Letër e hapur zonjës Angelika Viets

0
1054

Ambasadore e Gjermanisë në Kosovë

E nderuar Ambasadore,
mediat shqipe në Kosovë kanë komentuar thirrjen tuaj për t’u votuar në Parlamentin e Kosovës, demarkacioni me Malin e Zi, versioni i propozuar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veselit, që më dha shkas për këtë letër të hapur.

E nderuar Ambasadore,
populli i Kosovës është i vetëdijshëm për kontributin që ka dhënë Gjermania për pavarësimin e Kosovës. Populli i Kosovës është i vetëdijshëm për miqësinë dhe mbështetjen e vendit tuaj në të gjitha proceset që kaloi Kosova. Populli fisnik i Kosovës nuk është bukë përmbysës, është popull fisnik dhe bujar, por fatkeqësisht fisnikërimi i tij dhe bujaria ka rënë kaq poshtë që prejse Kosovën e udhëheqin Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli, të gjithë të akuzuar nëpër media për dëmin kolosal që ia kanë krijuar Kosovës. E për ma keq, bile me përmasa tragjike janë akuzat e përditshme, se edhe Gjykata Speciale do të merret me: Presidentin e Kosovës, Kryeparlamentarin edhe me Kryeministrin e Kosovës.

Zgjedhja në tri postet kryesore të Kosovës, të personaliteteve me akuza kaq të mëdha, për krim, krim politik dhe krim ekonomik, nuk ka arritur të bëhet pa dijen e Gjermanisë, Amerikës, Anglisë dhe vendeve të tjera mike.

E nderuar Ambasadore,
Kosova, ishte e pafuqishme të konfrontohej me vendet e saj mike, andaj deputetët e Kuvendit të Kosovës i dëgjuan këshillat e miqve për ta bërë Hashim Thaçin – President, Isa Mustafën – Kryeministër dhe Kadri Veselin – Kryeparlamentar. Padyshim Kosova do t’iu dëgjojë edhe kësaj radhe, por mallkimi historik do të bie mbi të gjitha deputetet dhe deputetët që do ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi, pa u marrë parasysh vërejtjet e Komisionit të Pavarur Profesional dhe pa u përfillur reagimet e qytetarëve të zonës që janë prekur nga ky demarkacion.

E nderuar Ambasadore,
unë e kundërshtojë apelin tuaj, jo se kam diçka kundër jush dhe Gjermanisë, por për t’iu ndihmuar Juve për t’i kuptuar shantazhet që ua kanë bërë grupet kriminale që janë në krye të shtetit të Kosovës, prandaj po bëjë thirrje publike për deputetet dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës, për të mos e votuar këtë version të demarkacionit me Malin e Zi.

E nderuar Ambasadore,
personalisht iu kam përgjigjur ftesës së vendeve mike, për ta kundërshtuar krimin politik që po ndodhë në Kosovë. Ishte e vetmja arsye kjo pse për dy vjet radhazi kam bërë thirrje publike dhe e kam distancuar publikisht krimin politik që po e bënë Isa Mustafa dhe kryesia e LDK-së në Prishtinë, sepse duke lënduar procesin zgjedhor, kanë arritur për t’i ndalur zërat reformues, duke futur në sistem vetëm grupe kriminale. Një krim i tillë politik kundër procesit zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani nuk është bërë as në shtetet ma diktatoriale, e le më në Zvicër dhe Gjermani, kur përfaqësuesit e këtyre vendeve i kemi në Kosovë. Por shqetësuese ka qen heshtja dhe mos gjykimi i rastit, as nga përfaqësuesit e vendeve mike, madje as nga prokurori i EULEXI-it, as nga prokurori i Shtetit të Kosovës, as nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, madje as nga Organizatat që merren me monitorimin e proceseve zgjedhore.

E nderuar Ambasadore,
ambasada juaj, ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ajo Britanike, kanë qenë të njoftuara në hollësi për këtë krim politik i cili u lejua të bëhet realitet. Madje disa herë kam bërë përpjekje për takim zyrtar me Juve, me ambasadorin e Amerikës dhe atë të Britanisë, jo për të kërkuar mbështetje, por për të ju lutur që të bëhet një hetim mbi krimin politik që e ka bërë Isa Mustafa dhe Kryesia e LDK-së, sepse pa u pastruar partitë nga grupet kriminale, kurrë nuk do ta gjeni zgjidhje për Kosovën!

E nderuar Ambasadore
unë kam arritur të përballem me grupe të madha kriminale, të cilat kanë përdorur mekanizmin e shtetit për të më gjunjëzuar, janë bërë kërcënime të vazhdueshme, shpifje të rënda penale. Për fat të keq askush nuk ka reaguar, madje mbrojtjen time nuk e kanë publikuar asnjëra nga mediumet që e publikoi shpifjen e Kryeministrit të Kosovës z. Isa Mustafa, se gjoja “unë paskam përdorur taksapaguesit e vendit ku jetojë”. Edhe pse të gjitha instancat e theksuara më lart kanë qenë të njoftuara për krimin politik që bëri Isa Mustafa kundër Degëve të LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, askush nuk distancoi këtë krim politik, prandaj le ta dinë të gjithë votuesit e Demarkacionit se edhe ata do të mbesin vetëm me ndërgjegjen e tyre të vrarë.

E nderuar Ambasadore,
vetëm kur është pamundësuar komunikimi i brendshëm partiak me Isa Mustafën dhe Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, unë kam folur e shkruar publikisht, sepse jam i ndërgjegjshëm në veprimet e mia publike, prandaj edhe kjo letër e hapur vjen për Juve, për shtetin gjerman dhe për vendet mike, pikërisht për shkak të refuzimit për të gjetur mënyra të tjera takimi dhe komunikimi, për të gjeture mundësi që Kosova për të dal nga kjo krizë në të cilën nuk është thelluar e vetme.

E nderuar Ambasadore,
mos i mbështetni më Hashim Thaçin, as Kadri Veselin as Isa Mustafën, nëse nuk jeni në gjendje për t’ua pastruar të kaluarën e tyre, dhe nëse nuk jeni në gjendje për t’ua ndalur akuzat që po ua përmendin, pikërisht vendet mike të Kosovës, pa i përjashtuar kritikat që vijnë edhe nga vendi juaj.

E nderuar Ambasadore,
Kosova është në krizë jo krejt për fajin e saj. e kriza në Kosovë është e zgjidhshme?! Por, para se të kenë vullnet shqiptarët për të dal nga kriza, duhet vullneti i Gjermanisë, Amerikës, Anglisë dhe vendeve mike për ta nxjerr nga kriza Kosovën, sepse çështjet janë të zgjidhshme, por nevojitet pragmatizmi juaj dhe i vendeve mike me të cilat Gjermania ka raporte shumë të mira!

E nderuar Ambasadore,
kjo letër e hapur është një thirrje publike për juve dhe shtetin gjerman, e cila iu bëhet nga një shkrimtar, i cili mund ta bart mëkatin vetëm pse është shqiptar i Kosovës, sepse në asnjë mënyrë tjetër, karriera e tij (pra e imja), nuk është e implikuar në veprime të grupeve e bandave të nëntokës, por çdo gjë (për të mirë dhe për të keq), lidhet vetëm me qëndrimet publike të shprehura në vazhdimësi në këto tridhjetë vjetet veprimtari publike!

Dhe krejt në fund e nderuar Ambasadore, shpreh besimin tim se këtë letër do ta trajtoni, prandaj po shprehem publikisht se jap gatishmërinë time, për të gjetur zgjidhjen e problemit i cili me të gjitha vështirësitë është i realizueshëm dhe i zgjidhshëm kollaj. Prandaj do të ishte mirë që politika gjermane dhe e vendeve mike të ndryshojë rrënjësisht në raport me grupet kriminale që sot po e udhëheqin Kosovën, por jo për t’iu kërkuar qytetarëve për t’u distancuar nga këto veprime, ku fundi tragjik mund t’iu vije sikurse Kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër. Dhe duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, po iu lutem të mos bëni presion mbi Kosovën për të votuar demarkacionin ashtu siç u detyrua Kosova për t’i pranuar tri figurat më të kontestuara dhe të komprometuara për udhëheqjen e vendit.

CH-St. Gallen, 01.03.2017.

Me respekt!
Shefqet Dibranishkrimtar