“TYBE KËTA VEÇ KABASHANË JANË”…

0
1935
Sabit Abdyli - Tybe

Nga Isak Ahmeti

Libri më i ri: Tybe këta veç kabashanë janë (2016), i autorit Sabit Abdylit, është një libër me vlerë për fushën e letërsisë dhe folkloristikës, është libër i shkruar me përkushtim ku paraqitet trashëgimia gojore e Kabashait të Anamoravës. Trashëgimia e kësaj treve, sipas autorit të këtij libri, por edhe sipas recensentit, Dr. Jakup Sahitit, është burim i pashtershëm frymëzimi, vetëdijeje e vetëmohimi ku gjallërohen, portretizohen e përjetësohen aftësitë krijuese të njeriut krijues të kësaj treve.

Pak biografi

Sabit Abdyli u lind në Kabash të Anamoravës në vitin 1946. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi në Viti. Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare e kreu në Prishtinë. Pas luftës(1999), Sabiti, bashkë me familje, u vendos në Zelandë të Re. Atje vazhdon të merret me shkrime dhe të bashkëpunojë me gazeta e revista, që dalin në gjuhën shqipe. Deri tash ka botuar këto vepra:

1. Kabashi i Anamoravës, 1997 (monografi),
2. Ankthi i pranverës ’99, Prishtinë, 2004 (libër-dokumentar),
3. Kohë e lumtur, Prishtinë, 2005 (libër me poezi),
4. Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, prozë, poezi, dhe artikuj për Mërgatën shqiptare në Zelandë të Re, Auckland, 2010,
5. Letra, anekdota, aforizna, Gjilan, 2013,
6. Na Kabashi jemi t’ndamë nji zjarmi, Gjilan, 2013,
7. Dallgë malli (poezi, prozë), etj.

Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se Sabiti, që nga vendosja e tij në ishullin e largët (29 tetor 1999), është aktiv në organizimin e aktiviteteve artistike ndërthurur edhe me veprimtari për ruajtjen e unitetit, gjuhës dhe traditave kombëtare në mesin e Mërgatës shqiptare në Zelandë të Re.

Librit: Tybe këta veç kabashanë janë, i paraprin një Parathënie e autorit (fq.5-7), ku autori ka shtruar çështjen e kësaj trashëgimie gojore dhe probkematikën e studimit, poashtu edhe metodat dhe rrugët e këtij projekti shkencor. Duhet theksuar se kjo është një trashëgimi e mirëfilltë gojore e mbledhur në Kabashin e Anamoravës, me ç’rast, personazhet e skalitur mirë e bindshëm, na dalin si heronj të poemave kreshnike (Dr. Jakup Sahiti, fq.108).

Këta nuk janë heronjtë e kreshnikët e Jutbinës e të Klladushës, por janë heronjtë dhe kreshnikët e Kabashit të Anamoravës, që kur vjen puna për atdhe, për komb e për fe, nuk kursejnë as jetën. Nga trashëgimia e mbledhur me aq përkushtim e pedantëri, mësojmë për karakterin, mentalitetin, qëndresën, dëshirat dhe virytet e këtyre heronjve dhe kreshnikëve që, pas leximit të këtij libri, të ngelin thellë në kujtesë Dallohen sidomos thëniet e tyre të qarta dhe interesante, mahitë, dialogët tërheqës, urtitë e rrëfimtarëve siç janë: Ruhan Abdyli, Saqip Misini, Jahi Selmani, Miftar Osmani, Haxhi Isuf Mustafa, Hamëz Rexhepi, Haxhë Azemi, Rexhep Zeka, Rexhep Sadiku, Jakup Osmani, Ilmi Sallahu, Idriz Sallahu, etj.

Është me rëndësi të theksohet se autori në fjalë, Sabit Avdyli, si një ndër kuadrot e dalluara të Kosovës në fushën e arsimit, të shkencës e të kulturës, me mjaft përkushtim e kujdes ka shfrytëzuar praktikat e ligjeve folklorike. Ai ka qëmtuar me shumë kujdes fakte, shembuj dhe fjalë të urta popullire, ka trajtuar në mënyrë të veçantë doket dhe zakonet e popullit tonë, shprehjet dhe begatitë proverbiale që kanë gjallëri dhe dinamizëm, pastaj thëniet e goditura fuqishëm, që kanë një forcë shprehëse të papërsëritshme, do thoshim, e që përbëjnë mësime e mendime të përgjithësuara të nxjerra nga jeta dhe goja e popullit.

Kjo, prandaj, siç është vënë re edhe nga recensenti, Dr. Jakup Sahiti (fq.109), është një pasuri më vete, një gurrë e pashtershme e atdhedashurisë, e traditës, e dokeve dhe zakoneve, e përmasave popullore e kombëtare, e urtësisë, e mençurisë, e filozofisë shpirtërore e morale të popullit tonë dhe e mendimit të psikologjisë së tij.

Krejt në fund le të theksojmë në mënyrë të veçantë se autori i këtij dhe shumë librave të tjerë të botuar(por edhe në dsh), me përkushtim vazhdon punën e tij të vlershme në fushën e letrave shqipe dhe, me shumë mall, dashuri e nostalgji, këtë libër ua kushton: “Kabashëve të mi të mirë e bujarë, trima e të fisëm“.