– Bardha Mançe
Pra, vjen me një cikël poetik në Mearteka e mirënjohura nga të gjithë, Bardha Mançe; pedagoge, publiciste, gazetare, autore, poete e më shumë e më shumë kontribute në aktivitetet e saj për të mbajtur të kultivuar kulturën shqipe, artin dhe traditën…
Botë hijesh
Sa shumë hije në këtë botë
Silueta të trishta që tundojnë shpirtëra
Të vijnë vërdallë me valle të shfrenuara
Aty ku gjejnë portë dëlirësie hapur
Hedhin hapin e tersit dhe vallen e shfrenuar
Deri në paradhomat e zemrave ulërijnë
Mbështjellin pabesisht çdo uratë me vello ironie
Dhe nënqeshen me të mirën
Shqelmojnë ankthshëm
Çdo ind dhe neuron mendor
Me instikte përbindsash pa formë e përmbajtje
Vetëm si shkak e pasojë zezone
Të duket gjithçka si marrëzi e paralojë e stërkequr
Lëshojnë kumtet e egra
Jehona ogurzeza
Më kot mundohesh t’i prekësh
Pak mirësi t’ua ndalë shfrenimin
Ato janë hije
Që nuk kanë përmasë tjetër
Vetëm një shtrirje zie
A thua hijet do ta mbulojnë botën?!
Treni i jetës
Në trenin e jetës dhe unë dhe ti
Ngarkuar vargmal nostalgji
Të dy në një stacion ku pritje isha unë
Ardhje duhej të ishe patjetër ti.
Papritur treni niset me furi
Unë brenda në tren
Dhe jashtë mbete ti
Imazhin tënd e mbolla në mendje
Ta kultivoj në largësi
Kërkoj të ndaloj trenin
Por ai nuk më bindet
Veç largohet me shpejtësi
Dy petale ka jeta për një dashuri.
Të dy
Dy rrugë, të gjata, të shkurta, nuk e di.
Në njërën ecja unë, në tjetrën ti
Dhe ecnim të dy
Na zuri nata diku, në kryqëzim
Ti nuk me vërejte mua
Dhe unë nuk të pashë ty
Dikur zbardhi dita
Ne ishim larg, shumë larg
Dhe dielli na shihte në sy
E njejta rreze ishte herë te unë
Herë të hidhej Ty.
Protagonistë në tragjedi
Të thashë, më the
Dhe sot dhe dje
I njëjti refren e njëjta tragjedi
Protagonistë unë dhe ti
Të tjetërsohet Uni
Të bëhet Ti
Robërim i përhershëm
I shpirtit
Dhe Uni vdes
Dhe bota përmbytet në monotoni
Dhe sot dhe dje
Ylberor mbetet kujtimi
Vegime në saksi
Botë kafazesh
Kafaze të vjetra
Kafaze të rinj
Që hapen e mbyllen
Hap të vjetrin
Futesh tek një i ri
Botë pa kafaze shpirtërash
Ku Unë mbetem Unë
Dhe Ti je Ti
Kjo a nuk duhet të jetë
Bota jote njeri?!
Mes rebeshesh
Rrugë pa fund më joshin
Shtërngatash, rrebeshesh që i ndjej
Diku një kthesë e qetë përulet
Rrugicë plot dritë pak më tej
Si pasthirrmë e largët ndjesore
Çfarë duhet të bëj në zenit dileme?
Të vazhdoj rrugën si vals i përhitur
Mes rrebeshit në shtrojerë afshi
Apo të përqafoj rrezet e diellit
Që më buzëqeshin ëndshëm?
Jetë me devocion
Thuhet që i mbyturi të mbyt
Por unë dua ta ndryshoj
Dua që atij që ështe duke u mbytur
T’i jap jetë ta shpëtoj
Ligësi
Çfare forme
Çfarë trupi
Çfarë ecje e dredhje ka ligësia
Si e gjen rrugën
E futet të bëj viktimë
Dhe ëndrrat e mia?
Tinzare, e hollë
Apo e trashë dhe ziliqare?
Cila dorë e mbolli atë farë
Në ca trupa qenjesh
Aq të shëmtuara vallë?
Përbindësha pa kokë
Me duar grabitqarë
Instikti i bishës
I sjell ata vërdallë
Ca të shkurtër si të shtypur
E ca të trashë
Ca si skile e ca si djaj
Do kenë jetë
Ata akoma vallë?!
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar