NËNDEGA E LDK-SË NË STARNBERG FESTOI 24 VJETORIN E THEMELIMIT

0
1359
LDK logo

Përvjetori i Degës të LDK-së në Gjermani

MUSA HAMZAJ, kryetar i Nëndegës të LDK-së në Starnberg
IDRIZ ZEQIRAJ, kryetar i LDK-së në Bavari

Aktivi i LDK-së në Starnberg, tashmë, i konvertuar në Nëndegë, festoi 24 vjetorin e veprimtarisë të suksesshme. Karakteristikë dalluese e këtij Aktivi, tani Nëndegë, ka qenë ruajtja e traditës rugoviane, që nga fillimi e deri me tani, edhe pas 24 vitesh. Fotografia ballore flet shumë. Për shënimin e themelimit të Degës të LDK-s në Gjermani, katër vjet më parë, Kryetari i Nderit të LDK-së, Fatmr Sejdiu, preferoi pikërisht Aktivin e LDK-së në Starnberg, në bazë të një informacioni që kishte për këtë Aktiv, në një qoshe të Bavarisë gjermane. Ndoshta edhe nostalgjia për bashkëthemeluesin e LDK-së, Kryetarin Rugova, ngaqë këtë e quajnë edhe Aktivi – Ibrahim Rugova -. Dhe, u mblodhën këtu paria e Degës të LDK-së në Gjermani. Vërtet, kjo simbolikë është mjaft domethënëse.

Nëndega e LDK-së në Starnberg, vjen në 24 vjetorin e themelimit të saj me anëtarësi të trefishuar, krahasuar me vitin paraprak. Shënimin e këtij përvjetori, Kryesia e Nëndegës e kishte organizuar paksa ndryshe nga herat e tjera. Përveç anëtarësisë, kishte ftuar edhe mysafirë, veteranë të LDK-së, të cilët, tashmë, janë pensionuar si dhe të tjerë me venbanime të reja. Një darkë e begatë, e shoqëruar me urime dhe fjalë miradije, për punën e suksesshme 24 vjeçare të kësaj Nëndege.

Kryesia e Nëndegës të LDK-së në Starnberg: Fazli Gashi, Sabedin Dushi, Musa Hamzaj, Agim Osmani, Ibrahim Potoku, Gani Batatina, Adem Lushaku

Anëtari i Kryesisë të LDK-së në Bavari, njëherit edhe anëtar i kryesisë të Nëndgës të LDK-së në Srarnberg, kësaj mbremje festive, në cilësinë e moderatorit, Ibrahim Potoku, në mes tjerash, tha se “Aktivi ynë mbajti Kuvendin dhe sipas Rregullores të LDK-së, plotëson kushtet për t`u bërë Nëndegë dhe këtë vendim e mori me rastin e 24 vjetorit të themelimit të Aktivit. Nëndega e LDK-së ka zgjeruar shtrirjen e saj në 14 komuna, në “Landkreis Starnberg”. Kam nderin që në emër të Kryesisë të Nëndegës tonë, të përshëndes të gjithë të pranishmit në këtë sallë festive.

Përshëndes mysafirët, të cilët na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre: kryetarin e LDK-së në Bavari, Idriz Zeqiraj, nënkryetarin dhe sekretarin e LDK-së në Bavari, përkatësisht, Nikollë Skelaj dhe Mehmet Kokaj, veteranin Demë Qetaj, ish-kryetarin e Nëndegës të LDK-së në Bavari, Mehmet Zymerin, kryetarin e Shoqatës Kulturore “Rilindja”, në Mynih, Bekim Gërvalla, përfaqësuesin e Shoqatës “Shqiponja dykrenare”, në Rosenheim, Fatmir Gashi; anëtarin e Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani, Isuf Qetaj, ushtar i Kosharës heroike; bashkëthemeluesin e Aktivit të LDK-së në Starnberg, Agim Osmanin, tani anëtar i Kryesisë të Nëndegës të LDK-së në Starnberg; veteranin Fazli Gashi, kryetar shumëvjeçarë dhe, tani, Kryetar Nderi i Aktivit, përkatësisht, i Nëndegës të LDK-së të Starnbergut, i cili, me përvojën e tij të begatë, vazhdon të kontribuojë në shumëzimin e anëtarësisë dhe koordinimin e veprimtarive të Nëndegës në fjalë.

Mysafirë dhe anëtarë të Kryesisë

Moderatori Ibrahim Potoku ftoi në skenë kryetarin Musa Hamzaj, i cili referoi në emër të Kryesisë të Nëndegës të LDK-së të Starnbergut. Në mes tjerash, ai foli për themelimin dhe veprimtarinë 24 vjeçare të këtij Aktivi, tani i konvertuar në Nëndegë: “Në vitin 1993, në Gauting të Bavarisë, me pjesëmarrjen e kryetarit të Nëndegës, Bashkim Leci, u themelua Aktivi i LDK-së, ku tuboi dhe organizoi shumicën e shqiptarëve në këtë rrethinë. Kryeçështje e këtij Aktivi ishte Kosova dhe populli shqiptar në trojet etnike, i cili përjetonte momentet më të vështira në historinë e tij, drejt rrugës pë Liri dhe Pavarësi.

Duke shfletuar dokumentacionin e këtij Aktivi, rezulton se anëtarësia e tij ka pasur veprimtari të begatë me palën gjermane, si përfaqësues të politikës, ekspertë të lamive të ndryshme, gazetarë dhe mediume të shkruara dhe elektronike: Christian von Kohl, nga Amnesti Internacional; Prof. Dr. Peter Bartl, historian, në Universitetin e Mynihut; Prof. Dr. Fidler, albanolog, në Universitetin e Mynihut; Ilias Bertel, gazetar i ARD, televizioni i parë gjerman, që njihet si raportues i gjendjes reale të Kosovës, para dhe gjatë luftës; gazetari Peter, i Süddeutsche Zeitung; gazetari Wilche i Die Tageszeitung dhe të tjerë.

Aktivi i LDK-së në Starnberg, ka organizuar takime dhe biseda të suksesshme me veprimtarë të Mërgatës dhe zyrtarë të Kosovës: Donikë Gërvalla, Marjan Tunaj, Pjetër Coli; Profesorët Skënder Gashi e Murat Blaku; ministrat Muhamet Bicaj, Isa Mustafa, Januz Tërstena; kryetarin e Parlamentit, Kolë Berisha; luftëtarët e djeshëm, heronj të sotëm: Sali Çekaj e Tahir Zemaj; veprimtarin Dardan Gashi; ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryetar Nderi i tanishëm i LDK-së; ish-kryetarin e Degës të LDK-së në Gjermani dhe kryetar i Kolegjiumit të Degëve në Diasporë, Hafiz Gagica dhe personalitete të tjera.

Aktivi i LDK-së në Starnberg ka qenë shembull në përmbushjen e obligimeve karshi Atdheut – Kosovës: ka paguar me rregull kuotën obligative për Fondin Shtetëror, legal, të shprehur në 3 %-shin e pagës mujore; ka ndihmuar Shkollën Shqipe; ka kontribuar për luftën në Kosovë; ka tubuar para për Drenicën; ka paguar për makina (xhipa) dhe telefona, në shërbim të luftës; i është përgjigjur aksionit madhor “Gjithëçka për Pavarësinë e Kosovës” si dhe shumë aksione të tjera, përgjatë 24 viteve të veprimtarisë shumë të suksesshme dhe të veçantë të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, tashmë, me emrtesë të re – Nëndegë-.

Aktivi i LDK-së në Starnberg ka nderuar me vizita ke varrezat heronjtë e Mërgatës: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka si dhe të tjerët në Kosovë; vazhdon të organizojë përvjetorët për datimet historike dhe të festave tradicionale kombëtare; organizon aktivitete kulturore e sportive, në bashkëpunim me palën vendore gjermane si dhe komunitetet tjera, që jetojnë në 14 komunat e “Landkreis Starnberg”. Kryesia e Aktivit me aktivistët tjerë, me jetën kulturo-artistike, në mungesë të Shkollës shqipe, mundohen të ruajnë gjuhën, folklorin dhe traditat kombëtare në këto mjedise. E gjithë kjo kërkon punë dhe përkushtim të madh nga veprimtarët, të cilët nuk kursehen as me kohë dhe as me xhep, për të qenë në krye të detyrave atdhetare.

Për 24 vjet radhazi, Aktivi i LDK-së të Starbegut, me komunat përrreth, ka mbështetur fuqimisht Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugovën, në gjallje të Tij dhe, pas amëshimit, ruan, madje, me fanatizëm, frymën e dlirë rugoviane. Pikërisht, për këtë veçanti, njihet në Bavari dhe më gjërë: “Aktivi I LDK-së Ibrahim Rugova”.

Anëtarë të Nëndegës të LDK-së në Starnberg,
në mbrëmjen festive të themelimit të Aktivit

Kryetarët e Aktivit, që kanë pasuar njëri-tjetrin, nga Ali Mushica, Agim Osmani, Fazli Gashi, Gani Bararina e deri ke Musa Hamzaj, kanë krijuar një traditë të shkëlqyer të punës kolegjiale me kryesinë dhe anëtarësinë, ndër të cilët shquhen veprimtarët: Shahin Sijarina, Tefik Idrizi, Shaip Shala, Lutfi Bajrami, (tashmë, i ndjerë, ndjesë pastë), Ibrahim Potoku, Bekim Hyseni, Robenc Bardhi, Nazmi Maqani, Ramadan Shema, Afrim Mulaj, Hajzer Gashi, Adem Lushaku, Sabedin Dushi, Liridon Behrami dhe shumë aktivistë të tjerë.

Në vijim, sekretari i Nëndegës të LDK-së në Starnberg, Sabedin Dushi, i cili është një administrator i shkëlqyer i veprimtarive të Aktivit, dikur dhe, tani, i Nëndegës, lexoi vendimin e Kryesisë, për ta shëndrruar Aktivin në Nëndegë, në kuadrin e ndryshimeve statutare, të bëra nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Me këtë rast, sekretari Sabedin Dushi, u dorëzoi nga një kopje të Vendimit dhe të numrit të anëtarësisë kryetarit të LDK-së për Bavari, Idriz Zeqiraj dhe kryetarit të Nëndegës të LDK-së në Starnberg, Musa Hamzaj. Sekretari Dushi premtoi se me anëtarësimin e djemëve të rinj, së afërmi, do ta themelojmë “Forumin Rinor” dhe, në perspektivë, edhe “Forumin e Grave të LDK-së”. Ambicja pozitive nuk është as inat dhe as smirë, por, progres, që shpie përpara organizimin, zhvillimin. Ju lumtë, veprimtarëve shembull të Starnbergut!

Në përvjetorin festiv të themelimit të Aktivit, përshëndetën, radhazi, me fjalë të mira e përlavdërimi, mysafirët dhe veteranët e LDK-së: Idriz Zeqiraj, Nikollë Skelaj, Mehmet Kokaj, Ibrahim Gërvalla, Demë Qetaj, Mehmet Zymeri, Fazli Gashi, Agim Osmani, Isa Bilalli, Bekim Gërvalla, Isuf Qetaj, Fatmir Gashi, Sokol Bisaku dhe të tjerë.

Festa vazhdoi me grupin argëtues, të prirë nga këngëtari i mirënjohur Sokol Bisaku, me vëllezërit Edin dhe Gonin dhe Lekë Thaçin, Nehat Idrizin si dhe i riu me çifteli Florian Zymeri, i cili muzikoi edhe Hymnin e Flamurit. Ishte një mbremje festive mbresëlënëse.