EVA MANXHHARI, ME MESAZHET DASHAMIRËSE TË SAJ…

0
677

(Dhe disa radhë, për librin “Kur flasin zemrat…”)
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Nuk ka shumë kohë, që jam lidhur, përmes Internetit, me Eva Manxharin, emigrante shqiptare në Romë. Është e kuptueshme ndjeshmëria që kam për miq e dashamirë tanë, të cilët jetojnë larg vendlindjes, Atdheut. Kjo gjë lidhet, me faktin, se dhe në familjen tonë e përjtojmë këtë plagë të dhimbshme, që në 6 marsin e vitit 1991, kur dy djemtë tanë shkuan emigrantë në Itali. Aktualisht, i madhi jeton me familjen në qytetin Asti, ku ata u vendosën fillimishht, ndërsa i vogli është me familjen, në Besançon të Francës. Në vijim të kësaj dukurie, tash afër dy vjet, edhe nipi ynë nga vajza, ka shkuar e jeton në qytetin verior, Kiel të Gjermanisë…

Kështu, duke mësuar këto “dallgë” të jestës, të cilat na kanë përfshirë dhe ne, me mike Evën kam shkëmbyer disa mesazhe. Në to, ndër të tjera, kam ndierë shqetësimin e natyrshëm të një emigranteje, e cila jeton në dhe të huaj. Pasi i kam folur për këto, që shkrova më lart, por dhe për çështje të tjera, sidomos për botimet e mia, ajo më ka dërguar mesazhe dashahmirës e të bukur.

va më kërkoi që t’ia postoja, në PDF, librin tim më të ri, “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, dhjetor 2016). Në të, flitet për rreth 65 poete e shkrimtare, artiste e veprimtare, me banim në Shqipëri e trojet tjera amtare të Ballkanit, por dhe që janë emigrante, në shtete të ndryshme të Europës dhe në Amrikë e Kanada.

Kështu, me kënaqësi ia nisa në e-mailin e saj, këtë libër, bashkë me ballinat e tij. Ndërsa mikja Eva Manxhari nuk vonoi të më dërgonte disa mendime e vlerësime të sinerta, rreth tij. Pasi e kishte lexuar librin tim, “Kur flasin zemrat…”, për të cilin më parë janë publikuar dhe recensione, nga kolegë e lexues të ndryshëm, ajo jepte mendimin e vetë. Ja, çfarë ka shprehur ajo, me sinqeritetin dhe dashamirsinë e dukshme të saj:

“Përshëndetje, i nderuari z Murat! Disa ditë më parë, isha në mëdyshjen, për ta pranuar kërkesën tuaj të miqësisë në fb ose jo!? Ndërsa, në këto çaste, kur përfundova së lexuari librin tuaj, ndiej emocione dhe përkulem me respekt, përballë shpirtmadhësisë suaj,thjeshtësisë suaj, punës suaj!…

Gjatë faqeve të para të leximit, e ndjeja veten sikur kisha qenë në mes të një shkretëtire (monotonia e jetës, me problemet dhe vështirësitë e veta, më kishte bërë ta humbja kuptimin e saj!?).Por, një dorë, që po zgjatej drejt meje, kërkonte të më ndihmonte, duke më çuar drejt një bote plot dritë e ngjyra.Kjo dorë i përket një njeriu me zemër të madhe, pikërisht Juve.

Duke lexuar librin tuaj më të ri, u ndjeva sikur njiheshim prej shumë vitesh,sikur isha edhe unë, në një nga faqet e “ditarit” tuaj.Mendoj që, këtë ndiesi, duhet ta kenë patur më të fuqishme, të gjitha ato vajza e gra, të cilat kanë patur kënaqësinë t’u takojnë e njohin nga afër. Është kjo arsyeja, që ju krahasojnë me një baba, vëlla ose mik të mirë… E si të mos ju cilësojnë, me këto epitete?

Ķush përpara jush ka qëndruar, me kaq thjeshtësi e humanizëm, përballë emrave të panjohur dhe të hedh në faqet e bardha, historinë dhe përpjekjet e vajzave dhe grave krijuese shqiptare, të vlerësojë ëmbëlsinë e shpirtit të tyre, bukurinë e ndjenjave dhe emocioneve, që ato shprehin nëpërmjet vargjeve ose gjinive tjera letrare? Kush mund t’ia kuptojë kaq thellë: largësinë,mallin,dashurinë e shpirtërave, që qajnë nga malli për vendlndjen, për tokën mëmë?

Ju, nëpërmjet emrave të veçantë, i tregoni edhe botës, që femra shqiptare nuk është më e shtypur, e cila di të bëj vetëm punët e shtëpisë,të rrisi fëmijët ose të punojë në arë e t’i kullosi bagëtitë.Ajo di ta gërshetojë punën me ndjenjat,ta vlerësojë të bukurën dhe ta interpretojë atë, me pasionet e ndryshme të saj.

Për mua, ju jeni një misionar i fjalës,i ndjenjës,i vlerësimit, jo vetëm për femrën shqiptare…Ju falenderoj nga zemra, për gjithçka! Ju admiroj për thjeshtësinë dhe përkushtimin, në punën tuaj! Me shumë respekt, nga mikja juaj, Eva: Romë, 4 maj 2017”.

3.
Duke i kërkuar përsëri ndjesë asaj, këtu poshtë po publikoj edhe një mesazh tjetër, të cilin ma dërgoi Eva Manxhari, në vijimësi, pas atij timit:

“Përshëndetje, miku im i nderuar.z.Murat! Ju falënderoj për vlerësimin, që më bëni! Mesazhi im nuk është asgjë më shumë, se një grimcë vlerësimi, për punën tuaj të madhe, një mendim i sinqertë për atë, që ndiejrealisht.

Ju mendoni të publikoni mesazhin tim.Nuk e di se si të përgjigjem?! Gjithmonë më ka pëlqyer thjeshtësia dhe të mbetem “e padukshme”, përballë vlerësimeve. Por, nëse ju mendoni, që mesazhi im vlen sadopak për ju, jeni i lirë të veproni, sipas dëshirës suaj. Unë besoj te ju,te korrektësia juaj. Prandaj po ju shkruaj disa të dhëna, rreth jetës sime…

Kam lindur në Tiranë, në një familje intelektualësh, me profesion mësuesinë. Babai im, për një periudhë kohe, ka punuar përgjegjës në seksionin e arsimit të lagjes nr 9 dhe më pas drejtor në shkollën 8-vjeçare “Naim Frashëri” të kryeqytetit. Ndërsa, në vitet e fundit, përpara daljes së tij në pension, punoi si mësues i lëndëve biologji-kimi dhe zëvendësdrejtor, në shkollën e mesme të autotraktorëve. Mamaja ime ka punur mësuese e ciklit të ulët, në shkollat “Kosova” dhe “Konferenca e Labinotit”.

E edukuar, që në vogëli, me dashurinë e respektin për shkollën dhe profesionin e mësuesit, ëndërroja t’i ndiqja edhe unë në jetë, hapat e prindërve të mi. Por kjo ëndërr e dëshirë filloi të shkatërrohej, kur në Shqipëri ndryshoi gjithëçka. Kjo ndodhi atëherë ,kur të gjithë të rinjtë e shqiptarët kërkonin ta ndryshonin realitetin, me shpresën e një jete më të mirë, me mendimin që, vrapimi drejt një bote të panjohur, do të ishte më i bukur, se vetë ëndrrat. Kështu, i ndërpreva studimet për gjuhë-letërsi shqipe, në vitin e tretë dhe së bashku më prindërit e mi ,vëllain më të vogël dhe të fejuarin tim(sot bashkëshorti) vendosëm të udhëtonim drejt Italisë.

Gjyshja ime, nga ana e mamasë, ishte italiane.Jetoi gjatë tërë jetës së saj, që nga mosha 21-vjeçare, në Shqipëri. Ishte kjo arsyeja krysore, që ne vendosëm ta shfrytëzonim ligjin për riatdhesimin e familjeve italiane, të mbetura pas luftës në Shqipëri. Shpresat dhe premtimet ishin të mëdha nga ambasada italiane dhe gëzimi ynë ende më i madh, që kishim mundësinë të udhëtonim e qëndronim me dokumenta të rregullta.Shumë shpejt, ky gëzim nisi të zbehej,ëndrrat të veniteshin.Realiteti nuk ishte ashtu, si e kishim menduar.

Kur mbërritëm në Itali, e mbështetëm më shumë se kurrë njëri-tjetrin, pra filluam jetën e çdo emigranti të zakonshem,pa pretenduar asgjë më tepër. Dëshira ime ishte t’i përfundoja studimet e mia në Romë. Por as mundësia ekonomike dhe as njohja e provimeve të dhëna, nuk ma lejuan këtë gjë. Vendosa të punoja dhe të udhëtoja vazhdimisht drejt Tiranës, për të dhënë provimet e mbetura.Më pas, pata fatin e bukur të bëhesha mama. Kjo gjë ishte dhurata më e shtrenjtë, që jeta më fali,ishte gëzimi i ditëve të mia në dhe të huaj;ishte ëndrra më e bukur, që kurrë nuk e kisha menduar.Punoja,studioja dhe kujdesesha për familjen, njëkohësisht.

Kështu vazhdoi kjo rrjedhë e jetës sonë, për vite e vite.Tani, pas 25 vitesh, kur ndodhemi në Romë, mund të them që ëndrra ime e rinisë, për mësimdhënie, është shuar plotësisht! Ajo ka mbetur në “ëmbëlsinë” e kujtimeve të rinisë, të atij vendi, nga i cili vrapuam për ta lënë larg, por që nuk mundëm kurrë të largohemi prej tij.

Në ditët e sotme, punoj e bëj një jetë të thjeshtë, duke u pērballur me problemet e përditëshme të saj, gjithnjë duke shpresuar që e ardhmja të jëtë me më shumë dritë…

Kjo është, në vija të përgjithshme, një pjesë e jetës sime…
Ju uroj shëndet e gëzime, në jetën tuaj familjare, miku im i nderuar, z.Murat Gecaj! Rome, 5 maj 2017”.
…Duke e përfunduar këtë paraqitje të dy mesazheve, kaq dashamirëse të mikes emigrante, Eva Manxhari, e falënderoj atë thellësisht nga zemra dhe, njëkohësisht, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se përse po i publikoj ata!

Tiranë, 10 maj 2017