FONDACIONI PËR TË DREJTËN HUMANITARE DENONCON: SHEFI I USHTRISË SERBE, LJUBISHA DIKOVIQ ËSHTË PËRGJEGJËS PËR 1.400 VRASJE GJATË LUFTËS NË KOSOVË

0
927
Ljubisa Dikovic

Ljubisa Dikovic
Ljubisa Dikovic aktualisht është ushtaraku kryesor në Serbi.

Shkrim me shkas: Zymer Mehani

Që nga viti 2011, ai udhëheq Shtabin e Ushtrisë së Serbisë, ndërkohë që në këtë kapacitet ka vizituar edhe Kosovën, saktësisht bazën e KFOR-it ku ka zhvilluar takime me komandantin e kësaj force. Por, mbi Dikovic, rëndojnë dyshimet se është përgjegjës për 1400 vrasje të civilëve shqiptarë në Kosovë.

Kështu thuhet në një dokumentar të përgatitur nga Fondaconi për të Drejtën Humanitare që drejtohet nga Natasha Kandiq. Mediat e mëdha në Serbi kanë refuzuar ta publikojnë këtë film.
Ja dokumentari i Fondacionit për të Drejtën Humanitare.
“Gjenerali Dikoviq dhe brigada e 37 në Kosovë”

Në zonën e përgjegjësisë të brigadës 37 të ushtrisë së Jugosllavisë në vitin 1999 në Kosovë janë vrarë rreth 1.400 civilë. Mbetjet mortore të një numri të viktimave janë zbuluar në varrezat masive në Serbi. Me brigadën në atë kohë ka komanduar shefi i tanishëm i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë Lubisha Dikoviq. As ai e as pjesëtarët e njësisë së tij nuk janë përgjigjur kurrë për ato krime.

Në filmin e Fondit për të Drejtën Humanitare “Lubisha Dikoviq dhe brigada e 37 në Kosovë” janë paraqitur provat mbi prezencën dhe rolin e Ushtrisë së Jugosllavisë në vrasjet masive të civilëve në Izbicë, Qirez, tek Shavarinat, Rezallë dhe fshatrat e tjera të rajonit të Drenicës, e të cilat më parë janë prezantuar në dosjet “Lubisha Dikoviq” dhe “Rudnica”.

Shumë televizione në Serbi, duke përfshirë edhe serviset publike RTS dhe RTV, kanë refuzuar apo nuk janë përgjigjur në kërkesën për të shfaqur filmin.

Nuk është se NATO-ja nuk e di kush është Lubisha Dikoviqi. Sikur edhe Serbia e Kosova, edhe Brukseli është i njoftuar shumë mirë me akuzat kundër gjeneralit serb që janë dokumentuar deri në detajet më të imta dhe përtej çdo dyshimi nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Natasha Kandiqi. Ne mendojmë se ato nuk janë me rëndësi më as për bashkësinë ndërkombëtare, as për Serbinë, e, fatkeqësisht, as për Kosovën.

Ja disa fakte që janë prej kohësh të njohura mbi Dikovicin:
1. Krimet e kryera në Kosovë nga forcat e tij, Serbia nuk i sheh si krime të shtetit,
2. Bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar më të ndjekë krimet e Serbisë, meqë atë tani, më shumë se kurrë më parë, e do për partnere dhe aleate.
3. Institucionet e Kosovës nuk kanë as kohë as vullnet e as nuk ndiejnë obligim të merren me krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë.

Marrë bashkërisht, kjo qasje trepalëshe, me apo pa vetëdije të të gjithëve që janë pjesë e saj, çon drejt harrimit të krimeve të pagjykuara të luftës të kryera në Kosovë nga Serbia, në vitet 1998-1999.

Dhe, përveç familjarëve të të vrarëve e të të zhdukurve prej të cilëve një numër shumë i madh ende nuk i kanë gjetur eshtrat e më të dashurve të tyre, viktima të këtij konspiracioni politik për harresën e krimeve të pagjykuara të luftës të kryera në Kosovë nga Serbia është edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Ja edhe argumentet që na bindinse ka një ujdi të tillë të heshtur mes Bashkësisë ndërkombëtare, Beogradit dhe Prishtinës:
1. Së pari, kemi Tribunalin e Hagës, i cili ka gjykuar krerët serbë deri në një moment të caktuar, pas të cilit vëmendja është kthyer nga krimet për të cilat janë akuzuar shqiptarët, dhe, kështu, ka krijuar një baraspeshë mes krimeve, duke ushqyer nevojën e politikës që në emër të kompromisit të barazojë përgjegjësinë e të gjithëve. Tirbunali më nuk ngre akuza të reja, dhe si pasojë, me qindra krime të kryera kanë mbetur pa u hetuar e gjykuar fare dhe me mijëra përgjegjës për krime kanë mbetur pa u përballur me drejtësinë.

Drejtësia tani u la në duart e gjykatave vendore, të cilat, sikur që është më se evidente në rastin e Serbisë, zgjedhin të gjykojnë ata që rëndom i quajmë “peshq të vegjël”, në tentimin për të shndërruar krimin e shtetit në krim individual, të kryer nga ndonjë i marrë apo i dehur, në moment e çmendurisë! Kështu, skena politike e Serbisë ka mbetur përplot me njerëz që kanë pasur rol në atë që ka qenë ndjekje sistematike dhe krim kundër popullatës shqiptare në Kosovë.

2. Së dyti, kemi EULEX-in, i cili, me gjithë mandatin për të ndjekur krime të luftës, ka zgjedhur të mos merret me rastet sikur këto të Rrezallës e Çikatovës së Vjetër, madje edhe me gjithë faktin se këto raste, jo veçqë janë ekspozuar hapur qe katër vite nga Natasha Kandiqi dhe Fondi i saj, por edhe bëjnë pjesë në krimin tjetër që Serbia kreu kundër shqiptarëve, atë të fshehjes së kufomave në Rudnicë të Rashkës.

3. Së treti, institucionet e Kosovës, e posaçërisht Qeveria, krerët e së cilës herë shfaqen të habitur, e herë kërcënojnë me padi e akuza kundër Serbisë për gjenocid, kurrë nuk kanë ndërmarrë as edhe një hap të vetëm domethënës për të ngritur çështjen e përgjegjësisë së eksponentëve politikë e ushtarakë të Serbisë për ato që ia bënë Kosovës në vitet 1998-1999. Dikoviqi është vetëm një, Ka shumë të tjerë, në mesin e të cilëve janë edhe disa me të cilët zyrtarët e Kosovës takohen, bisedojnë e negociojnë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë – Serbi.

4. Së fundi, Dikoviqi është mysafir i rregullt i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.
Prej se e ka marrë komandën e Ushtrisë së Serbisë, Dikoviqi ka qenë mysafir i komandantëve të KFOR-it në Prishtinë me dhjetëra herë. Ka vizituar edhe shtabin e KFOR-it në “Kosovafilm”, edhe kampin e ushtrisë amerikane në “Bondsteel”. Ka marrë mirënjohje nga KFOR-i për partneritet në ruajtjen e asaj që për Kosovën është kufiri shtetëror me Serbinë, por për NATO-n dhe Beogradin është “vija e kufirit administrativ”. Ka sjellë me vete edhe ushtarë për të luajtur një ndeshje futbolli me përfaqësuesen e ushtarëve të KFOR-it.

Nuk do mend se harresa e bën më të lehtë arritjen e kompromiseve politike, sikur këto të Brukselit. Kjo është pse bashkësia ndërkombëtare, në kërkim të zgjidhjeve të shpejta politike në Ballkan, kërkon që të shikohet nga e ardhmja, duke e harruar të kaluarën.
Por, harresa është e përshtatshme edhe për njerëz të pushtetshëm, të cilët do të donin që e gjithë bota, por edhe popujt, ta harrojë të kaluarën e tyre. Kështu është e mundur që ekstremistët e djeshëm të bëhen të moderuarit e sotëm. Kriminelët e luftës, partnerë e aleatë të paqes. Hajnat e së kaluarës (dhe të së sotmes) garantues të së ardhmes.

Por, duke harruar të kaluarën, krijojmë një të ardhme në të cilën, siç ka thënë filozofi i shumëcituar amerikan, George Santayana, e kaluara na përsëritet.

Aktivistja e njohur e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiq, ka thënë haptas se ajo kishte prova për të mbështetur pretendimet e saj se Dikoviqi ishte i përfshirë në krime lufte. Kandiq, themeluesja e Qendrës për të Drejtën Humanitare, ka përsëritur se të gjitha akuzat se shefi aktual i Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq ishte përfshirë në krime lufte në Kosovë dhe Bosnjë, të bëra publike në raportin e vitit 2012 të QDH-së, bazoheshin në prova të besueshme dhe te dëshmitarë të shumtë.

“Dosja për Dikoviqin bazohet te bisedat me oficerë të Ushtrisë Jugosllave që ishin pjesë e Brigadës së Motorizuar 37, (e udhëhequr nga Dikoviq), si dhe në deklaratat e atyre që mbijetuan dhe deklaratat nga familjarët e atyre që u vranë gjatë bombardimet e NATO-s, kur Brigada e Motorizuar 37 kishte kontroll të plotë të territorit të Glogovcit dhe Skenderajt (në Kosovë, ku ndodhën disa prej krimeve të dyshuara të luftës të përmendura në raport),” ka thënë Kandiq në gjykatë.

Ajo tha se QDH-ja përdori gjithashtu edhe dokumentacionin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, i cili është në dispozicion në faqen e internetit të gjykatës së mbështetur nga OKB-ja, si dhe në raportet e mediave dhe në faqen e internetit të Ministrisë serbe të Mbrojtjes.

Kandiq ka thënë në gjykatë “ne mendonim se detyra e QDH-së ishte të paralajmëronte publikun dhe institucionet në lidhje me atë që po ndodhte në Kosovë, në rajonin e Drenicës, ku brigada, komandanti i të cilës ishte Dikoviqi, kishte kontroll të plotë gjatë luftës në vitin 1999”.

QDH-ja publikoi një tjetër raport në janar të vitit 2015, duke e akuzuar Dikoviqin se kishte komanduar trupat që sulmuan katër fshatrat në vitin 1999, ku mbetën të vrarë të paktën 69 civilë.

Raporti i grupit të të drejtave të njeriut tha gjithashtu se Brigada e 37-të ishte përgjegjëse për largimin e mëvonshëm të trupave nga fshatrat Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ulët dhe Gllanasellë, në përpjekje për të mbuluar vrasjet.

Raporti më pas u dënua nga presidenti serb Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandër Vuçiq, të cilët thanë se akuzat e QDH-së ishin të liga dhe kishin si qëllim të shkatërronin reputacionin e ushtrisë.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, tregohet në dokumentarin e HLC-së duke u thënë gazetarëve se ai “personalisht është i bindur se z. Dikoviq nuk është një kriminel lufte”.

HLC tha se ajo e postoi dokumentarin në YouTube të martën pasi disa kanale televizive në Serbi, përfshirë edhe radiotelevizionin publik Radio Televizioni Serbia dhe Radio Televizioni Vojvodina “refuzuan ose nuk i janë përgjigjur kërkesës për ta transmetuar atë dokumentar”.