Ndue Lazri
– Nga takimi në shkollën 9-vjeçare, Lalm, Vaqar, Tiranë –
E prita me kënaqësi ftesën e mikes sime, poetes Lumturi Ymeri, për të bërë një takim dhe bisedë mbi letërsinë dhe gazetarinë me nxënësit e shkollës ku ajo punon. Dija që para meje kishin qenë edhe miq e kolegë të mi krijues, madje edhe emra shumë të njohur si poeti dhe kineasti Petrit Ruka etj. Ata kishin mbetur të kënaqur dhe të befasuar nga përgatitja e nxënësve dhe përkujdesja dhe niveli profesional në organizim i mësueses së letërsisë, Shpresa Kapaj. Ndaj e prisja jo pa emocion këtë takim.
Pritja e ngrohtë e drejtorit të shkollës, Dr Agron Banushi dhe e mësuesve të tjerë, buqeta me lule që më dhuruan në hyrje të klasës ku do bëhej takimi, pjesëmarrja e gjerë e nxënësve nga klasa e pestë deri tek e nënta, ishin mbresat e para të këndshme të përziera me emocion. Por shpejt takimi u kthye në një bashkëbisedim të hapur dhe emocionet sikur u larguan nga klasa ku ishim mbledhur.
Mësuesja e letërsisë kishte zgjedhur disa poezi nga vëllimi im “Të duash Ty”, të cilat u recituan bukur e në mënyrë emocionuese nga nxënësit e klasave të ndryshme. Pastaj ata kërkuan të flisja diçka nga jeta ime profesionale si gazetar, nga krijimtaria artistike në poezi e në prozë, nga jeta në emigracion, madje edhe për veprimtaritë e Federatës FNAI në shërbim të kulturës, historisë, traditave e gjuhës amtare.
Pas prezantimit tim të shkurtër, filloi “breshëria” befasuese e pyetjeve nga ana e nxënësve. Nga pyetjet e tyre kuptova nivelin e lartë të përgatitjes në lëndën e letërsisë, interesimin e tyre për artin e letërsinë, por edhe për gazetarinë. Pyetjet ishin spontane, të bukura, të gjetura, që hapnin horizont për një bashkëbisedim të lirë e të natyrshëm. Meqenëse libri im ka kryesisht lirika dashurie, pyetjet e tyre u drejtuan edhe në këtë fushë, pra si konceptohej dashuria në kohën e rinisë sonë, si kishte lindur ajo mes meje dhe bashkëshortes, cilët ishin ata faktorë që e mbajnë këtë dashuri edhe pas dyzet vjet martese etj. Nuk munguan pyetjet edhe se si e vështron një emigrant situatën e zhvillimeve ekonomike e politike në Atdhe etj.
Nga pyetjet e tyre kuptova se takime të tilla ata i marrin me shumë seriozitet, përgatiten, njihen që më parë me jetën e krijuesit apo artistit me të cilin do të takohen, nuk ia lënë asgjë formalitetit, janë bashkëbisedues aktivë dhe me horizont. Kjo është edhe meritë e mësueses së letërsisë, e poetes Lumturi Ymeri që bashkëpunon me këtë mësuese e me kolektivin pedagogjik dhe i kthejnë këto takime jo vetëm në momente feste të gëzueshme, por edhe në një event të dobishëm për përgatitjen kulturore të nxënësve të tyre. Takimi vazhdoi mbi dy orë e do të kishte vazhduar edhe më tej, po të ndiqje dëshirën që shprehej në sytë e nxënësve.
Pas takimit në shkollë u gjendëm në mikpritjen e ngrohtë të familjes Ymeri. Lumturia, bashkëshorti i saj, Iliri dhe vajza e tyre Bersa, krijuan një ambient të ngrohtë në shtëpinë e tyre, ku provuam prodhime të oborrit të tyre. Mikpritje e ngrohtë tradicionale shqiptare. Pastaj shkuam për një vizitë në Pezë, pranë memorialit dhe shtëpisë ku u mbajt Konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, si dhe në mjediset e këndshme e parkun e gjelbër përreth.
Ishte një ditë me emocione të bukura, të cilat do t’i ruaj gjatë në kujtesë dhe që i bëjnë mirë çdo krijuesi.
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar