NË GJURMËT E NJË BOTIMI TË RI, PËR FEMRAT KRIJUESE…

0
1100
Bardhyl Xhama - Murat Gecaj - Sejdo Harka

(Shënime, për librin e Prof. Murat Gecaj, “Kur flasin zemrat…”)

Nga: SEJDO HARKA, publicist e studiues

“Kur flasin zemrat…”, ky është titulli i librit të 15-të, me të cilin rishfaqet përsëri para lexuesve, publicisti dhe studiuesi i njohur, prof. Murat Gecaj. Dy librat e tij të fundit i lidh ngusht, jo vetëm protagonizmi i femrës shqiptare, si krijuese e veprimtare, por dhe stili dhe gjuha. Veprimtaria e tyre nuk mbyllet brenda kufijve tanë, por shtrihet në tërë botën, deri në Amerikën e largët. Ato largohen nga Shqipëria, sa herë ndjejnë ”brymën” metaforike, ashtu si dallëndyshet, që kërkojnë vise më të ngrohta, për të jetuar të lumtura dhe të lira dhe rikthehen përsëri, duke marrë me vete “copëza dielli” për të shkrirë “brymën e ngricave “ të kohës. Janë gratë dhe vajzat tona ato, që “përkundin në djep jetën dhe vrasin krimin dhe egërsinë”.

Ato janë të shumta, por në këto shënime të shkurtëra, do të bëjmë objekt veprimtarinë krijuese dhe shoqërore të disa prej tyre, që zënë vend të dukshëm në librn“Kur flasin zemrat…”. Pas këtij titulli domethënës, fshihet bota e madhe e femrës shqiptare. Kur flet ajo, edhe portat çelin zemrat, edhe bota fillon të lulëzojë, edhe jeta fillon të gjallërojë.

* * *

Shkrimet e këtij libri janë të shumtë dhe të larmishëm. Në të ka biseda të ngrohta dhe skica e përshkrime, esse e analiza dhe përgjithësime për probleme të ndryshme të personalitetit krijues dhe artistik të tyre Siç thotë autori, në hyrjen e librit, ato u ngjajnë ujëvarave, që zbresin me shpjetësi nga bjeshkët e larta dhe hyjnë natyrshëm në mendjen dhe zemrat e lexuesve. Në tematikën e krijimtarisë së tyre zë vend atdhedashuria dhe guximi, shpresa dhe ëndrra, dashuria dhe liria, tradhëtia dhe flijimi, protesta dhe vetëemancipimi…

Njëra nga krijueset më të mira të diasporës shqiptare, që zë vend të dukshëm në këtë libër, është shkrimtarja Albana Ponari, e cila sot punon e jeton në Milano të Italisë. Vendin kryesor në problematikën e krijimtarisë së saj poetike e zë Atdheu dhe dashuria për vendlindjen. Në vëllimin “Larg, m’u tret vështrimi…”, ajo shpreh dhimbjen për largimin nga Shqipëria. Për të vendlindja është dhe mbetet “zanë mali”, që nuk e këmben me asnjë vend tjetër, sepse ajo ruan të gjalla peshën e ëndrrave dhe vlagun e zemrave. Një vend të dukshëm në krijimtarinë poetike të A. Ponarit zë tema shoqërore dhe ajo filozofike.

Në poezinë “Nuk jam statujë!”, ajo trajton temën e lirisë.Poetja nuk mund ta pranojë kurrë skllavërinë. Ajo nuk mund të jetë një statujë, pa mend e shpirt,. Jo vetëm di t’i dalë zot vetës, por dhe t’i prijë shoqërisë përpara. Prandaj e quan vetën “qendër të Universit, që ndriçon edhe errësirën, brenda shpirtit…”

Një vend të rëndësishëm në këtë libër zë shkrimtarja Vojsava Nelo. Përmes analizës e bisedës me të, autori M. Gecaj bën portretin e saj krijues. Krijimtaria e saj ka tërhequr vëmendjen e kritikës letrare, ndër vite. Dritëro Agolli, duke u ndalur te veçoritë e krijimtarisë së saj poetike, ndër të tjerash thekson: “Vojsava Nelo është një poete me origjinalitet të veçantë. Poezia e saj rrjedh natyrshëm dhe bukur”.

Libri i parë, “Kur çelin ëndrrat”, është botuar, që kur ajo ishte në bankat e shkollës. Ëndrrat e saj të bukura rinore, do të ktheheshin në energji të pashtershme, për të ecur përpara. Më pas, Vojsava botoi edhe pesë vëllime të tjera me poezi. Për të, poezia është universi i brendshëm, është forca dhe zemra, është guximi dhe kënga. Për autorin e këtij libri, V. Nelo është një zë original edhe në gjininë e romanit. Një nga romanet e saj më të bukura, është “Gruaja me të zeza”, botuar kohët e fundit. Në themel të tij është sentenca filozofike e V.Hygoit: “…Njeriu shpesh gjen gjëra të mbytura më thellë se në fund të detit”.

Në këtë libër autori ndalet, edhe te krijimtaria poetike e Pranvera Gjonit, e cila sot punon e jeton në Belgjikë. Por ajo kurrë nuk ndahet nga Shqipëria, sepse Atdheu, për të është “eklipsi i dhimbjeve”, që nuk e kanë gjunjëzuar asnjëherë. Këndvështrimi poetik, mesazhet, që ajo u përçon lexuesve, ka bërë që, ajo nderohet me Çmimin “Nënë Tereza”.

Mjaft intresante janë vlerësimet e autorit të këtij libri edhe për krijuesen Luljeta Gjosha-Pashollari. Vëllimi më i bukur i saj, “Jargavanët e shpirtit”, mban brenda një dhimbje të fuqishme. Atë, ajo e shpreh më qartë në poezinë “Përse e bëre zemrën gur?!”, që ruan brenda helmin e dhimbjes e të trishtimit, për humbjen e papritur, në një aksident, të bashkëshortit të saj, në një moshë fare të re. Ajo i drejtohet atij me pyetjet retorike: “Ç’u bë dashuria, që patëm,?! / U kthye në ajsberg,/ apo në qiell lundron, tani…/Më dërgo, të lutem, një shenjë, nga qielli blu!”

Kozeta Zylo, e cila jeton e punon në Nju Jork, është një krijuese tjetër shumëplanëshe. Përmes poezive të bukura, ajo dëshiron të na përcjellë, “Një fjongo, nga dielli i Nju Jorkut”. Me vargjet: “O, jeta ime!…/Mbushmë, shtërngomë,/ në krahët e vdekjes, vonë lshomë!”, përçon mesazhe jete dhe gëzimi. Kozeta shkruan shpesh dhe esse, kritika e refleksione shpirtërore. Ndaj, nga Bashkia e qytetit, ku banon, ka marrë vlerësimin, “Gruaja guximtare …”

Një bisedë e këndshme e autorit, që pasqyrohet në këtë libër, është ajo me poeten Vjollca Ajasllari-Koni, me origjinë nga fshati Grevë i Skraparit, që shtrihet në këmbët e malit të shenjtë të Tomorrit. Edhe pse tani jeton e punon larg vendlindjes, në Vienë të Austrisë, ajo nuk ndahet kurrë nga Shqipëria. Njeri nga librat e saj më të bukura me poezi është ai me titull “Ti, qindëvjetësh…”, redaktuar nga shkrimtari Agron Shele. Largimin nga Atdheu, ajo e ka mbushur me dhimbje, mall e dashuri të pafundme.

Ja si u këndon luleve shumëngjyrëshe dhe erëmira të Tomorrit: “Dil një çikë, të shoh,/se më mori malli,/lule Shqipërie,/mbirë rrëzë atij mali!” Vend të veçantë në krijimtarinë e saj zenë edhe poezitë për dashurinë. Mjafton të citojmë vargjet brilante: ‘O, moj sheg’ e kuqe,/ mos më rri mbi degë,/ se më treti malli,/ moj, e ëmbla shegë!”, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një poete me frymëzim të bukur e spontan, me ngjyrime të forta popullore.

Në rubrikën “Miq, në librin tim”, përveç shkrimit për krijimtarinë e poetes së re Merita Gjoni-Gjoka, jepen vlerësime edhe për vëllimin poetik, “Unë, gruaja”, të poetes Reshida Çoba, me banim në Kaliforni. Vargjet e saj janë sa të thjeshtë, aq dhe magjikë. Nëpërmjet tyre ajo vret frikën dhe trishtimin, urretjen dhe përçmimin, për të mbjellë dashurinë dhe gëzimin. Krijimtaria e saj poetike është një sfidë ndaj maskilizmit dhe krimeve të sotme, ndaj femrës shqiptare. Sytë e dashuruar të gruas mbajnë brenda edhe qiellin, edhe rrufenë, edhe ylberin, edhe egërsinë, edhe sinqeritetin, edhe bukurinë.

Së fundi, mund të themi se libri publicistik “Kur flasin zemrat”, është një buqetë e bukur me lule të freskëta, që publicisti i njohur Murat Gecaj, (këto ditë festoi ditëlindjen e tij), ua dhuron krijueseve tona, duke i nxitur që të ecin të sigurta, më tej, në rrugën e bukur të krijimtarisë.

Tiranë, mars 2017