Zymer Mehani “Yje të qiellit tim”, botoi “Prokult – Press”, Prishtinë, 2017
Milazim F. KADRIU
/ O Atdhe. emër i shenjtë, sa s’ka më të dua
Dashuri mbi dashuritë vetëm Ty të kam
Ar dhe thesar je përherë për mua
Të mbaj n’ zemrën time, të maj n’ timin xhan /
Janë këto vargje me të cilat hapet libri me poezi “Yje të qiellit tim ” të autorit Zymer Mehani.
“Yje të qiellit tim ” është një përmbledhje me poezi e konceptuar kryesisht me poezi atdhetare që i kushtohen atdheut dhe dëshmorëve të kombit. Në poezitë e këtij libri dominon motivi patriotik që është preokupim i autorit që i këndon atdheut dhe dëshmorëve të UÇK-së që janë më meritorët për lirinë e Kosovës.
Sakrifica për liri, lufta për të fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë shkalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë në vargjet, këngët dhe krijimet artistike në vargje, piktura e skulptura, këngë, melodi …. Disave nga ta u ka kënduar edhe Zymer Mehani në librin e tij “ Yje të qiellit tim”
E veçanta e poezive të këtij libri është se autori ka bërë përpjekje që të thurur vargjet më të mira, më të përkushtuara e më të dashura për atdheun dhe dëshmorët. Të shkruash për atdheun, për dëshmorët për betejat që zhvilloi UÇK-së është privilegj, por është edhe përgjegjësi e madhe dhe frikë, ngase mund t’u hyjmë në hak pa thënë shumëçka që e meritojnë dëshmorët. Por pavarësisht asaj se sa arrin një autor ta thotë atë që ka në mendje, e në zemër gjithsesi shkrimi për dëshmorët qoftë poezi apo formë tjetër është privilegj për autorin.
Sado ta kesh shkruar bukur një poezi të tillë, sado të pretendosh ta bindësh veten se ke arritur ta shprehesh, atë që ke menduar, prapëseprapë nuk të duket se ke bërë mjaft, nuk të duket se ke arritur ta shprehësh në tërësi ndjenjën e përkushtimit, përmes fjalës poetike sepse dëshmorët dhanë gjënë më të shtrenjtë për atdheun, jetën e tyre.
Poezitë e këtij libri janë poetike dhe kanë ndjekur rrugën liridashëse që na tregojnë për ngjarje që na bëjnë krenar sepse janë poezi kushtuar atdheut dhe luftëtarëve të lirisë.
Përmbledhja me poezi “Yje të qiellit tim ” hapet me poemën “Për ty,atdhe” që është një poemë kushtuar atdheut. Kjo poemë ka 36 strofa aq sa shkronja ka alfabeti ynë dhe çdo strofë fillon me shkronjat me radhë të alfabetit, për të vazhduar më pas me poezitë tjera kushtuar atdheut dhe dëshmorëve të rënë për liri. Me këtë rast autori i ka përjetësuar personalitetet e disa dëshmorëve duke e dhënë një pasqyrë të veçantë për figurën e tyre.
Këto figura nëpërmes të këtyre poezive bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore. Mehani ka dalluar disa dëshmorë që u ka kushtuar poezi madje disave nga ta edhe nga disa poezi si : Abedin Rexhës – Sandokanit, Nuhi Gecit, Antigona Fazliut, Ylfete Humollit etj. Poezi u ka kushtuar edhe heronjve legjendar Adem Jasharit e Zahir Pajazitit :
/ Jo, jo s’mund ta ndali veten
O atdhe i shenjtë
Pa i këndu’ Adem Jasharit
Prekazit të Shenjtë /
ose
/ S’ mund të stepem, më vlon gjaku
Me vrull të Petritit
Të përulem para t’ madhit
Zahir Pajazitit /
Poezi u ka kushtuar edhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Ilir Konushevcit, Besnik Restelicës, Nexhmi LLumnicës, Mentor Humollit, Afrim Maliqit, Hyzri Tallës, Ilir Durmishit, Shaban Avdiut, Shefki Kuletës, Ferid Currit etj. Një poezi ia ka kushtuar edhe shokut të klasës Fatmir Ukës që u plagos në demonstratat për liri e demokraci më 31 janar 1989, pastaj ky libër përmban edhe poezi kushtuar nxënësve të vrarë nga forcat paramilitare serbe në luftën e fundit e shumë poezi tjera përkushtuese.
Poeti Mehani poezitë e tija i bazon edhe në faktin se dëshmorët janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare, realitet madhështor dhe inspirim poetik. Ata bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore.
Mehani në mënyrën e vet u përpoq t’i poetizojë shqetësimet dhe admirimin e vet që ka për atdheun dhe për dëshmorët që na sollën lirinë. Poezitë janë dhënë me një pasion të madh dhe me një gjuhë plotë figuracion. Autori shkruan ashtu si donë ta sheh atdheun por na i paraqet edhe dëshmorët ashtu si ishin në jetë, si njerëz që nuk e duruan dot robërinë, dhe që gjithë jetën punuan për lirinë e Kosovës. Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i papërkulur i njerëzve të Kosovës, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme e tyre ndaj dhunës së ushtruar nga regjimet antishqiptare nëpër histori janë dominuese në frymën poetike të këtij libri. Në brendi të ligjërimit lirik shquhet sidomos indi atdhetar, që përshkon pothuajse tërë poezitë e këtij libri.
Nëpërmes këtyre vargjeve të librit “Yje të qiellit tim” krijohet përfytyrimi për heroizmin, atdhedashurinë, virtytet, idealin, trimëritë e figurave me përmasa kombëtare të UÇK-së në luftë të pabarabartë me një pushtues terrorist e kanibalist, me zot e drejtësi në gojë, me terror e krime në vepër, si dhe me urrejtje patologjike në shpirt.
Poezitë e këtij libri korrespondojnë në harmoni të plotë njëra me tjetrën, që për esencë ka idealin dhe domethënien me një fuqi shprehëse dhe gjuhë të fortë poetike.
Motivi i atdheut, motiv që dominon në vargjet e poetit që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj mëmëdheut e përshkon tërë vëllimin poetik. Kështu autori ndërton një poezi të pasur emocionalisht, poezi të qartë dhe të kuptueshme çfarë ia lehtëson komunikimin me lexuesit.
Duke mbetur në përmasën tematike, poeti Mehani thur vargje për Atdheun, për heronjtë dhe figura kombëtare, për trojet shqiptare që dëshiron ti shoh të bashkuara.
/ Toka jonë ka zot
Kombi ynë krenar
Çdo shqiptar kërkon
Ribashkimin kombëtar // Deshët a nuk deshët
shqiptarët do t’ bashkohen
E lakmitë e juaja
Kurrë s’realizohen /.