ELZA MUÇOLLI – ZË PREMTUES NË QIELLIN POETIK TË KOSOVËS

0
1211
Elza Muçolli - Album kujtimesh

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Doli nga shtypi përmbledhja me poezi “Album kujtimesh” të autores Elza Muçolli, botuar nga Shtëpia botuese” Prokult-press” me redaktor z. Fatmir Halimi.

Kush është Elza Muçolli?
Elza Muçolli është nxënëse e klasës IX në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Naim Frashëri” në Podujevë. U lind më 13 dhjetor 2002 në Podujevë. Dëshira e saj është që të bëhet poete për të shkruar vargje për atdheun, për dëshmorët, për besën shqiptare, si virtyt yni i artë, pastaj për prindërit, për vëllain, motrën, gjyshin e gjyshen, hallën, teten etj. Dhe vërtet, ne nga këndi i vështrimit të përmbledhjes poetike “Album kujtimesh” me syriun e kritikut, me kompetencë konstatojmë se Elzën nuk e shohim ndryshe, veçse si poete, e cila, lirisht mund të themi se është zë premtues në qiellin poetik të Kosovës.

Në poezinë e poetes Elza Muçolli trajtohet motivi i atdhedashurisë (poezitë: “Atdheu”, “Shqipëri” etj.), pastaj motivi i vendlindjes (“Fshati im”, “Vendlindja”, ”Prishtina”, ”Hertica”etj.). Gjithashtu në vargjet e kësaj poeteje të re trajtohet edhe motivi i dashurisë ndaj prindërve (“Prindërit e mi”, “Babai”, “Nëna ime” e ndonjë tjetër); motivi i dashurisë ndaj gjyshërve (vjershat ”Gjysh”, “Pse ike gjyshe?”, “Gjyshi dhe gjyshja” etj.); motivi ndaj dashurisë së motrës e vëllait (”Motra ime”, “Jemi dy motra dhe një vëlla”,”Vëllai im”); motivi i dashurisë ndaj hallës (vjersha ”Halla ime”), ndaj tetes (“Tetes Fatbardhë”) etj., si edhe motivi nga jeta shkollore (vjersha ”Mësuesja jonë”, “Libri”, ”Nëntë vite”, “Shkolla ime”, “7 Marsi” )etj. etj.

Edhe pse Elza është fare e re për nga mosha, kjo shumë mirë i kupton edhe padrejtësitë që shpeshherë bëhen në jetë në emër të drejtësisë ndaj shoqërisë dhe ndaj individit, siç është rasti më i freskët me ndalimin e Ramush Haradinajt nga shteti i Francës:

“Ti nuk bëre krim në luftë,
Këtë s’e dëshmoi dot askush”,

thotë me sinqeritet poetja jonë e re për Ramush Haradinajn.

Me dashuri dhe pietet të thellë Elza Muçolli përmes vargjeve brilante të saj do t’i përjetësojë edhe figurat e dëshmorëve dhe të heronjve, që me flijimin e tyre dhe sakrificë të madhe na e sollën lirinë, të cilën sot po e gëzojmë. Kjo poete do të ravijëzojë portretet e dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu, komandantit Zahir Pajaziti, komandantit legjendar Adem Jashari, pastaj për Bedri Ahmetin, për luftëtarin e paepur Arif Muçolli etj.¨

Me një fjalë, poetja jonë e re për këta trima që u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe i prinë asaj, në vargjet e veta do të thotë:

“Ratë për liri,
Ratë për atdhe,
Ratë dëshmorë për një jetë të re”

dhe përfundon, duke shprehë admirim të thellë për heroizmin e tyre, të cilëve u drejtohet me fjalët se:

“Ndërtuat faqe të re të historisë”

Me të njëjtin pasion dhe me përkushtim Elza Muçolli do të thurë vargje edhe për 28 Nëntorin e 17 Shkurtin. Për poeten 28 Nëntori dhe 17 Shkurti janë festa që “… bëjnë të ndjejmë paqe dhe liri”

Vargjet e poetes sonë të talentuar do të rrjedhin si ujë nga kroi i kulluar edhe për atdheun, për Shqipërinë, për virtytet e arta të shqiptarëve, siç janë besa dhe guximi për luftë për atdheun etj.

Në vargjet e Elza Muçollit do të përmenden me pikëllim të thellë edhe emrat e disa të rinjve dhe të rejave, që humbën jetën e tyre në lule të rinisë, siç ishte rasti i Almela Segashit, që pësoi nga sulmi terrorist në Gjermani, pastaj vargje i kushtohen edhe të riut Butrint Bajrami, që pësoi në aksident trafiku; Almirit, të cilit ia fiki jetën gjakatari maqedonas etj. Pra, të gjitha këto ngjargje janë shkaktarë, që e kanë nxitur poeten Elza Muçolli për të shkruar vargje me frymë elegjiake, ku shprehet dhimbja e saj e sinqertë për këta të rinj.

Me vargje të bukura, poetja jonë do ta jetësojë edhe figurën kolosale të Nënë Terezës, nga emri dhe vepra e së cilës kombin tonë e admiron dhe e njeh tërë bota. Në sytë e poetes Nënë Tereza është:

“Një grua e famshme
Plot mirësi,
U ndihmoi fëmijëve me plot dashuri”

Gjuha e poezisë së Elza Muçollit është e thjeshtë, por e pastër. Nuk janë hetuar shkarje nga gjuha standarde. Vargjet janë kryesisht të rimuara, por edhe të pasura me figuracion poetik. Metri i vargut është 6-vargësh, tetëvargësh etj. Fjalori është i kuptueshëm për bashkëmoshatarët e autores, por edhe për secilin lexues që i lexon poezitë e saj.

Vëllimi “Album kujtimesh” është libri i parë i Elza Muçollit. Ne kësaj krijueseje të re i urojmë shëndet dhe suksese në mësime dhe në krijimtarinë letrare, ndërsa lexuesve tanë u dëshirojmë lexim të këndshëm.