Poezi nga Ndue Lazri

0
821
Ndue Lazri

KA BUZË…

Ka buzë që dinë të flasin
e ta ka ënda t’i dëgjosh,
ka buzë që dinë të heshtin
e në heshtje t’i adhurosh.

Ka buzë që qeshin ëmbël
e ëmbëlsisht të nxisin të qeshësh,
ka buzë që puthin magjishëm
e magjishëm të bëjnë të vdesësh.

Ka buzë, eh buzë ka çdo grua,
që shpërthejnë në vaj apo gas,
por janë dhe buzët e tua,
që gjithë buzët e tjera i lënë pas…

PASWORD

Kur bie mbrëmja trurin e mbyll në qeli,
ja heq të drejtën për të të menduar,
portat e shtigjet që e çojnë tek ti,
ja mbyll me pasword të ndërlikuar.

Por zgjohem natën dhe e kap në befasi,
tek bisedon me ty e vargje të kushton,
se si e thyen paswordin vetëm ti e di,
e hapësirat e trurit vjen m’i pushton.

Atëherë i drejtohem zemrës me pak fjalë:
Të lutem, ti mos u merr me këtë punë,
ajo, me naze, më përgjigjet ngadalë:
Për kë e kur rrah e di vetëm unë.

SYRI YT I ZI
Motiv popullor

Ra vesë e mëngjesit, mbi qerpikë të ndali,
dielli i hutuar s’doli që nga mali,
gjerdani i bukur gushës seç u shkri,
nga prushi i nxehtë, që ndizej në gji.

Desha që ta pija vesën mbi qerpikë,
flakë e syrit tënd seç më kallte frikë,
herë vështronte ëmbël, herë me të qortuar:
-s’ke moshë të vraposh, merre pak më shtruar…

Dale moj syzezë, s’më paske kuptuar,
kur e do adeti e marrim dhe shtruar,
nuk kam moshë për vrap, por prapa nuk mbetem,
o e pi atë vesë, o si vesa tretem…

PRITJE
Sipas një motivi rus

Pritmë ti, e dashur, prit
siç di t’presësh ti,
krejt papritmas unë një ditë,
tek ti do të vij.
Në të thonë se t’kam tradhëtuar,
ta thonë për zili,
veç me ty jam dashuruar
ndaj do vij tek ti.
Në të thonë se jam zhdukur,
ti mos u mërzit,
vish fustanin më të bukur
e n’ballkon më prit.
Në të thonë se paskam vdekur,
jo, ti mos beso,
do gërryej baltë e hekur,
do vij domosdo.
Do vij me hov djaloshar,
herët në mëngjes,
të të puth me vrull, me zjarr,
pastaj le të vdes.