A’H SIKUR…! dhe MEHMET SHPENDI – poezi nga Lulash Ara

0
1930
Lulash Ara

Lulash Ara

A’H SIKUR…!

A’h sikur, a’h sikur
Të kisha pranë si dikur
Të mbaja në prëhrin tim
Si dikur o shpirti im.

A’h sikur, sikur selvi
Të kemë pranë, të marr në gji
Si dikur kur ishim të ri
E të puth me ëmbëlsi.

Sikur të ishe afër meje
Të këndoje, të kërceje
Si dikur ta dridhje belin
Duke tundur kaqurrelin.

A’h sikur moj lulja e blinit
Moj drenush e Dukagjinit
Dhe një herë pranë ty të kisha
Sa i lumtur do të isha.

Një nga një po ikun vitet
Por malli sa vjen e rritet
Që të jemë bashkë si dikur
a’h sikur, a’h sikur….!
— — — — — — — — — — —
Lulash Ara

MEHMET SHPENDI

Me lahutën e malësisë
Po dua këngës me ja nisë
Me ja nisë e mos me u ndalë
Për një trim në Pecaj – Shalë
Burrë kreshnik e atdhetarë
Mehmet Shpendi derë e parë
Djemnisë Shalës i ka pri
Në luftë me turk e Mal të Zi.

Me ushtri vetë Tergut pasha
Ka kalue shumë male e qafa
Prej Sulltanit marrë bekimin
Me qitë fare Dukagjinin
Që si bindet hyqymetit
Si përulet asnjë mbretit
S’jep haraç, as çon nizam
Në trojet veta s’don islam.

Në qafë të Agrit pushka krisi
Gjëmojnë malet, lufta nisi
Mehmet Shpendi me djemni
Atë Prel Tulin ka përbri
Dy dragoj, dy shqipe mali
Gjylja e topit s’mund ti ndali
Rritë në bjeshkë me orë e zana
Me shtatë zëmra i patë lindë nana.

20 ditë lufta vazhdoj
U derdh gjak e ranë heroj
Tergut pasha në gjunjë ka ra
Shumë asqeri ju ka vra
Ban duva, ka nisë me u falë
Thot i gjallë a mujë me dalë
Çka ka lypë e ka marrë hak
Me u kthye mrapa i duket pak.

Mark Milani i Malit Zi
Dukagjinin e ka mësy
Kërset pushka e derdhet gjak
Për liri e për bajrak
Mehmet Shpendi, gjenerali
S’don me ditë se kush është krajli
Rrebtë ja qetë flakën grykhollës
Mbi ushtrinë e krajl Nikollës.

Krajl Nikolla faqezi
I pabesë e i pa burrni
Po çon fjalë prej në Cerna Gorë
Me ba paçe me malësorë
Përmbi Plan kanë lanë takimin
Me ushtri ka ba rrethimin
Mehmet Shpëndin vret mbas shpine
E 70 të tjerë prej kësaj krahine.

Pak pa vdekë ai paska thanë
Tokë e qiell ja u la dorzanë
Mos me i zanë kurr besë armikut
Me i dhanë plumba prej çelikut
Mehmet Shpëndi legjendari
Do kujtohet djalë pas djali
Djalë pas djali do kujtohet
Gjithmonë kënga do ti këndohet.
— — — — — — — — — — — — — — —

KRENARIJA E SHQIPETARËVE

Zot i madh të qoftë lavdi
Që na jep ne shumë mirësi
Dhe pse jemi mekatarë
Inatëxhorë edhe tinzarë
Duke u marrë me gjëra kote
Duke dalë nga rruga e jote
Njëri – tjetrin tuj urrye
Ecim shpesh ne rrugë pa krye.

Por ti prap na meshiron
Ti na falë e na afron
Na jep doren, na çelë fatin
Jep mundesi të lajmë mekatin
Ti sundon gjithçka në ketë botë
Por je i dashur, meshirplotë
Që në zëmer ta mbajmë shpresen
Na dergove Nënë Terezen.

Si një yllë që bjen nga qielli
Por që shendrit më shumë se dielli
Lindi e u rritë kjo bijë shqipetare
Kjo shëjtëresh, kjo nënë bujare
Nuk u lodhë kurrë ditë as natë
Fjalen e Zotit tuj perhapë
Na tregoj rruget e shpetimit
U ba nëna e gjithë njerzimit.

Kudo shkoj neper planet
Zoti i madh i dha pushtet
Hapi qëndra bamirsije
Mijra njerzë shpëtoj urije
Predikoj fjalen e Zotit
Anembanë në çdo skaj të globit
Paqe e dritë gjithkun tuj çue
Me çmim nobel u vlersue.

Gonxheja, kjo bijë e shqipes
Shkëlqen sot si ylli i drites
Leshon rreze mbi njerzimin
Na keshillon, na jep bekimin
Që ta duajmë njëri – tjetrin
Ti duajmë prinderit, ta duajmë të vjetrin
Pa dallim feje e kombi
Ta çojmë mëndjen te gjithë te Zoti.

Kudo në botë ku ka shqiptarë
E ndiejmë veten shumë krenarë
Që nga shqipja me shumë halle
Lindi e u rritë kjo nënë e madhe
Në gjithë boten e nderojnë
Ket shëjtëresh te tokes tonë
Që lavdin ma shumë na shton
Që me Zotin na bashkon.

Nënë Terezë o bija e jonë
Ti per ne lutu gjithmonë
Para Zotit na qajë hallin
Na ndihmo ta mposhtim djallin
Na jep paqe e bekim
Që mes nesh të ketë vllazerim
Na jep forcë e na jep shpresë
O e lumja Nënë Terezë.
– – – – – – – – – – – – – –
Lulash Ara

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar