Ambasadorja Alma Lama mbajti ligjeratë të hapur për Kosovën dhe stabilitetin në Ballkan

1
959

Montefiacone, Viterbo 22 prill 2017 – Me ftesë të kryetarit të komunës së Montefiascone, z. Massimo Paolini, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama, mbajti fjalim me temën “Stabiliteti i Ballkanit 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore. Perspektiva nga Kosova”, prezantim ky i organizuar në kuadër të ciklit të takimeve “Ta njohësh botën për të kuptuar Italinë”. Preznatimi u moderua nga analisti i cështjeve ndërkombëtare z. Costantino Moretti.

Pas fjalës pëshëndetëse të kryetarit Paolini, i cili në emër të të gjithë qytetarëve të Montefisacone i uroj mirëseardhje, ambasadorja Lama, foli shkurtimisht për të kaluarën e rajonit dhe pavarësinë e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës ishte e vetmja zgjidhje realiste për Kosovën, ishte jetësimi i vullnetit të popullit që përbënte shumicën prej 94% dhe ishte e vetmja mënyrë për të krijuar paqe dhe stabilitet në rajon. Komuniteti ndërkombëtar, e kuptoi shumë mirë këtë, dhe pikërisht për këtë na mbështeti që e drejta dhe ëndrra jonë të bëhej realitet”, tha ambasadorja Lama.

Poashtu, gjatë fjalimit, ambasadorja Lama përkujtoi të pranishmit se “ne asnjëherë nuk e pamë apo përjetuam pavarësinë e Kosovës si një proces kundër Serbisë, por si një e drejtë që na takon për të mirën tonë. Pavarësia dhe shteti i Kosovës nuk është i drejtuar kundër askujt, por është pro gjithkujt që dëshiron të jetojë i lirë, i respektuar dhe pa frikë në vendin e tij; është pro gjithkujt që dëshiron të ndërtojë raporte të mira me ne si shtet fqinj”.

Në vazhdim të prezantimit, ambasadorja Lama ndër të tjera foli edhe për rëndësinë që ka paqja dhe demokracia për popullin e Kosovës si dhe aspiratat e tyre për një Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian dhe mëtej.
“Do të jetë e vështirë të parashikohet një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkan pa njohjen e sovranitetit të Kosovës, nxitjes së anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë këtu OKB-në. E ardhmja e Kosovës është në BE, në NATO dhe në OKB”, tha ambasadorja Lama.

Para të pranishmëve ajo poashtu prezantoi zhvillimet e fundit dhe sukseset e arritura në Kosovë, sfidat me të cilat po ballafaqohet, si dhe duke ftuar në fund për një shtim të mëtejshëm të shkëmbimeve si politike e ekonomike në mes të dy vendeve, ashtu dhe ato kulturore.
Më pas, ambasadorja Lama e iu përgjigjë pyetjeve të shumta të shtruara nga pjesëmarrësit që kishin ardhur për të dëgjuar dhe mësuar më shumë rreth Kosovës dhe Ballkanit. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe krye-komandati i karabinierëve të komunës, krye-gjykatësi, profesorë të Univeristetit të Tuscia, si dhe përfaqësues të shumtë të autoriteteve politike, civile dhe ushtarake të rajonit.

Në fund të takimit, për nder të ambasadores Lama, Komuna e Montefiascone shtroi koktej rasti me verëra dhe produkte ushqimore lokale.
Cikli i takimeve “Ta njohësh botën për të kuptuar Italinë”, ka për qëllim prezantimin e rajone të ndryshme ndërkombëtare me interes të lartë për Italinë për një reflektim të përbashkët rreth çështjeve relevante për të lehtësuar kuptimin e skenarëve të mundshëm në të cilët Italia është apo do të veprojë dhe, për këtë arsye, çfarë janë efektet për qytetarët italianë.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

1 KOMENT

  1. A foli ambasadorja per perhapjen e radikalizmit islamik ne Kosove, si dhe per nderhyrjet brrutale te diktatorit turk Erdogan?

Komentet janë mbyllur.