DHIMBJE E MALL’ I PASHUAR, PËR NJERIUN E ZEMRËS…

0
2306
Luljeta Gjosha Pashollari

Me poeten: Luljeta Gjosha-Pashollarit

Nga Prof. Murat Gecaj

Erdha sonte, këtë natë,
te dritarja të përgjoja,
doja të shuaja një mall,
shpirtin tim ta qetësoja…

Ende pa e shfletuar librin poetik të Luljeta Gjosha-Pashollarit, “Jargavanët e shpirtit”, lexova në FB një krijim të kësaj autoreje. Poezia ma tërhoqi vëmendjen, që nga titulli, “Përse e bëre zemrën gurë?” Tematikën e saj, natyrshëm, e lidha me ato, që më kishte treguar kjo autore, kur pimë kafe bashkë, në afërsi të dyqanit të saj, në “Rrugën e Kavajës” së kryeqytetit tonë. Pra, kishte të bënte me mallin e pashuar dhe të përhershëm të saj, në kujtim të bashkëshortit, që është ndarë përgjithnjë nga jeta, disa kohë më parë. Prandaj, aty ajo pyet me zemrën e lënduar fort dhe të thyer mëdyshë: “Ç’u bë dashuria, që patëm,/ ç’u bë, këtë dua ta di?/U kthye në ajsberg,/ në qiell lundron tani!” Dhe më tej, përsëri pyet edhe pse e di, që nuk do të marrë asnjë përgjigje: “Ç’u bënë premtimet e tua,/ç’u bë, këtë dua ta di?/Ikën diku larg, fluturuan,/ por nga zemra s’mi fshin njeri!”

* * *

Ky libër është ndarë në tri pjesë. Në të parën, “Mbresat e një dashurie të paharruar”, autorja u këndon me trishtim viteve të bukura të jetës bashkëshortore, që u ndërprenë në mes dhe nuk kthehen kurrë më. Ajo do që të jetë përsëri pranë njeriut të munguar të zemrës së saj, ashtu të dehur nga lulëzimi pranveror: “Më prit, si ngaherë, më prit se do vi,/ kur të çeli manushaqja e me aromë të na mbulojë…”. Prandaj, udhëton ditën e natën, që ta gjejë dhe ta takojë atë: “Rend nëpër natë, pa orbitë,/ ku ta gjej, jo nuk e di!/Ku je, dashuria ime, ku je,/në krahët e kujt pushon tani?…”.

Në këtë dehje të shpirtit të saj, poetja sjell në kujtesë kohën e dashurisë së parë, që e përjetoi disa vite radhazi dhe, më në fund, i iku e fluturoi lart në qiell: “Thonë, dashuria e parë është Yll në ballë,/kështu ndodhi me mua, o miqtë e mi./ Nga ajo jetë, pse s’shkëputem, vallë,/fajin e kam unë apo para kohe ike ti?” Në pritje të pafundme, për ta rigjetur njeriun e zemrës, poetja shkruan plot trishtim: “Katërmbëdhjetë shkurti po afron/ e unë pres si çdo vit këtu,/ por ti në heshtje rri, si gjithmonë!/ Pra, më dërgo një shenjë nga qielli blu…”. Në këto pështjellime ëndrrash të trazuara dhe përjetimesh të së shkuarës, autorja e parafytyron atë takim të munguar me bashkëshortin e saj: “Mbrëmë më erdhe në dhomën time,/më kape përdore e më the: kërce me mua!/Unë e veshur me të holla stine,/ u ngrita nga shtrati e thashë: Sa të dua!”

Duke e shfletuar radhazi këtë libër poetik, ne bëhemi pjesë e dhimbjes dhe trishtimit të autores Luljeta Gjosha-Pashollari. Këto ndjenja njerëzore janë shfaqur në disa poezi, të cilat na e dëshmojnë përmbajtjen, që nga titujt e tyre: “Mungesa jote””, “Lotët e shpirtit”, “Ditëlindjen, pa ty”, “Si të mban vendi aty!’, “Flutura e zemrës sime”, “Përgjithmonë, po tretesh diku larg”, “Brenga e shpirtit tim” etj. Për të gjitha këto ndiesi të natyrshme, që autorja ia shprehë në mungesë njeriut të paharruar të zemrës dhe që nuk do ta ketë kurrë më pranë, ajo u kërkon ndjesë lexuesve të vargjeve të saj: “Më falni, o miqtë e mi,/ që sot kalova në nostalgji,/se m’u kujtuan ditët e lumtura,/kur ishim bashkë të dy!…”.

Pjesa e dytë e këtij libri e ka titullin domethënës “Njerëzve të familjes së shtrenjtë”. Aty autorja thurë poezi nderimi, respekti e mirënjohjeje për të dashurit e saj. Këto ndjenja të pastra e të çiltëra kuptohen dhe duken qartazi në titujt e tyre:”Nënë, moj e mira ime!”, “Në ditën e baballarëve”, “Sonilës, vajzës sime”, “Henrit-nipit tim”, por dhe për mbesat e dashura, Livia, Alketa e Xhulia, për vëllain Dritan, kusherirën Valbona. Ndërsa, me vargje të trishtuara shkruan ajo për njerëz të saj të zemrës, të cilët edhe ata janë ndarë përgjithnjë nga jeta, në moshë të re: Albana Osmenit, Ilir Cokut, Meritës…

Në pjesën e tretë dhe të fundit, “Motive me tema lirike”, autorja L. Pashollari i vazhdon kujtimet e paharruara të dashurisë së parë, të cilën e ka humbur përgjithnjë, nga kthetrat e pamëshirshme të vdekjes. Por aty lexojmë edhe ndjenjat e saj për një dashuri të gjithëpushtetshme, pra për vendlindjen e Shqipërinë: “Gëzuar Pavarësinë, Atdheu im!,” ”Bijtë e Shqipes”, “Njerëzit e bashkuar”, “Ku më ka bërë koka-bam…”(Memaliajt), “O, moj Shqipja dykrenare” etj. Në përfudim, përmbledhurazi, mund të themi se autorja Luljeta Pashollari na paraqitet në këtë vëllim me ndjenja të holla e të pastra njerëzore edhe pse ato janë të “spërkatura” me nota trishtimi, nga humbja e bashkëshortit të saj. Por, megjithatë, ajo i bashkohet gëzimit të jetës, kur flet e shkruan për vazhduesit e saj, nipat e mbesat, por dhe për Shqipërinë tonë, krenare e të bukur, të cilën ajo e do me gjithë zemr.

Ne i urojmë asaj shëndet e qetësi shpirtërore, bashkë me njerëzit më të dashur, por dhe krijimtari sa më të frytshme e të bukur! Në mbyllje, kam këtë sqarim për titullin e këtij shkrimi. Pra, atë edhe mund ta quaja:“Borxh i pashlyer, për poeten L.Pashollari”. E them këtë gjë, pasi kisha disa ditë që këtë libër, të cilin ajo ma dhuroi me shënimin e vet, e mbaja pranë kompjuterit dhe nuk arrita të shkruaja ndonjë radhë. Kjo, ndër të tjera, erdhi edhe pse e dija që ky shkrim do të ishte një hapje e re e “plagës” së pambyllur të jetës së saj. Kështu, i kërkoj të falura mikes poete Luljeta, nëse me këto radhë e kam “ngacmuar” sadopak atë, në ndjenjat e saj njerëzore!

Poetja në fjalë na ka dërguar nji cikël me poezi.
POEZIA FLETE ME REALITETIN QE NA RRETHON, POETJA ESHTE SA E LEXUESHEME PO AQ EDHE TERHEQESE NE RRJESHTAT E SAJ. NE PO BOTOJME NJI PJES TE POEZIVE TE SHUMTA TE POETES SE NJOHUR Luljeta Gjosha-Pashollari, TE CILES I UROJME RRUGËTIM TE SUKSESSHEM NE VARGUN POETIK:
/Gjin Musa, gazetar

DITARIN E JETËS SHFLETOVA NGADALË
**************************************
Ditarin e jetës shfletova ngadalë,
Padashje shfletova letrat e dashurisë ,
në kohen tonë pa internet vrapoja të dalë,
kur postieri trokiste te dera e shtëpisë….
**************************************
Letra me shkruaje e me premtoje shumë ,
E ëndrra ne thurnim për jetën e re.
Ti në Veri me shërbim ishe larg nga unë,
E unë në Jug letrat prisja me gaz e hare.
**************************************
Po tani, vallë pse më paske harruar,
letër e asnjë haber s’më ke dërguar?
Dua të di, çfarë të ka zemëruar,
Mos je më mirë larg nesh, ku ke qëndruar?
**************************************
Ditarin shfletoj e humbas në kujtime ,
Aty lexoj shumë e shumë fjalë e premtime,
Ti më premtoje se s,do ndaheshim kurrë,
Po nuk e mbajte fjalën, ndonëse je burrë.
**************************************
Tani në ditar tre rreshta janë shtuar,
Nga dora jote një mall i përvëluar,
më thua mbushe ditarin edhe tani,
Ke nipër e mbesën, gjithë botën ke ti…
**************************************
Unë për ty do të jem si diell mes resh,
Kur të më thërrasësh, pranë do më kesh,
Nga unë mësove, se ç’është e vërteta,
Prandaj i urreje gënjeshtrat që ka jeta.
**************************************
Unë s’të gënjeva, po ashtu e deshi fati,
As unë s’jam rehat këtu te ky shtrati,
Ndonëse plagët akoma s’më janë shëruar,
Nga malli po digjem, për ty përvëluar…
**************************************

ISA BOLETINI E ISMAIL QEMALI,
DY VIGANË TË KËTIJ VATANI.

Eh, more baca Is Boletini,
Trim mbi trimat e sua trimi!
Luftove me serbë e dushman,
të bashkoje trojet në një vatan.

Për ta bërë Shqipërinë etnike,
Grusht vigan të brigjeve ballkanike.
Me kapedanët djem petrita,
Gjithë shkëmbinjtë i bëre prita.

Nuk t’u tremb ty syri kurrë,
O Is zemër dielli për flamur.
Në çdo mal e në çdo fushë,
Pushka jote me rrufe u mbush.

Ti Isa Boletini, me Ismaili Qemalin
Flamurin në Vlorë, ngrite si malin.
Dy burra Shqipërie, flamurtar,
Dy burra të kombit zemër zjarr.

Donin dy trojet motra, një flamur,
Shqipëri – Kosovë mos ndahen kurrë.
Se kjo tokë është flake baroti,
E bekuar nga robi dhe vetë zoti.

Kulla e Boletinëve pese here u kall,
Po ti s’u mposhte, the: flaka t’i dalë!
Veç të rrojë kjo toka jonë amtare..
ku dhe shkëmbinjtë të hedhin valle…

Mbete i pamposhtur, te busti në Mitrovicë,
Ku dhe nga bronzi, armiqve u kall frikë!
Isa Boletini dhe Ismail Qemali,
viganë të pavdekshëm të këtij vatani.

ME NJË TUFË TRËNDAFILA, MË TROKITE NË DERË

Nuk di ç’të shkruaj për ty më parë,
Se ti tek unë le gjurmë në përjetesi,
Prandaj shkruaj e të kërkoj si e marrë,
Dhe derisa të vij pranë teje s’gjej qetësi…

Nuk do të kisha shkruar kurrë për ty,
Por ti tek une ke lene shume gjurmë,
Mundohem te largohem të tretesh në vetmi
Por ty vitet të afrojnë tek unë më shumë…

Edhe këtë Vit të Ri, unë ika, u largova,
Që ty mos të të kisha pranë, asnjë hap,
Por dhe kësaj here më kote u mundova
Se edhe atje ku shkova, ti më erdhe prap…

Mundohem të jetoj me cicërimat e zogjve,
Që çerdhen tonë tani e kanë gjallëruar.
Megjithatë ndjehet më shumë mungesa jote,
Se ty në gezime askush s’të ka zëvendësuar…

Edhe këtë fundviti, më trokite në derë,
Me një tufë trendafila përpara më dole,
Mu afrove e më puthe në gushë, si përherë
Dhe të përhumbur në krahët e tu më hodhe…

E DUA VARGUN…
**************************************
E dua vargun të shkrepë si vetëtima,
Të djegë çdo krisje deri në rrënjë,
E dua vargun të rritet si fëmija,
Këmbadoras të ngjitet, çudira të bëjë…
**************************************
E dua vargun, ashtu siç është jeta,
Se me të unë shpreh shpirtin tim,
E dua vargun ku të lulëzojë e vërteta,
Se për mua është bërë si ushqim.
**************************************
E dua vargun, se plagët m’i mjekon,
E ma përshkruan siç e dua dashurinë,
E dua vargun se shpirtin ma qetëson,
E ty pranë meje të mban në kujtim.
**************************************

HAJDE SA NUK ËSHTË VONË…
**************************************
Pse e bardha dhe e zeza qëndrojnë bashkë
Dhe dashuria ka ëmbëlsinë e hidhërimin e lashtë?
Në të njëjtin kontinent ne jetojmë të dy,
Dhe ti krejt i heshtur qëndron aty…
**************************************
Kaq shpejte u vele nga dashuria ime,
Si nga mjalti esëll, nga lulet në blerime?…
Apo ke frikë se zhytesh në llavën nxehtësi,
Dhe nuk del dot nga boshti i zjarrtë gjithsesi?…
**************************************
Më tregoni, o miqtë e mi brenda dhe jashtë,
Dashuria e hipokrizia mund të jetojnë bashkë?
Kur ëmbëlsia dhe hidhërimi një shtëpi kanë,
Dhe një zemër e kulluar së bashku ato i mban..
**************************************
Pse heshtur rri, të lutem pse s’më tregon,
Kush vallë të mban aty e mua më largon?
Apo unë isha vetëm një loje, apo fantazi,
Por këtë zemra ime s’e pranon kurrsesi…
**************************************
Hyn e del në zemrën time, sa herë ti ke mall,
Dashuria ka dhe çmime, por a blihet vallë?
Me monedha floriri t’i shtrojnë rrugën e saj,
Ajo ndjenjë vjen një herë e shpërthen si vullkan.
**************************************
Të lutem, më dëgjo e mos e bëj zemrën gur!
Nuk jam më e fortë, ajo që isha dikur,
Pritja e gjatë me lodhi e po më mundon,
Hajde i dashur, hajde sa nuk është vonë!…
**************************************