KRENARË QË NË MANIFESTIME NGREME LART FLAMURIN SHQIPTAR

0
862

Intervistë me zotin Lorenc Lupin Kaçi të klubit “Albanian bikers”

Pyetje: – Zoti Lorenc, ju bëni pjesë në familjen e madhe motoçiklistike“Albanian bikers”, me të cilën zhvilloni një sërë aktivitetesh me karakter sportiv dhe atdhetar. Kur ka lindur dhe çfarë përfaqëson “Albanian bikers”?
Përgjigje:- Nisja e kësaj lëvizjeje e ka burimin tek pasioni i shumë sportdashësve për mitin e motoçikletave amerikane “Harley Davison”, motorr që ka qenë dhe mbetet ëndrra për shumë të pasionuar ndaj motorrave jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Shqiptarët ranë në kontakt me këtë lëvizje për herë të parënë vitin 2006 në Austri, ku çdo vit bëhet një manifestim i madh e marrin pjesë mbi 120 mijë motoçikleta në një kolonë që i kalon 17 kilometrat. Pas atij kontakti, ishte Arjan Janke Ejlli në Gjermani, që u bë iniciator e pastaj Artan lala në Itali, në vitin 2010. Kështu u krijua klubi “Albanian bikers” që ka pasionantët e vet ndaj motorrave “Harley Davison”. Sot ky klub ka 11 anëtarë në disa shtete të Europës si në Shqipëri, Itali, në Gjermani, në Suedi etj. Sot në Europë ne jemi mbi 60 motoçiklista shqiptarë. President i klubit është Artan Lala. Numuri i të pasionuarve rritet nga viti në vit, sa më shumë që bëhen të njohura aktivitetet tona. Ndaj edhe dyert e tij janë të hapura edhe për anëtarë të tjerë në të gjithë globin.

Pyetje:- Cila është ajo karakteristikë e veçantë që karakterizon pasionantët e “Albanian bikers” në gjirin e lëvizjes së madhe organizuar nga Harley Davison?
Përgjigje:- Neve, si shumë të tjerë, na bashkon pasioni për Harley Davison. Por ne shqiptarët kemi futur diçka të veçantë. Në çdo manifestim, në tërë qytetet europiane ku shkojmë, ne vishemi me kostumet kombëtare shqiptare dhe ngreme lart flamurin shqiptar. Kjo na bën të ndihemi shumë krenarë midis manifestuesve të tjerë. Kështu kemi gërshetuar traditën amerikane të Harley Davison me traditat tona kombëtare. Dhe diçka tjetër që na karakterizon është se ne marrim pjesë në këto manifestime me gjithë familjet tona, duke dhënë një shembull të mirë edhe për të tjerët e duke treguar që për ne familja e bashkuar është shumë e rëndësishme.

Pyetje:- Në cilat shtete e keni ngritur deri tani flamurin shqiptar?
Përgjigje:- Flamuri shqiptar është i pandarë nga aktivitetet tona, na shoqëron në çdo manifestim dhe në fund të aktivitetit e valëvisim atë në tribunat e tij. Deri tani e kemi valëvitur atë në Slloveni, Zvicër, Austri, Itali etj. Është një moment që jep emocione jo vetëm për ne pjesëmarrësit e manifestimit, por edhe për publikun që e ndjek me simpati.

Pyetje:- Ju keni dy vajza, Irisin dhe Noemin që marrin pjesë në këtë manifestim. Si ka lindur ky pasion tek ato dhe si ndihen mes pjesëmarerësve të tjerë më të rritur?
Përgjigje:- Është e vërtetë. Ne jemi të përfshirë familjarisht në këtë pasion, unë e gruaja që punojmë në fabrikë në Pisa, por edhe dy vajzat, Irisi 8 vjeç dhe Noemi 5 vjeç, të cilat kanë motorrat të përshtatur për moshën dhe vetitë trupore të tyre. Për shembull motorri i Irisit peshon 112 kg dhe është i gjatë 197 cm, ndërsa ai i Noemit peshon 93 kg dhe është i gjatë 190 cm. Ato nuk janë të pasionuara vetëm pas motorrave, por kanë kënaqësi të veçantë kur vishen me kostume kombëtare shqiptare dhe ecin me flamurin shqiptar në dorë. Mendoj që kulmin e emocioneve e patëm në Austri, ku dy vajzat tona përshkuan 7 km mbi motorra, të veshura me kostume popullore shqiptare e me flamurin shqiptar. Por këto 7 km u dukën si të ishin 70, pasi njerëzit na ndalonin thuajse në çdo metër rrugë për të bërë foto e video me ne. Vajzat nuk arrinin dot ta përshkruanin emocionin që përjetonin, por kjo reflektohej edhe tek ne që jemi më të rritur. Ato ndihen gjithn jë të gëzuara e përherë e më tepër të motivuara në këtë sport.

Pyetje:- Dy vajzat tuaja nuk janë të pasionuara vetëm pas sportit e motorrave, por edhe pas muzikës e edhe pas mësimeve në shkollë. Si arrijnë ta organizojnë kohën për të gjitha këto?
Përgjigje:- Iris e Noemi e kanë me shumë pasion karrierën në pistë me motorrat e tyre sportivë, ndonëse janë të vetëdijshme që në Itali femrat nuk arrijnë të kapin majat e larta në garat e MotoGP. Një pasion tjetër i tyre është muzika. Ato që kur ishin fare të vogla kanë filluar të ushtrohen në piano e violinë. Veç kësaj na japin kënaqësi edhe me rezultatet e mira në shkollë. Ne si prindër ju rrimë pranë, i ndihmojmë në organizimin e kohës, që secili nga pasionet dhe detyrat e tyre të kenë kohën e nevojshme në dispozicion, pa lënë mënjanë asnjërën prej tyre.

Ato kanë një ëndërr: Të organizojnë një koncert të tyre, ku të jenë protagonistë tre dashuritë e tyre, motorrat Harley Davison, muzika dhe flamuri shqiptar. Besoj që do ja dalim mbanë ta bëjmë realitet këtë ëndërr. Natyrisht nuk është e lehtë. Duhet edhe të sakrifikojmë. Siç e thashë më lart, unë e bashkëshortja punojmë në fabrikë e të gjitha shpenzimet për lëvizjen në këto manifestime, për mirëmbajtjen e motorrave etj. duhet t’i përballojmë nga xhepi ynë. Por pasioni për sportin dhe dashuria për Atdheun na bëjnë që të mos i ndiejmë këto sakrifica.

Pyetje:- Aktivitetin e fundit ju e zhvilluat ne Sant’Agata të Puglias. Cilat janë përshtypjet tuaja nga ky aktivitet?
Përgjigje:- Në manifestimin e Puglias ne ishim të ftuar dhe patëm mikpritjen e kryetarit të bashkisë të Sant-Agatas, Gino Russo dhe të Presidentit të Harley Davison, Rocco Carrillo. Aty ne arritëm të merrnim tre çmime të rëndësishme dhe në ceremoninë përfundimtare u ngrit i pari flamuri shqiptar, pastaj ai amerikan e pastaj ai italian. Kjo na mbushi me krenari, por edhe me besim e me vendosmëri për t’i vazhduar më tej aktivitetet tona, për ta lartësuar edhe në pika të tjera te globit flamurin shqiptar.

Intervistoi: Ndue Lazri

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar