POLITIKANI RACIONAL – DR. IBRAHIM RUGOVA

0
1709
Shefqet Dibrani

Recension:

Shefqet Dibrani

Zef Ahmeti: “IBRAHIM RUGOVA – Një jetë për paqe dhe pavarësinë e Kosovës”, studim, Hamburg 2017. ISBN: ISBN 978-3-7345-8623-1, faqe 200.

Kohë më parë, në Hamburg të Gjermanisë, (në gjuhën gjermane), doli nga shtypi vepra e studiuesit, mr. Zef Ahmeti, studim ky që i kushtohet dr. Ibrahim Rugovës.

Pa dyshim, ky angazhim i mr. Zef Ahmetit, përmbush një boshllëk në hapësirën gjermane për të njohur më mirë Kosovën përmes studimit të tij për dr. Ibrahim Rugovën.

Lënda e këtij libri studimor shtjellon çështje biografike, traditën, letërsinë e deri tek filozofinë paqësore të dr. Rugovës, duke e radhitur atë si personalitetin e vetëm shqiptar, që është trajtuar e respektuar nga të gjitha qeveritë e botës me ndikim, si burrështetas pa iu njohur për të gjallë pavarësia e vendit të tij.

Studimi në fjalë është një përkushtim specifik, këtë na dëshmon e dhëna se autori i ka pasur në shqyrtim më shumë se 120 libra të ndryshëm. Përveç 20 librave, intervistave dhe shkrimeve nga dr. Ibrahim Rugova, nga autorët shqiptarë po veçojmë veprat e personaliteteve të njohura siç janë: Fehmi Agani, Anton Harapi, Jusuf Buxhovi, Bardhyl Demiraj, Gjekë Gjonlekaj, Isak Ahmeti, Krist Maloku, Sabri Hamiti, Zef Mirdita, Albert Ramaj, Shefqet Dibrani, Engjëll Koliqi, Kujtim Shala, Vehbi Miftari etj, kurse nga autoret e huaj me deklarata, shkrime e libra janë përmendur veprat e personaliteteve të shquara botërore: Bill Clinton, Toni Blair, Madeleine K. Albriht, Helmut Kohl, Alois Mock, Christine von Kohl, Noel Malcom, Wolfang Petritsch, Robert Elsie, Rafael Biermann, Holm Sundhaussen, Oliver Jens Schmitt, Joschka Fischer, Rudolf Scharping, André Birukoff, Christine Prorok, Cyrill Stiger, Dejan Djokic, Jens Reuter, Joachim Krause, Peter Schubert, Viktor Meier e shumë të tjerë.

Se kjo qasje ka konotacione të një studimi serioz s’ka dyshim, pasi përgjat tërë analizave krahasuese autori ka cituar dendur emra dhe personalitete me famë botërore. Ai, është mbështetur ose iu ka referuar mendimeve të ndryshme në mase 730 referenca e citime të ndryshme, të cilat i ka plotësuar në formë fusnotash duke konkretizuar mendimin e tij studimor, duke e bërë qasjen ma të kompletuar dhe librin profesionalisht një studim serioz dhe të besueshëm, me të gjitha kriteret e një studimi shkencor, i cili si i tillë është i pari i këtij lloji, kushtuar dr. Rugovës, nga një studiues ynë që jeton në hapësirën ku flitet gjermanishtja.

Ibrahim Rugova – biografi e një politikani krejtësisht ndryshe nga ata që i njeh Ballkani dhe Evropa. Mr. Zef Ahmeti, në studimin e tij e përshkruan Ibrahim Rugovën nga rrafshi real, sepse ai ishte një politikan racional, i arsyeshëm dhe mjaftë i kursyer në fjalën dhe veprimin e tij, në një vend ku hasmeritë nacionale janë të mëdha, prandaj Lufta Politike, për të fituar paqen në vendin e tij, do të ngadhënjejë mbi forcën e dhunës policore e ushtarake, prandaj do të admirohet nga përsonalitetet botërore, të cilat ma në fund do t’ia shpërblejnë mundin me paqen dhe pavarësinë e krijuar në vendin e tij.

Në kohën kur dr. Ibrahim Rugova nisin misionin e tij paqësor, konflikti ballkanik ishte i pashmangshëm, kurse federata jugosllave ishte në shthurje e sipër, gjë që tronditi në masë atë balancën e stabilitetit, sidomos në Paktin e Varshaves, kurse Jugosllavia shkonte drejtë shthurjes së pashmangshme. Konflikti në Ballkan solli shumë viktima dhe bëri shkatërrime të mëdha, sidomos në republikat veriore. Ruajtja e substancës njerëzore sikur ishte betonuar në themelet e konceptit paqësor që udhëhiqej nga dr. Ibrahim Rugova, ndërsa studiuesi mr. Zef Ahmeti, ka arritur me sukses ta përmbush qëllimin e tij, për t’i trajtuar Luftërat Ballkanike, nën prizmin e atyre zhvillimeve të asaj kohe të cilat përcaktonin një mënyrë të re të qasjes së problemeve.

Në ato rrethana të ashpërsuara, kur mendohej se dr. Rugova kishte nisur të humbiste ndikimin e tij në njërën anë, në anën tjetër ndodhte lëkundja e republikave veriore për interesa hegjemoniste mbi të drejtën e trashëgimisë në Jugosllavi, e kur nacionalizmi serb kishte shpresa dhe ambicie të mëdha, për të triumfuar paqen e kontestuar, dr. Rugova, vazhdimisht predikonte vizionin e tij paqësorë, për t’i zgjidhur problemet me dialog, për ta ruajtur substancën njerëzore, e për të mos krijuar vuajtje dhe natyrisht për të mos e shkatërruar këtë pjesë të Ballkanit.

Në ato shtendosje të mëdha, në Ballkanin e trazuar, një politikan i urtë me emrin Ibrahim Rugova, insistonte me çdo kusht për një paqe dhe zgjidhje paqësore në vendin e tij. Ai kishte probleme të shumta, dhe ka pasur edhe pengesa të mëdha në rrugëtimin e tij “paqësor?!”. Ibrahim Rugova, sipas studimit të mr. Zef Ahmetit, ishte një politikan sa racional po aq pragmatik, sepse jo pak kritikohej e pengohej nga bashkvendasit e tij, pasi mënyra e tij konsiderohej joproduktive dhe dyshohej edhe me pasoja për të ardhmen e vendit të tij, ndërsa koha e dëshmoi të kundërtën, pasi ai fitoi, pikërisht aty ku të tjerët kanë dështuar.

Natyrisht, edhe sipas mr. Zef Ahmetit, Ibrahim Rugova, i njohur në studimet e thelluara të kritikës letrare, do ta udhëheq vendin me dinjitet, duke e arritur një fitore të mahnitshme e cila si metodë e veprimit, vazhdimisht është kritikuar si një utopi që nuk realizohet kurrë. Por mr. Zef Ahmeti, në studimin e tij na sjell një mendim tjetër për dr. Ibrahim Rugovën, duke u bazuar në respektin dhe konsideratën që patën për të politikanë nga e gjithë bota, të cilët siç e argumenton ky studiues i mirë, ata angazhimin e Ibrahim Rugovë e vlerësuan si një qasje racionale duke ia shpërblyer dhe vlerësuar mundin dhe përpjekjen, për një të ardhme paqësore në vendin e tij, për të cilin Ibrahim Rugova, si politikan racional, me filozofinë e tij paqësore kishte investuar, duke e udhëhequr për 17 vjet rresht një proces delikat në mes viteve 1989-2006.

Mr. Zef Ahmeti, studiuesin e thelluar të kritikës letrare, e nxjerr si një politikan racional i cili në një kohë kur Luftërat Ballkanike kishin marrë përmasa tragjike, kur vendet e rajonit ishin mbërthyer nga egoja nacionaliste, ai aplikonte formën pacifiste të durimit, për të sendërtuar konceptin e një politikani racional, i cili në shpirtine tij kishte kultivuar vlerat demokratike dhe humane, të cilat respektohen e vlerësohen kudo në Evropë dhe Amerikë.

Në këtë mënyrë, studiuesi i pasionuar mr. Zef Ahmeti, arrinë që biografinë e dr. Ibrahim Rugovës, ta vlerësoj në një dritë të re, kurse për jetën e këtij politikani të jashtëzakonshëm, ka bërë përpjekje për t’i shtjelluar metodat e përdorura në mënyrë që me çdo kusht të arrijë paqen e synuar, të cilën autori e shpjegon, në një mënyrë të lehtë për t’u kuptuar, ndonëse atëherë kur është ndërtuar ky koncept kanë qenë rrethana të ashpra dhe ka pasur konflikte të armatosur pothuajse në tërë Ballkanin Perëndimor.

Prandaj, për lexuesin gjerman i cili është i interesuar për ato zhvillime, leximi i kësaj biografie politike, do t’i krijon lehtësime për t’i kuptuar ma mirë ato procese të cilat merren me rëndësinë e asaj kohe, që kishte politika paqësore e dr. Ibrahim Rugovës për vendin e tij, dhe çfarë ndikimi ka luajtur, kjo lëvizje, për ndryshimin e konceptit politik në një hapësirë gjeografike ku luftërat janë pjesë e realizimit të doktrinave hegjemoniste.

Libri “Ibrahim Rugova”, i mr. Zef Ahmetit, tashmë është në duart e lexuesit gjerman, austriak dhe zviceran. Libri mund të porositet drejpërdrejt në shtëpinë botuese “TRADITION” në Hamburg të Gjermanisë, ose të porositet e blihet nëpër të gjitha dyqanet e mëdha të cilat merren me shitjen dhe shpërndarjen e librit kudo në vendet e Bashkimit Evropian.

St. Gallen, 03 shkurt 2017.