TEST ME NORMAT E MËSUESIT PËR SHQIPEN E DEPUTETIT !!!

0
1206
Abdurahim Ashiku
Abdurahim Ashiku

Pse qesha me lot me deputetin “Kaubojs”?

Më ngacmoi që të shkruaj këto radhë një “bashkëbisedim” midis dy deputetëve të të njëjtës forcë politike, një ministri “të jashtëm” dhe një deputeti “Kaubojs”, në rrjete sociale.

E gjykoj se duhet të bëhet normë drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i gjuhës shqipe, me të njëjtat norma e rregullsi si për mësuesit, testimi i çdo deputeti, i çdo zyrtari që është në kontakt me njerëzit drejtpërdrejt e në rrjetet sociale.

Por në RADHË TË PARË për deputetët, ata që i shohim drejtpërdrejt në seanca kuvendare tek ngjiten në tribunë apo flasin nga vendi. Ata që janë më të pranishëm se kushdo tjetër në publik.

Një mësues ekspozon kulturën e tij gjuhësore përpara 30-40 nxënësve në ciklin nëntëvjeçar apo të mesëm.
Një pedagog universiteti e ekspozon atë përpara një auditori të gjerë prej deri qindra studentëve.

Një deputet u flet me shqipen e tij të bukur apo të rrugaçërore miliona njerëzve brenda e jashtë kufijve kombëtarë e më gjerë.
Të parët, veçanërisht mësuesit (për pedagogët nuk kam dëgjuar të flitet), janë të detyruar me ligj të testohen vit për vit për njohjet gjuhësore, pedagogjike apo shkencore. Të gjithë marrin vlerësim për gjithçka dinë dhe kanë shkruar e bardha mbi të zezë në fletën mbi tavolina teke…

Për ata që nuk sigurojnë numrin e mjashtueshëm të pikëve dyert e klasave për të dhënë mësim janë të mbyllura.
Një detyrim ligjor i kësaj përmase duhet të bëhet për të gjithë kategoritë e nëpunësve në të gjitha nivelet e pushtetit.
Që kjo të bëhet kulturë testet gjuhësore duhet të fillojnë nga lart, nga Kuvendi, nga pushteti, nga shteti…
Në karrigen e Kuvendit duhet të ulen ata që dinë shqip, që dinë ta lexojnë dhe ta flasin sipas rregullave të vendosura nga Kongresi i Gjuhës Shqipe (ende në fuqi), sipas normave morale popullore, sipas fjalëve në fjalorin themelor të gjuhës shqipe (ku fjalët e rrugës janë të “shuara”).

Më ngacmoi që të shkruaj këto radhë një “bashkëbisedim” midis dy deputetëve të të njëjtës forcë politike, një ministri “të jashtëm” dhe një deputeti “Kaubojs” në rrjete sociale.
Ministrit në vetëmburrjen e tij se është “soj” i mungonin dy germa të alfabetit të Manastirit, germa Ç dhe Ë. E anashkaloj këtë fakt sepse të njëjtën gjë bën në daljet e tij publike edhe Kryeministri, edhe Kryekuvendari, edhe… Gjuha shqipe në shkresat zyrtare që nga kupola shtetërore e deri poshtë shkruhet me dy germa më pak…

“Kaubojsi” shkruante…
Ajo we esht pa ne heshtjen tende ishte zgerdhimje dhe kjo ste ben mik me katolikt. Se dom nikoll kaçorr esht si krishti oer mirditoret. Ndoshta te paret tu ishin po ti e përdhos heshtjen në parlament. Kalofsh bukur në Bruksel me lekt e qytetareve. Te përshëndes nga milamo. Dhe kam kriu pershyypjen sye ajo qe kam then esht shum e sakt se nuk shpjegohet ndryshe.

Kur i lexova këto radhë “pickova” veten për të testuar në se sytë e mi ishin në rregull. Pasi lexova komentet e zakonshme të “anonimëve” u bashkova me ta në pikën se “kë zgjedhim, kujt ia japim votën dhe kush na udhëheq”. E ngushëllova veten sepse kjo gjë është tepër anësore me ato që dëgjojmë, shikojmë e lexojmë kur ekraneve satelitorë e krye faqe gazetash përballemi me kriminelë, hajdutë, trafikantë… deputetë…

Nuk e kuptova pse “Kaubojsi” ishte inatosur kaq shumë me ministrin sa Nikoll Kaçorrin e Madh lindur në Krej-Lurë të Dibrës ta ngushëllonte në Kuvend e të ngushtohej kaq shumë nga “zgerdhimja” e ministrit.
Përgjigjen do ta merrja nga “Profesori” dhe “Doktori” në “Monitorime“ të “Fiks-Fare”.

“Kaubojsi” e kishte filluar ligjëratën me një shkarje goje që kushdo që e dëgjoi fjalën e nxjerrë nga buzët e tij ka qeshë me lot. Unë, në qetësinë e një mërgimtari njëmijë kilometra larg, ulur në divan, kam qeshur aq shumë sa lotët i kam mbajtur në grusht. Kështu qeshën (madje edhe sot qeshim kur e kujtojmë ose e tregojmë ndër të tjerë) edhe pjesëtarët e familjes dhe shokët.

Për kulturë vetjake po them vetëm kaq nga fillimfjalimi i deputetit, duke marrë (ashtu siç mori ai germën e parë dhe dy germat e fundit të fjalës minut…)

Ju ftoj të mbajmë një m(in)ut…heshtje…
I dhashë të drejtë “qeshje-zgërdhimjes” të ministrit “pa dy germa”.
Kishte të drejtë.

E si mund të mbash të qeshurën kur dëgjon fluturime zëri të tillë?
E si mund të mbash të qeshurën kur dëgjon deputetë e zyrtarë të lartë që fluturojnë “hipur mbi presh” duke prerë “mbi kalli” fjalën e folur dhe të shkruar të shqipes sonë të bukur?

Gjuha shqipe po masakrohet me një masakrim që edhe të pesë shekujt e robërisë osmane do ta kishin zili.
Është koha e një ligji të veçantë për drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e saj, për mbrojtjen e saj nga fjalët e huaja në të shkruar e në të shqiptuar.

Një deputet, një nëpunës i lartë apo i ulët shtetëror, përpara se të ulet në karrigen e punës së tij duhet të kalojë në mengenenë gjuhësore shqipe, duhet të ulet në bankë dhe ti nënshtrohet një diktimi e një hartimi me “njëqind fjalë”, në dorëshkrim e në shtypshkrim.

Unë e thash mendimin tim…
I bindur se ata LART,
nuk kanë sy ta lexojnë,
nuk kanë vesh ta dëgjojnë,
nuk kanë vullnet ta ligjërojnë…

Megjithatë, siç thoshte Xhordano Bruna mbi turrën e druve në flakë…
“Bota rrotullohet”…
E shkruara mbetet…

Abdurahim Ashiku
Gazetar, Athinë
Prill 2017