EDHE DIÇKA PËR POETËT

0
1680

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Që moti dihet dhe është e vërtetë se poeti nuk krijohet në shkollë, nga këshillat e mençura, por as nga formantet e gatshme më se të nevojshme, nga modele të caktuara etj. etj. Poeti kultivohet dhe bëhet i madh përmes formësimit të borxhit dhe obligimit të vet, që i ka atdheut, vendit, popullit e kombit të tij, përmes gjithë asaj që si proces i transformimit shpirtëror në aspektin historik merr trajtën e vet. Poeti duhet të shohë, të sodisë, të kundrojë, të shënojë, të emërtojë, të shprehë. Pa shpirt, pa zjarr, pa aromë të truallit amtar dhe pa atdhedashuri ai nuk ekziston. Poeti duhet të kërkojë dhe të gjejë. Aftësia e poetëve të mëdhenj është gjetja…

Poeti, gjithashtu me manirin e njohësit të mirë të jetës, me gjuhë poetike të pastër e sintetike (nganjëherë edhe bizare), me ndjenja ndaj realitetit, me vetëdije se bota e marrëdhënieve shpirtërore e shoqërore është e hapur për hulumtime e kërkime, duke zbuluar njëkohësisht edhe përshtypjet nga bota e vet ndjenjore senzacione të shumta e përfundime me vlerë, krijon poezi, që do të lënë gjurmë të përjetshme pas vetes.

Me një fjalë, poeti duke i dhënë fjalës e aktit poetik të njohjes së saj edhe dimensione të tjera, si social, patriotik, erotik, pejizazhist etj.etj., po ashtu edhe kuptim kosmik, edhe karakteristika estetike dhe etike që ka bota, si dhe duke bërë transformacione të abstraktes në konkrete, por edhe magji, edhe freski të spontanitetit të vetëlindur, poeti, kështu paraqitet edhe në rolin e një mvetësie njerëzore, të zgjuar e të ndijshme. Kështu ky poet, është vetë princi dhe mbreti, është njeri i kohës së vet dhe si njeri i vërtetë, me guxim dhe dije fillon pikërisht aty, ku të tjerët kanë mbaruar.