BOTIM ME VLERA SHUMËDIMENSIONALE

0
731
Dr. Nail Draga

Dr. Nail Draga

Hajrullah Hajdari, Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941, Botoi: Art Club, Ulqin, 2016

Trajtimi i temave qe ka të bëjë ne lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, vazhdimisht ka qenë intriguese për hulumtues fushave të ndryshme shkencore.Gamës së studimeve të tilla të publikuara vitëve të fundit ditë më parë i shtohet edhe libri Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941, nga autori H.Hajdari, botuar ditë më parë nga Art Club në Ulqin.Botimi në fjalë trajton pozitën kushtetuese-juridike me një vështrim retrospektiv, duke prezantuar çështjet përkatëse në mënyrë analitike dhe me një qasje profesionale, që paraqet botimin e parë në shqip në këtë aspekt tek ne në kohën e pluralizmit.

Pas pathënies në hyrje autori trajton aspektin gjeografik, historik dhe popullsinë e vendbanimeve shqiptare sipas shpërndarjës territoriale të viseve shqiptare në Mal të Zi, nga Ulqin në jug e deri në Rozhajë në veri. Ndërsa në pjesën e parë bëhët fjalë për rrethanat politike në Ballkan para Kongresit të Berlinit e pas tij, protestat e shqiptarëve kundër coptimit të trojeve të tyre, organizimi i mbrojtjës dhe kryengritjeve të ndryshme për mbrojtjën e tërësisë toksore shqiptare, që kulmon me formimin e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Me pas bëhët fjalë për luftërat ballaknike, Luftën e Parë Botërore, shpërnguljet dhe emigrimi i shqiptarëve si dhe kolonizimi i viseve shqiptare me popullsi sllave sikurse ishte rasti i qyteti i Ulqinit etj. Ndërsa në pjesën e dytë bëhët fjalë për rregullimin shtetëror të Malit të Zi si dhe pozita juridiko-kushtetuese e shqiptarëve në Mal të Zi.

Në përgjithësi autori trajton organizimin e pushtetit qendror dhe ati lokal me theks të veçantë në territoret e aneksuara ku bënin pjesë viset shqiptare, pastaj çështjet nga fusha e arsimit, liritë fetare, përfaqësimi i shqiptarëve, partitë politike të kohës dhe zgjedhjet lokale e parlamentare, padrejtësitë ndaj shqiptarëve, dëbimi dhe shpërngulja e tyre e çështje të tjera qe ishin në favor të politikës së pushtetit përkatësisht në funksion të shkombëtarizimit dhe asimilimit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.

Autori këtë studim e trajton në aspektin shumëdimensional, duke ofruar të dhëna historike, gjeografike, gjeopolitike, ekonomike, juridike, arsimore, kulturore etj. Një punë e tillë nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse i është dashur të konsultoj një literaturë profesionale nga autor të ndryshëm, e sidomos dokumente arkivore të cilat disa publikohen për herë të parë.

Objekti i këtij studimi është qendresa e shqiptarëve në Mal të Zi, përkundër diskriminimit të pushtetëve të kohës, si djegia e shtëpive dhe fshatrave të tëra, plaçkitjet, vrasjet, denimet, konvertimi me dhunë nga feja islame në ate pravosllave, deri të mohimi i të drejtave civile e politike, siç ishte mohimi i arsimit në gjuhën shqipe, mospunësimi në administratën publike, mospërfaqësimi në organët ligjvenëse, ekzekutive e gjyqësore dhe zhvillim jo adekuat i viseve shqiptare, veprime këto që si pasojë patën tentativat e politikave shtetërore për shkombëtarizimin dhe asimilimin e shqiptarëve në Mal të Zi.

Periudha kohore e trajtuar në këtë botim është e një rëndësie të veçantë historike për kombin shqiptarë në përgjithësi, e në veçanti për shqiptarët në Mal të Zi.Në këtë periudhë kohore, prej gjashtë dekadave, populli shqiptarë përjetoi shumë ngjarje të hidhura qe nga okupimi e aneksimi, që si pasojë patën copëtimin e trojeve shqiptare e deri të pavarësia e Shqipërisë me 1912, që për këtë periudhë paraqet aktin më të ndritshëm të historisë sonë kombëtare.

Krahas veprimeve përfide të pushtetit të kohës ndaj shqiptarëve përmes formave ligjore, autori trajton edhe format joligjore të cilat ishin në favor të politikës asimiliuese dhe humbjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi. Natyrisht këto veprime joligjore të pushtetit malazez kanë ndikuar drejtpërdrejtë në nivelin e të drejtave dhe lirive qytetare e më ketë edhe pozita kushtetuese juridike e politike e shqiptarëve në këtë mjedis. Një nder format direkte asimiluese ishte veprimi i pushtetit në deformimin e mbiemrave të shqiptarëve, duke iu vendosur prapashtesën sllave viq dhe iq. Ishte ky një veprim joligjor i imponuar pa vullnetin e popullsisë shqiptare, qe nuk kishte asnjë bazë juridike, pra nuk kishte as ligj apo urdhëresë të qeverisë. Megjithate, kjo ndodhte në çdo evidentim zyrtar administrativ apo gjyqësor, të regjistrave të ndryshëm ku shqiptarët evidentoheshin me prefiksin sllav, nga del se sipas të gjitha gjasave kemi pasur të bëjmë me direktiva sekrete të pushtetit.

Kështu duke filluar nga viti 1899, e sidomos nga viti 1904, një veprim i tillë asimilues ishte direktivë e pushtetit, nga del se shqiptarët prezentoheshin me identitetin e patronimit të sllavizuar. Ne lidhje me këtë dukuri asimiluese autori na ofron të dhëna për popullsinë shqiptare në vendbanimet krahinës së Krajës dhe të viseve tjera shqiptare që ka të bëjë me vitet 1904 dhe 1905.Ndërsa një dukuri e tillë e pushtetit nuk ishte aktive në qytetin e Ulqinit, sepse pushteti si duket ne ketë mjedis ishte me i kujdesshëm, por pas Luftës së Parë Botërore në rrethana të reja politike e shoqërore edhe këtu kjo formë e asimilimit mori përmasa shqetësuese. Në të njëjtën formë u vepru edhe me emërtimet e vendbanimeve shqiptare, duke i deformuar, përkthyer apo kriuar dubleta të panevojshme, me të vetmin qellim për të ndryshuar identitetin e tyre ne viset shqiptare.

Për këtë periudhë kohore të cilën e trajton autori, për ne shqiptarët përjashtim bën koha e Austro Hungarisë (1916 -1918) gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shqiptarët realizuan të drejtat të cilat i kishin të mohuara nga pushteti i Malit të Zi. Në këtë kohë pushteti austro-hungarez shqiptarëve iu siguroi të drejtat nacionale, duke iu hapur shkollat me mësim në gjuhën shqipe, vendosjesn e gjuhës shqipe në administratë, përdorimin e flamurit kombëtar, punësimin e shqiptarëve në sektorin shtetëror etj. Por, për fat të keq kjo kohë ishte e shkurtër dhe zgjati vetëm tre vite, sepse me pas ndaj shqiptarëve pushteti i kohës Mbretëria SKS veproi me të njëjtat metoda duke i trajtuar shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, duke legalizuar diskriminimin e përgjithshëm qe vazhdoi deri në vitin 1941, kur filloi Lufta e Dytë Botërore.

Duke lexuar këtë libër del qartë angazhimi dhe puna serioze e autorit duke ofruar të dhëna shumëplanëshe, në saj të shfrytëzimit të literaturës së publikuar, por edhe të dokumentave arkivore.Madje, një numër i tillë i dokumentave publikohen për herë të parë, qe ia rrisin vlerën këtij studimi. Çështjet e trajtuara në këtë botim, autori i trajton në kontekstin e kohës, duke demaskuar politikën diskriminuese të pushteteve përkatëse, duke ofruar të dhëna të cilat dëshmojnë strategjinë e pushtetit ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Andaj, është konstatim i pakontestueshëm se shqiptarët pas shkëputjes nga shteti amë përjetuan tragjedi të mëdha, nga ushtria serbo-malazeze, sepse përjetuan masakra e krime të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare, ndaj individëve dhe ndaj grupeve të tëra, me elemente të gjenocidit, që dëshmohet gjatë Luftërave Ballkanike 1912-13 dhe gjatë e pas Luftës së Parë Botërore. Një veprim i tillë gjenocidal prezentohet me dokumente përkatëse nga autori ne saje të hulumtimit të fondit në “Komisionin hetues” qe ka të bëj në veçanti me popullsinë shqiptare në krahinën e Plavës e Gucisë.

Nga këto dokumente konstatohen shumë keqpërdorime e krime të kryera nga zyrtarët e lartë të gjendjes civile, të ushtrisë, policisë, xhandarmërisë dhe gjykatës ushtarake të Malit të Zi, që pasqyrojnë në detaje veprimet antinjerëzore të pushtuesve të rinj dhe vuajtjet e popullit shqiptarë të krahinës së Plavës e të Gucisë. Autori me të drejtë konstaton se këto veprime kanë një emërtim e ai është gjenocid, sepse nuk mund të quhën me emërtim tjetër konvertimi me dhunë nga feja islame ne ate pravosllave, ndryshimi i emrave te personave, pushkatimet me gjyq e pa gjyq vetëm se ishin shqiptarë e çështje të tjera diskriminuese me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve të kësaj krahine.

Nga veshtrimi retrospektiv i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi në kuadër të legjislacionit pozitiv shtetëror të kohës autori me të drejt konstaton se pozita kushtetuese juridike e shqiptarëve ka qenë neglizhuese, e pabarabartë dhe diskriminuese kundrejtë shtetasve të tjerë në Mal të Zi. Por, edhe përkundër vështirësive dhe padrejtësive të cekura populli shqiptarë në Mal të Zi mbijetoi dhe sfidoi rrethanat e kohës, edhe pse të zvogluar numërikisht në viset e tyre autoktone.

Urojmë dhe shpresojmë qe autori të vazhdoj këtë studim edhe për vitet në vazhdim nga koha e Luftës së Dytë Botërore e më pas, deri më rënien e sistemit monist, sepse në këtë periudhë kohore kanë ndodhur ngjarje dhe ndryshime të mëdha shoqërore ku shqiptarët i kanë përjetuar drejtpërdrejtë si qytetarë të këtij shteti por të një etnie tjetër.

Satisfakcioni i vetëm për autorin dhe për të gjith ne shqiptarët është se në rrethana të reja në pluralizëm, kemi të vetmën mundësi të hulumtojmë dhe të shkruajmë për çështjet përkatëse ashtu si kanë ndodhur dhe pasojat e tyre, ku ne shqiptarët i vuajmë në përmasa të ndryshme edhe në ditët tona. Pra tani, çështjet trajtohen me qasje shkencore e jo ideologjike, si ne kohën e monizmit, ku janë paraqitur deformime dhe pasaktësi, duke eliminuar realitetin sepse nuk ishte në favor të pushtetit të kohës. Autori, bën një paraqitje dhe analizë me kompetencë profesionale çështjeve të trajtuara, pa paragjykime apo lajthitje shkencore duke iu mbetur besnik argumenteve të kohës për çështjet e luftërave të zhvilluara, okupimit dhe aneksimit të viseve shqiptare në kontekstin e rrethanave të kohës.

Andaj, këtë botim e vlerësoj një përpjekje profesionale dhe kombëtare të autorit për të dëshmuar të kaluarën tonë, sakrificën dhe mbijetesën shqiptare në këtë periudhë kohore ku janë zhvilluar ngjarje të mëdha dhe dekompozime territoriale në kuadër të gjeopolitikës së kohës. Ishin pikërisht Fuqitë e Mëdha të kohës ku si parim nuk kishin aspektin etnik përkatësisht parimin e drejtësisë por interesat e tyre, qe ishin në dëm të popujve të vegjël ku shqiptarët janë rasti tipik i këtyre veprimeve të padrejta, ku pasojat e tilla janë edhe në ditët tona.

Nga ajo qe u tha më lartë nuk ka dilemë se ky botim do të jetë referencë e domosdoshme për të gjithë ata të cilët do të trajtojnë në të ardhmën pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi për këtë periudhë kohore, dhe si i tillë do të mirëpritet nga opinioni i gjerë shkencor dhe kulturor.

(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 26.12.2016)