SA BUKUR, KUR PRINDËRIT I VESHIN FËMIJËT E TYRE, ME RROBA POPULLORE!

0
3217
Murat Gecaj, foto

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

1.
Kur ndodhesha në dyqanin “Veshje popullore”, në qendër të kryeqytetit, pra jo larg nga Hoteli “Tirana” dhe me pronar këngëtarin e mirënjohur Lekë Pecnikaj, m’u kujtuan disa episode nga jeta…

Në vitet ’70-të, të shekullit të kaluar, shërbeva 5 vjet kryeinspektor i kultures, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Detyra e kërkonte që të përgatisnim e të jepnim shfaqje të ndryshme, sidomos me raste festash. Me atë rast, djem e vajza, të bukur e të shkathët tropojanë, vishnin rroba të larmishme popullore. Hijeshinë e tyre e shikonin qindra artdashës të asaj krahine, plot tradita edhe në fushën e kultures e arteve. Jo vetëm unë, por dhe bashkëshortja, me profesion mësuese e gjuhës së huaj, ishim të lidhur ngusht me ato shfaqje.

Kështu, ajo ka përgatitur e venë në skenë valle të tilla të njohura, si: “Kërce, moj çikë”, “Vallja e gështenjave” (me kërcimtaret e vogla) etj. Në atë grup, me shumë valltarë virtuozë, ishtë edhe kërcimtarja shumë e njohur popullore, Xhevahirë Gashi, Laurate e Festivalit të Moskës dhe e disa festivaleve folklorike kombëtare. Vetë ajo ishte dhe është tani, qëndistare mjaft e aftë e veshjeve popullore, sidomos të krahinës së vendlindjes.

Ndoshta, këto janë arsyet kryesore edhe pse ne e vishnim vajzën tonë, kur ishte ende e vogël, me rrobat karakteristike të Tropojës. Por edhe kur u rikthyem në kryeqytet, me banim e punë në kryeqytet, dy djemtë tanë, nxënës në shkollën fillore e 8-vjeçare, merrnin pjesë aktive në ansamblin popullor “Tirana”. Aty, ata veshnin me dëshirë rroba popullore e kërcennin me zhdërvjelltësi valle, jo vetëm të Veriut, por dhe të krahinave të tjera. Fotografitë e fëmijëvë tanë, nga ato vite, ashtu me veshjet popullore, i ruajmë me kujdes e kënaqësi. Sepse, ne prindëërve dhe vetë atyre, na rikujtojnë atë kohë të bukur e të paharruar të jetës sonë.

Në hyrje të kësaj skice, po sjell në kujtesë edhe një episod tjetër. Para pak vitesh, bashkë me kolegun e mikun tim, arsimtarin veteran, nga Vlora dhe tani me banim familjarisht në Nju Jork, Qatip Mara, shkuam për një drakë, në lokalin “Tepelena” të kryeqytetit. Më bëri përshtypje, se aty e gjetëm kamarierin, që na shërbente, me veshje popullore të krahinës. Me kanaqësi, edhe ne u veshëm me rroba të tilla dhe bëmë disa fotografi, për kujtim. Më pas, unë publikova një shkrim, me titullin: “Kur t’u marrë malli për Tepelenën…”.

2.
Tani, po kthehem në një episod tjetër, konkret dhe të këtyre ditëve të fundit. Pra, kur po bisedoja në dyqanin e mësipërm me Dritën, aty erdhi një çift, bashkë me fëmijën e tyre. Pasi pyetën, se për cilat rroba interesoheshin, mësova që i jati ishte me origjinë nga Skrapari dhe donin ta vishin djalin e tyre, me rroba të asaj krahine. Vetë ky, me ata sytë e bukur e vezullues, i shikonte me kureshtje rrobat e veglat popullore, që ndodhenin aty. Pastaj, i prekte me dashuri e kënaqësi, me ato me duart e tij të vogla.

Kureshtjen e lexuesit të këtyre radhëve po e plotësoj, duke treguar se ata jetojnë në Tiranë, por mendjen dhe zemrën i kanë në vendet e origjinës së tyre. Kështu, i jati është nga fshati Dobrushë e Skraparit. Prandaj i kanë folur dhe e kanë edukuar vogëlushin e tyre, Alkeon, por dhe djalin tjetër, Elianin, nxënës i klasës së 5-të, me këto ndjenja të bukura e domethënëse. Konkretizim i këtij mendimi ishte se ata, aty në dyqan, zgjodhën pjesët e veshjes së asaj krahine të njohur, bashkë me opingat e qeleshen, bile dhe kërrabën. Pastaj, me të gjitha ato, e veshën djalin e tyre.

Me këtë rast, me aparatin tim, i bëra Alkeos një fotografi, ashtu të buzëqeshur e hijerëndë, si një “burrë” i madh. Me krenari, ai tha se është nga Skrapari, ku e ka vendlindjen i jati, Alket Kapllani. Po, vërejta se edhe mami i tij, Esmeralda, megjithëse me origjinë nga Lushnja, ishte shumë e interesuar, që djali i tyre t’i vishte ato rroba shumëngjyrëshe popullore.

…Me një qese të bukur në dorë, ku kishte futur rroba popullore të krahinës së Dobrushës së Skraparit, e përqafova dhe u ndava me vogëlushin Alkeo Kapllani, nxënës i klasës së parë-D, në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto” të Tiranës dhe me prindërit e tij. Duke i vështruar ata, ne të dy, kishim të drejtë, kur folëm e shprehëm këtë mendim, të cilin e vura titull të përafërt të kësaj skice të thjeshtë:

– Sa bukur është, kur prindërit i edukojnë dhe i veshin fëmijët, me rroba popullore të krahinës së tyre ose të krahinave tjera të Atdheut tonë! Se, kudo, ato i kemi trashëguar brez pas brezi dhe janë shumë të bukura, plot hijeshi…

Tiranë, 10 mars 2017