Alma Lama,
ambasadore e Shtetit të Kosovës në Itali.
Mbrëmë në mjediset e “Grand Hotel Plaza” në via Del Corso në qendrën kryesore të Romës, Ambasada e Republikës së Kosovës dha një pritje madhështore për bashkëatdhetarët nga trojet Shqiptare.
Pritja ishte shumë dinjitoze dhe domethënëse, Ambasadorja e Kosovës e akredituar në Romë znj. Alma Lama dhe personeli i ambasadës ishin tepër të kujdesshëm në këtë pritje festive, që përkon me 9 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë të Shtetit të Kosovës.
Në pritje ishin një numër i kosiderueshëm bashkëatdhetarësh nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, një festë që na bashkoi të gjithëve.
Ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, të akredituar në Romë nga shumë vende të botës. Ajo që ra në sy ishte se kishin ardhur shqiptarë dhe kosovarë nga Firenze dhe Bolonja disa qindra kilometra largësi, po gëzimi i festës nuk njeh lodhje dhe largësi.
Fjalën përshëndetëse e mbajti Ambasadorja Alma Lama, e cila falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në përkujtimin e 9 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit të Kosovës, si shteti më i ri në Europë dhe në botë.
Në këto 9 vite Kosova është përballur me një seri ngjarjesh, njohja e Kosovës si shtet sa vjen dhe rritet, nga qeveria po punohet intensivisht që të mundësohet sa më shpejt liberalizimi i vizave për Kosovarët në vendet e BE-së.
Kosova është pranuar në shumë organizata ndërkombëtare, dhe po vazhdon me shumë kujdes dhe përkushtim të krijojë një klimë sa më të pranueshme me Serbinë.
Duke folur për shpalljen e Pavarësisë Ambasadorja u shpreh me mirënjohje të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, të rinj dhe të reja që fliuan jetën për të gëzuar sot Kosova Pavarësinë e shenjtë.
Të pranishmit u shprehën me fjalë zemre për shtetin e Kosovës dhe popullin e saj,një popull liridashës dhe i etur për demokraci.
Për të pranishmit ishte shtruar një koktej, i cili u shoqërua me muzikë klasike, në piano ishte e njohura Alberta Troni, e cila ekzekutoi me mjaft profesionalizëm në piano.
Në mjediset ku po zhvillohej kjo pritje madhështore takon Gazetarin, poetin dhe kryetarin z. Ndue Lazri, i cili kishte ardhur me një grup miqsh nga Bolonja, nga Firenze, dr. Vat Marashi, një personalitet i njohur në botën mjekësore po edhe integrimin e emigrantëve në jetën italiane, biseda të gëzueshme, gëzuar festën e Republikës Kosovë.
Në këtë pritje ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan z. Visar Zhiti si edhe përfaqësues të trupit diplomatik të Ambasadës Shqiptare të akredituar në Romë.
Më bëri përshtypje thënia e një qytetari në bisedë e sipër: Ambasada është pasqyra e shtetit që përfaqëson, për këtë duhet falenderuar Ambasadorja znj. Alma Lama, një shembull i vërtetë.
Pasi festa mbaroi u shpërndamë duke i uruar njëri-tjetrit Gëzuar Festën Kosovë, shtrëngime duarsh me Ambasadoren dhe personelin e ambasadës me urimin që vitin tjetër kosovarët të jenë të lirë të udhëtojnë në shtetet e BE-së.
Gjin Musa, gazetar