Si shkojnë në mes vete mirditorët-katolikë e myslimanë?

1
757

Gani MEHMETAJ

Gjatë shtegtimit tim në Komunën e Gjakovës takova shqiptarë katolikë e myslimanë. Banorët e të dyja feve kanë lidhje gjaku, kanë të njëjtën prejardhje katundi a krahine. Disa i konvertuan më herët në myslimanë, disa më vonë, ndërsa grupi i fundit i të kthyerve nga malësia mbajti fenë e moçme, atëherë kur Turqia po përjetonte grahmat e fundit. Shumica janë vendës, që dikur ikën nga Rrafshi i Dukagjinit para tërbimit të ushtrisë otomane në malet e larta e ngulimet, ku nuk mund të depërtonte këmbë turku. U bënë mirditorë të natyralizuar. Kur zbutej tërbimi i pushtuesit, ose kur dobësohej perandoria, ata zbrisnin në tokat e të parëve.

Vala e parë dhe e dytë e të kthyerve nga Mirdita, pas një kohe nga shtrëngesat e rënda të pushtuesit, u detyruan të braktisnin fenë e vjetër dhe të merrnin fenë e turkut. Ishte një luftë për jetë a vdekje: o myslimanë, o i vdekur. Gjithashtu tokat e të parëve kishin ndryshuar pronarë: bejlerët e Gjakovës, të Rahavecit e të Prizrenit ua kishin uzurpuar tokat. Disa prej bejlerëve ishin me gjak shqiptari, të tjerët ishin tartarë, çerkezë e turq.

Ngulimi më i vonshëm i të ardhurve (pas vitit 1878) është ai i fisit të Kelmendit që ikën para masakrave, kur tokat shqiptare Perandoria Osmane ia fali Malit të Zi, që të kishte paqe me Rusinë.

Të kthyerit nga malësia zyrtarët turq nuk i linin të qetë: i terrorizonin, i vrisnin për hiçgjë, përpiqeshin t’i nxisnin në luftë vëllavrasëse, herë në emër të fesë, herë duke nxitur ngatërresa pronash. Hafijet turke hidhnin koka derrash në xhami, kinse këtë e kishin bërë shqiptarët katolikë, herën tjetër po këto hafije e përdhosnin kishën katolike, duke e drejtuar gishtin nga shqiptarët myslimanë. Pastaj nisnin të ndërkryerit e të paguarit për kundërvënie.

Jo rrallë grupe me tru të shpëlarë bënin argatin e turkut, duke u sjellë si pushtuesi ndaj vëllezërve të fesë katolike. Disa të marrë me kokë të shpërlarë e bëjnë edhe sot këtë marrëzi. Thuajse t’i ketë lënë hafijet fjetur Perandoria Osmane? Por, kur nisnin të shpërthenin xixat, dilnin burrat e mençur që i zbusnin gjakrat, duke ua kujtuar kush ishin dhe kush janë-shqiptarë me rrënjë mirditore, që turku i ndau në dy fe. Por, edhe pas pajtimit shija e hidhur e ndasisë mbetej.

Të njëjtën taktikë e përdorën edhe serbët e malazezët. Pushtuesi i ri nisi konvertimin e përgjakshëm të shqiptarëve të të dyja feve në serbo-malazezë ortodoksë, mu si Perandoria Osmane para qindra vjetësh. Më ndërhyrjen e Vatikanit nga presioni i priftërinjve katolikë shqiptarë, që u shkruanin letra Selisë së Shenjtë e Lidhjes së Kombeve, pushtuesit e ndërprenë konvertimin e dhunshëm, megjithëse vranë mijëra shqiptarë katolikë e myslimanë gjatë këtij procesi.

Serbia e Mali i Zi vazhduan hilen e nxitjes së urrejtjes fetare. Prapë sipas traditës turke hafijet serbe hidhnin koka derrash në xhami, në ditët e festave myslimane, ose përdhosnin kishat katolike shqiptare për Pashkë e Krishtlindje. Ndërkaq, hoxhallarët e shitur çirreshin në kupë të qiellit që të nxisnin vëllavrasje, ose kultivonin vëllazërimin me sllavë, duke u thënë besimtarëve myslimanë se serbët e malazezët i keni më të afërt, madje vetëm një cipë e hollë qepe na ndanë nga ta, ndërsa me shqiptarët katolikët na ndanë bjeshka.

“Kur të futen shqiptari katolik dhe serbi në shtëpi, gruaja myslimane duhet të fshihet prapa serbit që të mos e shohë katoliku”, udhëzonin hoxhallarët besimtarët myslimanë. Këtë nxitje të urrejtjes fetare e kanë kultivuar gjatë gjithë fëmijërisë sime edhe në Pejë.

Në katundet dhe në qytetin e Gjakovës kishte rrugaçë myslimanë që e bënin argatin e dreqit, duke u sjellë si pushtuesi turk ndaj shqiptarëve katolikë. Kryesisht gjakpërzierit me çerkezë e tartarë çirreshin kinse shqiptarët katolikë janë pakicë, duke harruar se ata nuk mund të jenë pakicë në vendin e vet, pakicë ishin ata që erdhën me pushtuesin. Këta mercenarë ishin të nxitur e të paguar nga otomanët, kur ishin otomanët, pastaj nga serbët, kur serbët e bënin ligjin në Dardani. Por kishte edhe marrëzi të pafundme të individëve e grupeve myslimane të frustruara, që e ndienin veten në siklet pse shqiptarët katolikë i bënë ballë presionit, ndërsa ata u dorëzuan. “Pse ata të jenë më të mirë se ne?”, shpesh i dëgjoje të shfrynin. Ishin dhe janë për t’ua qarë hallin, sikur të mos keqpërdoreshin nga armiku.

Në anën tjetër, një shtresë mirditorësh të “qytetëruar” të Gjakovës, me fodullëk të pambështetje orientale (kryesisht zejtarë, tregtarë, analfabetë me komplekse), e kultivonin mosdurimin ndaj katolikëve e ndaj katundarëve, po ashtu me prejardhje mirditore, sepse donin ta flaknin lëkurën e tyre malësore. Me fenë myslimane që e morën, me fshehjen e kryqit e të opingave në tavan, mendonin se do t’i përbuzte më pak pushtuesi turk. Por prapë të përbuzur nga pushtuesit mbetën. Edhe pushtuesi serb kishte më pak mëri ndaj tyre se sa ndaj shqiptarëve katolikë e katundarëve, sepse shqiptarët katolikë e katundarët paraqisnin rrezik të veçantë me prirjen për kryengritje, kurse zejtarëve të orientalizuar aq u bënte kush ishte në pushtet. Natyrisht as tregtarët e zejtarët nuk ishin të gjithë të njëjtë, kishte nga ta patriotë të gatshëm të shkriheshin për komb e atdhe.

Të frustruar ishin edhe në anën tjetër: një mobilizim i brendshëm për kundërvënie rrugaçërisë së trushpëlarëve me ndjenjën e pakicës së rrezikuar.

Kultivimi i mosdurimi fetar, në vend se të shuhej, mori përmasa shqetësuese pas vitit 1999, megjithëse nuk kishte shumë kohë që shqiptarë ranë në mbrojtje të Dardanisë, apo u bënë pre e plojës serbe. Varret masive ishin dëshmi e tragjedisë së përbashkët. Por për vehabistët e për turqit, që erdhën si mizat e kalit, ky fat i përbashkët i shqiptarëve ishte pengesë e madhe, prandaj dhanë shumë para e angazhuan shumë oficerë zbulimi, nga ish-oficerët jugosllavë. Ata futën viruse antishqiptare kudo. Ata po e bënin atë që nuk arriti ta bënte Serbia.

Vehabistët dhe emisarët turq të TIKA-s vazhduan lojën e pistë serbe. Ndërtuan qindra xhami, pa pyetur vendësit, duke i kërcënuar banorët që kundërshtuan, ndërsa shteti shpesh doli në anën e vehabistëve e të turqve, sepse me parat e pista të këtyre shoqatave blenë autoritetet lokale e qendrore. Në emër të kinse ndihmave humanitare shoqatat turke e arabe bënë përzgjedhjen e banorëve e të katundeve, shtruan ndonjë rrugë vetëm aty ku nuk kishte shqiptarë katolikë.

Të gjitha këto m’i treguan banorët dhe intelektualët e Komunës së Gjakovës gjatë shtegtimit tim në fillim të pranverës. Kështu, gjatë shtrimit të një rruge lokale katundi, udhëheqësi turk i projektit përpiqej t’ua ndalonte punëtorëve vendës birrën e Pejës, duke ua imponuar çajin rus. Ndërkaq, shitësi tallej me turqit, duke u thënë se birra e Pejës për shqiptarët është ajo që për turqit është çaji rus. Propaganduesit e islamit e të çajit rus shkuan të dëshpëruar që nuk na e hoqën birrën nga buzët, më tha shitës lokal i një dyqani.
Rakia e rrushit, vera e vjetër vendëse e birra e Pejës në këtë komunë, po edhe në Rahavec, Prizren e Pejë janë pije kombëtare.

1 KOMENT

  1. O Gani Al Mehmetoglü,
    Nuk po ndertojne Xhamija vehabistet, por xhamiat po i ndertojne muslimanet sikur ti. Sepse edhe ti je Musliman…
    Nuk po mderton TIKA xhamia, por po nderton Shepnd Al Ahmadija, qe lejon ndertimin e kater xhamiave momentalisht ne Prishtine, sepse BIK, eshte organizate qe nuk eshte regjistruar askund ne Kosove, dmth eshte joligjore, dhe çdo ndertim qe behet nga BIK, eshte joligjor, prandaj Shpend Al Ahmadija eshte ndertues i kater xhamiave sot, ne PRISHTINE.

Komentet janë mbyllur.