ANTIVIRALE QOFTË BOTA E RE!

0
810

Iliriana Koleka

Gëzuar 1 Majin miq!
– Më shumë të papunë, se me punë- më tha një mik – s’kemi para dhe as të drejta. Maqedonasit na rrafin brënda Kuvëndit vetëm se jemi shqiptarë, e ti thua “gëzuar”… ç’ti gëzosh, thuaj baba Marksit! Ne shqiptarët, 32 vjet pas vdekjes së baba Enverit, e kuptuam hilenë, ndaj pasanikët s’na e hedhin më dot, sërbët s’na e hedhin dot, amerikanët, rusët, evropjanët s’na e hedhin dot, po na e hedhin ndyrësirat e brëndshme: PD, Ps, PDIU e 170 parti të tjera. Jemi po aq të bukur, të fisëm, të zgjuar, origjinalë, saç janë dhe resti i botës së zhvilluar kapitaliste, ose më mirë se ata, madje ta them sinqerisht e me siguri, që jemi më mirë se ata. Por në fund të fundit ata na vënë poshtë se s’kemi para. E kur s’ke para, s’ke as dinjitet, shtet jo e jo, se shteti është i pari, që do kapitali. Se kapitali, ose paraja vërtit këtë botë dhe paranë e kanë zaptuar më të fortët.
– Po, pikërisht, kjo është zanafilla e sherrit dhe ky është fundi i sherrit, PARAJA! – pohoj unë.
– Mungesa e parasë është si kafshimi i gjarpërit, të kap e po s’pate fuqi imunitare në organizëm ose kundrahelme, të bën fërtele e të vdes.
– Antivirale do të jetë bota e re – i them mikut shqiptar, me bindje.
– “Antivirale”, po ju komunistët thoni “internacionale”? – vëngëron miku.
– Të dyja: “antivirale dhe internacionale”! – them unë kokëfortë dhe i shtjelloj mendimin:
– Kur bie një epidemi ka përherë një përqindje të vogël njerëzish që e kanë kundrahelmin, ose antivirusin në trup, në mënyrë natyrale. Virusi i murtajës mund të korrë e të vdesë me mijëra njerëz, po prapë se prapë disa kokrra do i rezistojnë e do mbijetojnë. Ndodh dhe në pushkatimet e një grupi. Ka përherë një, që nuk e kap plumbi, i mbijeton vdekjes e tregon vrasësit me gisht. Ai do të përshkruajë himtësisht tërë pislliqet prej bishe, që i kanë bërë xhelatët para vrasjes viktimave të tyre të pafajshme. Se zakonisht torturojnë e dhunojnë para vrasjes e pastaj vrasin, që mos mbeten dëshmimtarë për të treguar qelbësirllikun e tyre prej katili. E di që vrasjen në Krushë të vogël të tërë burrave shqiptarë të fshatit, bërë nga udëbashët e Millosheviçit e kafshët-fshatarë nacionalistë sërbë të fshatrave përreth, ne e njohim me hollësi, se e tregon një shqiptar, që i ka shpëtuar pushkatimit?
– E di, e di, një mund të shpëtojë gjithmonë, ndaj hitlerianët i qëllonin me revole në kokë të vrarëve të pushkatimit.
– E bënin dhe andartët grek, për të mos përmëndur turqit, që i prisnin kokat për të qënë brënda.
– Në fakt, pa kokë është vështirë të dëshmosh gjë.
– Sot po, dhe pa kokë bëhet, është mbushur me telekamera bota, në çdo dyqan, ndërmarje, bankë, shkollë, farmaci, pa përmëndur celularët që filmojnë çdo gjë, edhe kapjet për flokësh të deputeteve gra shqiptare nga cubat idiotë maqedonas. Po, sot, jemi në kohën e transparencës, s’shpëton gjë pa u marrë vesh, me wikileaks dhe pa wikileaks.
– Si puna e nazistëve, tërë vrasësit, s’duan të lënë dëshmimtarë, kjo dihet!
– E pra, ata që i shpëtojnë një virusi murtaje, apo një pushkatimi masiv, mund të jenë dy, tre, në njëmijë veta, apo në njëmilion veta. Rëndësi ka, që ekzistojnë përherë ca kokrra, që e kanë ilaçin, apo fatin, që plumbi mos t’i zërë, të shkruar, që në lindje, në ADN-në e tyre. Nga këta nxjerrim dëshmitë për kasaphanat e xhelatëve dhe në rastin e epidemive, nga këta të mbijetuarit, shkencëtarët nxjerrin kundrahelmin.
– Kush është antivirusi pra?
– Kundrahelmi?
– Antivirus= kundrahelm, kuptohemi bashkë, se ne shqiptarët flasim gjuhë të huaja.
– Mirë kuptohemi, kundrahelmi është Marksi!
– Marksi, që studjohet në ekonominë politike, qënka ilaçi?
– Po, pikërisht ai thotë si duhet bërë:
1- Të përmbysim me dhunë sistemin e parasë;
2- Të hyjmë në fasën e ndërmjetme të diktaturës së proletariatit, në të cilën të zhdukim tërë mbeturinat e sistemit të vjetër, përfshirë dhe fetë dhe moralin e parasë;
3- Të vendosim komunizmin, me kolektivizimin e zhdukjen e pronës private. Kështu mënyrën e shpërndarjes së të mirave materiale ta ndrojmë gjithandej dhe njëherë e mirë. Do të marrin të tërë sipas nevojave e do të punojnë sipas takatit. Do të zhduket paraja dhe miliarderët e sotëm, që rrojnë mbi kurrizin e 99% të popullsisë së rruzuallit tokësor, pa u lodhur e pa u drobitur. Do i qërojme vrasësit dhe kapitalistët, do e mbushim barkun sipas nevojave e do merremi me gjëra të dorës së parë për qënjet e arësyeshme,si mposhtja e sëmundjeve, zgjatja e jetës, energjitë e reja, mosndotja e planetit, në vënd që te punojmë (kur ka punë) sa për buken e gojes, siç na shtrëngojne të bëjmë tani bankjerët.
– Antivirale qoftë bota e re!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar