VËSHTRIM PËR POEZINË E POETES MINIRE RUKOVCI-HYSENI…

0
998
Minire Rukovci

Shkruan prof. Zymer Mehani

Një jetën tonë letrare, poetja Minire Rukovci-Hyseni erdhi me përmbledhjen poetike “Sakrificë gërshetash”, në të cilën na e paraqet botën e saj poetike me rrjedha normale dhe me angazhim krijimtar të sintetizuar, me laryshi tematike dhe me artikulim poetik, të pajisur me motive dhe ide poetike të realizuara estetikisht.

Si për shumë poetë të tjerë, edhe për poeten Minire Rukovci, botë e madhe dhe temë tejet e veçantë edhe është vendlindja, së cilës i këndon me të gjitha problemet, kujtimet, ëndrrat, heroizmin e qëndresën nëpër shekuj deri më sot. Është kjo një botë poetike dhe një motiv i dashur për poeten, që vazhdimisht na përcjell në shumë poezi të përmbledhjes në fjalë:

O vendlindja ime je e shenjtë për mua
Shpirti më freskohet sa herë të kujtoj
Asnjë vend në botë sikur ty nuk dua
zemra më qetësohet sa herë të vizitoj
(“Vendlindja ime”)

Me dashuri të madhe poetja Rukovci do t’i përjetësojë në vargjet e veta edhe shumë figura dëshmorësh, siç janë Besnik Restelica, Naser Sekiraça, Muharrem Mehmeti, trimi Ukshin Kosumi, dëshmoret Ylfete Humolli e Antigona Fazliu etj.
Për Ylfeten poetja do të tregojë:

Në protestë e vranë të voglën Ylfete Humolli,
I tregoi armikut që s’do ta durojmë,
-Kështu vdesin bijtë dhe bijat e këtij trolli,
Por regjimin tuaj kurr s’do ta pranojmë.
(“Sakrificë gërshetash”)

Ndërsa për dëshmoren Antigonë Fazliu do të thotë se:

Luftoi sypatrembura e vogla Antigonë
Si një yll shëndriti në radhët e ushtrisë
Jetën që e fali për atdheun tonë
Kosova e quan “BUKUROSHJA E LIRISË”
(“Bukuroshja e lirisë”)

E për dëshmorin e lirisë, Muharrem Hyseni. Poetja Minire Rukovci do të sqarojë:

I riu Muharremi na shkruajti një letër,
Kosova jonë e dashur kërkoka pasuri tjetër.
-Ju përshëndes të gjithëve, më së shumti nënën,
Por s’mundem t’ia duroj më Kosovës gjëmën.
S’mund të qëndroj më këtu për t’fitua pare,
Dua t’i bashkohem Ushtrisë Çlirimtare.
(“Muharrem Mehmeti”)

E shtrirë tematikisht në disa rrathë preokupimi mbi një gurrë frymëzimi, poezia e poetes Minire Rukovci do të zërë të kridhet herë-herë edhe në kthim retrospektiv. Në këto suaza preokupimi krijues i kësaj poeteje do të përpiqet që t’i zgjerojë koordinatat e refleksivitetit dhe të emocionalitetit të vargut të saj. Kujtimet, ëndrrat, vetmia, dhembja, dashuria prindore, gjësendet e moçme, si llampa e kasollja do të bëhen fjalë kyçe të poezisë së autores.

Ja një kujtim i bukur nga e kaluara jonë, që çdonjërit prej nesh na mallëngjen:
Sa më pëlqen kur të shoh, moj llampë, Truri më sjell shumë kujtime, Sikur jam mes tridhjetë anëtarësh, Kur ka qenë fëmijëria ime!
(“Ah, moj llampë e moçme”)

Në vargjet e poetes Minire Rukovci vërehet qartë preokupimi imagjinativ me jetën në tërësinë e saj dhe në nuancat e mbajtjes së saj. Në disa poezi ky preokupim herë-herë merr edhe intonacion nostalgjik, por fatmirësisht asnjëherë nuk përshkohet me pesimizëm.
Ngase jeta identifikohet nëpër shumë forma të përmbajtjes së saj, në shumë sprova, shqetësime, vuajtje, dhembje, vizioni poetik i Minire Rukovcit ia del që t’ia kthejë jetës shpronësimin shpërtëror, ta vërë në lëvizje frymën qëndresatare për të vazhduar përpara pathyeshmërisht.

Në poezinë e Minire Rukovcit do ta hasim edhe motivin e qytetit, që është edhe preokupim poetik i poetes.

Në çdo familje gjenden
Nga dy-tri makina
Secili për vete
Do që të jetë pronar
Kështu është bllokuar
Pra edhe Prishtina
S’ke kah të kalosh
Zoti na bëftë çare
(“Si mund të ketë shëndet”)

Në disa poezi të poetes zëron edhe konfrontimi i heshtur i saj me aktualitetin tonë shoqëror, me sjelljet jo të mira të institucioneve drejtuese, me egoizmin dhe me keq-qeverisjen e liderëve tanë.

Zot ua pastro zemrat dhe nga truri kthjelli
Njerëzve të pamëshirshëm u fal pak mëshirë
Në radhë të parë liderët na i largo nga sherri
Të mirës po i thonë keq e të keqes mirë
(“Kosova me mjegull”)

Në shtegtimin e saj poetik, poetja Minire Rukovci i këndon edhe shpresës për një jetë të re dhe ëndrrës së papërfunduar për dashuri ndaj njeriut, ndaj atdheut dhe respektit ndaj dëshmorëve, duke u përpjekur që ta zbulojë e ta pasurojë kuptimin e jetës, duke mohuar vese dhe duke pranuar virtyte.

Gjuha e poezisë së poetes Minire Rukovci është poetike, letrarisht e ndërtuar mirë, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma, përveç dy poezive. Vargjet janë të thurura bukur me figuracion poetik.

Dhe krejt në fund, poetes Minire Rukovci ne i urojmë suksese të mëtejme në rrugëtimin e saj poetik me frymëzime të bardha, ndërsa ty lexues i dashur, të urojmë lexim të këndshëm kudo që të jesh!.

Podujevë, më 17 mars 2017