Zamira Agalliu
Ku ishe Ti ?!
Ku ishe Ti kur unë të ndërtova me lecka
e shpirtin ta mbusha me pambuk ?
E të qepa këmbët e duart cak – cuk.
Kokën ta mbështillja me një napë
rreth një pulleje xhakete
E përsëri të shqepja e të qepja prapë.
Sytë dy rruaza të vogla të kaltra, këputur nga shalli i nėnës
Dhe pastaj të shtrëngoja
mes krahëve, aty pranë zemrës.
Ku ishe Ti ?!
Kur nëna ime të hodhi poshtë
Kur unë qava për Ty por nuk të ndërtova më kurrë
“më marrsh të keqen më tha nëna atëherë
“dashke që tani burrë”
Ku ishe Ti ?!
Kur unë bëja kurora me luleshqerra dhe dilja përpara pasqyrës
Pak të kuq në buzë e pak krem fytyrës
Kur vishja rrobat dhe takat e larta të nënës
Dhe ecja drejt me kokën
ashtu si në përralla dhe imazhit të ëndrres.
Ku ishe Ti ?!
Kur unë puthja pasqyrën
Dhe qeshja me veten pastaj
Ku ishe kur nëna më lau fytyrën
Dhe ma mori fustanin e saj.
Ku ishe Ti ?!
Kur unë të vizatova me laps herën tjetër
Mbi një kalë të bardhë që vije drejt meje
Dhe pastaj të përqafoja fshehurazi e të puthja në letër?!
Që atëherë herë nuk të vizatova më në letër kurrë
Të grisi nëna e më tha
“Dashke që tani burrë”
Që atherë të ndërtova në ëndrrën time
Dhe nuk të tregova më kurrë
Ishte turp nga bota
Të ëndërroje një Burrë…