ANTOLOGJI E MENDIMIT TË SOTËM PËR MIRDITËN

0
2458

Shkruan: Isak Ahmeti

Gjon Marku (1967), shkrimtar, studiues, publicist dhe gazetar, është autor i një varg veprash, zhanresh të ndryshme, të rëndësishme dhe me vlerë. Veprat e tij të larmishme (prozë, publicistikë, studime dhe monografi), (të cilat m’i ka dhuruar vetë autori, për çka e falënderoj nga zemra!), shquhen për vlerën e veçantë letrare-artistike dhe shkencore. Veçanërisht, sipas vlerësimit tim, shquhet vepra: Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën – Intervista -, Tiranë, 2009, fq. 747, vepër kjo me vlera shumështresore për Mirditën, që, sipas intelektualëve të huaj dhe shqiptarë (edhe mirditas) na del një minierë e madhe e dëshmive në histori, në etnokulturë, me figuara të njohura e të shquara të së kaluarës. Prej këndej, siç e theksojnë edhe të intervistuarit, e kishin prejardhjen Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Pashko Vasa e shumë të tjerë.

Mirdita, vendi i kuvendeve vetqeverisëse

Gjon Marku, është parë shpesh si Shqipëri (edhe nga të huajt), është një regjion që ngërthen në vete një sistem vlerash të pashtershme, një sistem kulturor identitar vlerash e shenjash sa shqiptare e mirditore aq edhe evropiane, që nuk janë vetëm vlera të një krahine apo regjioni, por janë vlera kombëtare që rrezatojnë dritë kulturore ndër mote. Nga mendja dhe vlerësimet e të intervistuarve, shqiptarë dhe të huaj, por edhe mirditas, Mirdita na del një minierë e madhe e dëshmive në histori, në etnokulturë, me figura shumë të njohura e të shquara të së kaluarës. Prej këndej e ka prejardhjen edhe Gjon Gazulli, astronom i shek. XV-të, që si të tillë e konsideronte edhe shkenca evropiane.

Pak biografi

Gjon Marku u lind me 13 qershor 1967 në Gëziq.
Arsimin fillor dhe tetëvjeçar e mbaroi në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Reps, Mirditë.
Diplomuar në Fakultetin e Agronomisë të UB të Tiranës e më pas për Bio-Kimi pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin”Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Gjon Marku (djathtas) dhe Lisien Bashkurti

Që nga viti 1990 bashkëpunon rregullisht me shtypin periodik, revista dhe gazeta.
Është koleksionues dhe studiues i pasionuar i filatelisë dhe autor i shumë shkrimeve nga kjo fushë.Është pjesëmarrës në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Është përfshirë në: Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë, të Hasan Hasanit, Prishtinë, 2003 dhe në: Gazetarë e publicistë shqiptarë, Tiranë, 2005.

Veprat

Veprat e këtij autori, siç e ka vënë re gazetari dhe studiuesi Vlash Prendi (Shtigjeve të traditës dhe kulturës sonë, Lezhë, 2011, fq. 192), sinifikojnë udhëtimin e qetë metaforik të qenies sonë si vlerë, përbrenda zhvillimit qytetar dhe njerëzor; ai, si autor, zbulon artistikisht pjesë të humbura të qenies njerëzore, kohë të ndryshme fatkeqësish, fate të ngrysura personazhesh e deri udhëtime simbolike në labirintin e historisë sonë të trazuar. Për më tepër, veprat e këtij krijuesi, të veçanta në llojin e vet, potencojnë me forcë të veçantë artistike itinerarin e personazheve, kalvarin e vuajtjeve e rrjedhave të historisë, zhvillimin e vetëdijes kombëtare, nëpër të cilën përvijohet fati i njeriut tonë që nga lashtësia deri në ditët tona.

Prozë

1. Njeriu që vinte dhe ikte natën, 1999
2. Varri nën dardhë, 2004
3. Një natë mbret në një vend tjetër, 2011

Publicistikë

1. Mirdita, Intervista, I, 2000
2. Mirdita, Intervista, II, 2002
3. Mirdita, Intervista, III, 2004
4. Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën, 2009

Studime

1. Ndërfana, monografi historike, 2001, ribotuar 2008
2. Mirdita në vizionin filatelik, shqip dhe anglisht, 2004
3. Mirdita vend i kuvendeve Vetëqeverisëse, 2013, ribotim me 2014 dhe 2015.

Monografi

1. Mësuesi në kujtesë Preng Pjetër Filopati, 2004 dhe
2. Mark Legisi, 2008

ANTOLOGJI E NENDIMIMIT TË SOTËM PËR MIRDITËN, Intervista, Tiranë, 2009, fq. 741

Librit: Antologji… (përmbledhje intervistash), i paraprin shkrimi i thukët dhe përmbajtësor: Mirditasi dhe Kodet e tij, i shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur Ndue Dedaj ku, ndër të tjera, thekson se autori, Gjon Marku, me përkushtim ia ka arritur që bashkëkohësve të tij t’iu dhurojë një antologji të përzgjedhur të mendimit të sotëm për Mirditën, teksa foltorja e të tjerë folësve mbetet e hapur, përmes shtypit, konferencave, promovimeve, projekteve, botimeve të ndryshme etj. Aq më tepër që dhe bashkëfolësit e këtij botimi na thonë se ka ende plot fusha dijeje të parrahura sa duhet, që ia vlen të bëhen objekt kërkimi e studimi, si në arkeologji, histori, gjuhësi, etnologji etj. Libra të tillë, që kanë fatin e lumë të jenë gjithnjë në tryezën e atyre që shkruajnë për Murditën dhe trevat përreth (dhe si të tilla mbetën përherë të kërkuara dhe të referueshëm), janë dhe një ftesë më shumë, për t’i shkuar dhe më shumë në thellësi dijes për këtë vend e këtë kulturë autentike shqipe (fq. 16).

Më pas vjen fjala(shkrimi hyrës i autorit të librit (fq. 17-29), ku sqaron, ndër të tjera, idenë për realizimin e këtij libri, që është e një lloji të veçantë dhe kontribut i padiskutueshëm për historinë dhe etnokulturën e trevës së Mirditës por edhe atë kombëtare. Në këtë libër, siç shihet edhe në përmbajtjen e tij, janë përfshirë 61 figura të intervistuara, që janë, pa dyshim, personalitete të shquara në fushën e historisë, letërsisë, artit, dhe kulturës. Përmes këtyre të intervistuarve shpaloset historia dhe kultura e trevës së Mirditës ku, siç dihet, kanë sunduar princë nga “Dera e Parë e Gjomarkajve”. Figurat e intervistuara që janë përfshirë në këtë antologji janë nga më të njohurat jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë por edhe më gjerë.

Secili nga të intervistuarit thotë shumëçka të njohur dhe të panjohur, interesante dhe me vlerë për Atdheun, për vlerat e Mirditës, por që nuk janë vetëm të Mirditës por edhe më gjerë. Vlen të theksohet se në këto intervista përmenden shumë emra burrash të shquar që kanë punuar, me shumë zell dhe përkushtim, jo vetëm për Mirditën. Në këtë libër, siç e ka vënë re edhe Prof. Dr. Ahmet Osja, shkrimtari dhe studiuesi Gjon Marku, ia ka arritur të përjetësojë vlerat e Mirditës duke iu dhënë vendin e merituar si vlera kombëtare. Në hulumtimet e tij, ai i ka trajtuar shumë nga këto pasuri që i ofron krahina e Mirditës. Po ai këto i sjell nëpërmjet dëshmive të të tjerëve duke u bërë kështu dëshmitar i gjithë kësaj pasurie kulturore, prandaj në përzgjedhjen e personaliteteve është treguar elitar.

Mendime dhe vlerësime për librin në fjalë

Mendime dhe vlerësime afirmative, për veprën e Gjon Markut, kanë dhënë: Dritëro Agolli, Prof. Dr. Ismet Elezi, Gjon Kapidani, Moikom Zeqo, Willy Kamsi, Viktor Gjikolaj, Fran Luli, Margarita Xhepa, etj.

Kështu psh. Dritëro Agolli shkruan se Gjon Marku hyn në veprimtarët e nderuar për vlerësimin e historisë së Mirditës, që është pjesë e pandarë e historisë së Kombit Shqiptar.

Gjon Kapidani shkruan “Me vlerë të madhe më duket libri me intervista për Mirditën“. Nderkaq Moikom Zeqo shkruan “Gjob Marku, me këmbëngulje, me vullnet të madh dhe pasion për Mirditën, realizoi një seri intervistash, që nuk janë thjeshtë intervista, por diçka më shumë, jo shterruese“.

Autori Gjon Marku arrin të vjelë mendimin e një vargu personalitetesh të kulturës shqiptare e të huaja për Mirditën …na e jep atë ashtu si ja paraqet secili prej tyne, ose si e gjykon të jetë mbas nji njohjeje herë të thellueme, e herë të sipërfaqshme – shkruan Willy Kamsi.