkimi” apo “shpëtimi kombëtar shqiptar” ngarendin grumbuj “gjenish” të predestinuar për t`i lënë në gjysmë të rrugës këto çështje, mu siç dëshirojnë vet penguesit legalë të këtyre çështjeve, e duke bërë kështu punën e armikut e jo kurrsesi të atdhetarit. Janë ata që, krahas gurthyesve të hapur politik, i lënë frerët e kombit për dhé e që po e thyejnë unitetin dhe moralin e masave. Janë ata që marrin flamurin e aktiviteteve kaq të rëndësishme në duar prej duarve të rinisë, vetëm sa për të mos ia lënë kurrsesi në duart e saja, e duke e braktisur pa vonesë e duke e hedhur nëpër baltë. Janë ata që e ndihmojnë reakcionin e brendshëm politik antikombëtar me sjelljen e vet, e janë pjesë e të njëjtes gjeneratë shkatërruese; janë ata që edhe “mjeshtrinë e shkrimit”, por edhe karierën e vetë, e kanë filluar dikur sëbashku, nën të njëtin ndikim politik; gjeneratë pra e cila, sadoqë mund të grindet pak ndermjet veti nuk është në gjendje të ngritet kundër dhe të veprojë në mënyrë tjetër.
Jo rastësisht, por me miradinë e fshehtë e të hapur të të gjithë këtyre, sapo të dalë njeriu me një vizion tjetër politik, përqarësit më të mëdhenj, intrigantët më perfidë, kodoshët më të paturpshëm aktivizohen e të sulmojnë në çdo çast para publikut dhe të lënë „fajtorë“; të thonë se je për përçarje e veprim antikombëtar, për romantizëm e për anakronizëm, për destruktivitet e kush e di se për çka tjetër „bëhet fjalë“.
Dhe, për të qenë habia më e madhe, qudia vetë, brendia më e shëndoshë e këtyre shkrimeve të “dënuara” kopjohet e ribotohet në revista të tjera, të nënshkruara me emra autorësh, të cilët pjesërisht kanë qenë pozitivë, e që në këtë periudhë komplekse dalin kryeput në rolin e dublerëve të ndonjë emri më të madh në letrat shqipe.
E gjithë kjo lëmë nuk mund të bëhet vetëm nga etja për të bërë emër, për të thënë diçka, për t`u zgjedhur në ndonjë forum, këshill, institucion, apo në mungesë inspiracioni. Këtu ka vetëm një tendencë politike, tendencë të një gjenerate për të uzurpuar mendimin e gjeneratave më të reja, për të shabllonizuar rrjedhat e reja politike sipas orekseve ndërkombëtare të fuqive, për të pamundësuar artikullimin e mirëfilltë të mendimit përparimtar, gjëra këto që kryesisht e pengojnë renesancën e vërtetë të mendimit shqiptar, zhvillimin e natyrshëm e kualitativ të filozofive të reja të së nesërmes; që pengojnë kryesisht realizimin e aspiratave kombëtare gjithëshqiptare, sepse krijuesit e mirëfilltë i nxjerrë jashta mundësisë që të komunikojnë me popullin, që të ndikojnë me frymën e re të ideve të tyre.
Pamundësia që zëdhënësit e parë të marrin pjesë në “këshillin themelues”, zakonisht ka kushtëzuar dhe po kushtëzon që forca të caktuara, gati të korruptuara të luajnë me interesat kombëtare dhe të popullit; të luajnë me botën morale dhe shpirtërore të shqiptarëve; të kthehet politika në tradhëti, të kthehen organizmat politikë në resurse materiale dhe në mjete pasurimi e të turizmit politik; të luhet me lirinë dhe të ardhmen e kombit tonë, duke ia plaçkitur popullit edhe pikën e fundit të vullnetit…
Kjo konjukturë pseudo-intelektualësh, pseudogazetarësh, pseudopatri-otësh, pseudokrijuesish, e shet veten shumë shtrenjtë para syrit të verbuar të popullit, duke defiluar para tij me rrobe të vjedhura prej engjujsh, po e vonon çlirimin e mendimit, forcimin e të drejtës së shprehjes, defilimin e pastërt e të merituar të punës së ndershme e të pa kompromis në çdo drejtim, dhe janë të parët që vinë deri te pikat kyqe, te shtëpitë botuese, qendrat e informacionit, nëpër klubet dhe asociacionet e kulturës, sepse kështu e kanë mundësinë që t`ua shtrojnë udhën me gjemba puntorëve të paanshëm të kulturës; që të gërryejnë në të sotmen dhe të ardhmen e brezave. Jo të rralla janë rastet në historinë e popujve, pra edhe te kombi shqiptar, kur nga jeta privohet personi i artë, ndërsa rrethe të caktuara defilojnë vite me radhë me fotogafitë e tyre në pankarta. Kur nën emrin e tyre e bëjnë të kundërtën e asaj çka kanë ligjëruar vetë të ndjerët. Apo kur rrethe të tilla shesin shtrenjtë fjalën e tyre të paktë, kur shesin monedha ari me portretin e tyre, dhe i luajnë lojërat më neveritëse e më të turpshme.
Janë jo të rralla në historinë e popujve rastet, pra edhe te kombi ynë, kur rrethe të caktuara, pasi kanë privuar nga jeta personat e artë, nën maskën e veprimtarisë patriotike kanë bërë punën e armikut; rrethe të cilat, deri sa ishin gjallë martirët, vetëm gjakun sa s`ua kanë thithur; të cilët, deri sa ishin gjallë të ndjerët, gojën ua kanë mbyllur me duça, për të mos guxur t`a shprehin mendimin e tyre. Jo rastësisht janë detyruar ata, si individë e të vetmuar përballë forcave pengestare, të ngrehin pishtarin e mendimit fillikat vetëm, e të nxjerrin poashtu disa „gazeta të pavarura“, pra të jenë “lajmëtarë të lirisë”, etj. Vetëm ata popuj dhe ato kolektivitete që kanë ngelur prapa në rrugën e ngritjes së tyre janë në gjendje që të kalojnë në heshtje të plotë para qindra shkrimeve të keqpërdorura; qindra ideve të vjedhura; para qindra sentecave të përsëritura; dhe skenave të tilla të cilat i analizuam. Vetëm ata popuj dhe ato kolektivitete që kanë ngelur në rrugën e ngritjes së vet janë në gjendje të mos e çajnë më shumë kokën për origjinalitetin e këtyre shkrimeve dhe të mos e pengojnë spekulacionin e tyre. Vetëm popuj dhe kolektivitete të cilët kanë ngelur në rrugën e ngritjes së vet nuk janë në gjendje të kërkojnë mbrojtjen e të drejtës së fjalës për të gjithë pjesëtarët e kombit të tyre, si dhe mbrojtjen e të drejtës së autorësisë…
Jo rrallë na ndodhë që të marrim pjesë në tubime, takime, manifestime, biseda, tribuna ku nuk na lënë të flasim, të shprehim mendimin tonë si krijues, si publicistë, si veprimtarë, si qytetarë e si shqiptarë! Jo rrallë na inskenohen “ligjërata” të akredituara nga “profesorët”, nga “doktorët” e nga “intelektualët” e sjellur enkas për të thurë lavdërime në mjedise “kulturore”! Jo rrallë keqpërdoren e blihen njerëz të tillë me dhurata të pasaçme për t`u thurur apoteoza lavdërimesh intrigantëve më të rafinuar të mërgatës.
Parollat për lirinë e shprehjes e të mendimit nuk vlejnë brenda nesh. Ato i kemi patur vetëm për t`i shkruar në pankarta, për t`i brohoritur rrugëve. Sa për lirinë e fjalës të botës femrore as që të mos flasim: femrat i kemi vetëm për të na kënduar kafeneve, bareve, koncerteve…
Çdo dukuri tipike lind e zhvillohet në rrethana e në mjedise tipike, -thonë analitikët- brenda masave dhe për nivelin e tyre, brenda masave dhe për shijen e tyre, mbrenda masave dhe mbi përkushtimin e tyre.
Nëse nuk ka blerës për të shëmtuarën, për të keqen, ajo nuk mund të ekzistojë. Nëse nuk ka duartrokitës për të trilluarën, të shpifurën, të lyejres së sipërfaqshmes, duhet të kuptojmë se ajo nuk mund të vie në shprehje. Nëse nuk ka përkrahës për të padrejtën, për të gabuarën, për të dëmshmen, ajo nuk mund të vie në kryesi, në fuqi, në pushtet.
Si duket, ne, shqiptarët, i gjasojmë fluturës e cila sillet përreth llampës së vajgurit. E di ajo se do të digjet pranë saj. Por, megjithate i sillet rrotull. E breh drita e huaj… Ne, po sillemi vazhdimisht pranë shëmtisë!
Dhëntë fati e ndryshojmë (ndonjëherë) për të mirë, dhe vetëm të mirës i bëhemi mburojë!!

Prill, 1994