Ndue Lazri
– Shënime udhëtimi nga Suedia –
1.
Përballë në tavolinë kam një zonjë të bukur, portreti i së cilës dhe modeli i krehjes së flokëve më kujtojnë këngëtaren e famshme franceze Mirreille Mathieu. Por ajo është e veshur me kostum kombëtar shqiptar dhe flet përzemërsisht me disa gra të tjera shqiptare, mes të cilave është ulur. Ka një buzëqeshje të bukur dhe vështrim të ngrohtë e të sinqertë. Vetëm pasi fillon aktiviteti dhe atë e ftojnë të dalë përpara mikrofonit e marr vesh se ajo është kryetarja e komunës së qytetit Boras në Suedi, Ida Legnemark. Ajo shpreh kënaqësinë që ndodhet në këtë festë të poezisë shqiptare dhe pikërisht për të nderuar këtë rast ka veshur edhe kostumin e bukur popullor shqiptar. Ajo flet për integrimin e natyrshëm të emigrantëve shqiptarë në jetën shoqërore, ekonomike e kulturore suedeze, për marrëdhëniet e ngrohta me familjet suedeze e me organet e pushtetit lokal, për aktivitetet e shumta që ata organizojnë e që ndikojnë edhe në gjallërimin e jetës kulturore në qytet.
Ka filluar kështu festivali i 6-të tradicional i poezisë, ose “Sofra poetike” që organizohet çdo vit në Boras të Suedisë nga shoqata kulturore “Migjeni” dhe nga shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të këtij qyteti. Madje, sofra tradicionale shqiptare si simbol i saj, është e pranishme edhe në sallën e aktivitetit. Është një festival i bukur, ku zakonisht marrin pjesë me krijimet e tyre rreth 100 autorë çdo vit. Sivjet ai përkon edhe me 10-vjetorin e krijimit të qendrës kulturore “Migjeni” dhe 10-vjetorin e publikimit të fletores “Dituria”, siç e quajnë ata gazetën mujore që publikojnë. Edhe sivjet numuri i autorëve pjesëmarrës është i shumtë. Salla e lokalit të bukur në qendër të qytetit është mbushur me krijues e veprimtarë shoqatash që kanë ardhur nga Shqipëria e Kosova, Danimarka e Norvegjia, Italia e deri nga Kurdistani.
Kryetarët e të dy shoqatave organizatore, Sokol Demaku dhe Hysen Ibrahimi ju urojnë mirëseardhjen pjesëmarrësve. Ndërsa shkrimtari e aktivisti i palodhur Hamit Gurguri, që drejton aktivitetin, prezanton e fton pranë mikrofonit njërin krijues pas tjetrit. Ata përshëndesin, pastaj recitojnë nga një poezi. Miqtë e mi të vjetër, Viron Kona e Nuri Dragoi, si dhe profesor Zyhdi Dervishi, kanë ardhur nga Shqipëria. Ata flasin për kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë aktivitet, si dhe për veprat e tyre me të fundit. Vironi është si i shtëpisë këtu, sepse është hera e katërt që vjen në Boras.
Emine Hoti, kosovarja e pasionuar pas krijimtarisë letrare, por edhe pas punimit të kostumeve kombëtare, vjen nga Norvegjia, ku jeton që në vitin 1989. Reciton një poezi për nënë Terezen. Tek bisedojmë më vonë ajo më tregon që edhe shoqatat shqiptare në Norvegji bëjnë një punë të madhe në ruajtjen e gjuhës e traditave kombëtare. Tregon që fëmijët e saj mësojnë gjuhën shqipe dhe njihen me dëshirë me historinë e popullit tonë në trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni etj. Drita Hasani vjen nga Zvicra. Lili Bimi e Griselda Doka vijnë njëra nga Vicenza dhe tjetra nga Kalabria në Itali. Edhe ato recitojnë pjesë nga krijimtaria e tyre.
Një dokumentar i shoqëruar me muzikën dhe rapsodinë e rapsodit Gjon Frroku, tregon historinë dhe aktivitetin e shoqatave organizuese. Ndërsa gjimnazistja Doruntina Hasani me pjesët e luajtura në piano u jep bukuri pauzave ndërmjet recitimeve e bisedave të krijuesve. Ajo krijon emocion të veçantë kur interpreton në mënyrë të mrekullueshme këngën “O e bukura More”. Vogëlushja Erza Gjyrevci reciton një poezi për Ismail Qemalin. Në këtë sofër të bukur janë ulur këmbëkryq historia e mikpritja tradicionale shqiptare, poezia e kultura, etnografia dhe malli për atdhe, të përshkuara të gjitha nga dashuria vëllazërore midis bashkëatdhetarësh.
I gjithë takimi është një njohje reciproke midis vëllezërish e motrash krijuese nga trevat shqiptare, shkëmbim përvojash, por edhe librash në prozë, poezi, monografi (me interes prezantimi i librit për Ibrahim Rugovën, shkruar nga Adnan Merovci) etj. Tërhoqi vëmendjen grupi i krijuesve dhe artistëve suedezë me artin slam, ku gërshetoheshin bukur poezia dhe muzika.
Organizatorët kanë menduar të shpërndajnë edhe çmime mirënjohjeje për veprimtari në jetën e shoqatave. Nga grupi ynë Griselda Dokës iu dha çmimi i mirënjohjes për punën e saj të palodhur në bashkëpunim me shoqatat arbëreshe në Kalabri për ruajtjen gjuhës e traditave kulturore shqiptare. Ajo do merrte pastaj çmim edhe për poezinë e saj. Unë pata nderin e këpnaqësinë të nderohesha me çmim mirënjohjeje për veprimtarinë shoqërore në federatën FNAI, me çmimin “Pena e Artë” për krijimtari letrare e publicistike dhe me çmim të tretë për poezinë “Dëshirë”, që recitova në këtë manifestim.
Me çmime u nderuan për krijimtarinë e tyre edhe Hatixhe Xani, Zyhdi Dervishi, Teuta Haziri, Elhane Gjyrevci, Emine Hoti e Bahtije Breznica. Ndërsa çmimi për librin më të mirë të vitit iu dha autorit Hamit Gurguri. Veprimtaria vazhdoi edhe me promovimin e librave të 13 autorëve, për të cilët referuan shkurtimisht 13 krijues të ndryshëm.
Organizatorët kishin menduar edhe për momentin kur sofra simbolike duhej kthyer ne sofër të vërtetë dhe shtruan një drekë të këndshme për të gjithë pjesëmarrësit në festivalin poetik.
2.
Grupi ynë përfaqësues nga Italia ishte ftuar jo vetëm për pjesëmarrjen në festivalin poetik, por edhe për njohje me drejtues të shoqatave shqiptare në Suedi dhe lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me to. Pas mbarimit të festivalit poetik, pjesëmarrësit ndalen edhe në këtë event të veçantë. Ata ndjekin me interesim ekapozenë që bëj unë lidhur me krijimin, organizimin dhe veprimtarinë e gjerë të federatës FNAI në Itali, për interesimin që ajo ka ngjallur edhe në Shqipëri, Kosovë, tek shqiptarët e Amerikës, të Austrisë e të vendeve të tjera ku ka emigrantë, për lidhjen e bashkëpunimit me Federatën e Shoqatave Shqiptare në Greqi etj. Ndërsa anëtarja e komisionit të organizimit, Brunilda Diko foli për aktivitetin e vazhdueshëm të shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emilia, meqenëse kryetari i saj, Haki Maze, që ishte prezent dhe pjesëtar i grupit përfaqësues, kishte probleme me zërin për momentin.
Pas ekspozesë sonë, kryetari i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi, foli për veprimtarinë e shoqatave shqiptare në Suedi dhe lexoi tekstin e marrëveshjes për bashkëpunim me federatën tonë. Kjo marrëveshje u firmos në prani të pjesëmarrësve dhe u duartrokit prej tyre.
Menjëherë pas nënshkrimit, na u afruan Emine Hoti dhe aktiviste të tjera nga Norvegjia, të cilat na ftuan që në një moment tjetër të shkojmë edhe tek ata për të lidhur marrëveshje bashkëpunimi. Janë momente të bukura, të cilat afrojnë dhe lidhin njerëz e shoqata që punojnë për të njëjtat qëllime e objektiva, pavarësisht largësisë territoriale ku jetojnë e veprojnë.
3.
Gjatë drekës, kryetarja e komunës, Ida Legnemark, më pyeti nëse do të rrinim ndonjë ditë në Boras dhe na ftoi që ta vizitonim këtë qytet të veçantë, që këtu njihet si qytet i tekstileve. Dhe ne në fakt të nesërmen ja kushtuam pikërisht vizitës në këtë qytet të bukur.
Më kishin bërë përshtypje që në mbërritje shtëpitë karakteristike skandinave të shpërndara mes pyjeve, ku pishat dhe mështeknat jetojnë në një harmoni të plotë, madje duket sikur as nuk e konkurojnë njëra-tjetrën në lartësi. Pyje të bukura, ku jetojnë shumë drerë. Madje edhe makinat që lëvizin natën janë të pajisura me fenerë të veçantë për drerët që mund të të ndërpresin rrugën papritur. Nga dritarja e hotelit ku jemi sistemuar, shikoj një liqen të vogël akullnajor që i jep bukuri të veçantë pejsazhit përreth. Shtëpitë buzë tij duken edhe më të bukura e me ngjyra si shtëpi kukullash. Nuk ka ndërtesa të larta.
Maksimumi 3-4 kate, të shpërndara në oaze gjelbërimi, që është i pranishëm kudo, deri mbi çatitë e shtëpive e ballkonet e tyre. Ngado pamja është çlodhëse për syrin, ambienti shumë i pastër, nuk ndihet stresi i trafikut dhe i zhurmave të rrugës. Ngado pista për biçikleta, për këmbësorë, kënde lojrash për fëmijë. Skulptura shumë e lartë e Pinokut, vendosur mes gjelbërimit, dhuruar qytetit Boras nga skulptori amerikan Jim Dine, të kujton se jemi pak a shumë në viset e përrallave nordike, ku fëmijët janë përherë në qendër të vëmendjes.
Sokoli, Hamiti dhe i palodhuri Bahtir Latifi, kanë marrë përsipër të na njohin me qytetin Boras. Ata na shoqërojnë në Ramnapark, i cili ndodhet përtej një lumi që përshkon qytetin. Tek parku, një liqen i vogël por i bukur si një pikë loti, që u është lënë i tëri shpendëve. Aty shpendët janë zotër të ajrit dhe të ujit. Madje edhe pemët e bukura që i varin degët gjer tek pasqyra e ujit, duket sikur janë bërë për të qenë mbështetja më e mirë për shpendët. Sa shumë na duhet të mësojmë nga bota në organizimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve të tilla, ku natyra mund të shprehë vetëm mirënjohje për dorën e kujdesshme dhe fantazinë poetike të njeriut.
Rruga ngjitet përmes pishash e mështeknash një kodre të butë e piktoreske. Tërheqin vëmendjen një kishë e vogël, por e bukur me figurën e një këmbane të bërë në skulpturë dhe dy ndërtesa shumë të vjetra e të ulëta, që u ka mbirë bari mbi çati. Janë aq të ulta, sa duhet të përkulesh shumë për të kapërcyer pragun. Brenda tyre vegla pune, por edhe enë kuzhine të 300-400 viteve më parë, që dëshmojnë se si jetohej në këto zona para 3-4 shekujsh. Sokoli na shpjegon se të gjitha shkollat e qytetit e kanë të detyruar në program që të sjellin herë pas here këtu nxënësit në mënyrë të organizuar për të zhvilluar orë mësimi në natyrë, që nxënësit të prekin me dorë realitetin e së kaluarës, i cili fiksohet më mirë në kujtesë nëpërmjet objekteve konkrete.
Ndihemi si në përralla. Hakiu e Bruna nuk pushojnë së fotografuari. Lili, e mahnitur nga bukuritë, i ka lënë mënjanë për një çast batutat e saj humoristike. Griselda, pak melankolike, më kërkon t’i bëj foto në kënde të ndryshme të atij ambienti magjepsës. Rozi ka harruar për një çast bukuritë e shijuara në Amerikë dhe kërkon të fiksojë si në kartolina bukuritë e pejsazhit. Nuriu, Vironi e Zyhdiu vështrojnë e nuk kanë të ngopur me këto bukuri që ofron natyra dhe dora e njeriut suedez.
Pas parkut bëjmë një vizitë në studiot e Radios “Dituria”, e cila është në ndihmë të emigrantëve shqiptarë në zonë. Ajo është shprehje e kujdesit të pushtetit lokal, që emigrantët të kenë edhe mediat e tyre dhe kjo radio është bërë një zë i fuqishëm, që përhap fjalën dhe muzikën shqiptare deri në viset më të largëta, kudo ku ka shqiptarë.
Pas një dreke mes bashkëatdhetarësh, bëjmë një vizitë në qendrat tregtare të qytetit, për të blerë ndonjë souvenir dhe në qendrën e tij ku janë ambientet universitare, biblioteka etj. Përpara bibliotekës tërheq vëmendjen skulptura e studentit të lodhur, që ia ka futur një gjumi për shtatë palë qejfe në natyrë. Më tej një skulpturë prej hekuri e përbërë e tëra prej shkronjash, që paraqet figurën e një studenti me gjunjët të mbledhur e të përqëndruar në mendime.
Gjatë qëndrimit në Boras na bëri përshtypje edhe fakti që edhe në lokale për të ngrënë nuk tregëtoheshin pije alkoolike me përjashtim të birrës me një përqindje dy gradë të nivelit të alkoolit. Domethënë pak më shumë se uji i gazuar, do të qeshnim ne. Dhe ujë kishte në shitje vetëm të gazuar, sepse uji natyral pihej direkt nga çezmat e nuk kishte nevojë të blihej.
4.
Ditën e fundit bëmë një shetitje në qytetin e Goteborgut. Në fakt me këtë qytet patëm kontaktin e parë, që në mbrëmjen kur arritëm. Tek zbrisnim me avion drejt aeroportit Landverten, na tërhiqnin vëmendjen shumë liqene të vegjël akullnajorë mes pyjesh të dendur e të gjelbër. Aq shumë liqene sa nuk e merrje vesh nëse avioni do ulej në tokë apo do kthehej në hidroplan e do ulej në ujë.
Në aeroport na priti miku im i hershëm me të cilin jemi njohur që në qytetin e Shkodrës, mjeku Bledar Daka. Kishim shumë vite pa u parë, që kur ai mbaroi studimet në Bolonjë dhe u vendos në Suedi. Ai na fton me dashamirësi për darkë në shtëpinë e tij.
Bashkëshortja e tij, Rezarta, ka bërë të gjitha përgatitjet prej amviseje shqiptare për një pritje të bukur e tradicionale. Bledi ka zgjedhur verëra të mira franceze, duke ditur pasionin tim për verërat. Vajza e tij e madhe, Jona, e cila ka lindur këtu, por që e flet shumë mirë shqipen, ka pasion të veçantë vizatimin dhe këngën. Për nderin tonë si mysafirë ajo interpreton bukur këngën shkodrane “Luleborë” dhe këndon me dashuri të veçantë Himnin e Flamurit.
Bledari me familjen e tij janë integruar shumë mirë këtu. Ai ka mbaruar disa specializime në profesion e tij të mjekut, madje një prej tyre edhe në Amerikë e tani jep edhe leksione në universitet. Ndërsa Rezarta punon si avokate. U gjendëm mjaft mirë në mikpritjen e tyre dhe në mjedisin e një familjeje të vërtetë intelektuale.
Në ato orë që kishim në dispozicion vizituam qendrën historike të qytetit, me ato ndërtesat e rrugët karakteristike skandinave, lumin që e përshkon qytetin, portin, që është nga më tëp mëdhenjtë në Europë. Diku është një monument i një luftëtari në kalë e Lili na fton të bëjmë një foto tek “Skënderbeu suedez”, siç shprehet ajo. Qyteti ka mbi gjzsmë milioni banorë dhe është i dyti pas kryeqytetit Stokholm. Rrugët e qeta, parqet e gjelbërta, një diell i bukur pas shiut që ka rënë gjatë natës e bëjnë qytetin edhe më të ngrohtë e më tërheqës për sytë e vizitorit.
Ishin të shkurtra ditët suedeze të grupit tonë. Por mbresat që merrnim me vete ishin të shumta nga kjo vizitë e parë në gadishullin skandinav.
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar