NJË BOTIM DOMETHËNËS, PËR HISTORINË E SHKOLLËS SHQIPE, NË MIRDITË…

0
2780
Rrugëtim i diturisë dhe arsimit në Mirditë

Në prag të Festës së 7 Marsit:

Nga: Prof. Murat Gecaj *), publicist e studiues

1.
Ishte një kënaqësi e veçantë për mua, kur miku im nga Mirdita, Fran Nikolli, më solli një botim të ri. Kjo gjë kishte disa arsye. Së pari, atë e mora në pragun e 7 Marsit, “Ditës së Arsimit Kombëtar Shqiptar”. Së dyti, sepse ky libër lidhet me fushën, me të cilën jam marrë gjatë tërë jetës sime. Pa i përmendur të gjitha dhe duke u kërkuar ndjesë lexuesve të këtyre radhëve, tregoj se punën e parë në jetë, pasi kreva shkollën e mesme në Tiranë, e nisa mësues në një shkollë 7-vjeçare të vendlindjes, Malësi e Gjakovës (Tropojë).

Pastaj, gjatë shumë viteve në shtypin tonë qendror (gazetat “Pionieri”, “Bashkimi” e “Mësuesi”), përherë kam patur rubrikat e arsimit. Po kështu, temën time të disertacionit e kam mbrojtur në fushën e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Së fundi, me një grup studiuesish, të kryesuar nga prof.Baedri Dedja-Akademik, isha bashkautor dhe redaktor letrar i Veprës ‘Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”(Tiranë, 2003).

Me gjithë këto “arsye”, që rendita, shënoj këtu se, më poshtë, nuk do të bëj një analizë të hollësishme të këtij libri. Pra, do të paraqes vetëm një recension të thjeshtë, për lexuesit.

2.
Libri i ri, “Rrugëtim i Diturisë-Arsimi në Mirditë, nga shkolla e Velës, 1632 e deri më sot”, është botim i Zyrës Arsimore të rrethit Mirditë (Shtypur nga “Mirgeeralb”, Tiranë, 2017). Kordinator është Gëzim Kaçorri, përgatitur e redaktuar nga Ndue dedaj, me recensentë Ndue Gegën e Nikollë Lokën dhe artin grafik nga Valbona Cako. Për librin bashkëpunuan: Bardhok Pulaj, Pjetër Deda, Bardhok Filopati, Valbona Beleshi e Nikë Nikolli dhe botues është Gjon Jaku.

Duke e vlerësuar këtë libër, me fjalë dashamirësëse, parathënien e tij e ka shkruar bija e asaj krahine, tani ministre e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Ndërsa, në vazhdim, është botuar shkimi i drejtorit të ZA të Mirditës, Gëzim Kaçorri, “Kujtesa historike dhe shkolla e shekullit XXI”. Në 13 faqe, në vend të hyjes, është shkrimi i studiuesit Ndue Dedaj: “Mirëdita, nga “shkolla” e kullave, te auditorët universitarë”. Këtu, të bien në sy edhe fotot e humanistit Gjon Gazulli (shk.XV), Atë Ambroz Marlaskaj e Marie Tuçi.

Përmbledhurazi, ai nënvizon se, në këtë botim: “Përvijohet një vazhdë historike pesëshekullore e arsimit në Mirditë, në disa “stacione”, që nisin nga shkolla e Velës 1632), shkolla e Oroshit(1899), Konvikti “Mirëdita”(1925), shkollat e kurset e 1945-sës, shkolla 7-vjeçare në Rreshen(1949), Gjimnazi i Rrëshenit (1960), Shkolla e Mesme Industriale në Rubik (1969), shkolla e mesme profesionale jopublike “Shën Jozefi Punëtor”, në Rrëshen(2004)…”.

3.
Në tërësi, ky libër është i ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë, flitet për shkollat e para të Mesjetës e të Rilindjes Kombëtare, duke u ndalur te Kuvendet Benediktine të Shpalit, Oroshit, Rubikut e Nërfushës. Më tej, me interes është shkrimi për shkollën historike të Velës, e vitit 1632 dhe, në vazhdim, për Kuvndin Françeskan të Rubikut, shkollat e Oroshit (1671 e 1899) dhe shkollën e parë të Rrëshenit, hapur në tetor 1900. Po në këtë pjesë, jepen dëshmi për shollat e periudhës së Pavarësisë: Shkollat e para të Mirditës, Konvikti i Oroshit (1925), shkollat e Mirditës gjatë Luftës II Botërore etj.

Në pjesën e dytë, lexuesi gjen të dhëna të shumta për shkollat, që ul çelën në krahinën e Mirditës, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, siç ishte ajo e Shpalit (dhjetor 1944). Vend me rëndësi zë edhe kujtesa për mësuesit e periudhës 1944-1950 dhe ai për mësues Ndrecën, kur ishte në shkollën e Zllakuqanit të Kosovës. Aty trajtohet edhe lufta kundër analfabetizmit, një plagë e rëndë, që u trashëgua nga e kaluara e asaj krahine dhe e tërë Shqipërisë.

Jo vetëm për brezin e sotëm, por edhe për ata, që do të vijnë pas nesh, është kureshtje të mësohet se kur e si u bënë përpjekje të parreshtura për t’I hapur shkollat e para, në fshatra të tjerë të këtij rrethi, si: Gjegjan e Gojan, Kashnjet, Ungrej, Kalor, Baz e Bushkash.

Dikur ishte një ëndërr edhe për mirditorët, që fëmijët e tyre t’i çonin për të mësuar në shkollat 7 e 8-vjeçare dhe, më tej, në ato të mesmet.Kështu, ndër të tjera, në këtë libër marrim të dhëna për shkollat 9-vjeçare, që hapën dyart për mirditorët e vegjël, në: Rrëshen, Tarazh, Ujë Shtrez, Gëziq, Ndërfushaz e Bukmirë etj. Disa shkolla 9-vjeçare u hapën edhe në zona të tjera të Mirditës, si: Bisakë, Klos, Xhuxhë,Dardhaz, Sang, Thirrë etj.

Ndërsa, një ngjarje me shumë rëndësi për Mirditën, ishte hapja, për herë të parë, e shkollës së mesme të përgjithshme të Rreshenit, në vitin 1960. Edhe aty kanë shërbyer me përkushtim dhjetëra drejtues e mësues, të cilët nuk kursyen dijet as djersën e vetë, për t’u dhënë dituri e kulturë fëmijëve të bashkakrahinasve të tyre. Ja, sjell këtu në kujtesë se, për këtë punë të palodhur të tyre, më ka folur plot pasion edhe një nga drejtueset e njohura të Gjimnazit të Rrëshenit, Marie Nikolli-Brozi. Në këtë vazhdë, jeta arsimore e atij rrethi u pasurua edhe me hapjen e shkollës së mesme industriale të Rubikut, që në vitin 1969.Gjithashtu, kjo vatër diturie e kulture luajti rol me rëndës,i për aftësimin profesional të fëmijëve mirditorë.

Në këtë libër, një vend me rëndësi zënë shkrimet, që pasqyrojnë punën e përpjekjet e parreshtura të drejtuesve e mësuesve të shkollave të Mirditës, në periudhën pas vitit 1990, pra me ardhjen e demokracisë në vendin tonë. Kshtu, aty flitet për projektet, në të cilat u përfshinë shkollat, për ndihmesën e dhënë nga disa shoqata mike të Shqipërisë, për kopshtet e fëmijëve, për institucionet arsimore jopublike etj.

Në pjesën e katërt dhe të fundit, lexuesi do të gjejë shkrime me interes për jetën e punën e palodhur të mësuesve veteranë, për stuentët që kryen shkollat e larta jashtë vendit tonë, për bij e bija mirditorë pedagogë në universitet tona etj. Po aty, flitet për drejtuesit e arsimit në rrethin e Mirditës, që nga viti 1944 e deri sot. Po kështu, me interes janë të dhënat për rolin dhe punë e Kabinetit Pedagogjik dhe drejtimin e arsimit, në nivel qarku.

Përmbyllje e këtij libri është shkrimi i drejtorit të DAR të Lezhës, Bardhok Pulaj, me titullin, “Mirdita, në të djeshmen dhe të ardhmen arsimore të saj”. Ndër të tjera, ai nënvizon: “Mirdita i ka dhënë vetes shansin për të hyrë në histori, përmes nismave unike arsimore, qysh nga Mesjeta, për modelet bashkëkohore që ka sendertuar në arsim dhe bijve e bijave të saj, të përveçëm në lëmin e diturisë, në nivel kombëtar”.

Libri shoqërohet me fortografi të shumta dhe jepen burimet e shfrytëzuara, për hartimin e tij.
…I përgëzojmë të gjithë ata, që dhanë ndihmesën për përgatitjen dhe botimin e këtij libri dhe mësuesit mirditorë, bashkë me nxënësit e prindërit e tyre, duke ju uruar:

– Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Arsimit tonë Kombëtar!

Tiranë, 6 mars 2017

—————–
(*) Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë