Shkruan Prof. Zymer Mehani
Bërthama kryesore motivore në përmbledhjen “Valët e jetës” të poetit mërgimtar z. Sahit Shala është jeta e shqiptarëve, kudo që jetojnë, si në atdhe, ashtu edhe të mërguar larg atdheut dhe fati i tyre. Por ky motiv qendror i këtij vëllimi poetik degëzohet në disa variante, duke i formuar këto cikle: mërgimtare, atdhetare, rrëfimtare, të dashurisë dhe vargje për fëmijë. Disa poezi të poetit Shala nuk jan regjistrim i thjeshtë i dukurive shoqërore në realitetin aktual, por janë bartëse të porosive të përgjithshme, universale dhe mbarënjerëzore.
Poeti Sahit Shala në krijimtarinë e vet është mbështetur në poezinë bashkëkohore, edhe në raport me leksikun, por edhe me ekspresivitetin. Por, ky poet, megjithatë e ndjek në mënyrë epigone pasurinë stilistike të poezisë bashkëkohore shqiptare.
Në planin ideor, poeti Sahit Shala, heroin kryesor lirik nuk e ka portretizuar në një formë të përfunduar, por në zhvillim: prej një qytetari të poshtëruar në atdhe nga regjimi antishqiptar, ai rritet në një luftëtar aktiv për kombin dhe atdheun dhe për drejtësi shoqërore dhe jetë të lirë.
Poezia e parë “O ju bij” me të cilën fillon përmbledhja “Valët e jetës” mund të trajtohet si rezultat krijues i brengës të shtresuar me vite në shpirtin e poetit, për fatin e atdheut dhe të brajktisjes nga qytetari ynë. Poeti frikohet se:
Për pak vjet do zbrazet vendi
S’ka kush mbjell e s’ka kush korrë
A thua juve ku ju jetë vendi
Nëse ju flet dikush me gojë?
Mendojmë se nga të gjitha porositë e poetit Sahit Shala, që rrezatojnë me aq sugjerime dhe aq përcaktueshëm në krijimtarinë e tij të gjithmbarshme letrare, si moto duhet ta veçojmë besimin e tij të pakufishëm në qytetarin shqiptar dhe në njeriun e thjeshtë, por të mbrumur me atdhedashuri . Mjafton t’i rikujtojmë vargjet:
Unë, ti edhe Ai,
Ne, Ju dhe Ata,
Njerëz jemi.
Sot flet shpirti i Skënderit
E i Idriz Seferit,
I Bajos e i Çerçizit,
Shpirti i Rrapos,
Hasan Prishtinës.
Ismaili, Isai, Atë Gjergj Fishta,
Çajupi, Noli e Migjeni
Jemi ne!
ku fare qartë duket dëshira e poetit që qytetari ynë kurrë të mos e harrojë të kaluarën e popullit të tij.
Duke e rikujtuar përmes këtij vështrimi tim të shkurtër poezinë e poetit Sahit Shala, nuk mund të mos i bashkohemi gëzimit të nxënësve shqiptarë anembanë Shqipërisë natyrale, për donacionin që këtyre ditëve ua dërgoi poeti Shala (800 ekzemplarë të librave të tij) nëpër bibliotekat e tyre shkollore. Ne në emrin tonë dhe të nxënësve shqiptarë, zotëriut Sahit Shala i themi me dorë në zemër: JU FALEMINDERITPËR DHURATËN, XHAXHI POET!