Prodhime bujqësore me interes

0
1756

Abdurahim Ashiku

Prodhimin e farërave elite të patates, farëra që shpërndaheshin me certifikatë cilësie të lartë në të gjithë Shqipërinë.

Mund të vazhdoj edhe me Institutin e Pemëtarisë, Institutin e Agrumeve dhe Ullirit, Institutin Bujqësor me bazën e vet eksperimentale e të prodhimit të farërave elite të perimeve, Institutin e Zooveteranisë e të tjerë.

Tash të gjithë këto institute janë shuar. Baza materialo-teknike, “Banka e Farërave” dhe vlera të tjera janë shpërbërë në mënyrën më të poshtme të mundshme.

Fjalën e shkencëtarit, specialistit e ka zënë fjala e politikanit, e qeveritarit kryeministër apo ministër. Provat për futjen e ndonjë bime të re merren nga interneti, madje të përkthyera në gjuhën letrare shqipe.

Vite më parë, kur bujqësia u shkatërrua në themel, në organizim e në strukturë, presidenti shkatërrues i gjithçkaje fliste për bujqësinë si të kishte në njërin xhep diellin e në tjetrin shiun.

Dhe për çnuk fliste, si të ishte shkencëtari më i madh për bujqësinë. Hante një kokërr pjeshkë dhe thërriste “Unë e dua pjeshkën”. Gërryente në guaskën e shegës kokrrat e kuqe dhe thërriste “Unë e lakmoj shegën”. Shihte ndonjë kokërr ulliri në pjatë dhe thërriste “Të mbillen dyzet milionë rrënjë ullinj”.

Thyente një kokërr arrë dhe bërtiste “Ti mbushim kodrat e malet me arra, lajthi e bajame”. Deshte të imitonte babanë e tij ideologjik por përveç fjalët në fjali çjerrëse asgjë nuk mund të bënte.

Një pasardhës në karrigen e tij do ti çudiste të gjithë kur pas takimit me një emigrant do të zbulonte panxharin e kuq, sjellë e mbjellë në Fushë-Krujë (!)

Pas kësaj do të bënte thirrje që të mbillet sa më shumë panxhar i kuq. Qesha asokohe, madje bëra edhe një fejton për këtë zbulim të presidentit fizikan.

Mund të sjell edhe shembuj të tjerë, shembuj që po i lë ti sjellin të tjerët nëkomentet e tyre. Një fjalë e urtë popullore thotë se “Vreshti nuk rritet me urata, por me shata e lopata”. Në 26 vjet kalimi bujqësia shqiptare ka njohur (dhe fatkeqësisht vazhdon të njohë) shkatërrim, përbuzje dhe braktisje të saj.

Për zhvillimin e bujqësisë asnjë parti politike nuk ka pas e nuk ka një strategji zhvillimi e mbështetje.

Strategjia e tyre (veçanërisht e këtij ministri në pushtet) janë ngastrat e vogla, bujqësia kopshtare. E keni parë ministrin në daljet televizive?
Gjithnjë do ta gjesh në ndonjë serrë me lule shtrydhe, shalqinj apo perimesh të ndryshme. Asnjëherë nuk e gjen në ndonjë ngastër gruri, misri apo drithërash të tjerë jetikë për vendin. Sipërfaqet e mbjella me grurë, misër, oriz e drithëra të tjerë janë me dhjetëra herë më pak se sa sipërfaqet e mbjella tre dhjetëvjeçarë më parë.

• Për bimët tekstile, etero-vajore, për pambukun, panxharin e sheqerit e të tjera nuk flitet a thua se ato sjellin gërbulën e flamën.

Jetoj prej 21 vjetësh në Greqi dhe syri më ka zënë sipërfaqe të mëdha të mbjella me pambuk, makineri moderne për mbjelljen e farës dhe kombajna për vjeljen e boçeve të bardha. Prodhimi tërhiqet për tu përpunuar në fabrika e fijet për të endur pëlhura pambuku, kaq të kërkuara në treg për higjienën dhe veshjen “bio” të njerëzve. Me kultivimin e pambukut merren fshatarët.

Me përpunimin e tij merren industrialistët. Me pambukun nxjerrin “bukën e jetës” një zinxhir i tërë punëtorësh të bujqësisë, transportit, industrisë, tregtisë.

Ne kishim një rrjet industrial për prodhimin e veshjeve me bazë pambukun dhe leshin. Kishte një kombinat (i Beratit) ku punonin trembëdhjetë mijë burra e gra, të rinj e të reja. E shkatërruam duke i nxjerrë themelet ashtu siç i nxorëm rrënjët pambukut të Myzeqesë.

Një personi në Samitin e Parë të Diasporës iu dha çmimi “Shqiponja e artë” me motivacionin se në një nga gërmadhat e kombinatit të Beratit ka hapur një ndërmarrje fasonerie ku ka punësuar 200 gra (!) Në ekran gjatë paraqitjes jepeshin gërmadhat e kombinatit ku “dyqind gra” punonin me të njëjtën bazë materiale që punonin dikur trembëdhjetë mijë.

Në ekrane të vegjël satelitorë jo rrallë kameramanëve u shpëtojnë pamje nga shkatërrimi i kombinatit të sheqerit në Maliq. Përballë skeleteve metalikë nuk mungojnë edhe pamjet nga Fusha e Maliqit tashmë kënetë. Në atë fushë kultivohej panxhari i sheqerit (ashtu siç kultivohej në tërë luginën e Korçës dhe gjeografikisht edhe më poshtë në fushat e Elbasanit).

Me këtë skemë ekonomike, bujqësi-industri, ishin të lidhur në simbiozë kultivuesit e panxharit me prodhuesit e sheqerit, dhjetëra mijëra punëtorë e specialistë të të dy krahëve.

Në këtë linjë mund të flasim edhe për raportet bujqësi-industri edhe në sektorin e prodhimeve drufrutore e vreshtave. Në Dibër Ndërmarrja Bujqësore ka pas afro pesëqind mijë rrënjë pemë frutore në prodhim e rritje dhe përballë prodhimit të mollëve, dardhave, qershive, vishnjave, kumbullave etj. një industri përpunues me kapacitet njëqind mijë kuintal përpunim, lidhje që punësonte mijëra punëtorë në ndërmarrjen bujqësore, në qytet dhe në fshatra.

Gjatë këtyre viteve bujqësia shqiptare e detyruar të ngujohet në ngastra të vogla ku vetëm kafshët në plug mund të rrotulloheshin “lirshëm”, humbi gati plotësisht lidhjen me industrinë, çoi në zhvillime amatore bujqësore duke i dhënë vetes pak krah pune e industrisë thuajse aspak.

Zonja Kryemadhi flet për shafranin me pasion e dëshirë që kjo bimë me lule të bukura e me rrënjë me gunga të kultivohet për ta bërë bujqësinë shqiptare hapësirë të “Arit të kuq”. Bukur, ëndërruese. Edhe unë e ëndërroj vetëm se kjo bimë, e vështirë në rritje e kultivim siç thotë përvoja, kufizohet në një trajektore të vogël që fillon e mbaron me punën e grave, ashtu siç fillon e mbaron puna në serat diellore e me ngrohje. Nuk i jep hapësirën e “Arit të bardhë”- pambukut për dhjetëra mijëra të punësuar, nuk i jep hapësirën e “Arit të ëmbël”- panxhar-sheqerit që hapësirën punëdhënëse e ka të shtrirë që nga fushat e ulëta bregdetare deri në fushat e larta malore. Një bujqësi pa industri është e destinuar të notojë në ujëra pa rrjedhje, moçalore.

Një bujqësi me ngastra copa-copa nuk mund të krijojë hapësira pune për vete e jo më për industrinë. Është parë kryeministri i vendit të flasë me zë të ngjirur (nga sindroma e frikës se mos e akuzojnë me të kaluarën) për kooperim në bujqësi, për kooperativa bujqësore. Do të desha ta ngrejë zërin. Bujqësia nuk mund të zhvillohet me ngastra ku nuk rrotullohet dot “dum-dumi”. Me prit akumulimin kapitalist në bujqësi, akumulim që në praktikën kapitaliste ka zgjat (dhe vazhdon) tash disa shekuj, tokat bujqësore shqiptare do të mbeten për një kohë të gjatë djerr e nën ujërat e kënetave.

Unë si specialit i bujqësisë (51 vjet më parë jam diplomuar agronom), pedagog i bimëve të arave (fitoteknisë) jam plotësisht dakord me zonjën Kryemadhi për kultivimin e shafranit, vlerat e të cilit janë gjerësisht tëmëdha por, në masë jam dakord edhe për kultivimin e Cannabis Sativa për mi 150 vlera farmaceutike që ka e që janë të domosdoshme në jetën e njeriut. Jam edhe për kultivimin e sherbelës apo të bimëve të tjera medicinale.

Por këta bimë, në raport me bimët e tjera, nuk duhet ti afrohen shifrës NJË për qind të sipërfaqes së mbjellë, tokës bujqësore. Kthimi tek kulturat bujqësore që hapin fronte pune në të dy krahët bazë të jetës, në bujqësi dhe në industri, në transport e tregti është strategji e të sotmes dhe të afërmes.

Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 shkurt 2017

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar