Disa fjalë për romanin “Misteret e një dashurie” të shkrimtarit Rrahman Hyseni

0
1621

Shkruan Zymer Mehani

Këtyre ditëve Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës nxori nga shtypi romanin “Misteret e një dashurie” të shkrimtarit Rrahman Hyseni

Në romanin “Misteret e një dashurie” të shkrimtarit Rrahman Hyseni, çështja kryesore që të bie në sy është raporti në mes reales dhe imagjinatës, jofiksionit dhe fiksionit, të mundshmes dhe të pamundshmes. Ky raport jo vetëm që ka kushtëzuar realizimin e koncepcioneve të romanit të Hysenit, po ka mundësuar realizimin e vetë strukturës kompozicionale dhe gjuhësore të veprës.

Bota tematiko-motivore dhe stili i përdorur në romanin në fjalë, i kanë mundësuar autorit të depërtojë në botën e dëshirave tona sa të thjeshta, aq edhe komplekse dhe të shtrojë disa kërkesa të rëndësishme, që kanë peshë për vetë jetën tonë. Elementi fantastik ka bërë që autori të mbajë gjallë vëmendjen e lexuesit, ta shetisë atë nëpër një botë magjepsëse, ku, që të arrihet qëllimi i dëshiruar, kërkohen sakrifica, por në të njëjtën kohë, para lexuesit, autori shtron kërkesa reale, kërkon zotimin e secilit për të sendërtuar detyrat, që janë në dobi për mjedisin ku jetojmë dhe për shoqërinë përgjithësisht.

Fillimi i romanit dëshmon për prirjen dhe kujdesin e autorit që lexuesit t’i ofrojë një vepër të konceptuar strukturalisht dhe artistikisht të realizuar me sukses. Në mënyrë fare të natyrshme autori na fut në botën e ideve të tij mbi rëndësinë e jetës dhe mbi botën magjepsëse të artit të fjalës.

Romani është i qartë dhe bën efekte të konsiderueshme, qoftë ideore, qoftë edukative. Kryeprotagonisti i romanit, Eni ka në vete shumë veti pozitive. Ai shpreh gatishmërinë t’i shkojë në ndihmë secilit, nëse i kanoset rreziku. Ai dëshiron që secili të jetojë i lirë dhe të mos e rrezikojë tjetrin. Secili të gëzojë të drejtat dhe lirinë e vet etj.Elementet ideore nuk shprehen përmes pohimit e deklarimit, por përmes rrëfimit të aksioneve. Pra, janë fryt i aksioneve, të natyrshme dhe bindëse. Në këtë mënyrë arrijnë efekt më të madh dhe artistikisht dalin më të plota.

Veprën “Misteret e një dashurie” të autorit Rrahman Hyseni e karakterizon një stil i rrjedhshëm. Struktura kompozicionale është harmonike dhe i ka mundësuar autorit të vë në pah shumë kërkesa ideore. Stili i rrjedhshëm ka mundësuar që këto ide dhe porosi të dalin të qarta dhe të lënë mbresa të thella. Bie në sy gjuha e pasur, dialogjet e shumta, të ndërtuara bukur, që kanë strukturë të rregullt, pastaj lidhja e harmonishme e disa episodave dhe kapërcimi prej njërës në tjetrën, sintaksa e fjalisë etj. Të gjitha këto elemente dëshmojnë se romani në fjalë do t’i qëndrojë kohës dhe do të jetë përherë aktual si art i fjalës.

Romani “Misteret e një dashurie” i Rrahman Hysenit, i ndërtuar në bazë të botës tematiko-motivore dhe strukturës së tij, shërben si një përvojë e vlefshme – na përgatit secilin që e lexojmë, për t’u ballafaquar më guximshëm me jetën reale, me vështirësitë, me të nesërmen që na pret. Kjo na imponohet, para së gjithash, përmes vlerës, dimensionit artistik, që aq natyrshëm shprehet në këtë roman.